Meti Rexhepi
(Prozë e shkurtë)
Nuk e dija si më sollën këmbët këtu, kundruall kishës dhe korit të shtruar ortodoks? Insertet e ëndrrës ishin lidhur, kishin dendësuar unitetin tejpërtej fiziologjisë e psikologjisë. Ishte diçka që i përjashtonte dukuritë dhe ligjet e psikikes njerëzore… Zhgjëndrra dhe ëndrra, ëndrra e zhgjëndrra, ku kishte lënë mangësi njëra e përmbushte tjetra.
Pa ndonjë vijë ndarëse kisha hyrë në ëndrrën e zhgjëndrrës… Më pushtonin klithmat, dënesje, gjëma të djeshme, drithërima të pritshme, derivate ngjarjesh të djegshme, të pashuara në të sotmen…
Në dimrin e kësaj hapësire nuk kishte borë, ndërsa unë cullak dhe i ngujuar, pa mundur ta qetësoja pallën, që e kishte shigjetuar një shikim-vashe në morinë e vashave… Pozita e forcuar e pallës pikërisht në aktin e shënjestrës për prerje!… I thosha dytëshorit:
– Kjo farë mynxyre do të jetë shënjestra më cinike për ta goditur.!
– Gjithsesi!
– Mbase pasojat e dhimbjes tënde janë të meritueshme!
– Por, natyra ka epërsitë e veta të fshehta të patejkalueshme…
Pastaj i thosha:
– Le t`ia lëmë vendimet natyrës…
– Pra, do t`ia lësh në dorë krejtësisht instinktit?
– Po.
– Si ashtu? Atëherë të paska rrjedhur vetëdija?!
– Aiii ç`më filozofoje ti?
– Pse jo? Gjej veshjet e arsyes dhe mbuloje cullakun e mendimit tënd të shkalluar!
Kjo ëndërr e zhgjëndrrës së paskajshme më mbante pezull në orbitën e saj dhe, do të doja të fluturoja, të fluturoja matanë këtij ferri ndjeka-keq!
* * *
Më ishin mbështjellë me fije të dhimbjes mendja dhe zemra. Dhimbja ime ia tëhollonte fijet mendjes, aq sa gati këputnin lidhjet me zemrën. Pleksjet e dhimbjes gjeneronin të mbështjella në gjene. Gjenet e atit tim vijuan të qesin filiza, bisqe të reja me përmbajtje lëndore të pandryshuar.
– Asgjë s’ka ndryshuar ati im i dashur!
– Nuk duhej të shqetësoja ende ty atje në amshim… Më fal!
Me të njëjtat fije të perit avullues gjilpëra m`i qepte gjithçka qepet për trupin tim. Qepja kurrë njëherë nuk e përmbylli përmasën time të gjatësisë e të gjerësisë! Gërshërët dhe gjilpëra për qepjen e trupit tim, kurdoherë ishin në duart e vullneteve të huaja. U ngushtua së tepërmi qepja e dhimbjes time, aq sa pas çdo shtrirje gjymtyrësh, që me hedhjen e hapit paksa më të gjatë, veshja më shqepej tej përtej shalëve!
– Pikërisht kjo lloj (sh)qepje shkaktoi cullakun tënd – shfaqi një diskurs sipërfaqësor dytëshori.
Ai diskurs nuk mund të ishte i pa përtrollitur, meqë e njëjta dhimbje e përshkonte brendësinë e shtrirjes tij; porse shumëfish më të gjerë në ndërdyme. Duke pandehur se tashmë më shihte të qepur tërësisht, heshti në rropatjet e mia të vijueshme. Mendoja se veshja me lëkurën e evolucionit të Darwin-it ishte veshje origjinale. Përse? Ngaqë lëkura ime i kishte të hapura deriçkat e poreve për hyrje-dalje të ajrit të shndërruar në karbon-dyoksid, kishin pushuar qortimet për lajthitjet e veshjes…
Sfurqeve prej druri dhe metali u kishte dalë para mali. Medoemos do të lypja mbulesë, meqë brekët prej barishtesh m`i fërfëllinte fërfëlliza. Më gjuante me shigjeta të acarta herë veriu, herë veri-lindja. Dramës sime lakuriqe i hidhnin shikime të rrëshqitshme. Tashmë lakuriqësinë e mbështillja me barishte të thurura, por shqetësimi i turpit ia zinte fytyrën me duar dytëshorit.
– Më vjen turp! – thoshte ai.
– S`ka pse të vijë turp – i thosha.
– Kjo është të jesh sikurse të gjithë të tjerët kur zhvishen për t`u larë. Një gjendje normale e njeriut, ore dytëshor!
– Por njeriu vishet dhe bëhet njeri…
– Ata të veshurit e shpifin të vërtetën e trupit të tyre, vizatimet e vijave, simetrinë dhe asimetrinë… – këmbëngulja unë.
– Çfarë thua korubja ime?! Nuk ndodhemi në bashkësinë e parë primitive!
– Po, por dhimbja ime është legjitime…
I rendisja dëshmi, si duket, të shkalluara?!…
– Mu këta të veshur me shpifje më lanë kësisoj cullak dhe për tallje, ndaj rebelohen pa ndalur gjymtyrët e trupit tim.
– Le t`iu them se: ka diçka tek unë që nuk përkulet…
Dytëshori i molisur dhe i mërzitur, pëshpëriti dhimbshëm:
– Zhveshja e deritashme e dëftoi shkallmimin tënd të thellë, të thellë aq sa nuk i preket dot fundi!…