Mehmetali REXHEPI
tambli i shteret
por burime të ëmbla i rrjedhin
*
si ta lësh pa e prekur me dorë të lirë
lëkurën petë tambloreje e shtrirë
*
në çdo zonë të prekjes
jargët e ujkut dhe avujt e zemrës
*
hyre në orbitën e saj magnetike
thuresh prej ibërshimesh të fshehura të asaj grishje
*
harrove se edhe ti je një yll
porse rrezet tua t`i kishte përpirë
*
shpinë për shpine dhe
t`i lexonte të lajthiturat ëndërrime
*
në kaltërsinë e mesditës
seç ta derdhte breshërimën e vranësirës
*
ngjiteshe relievit epshor bjeshkës për bri
vrik t`i ndillte vetëtimat rrufetë e rrebeshet me stuhi
*
shih të mbjellat e tua si t`i shkretuan
breshërimë dhe epshi i saj që s`frenuan
*
duar nektari pemë e gjallë
syrrushe e zezë syrrushe e bardhë
*
gji i qetë i detit të jetës
liman anijesh të molisura për spirancat e prehjes
*
thellësinë e gruas prej deti
asnjë pushtues zemrash nuk e preku
*
ajo ngërthen enigmën jo për sot
zbërthen ngjyrat për stinë e mot
*
Petrarka Serembe e se cili tjetër
prore mbetën të etur fund-ëndjen e gruas për ta gjetur
*
pas secilës veshje solemne
prirje t`i takonte edhe një zemre
*
sheshit e përmes zemrës shigjeta e shikimit më përshkoi
rrënjës katrore të marrëzisë një kllapë të vardisjes i ofroi
*
sajon brymë për pemën e zilisë
mburojë për të helmatisurën shtizë
*
ruaju mllefit të saj të parë
pendesën e tretë fare lehtë mund të ta falë
*
e ke fyer sedrën dhe heshtjes i vure pikë
karikaturën ta varë pikërisht në orën tënde të ligë
*
në lozën e saj ngjizet fara e rrezeve të gjenisë
e tokës avullore e dashnorit diellor apo e Hyjnisë
Nga libri: VETULLAT E MAJËBORËS; Lena, Prishtinë, 2021
Gjilan, 31 gusht 2019
AR(T)I I PRITJES
1.
Vorbullave
të brengave
domosdo
noti
në digat e durimit
ngrehinë
për të të mos përpirë
vërshimet
2.
Smira e ka kot
kotsëkoti
smirëzinjtë
deti me shkop
nuk turbullohet dot
detit të dashurisë
nuk i nxihe kaltrëria
3.
Nuk je zanë
e maleve
as hënë
për (shtoj)zovalle
as bukuroshë
hermetike
prej kozmetike
tjera ndjeshmëri
stolisin tuat tipare
e rrepta në urtësi
e urta në urtësi
fisnikëria në krenari
4.
Kafshatës së bukës
(m)i jep shije
mëlmese e fjalëve tua
shije frymëzimit
Relievit të butë
shpërthejnë dhe shuhen
vullkanthët
shpirtit
5.
As ndryhet
as s’ndryshket
malli i ndryrë
piqet piqet…
Buzëqeshja e brymt
e smirës
përcëllon
edhe fletët
e lules së vet
Mungesa yte
zverdhtë blerimin
vjeshta voli
pemën
e gjakuar
u r t i n ë
6.
Pranë teje piqem
e nuk digjem
larg teje digjem
e nuk piqem
7.
I hedh kokërrat
e grurit
në arë të rrafshit
tënd verë
që pjek
nga të acartat
goditje
e gjithfuqishmes
uniformë bardhësie
8.
Stolis dëshirat
shtatet
e vashave nuseve
fustanët fundet
copa pranverash
visore nusërie
qep dhe shqep
arr(n)on
dhe në fjalët e mia
të këputura
(s)thua
qepet gjithmonë
varfëria
Do t’iu qepte
petka
t’iu qendiste
pajë
pëllumbave
kanarinave
bletës
të mbrohen
9.
Të m’i shqepësh
modelet e ngushta
të rrobave
të mynxyrave
më nxorën dredhë
më mpinë
s’ka modele
për dashurinë
kopje e fortë
e pashlyer
e modelit
pa modë
(më) je.
10.
Ç’bëra
për ty
Ndjej
po nuk e shkruaj
poezinë
11.
Tashmë
nuk thithim ajër
pa mëlmese
jonesh atomike
mëlmese e shekullit
të iksave
të botës
në ankth
12.
Kot e vesh vetminë
e stolis me kate
të kujtimeve
të holla
ndërsa kujtimet
e krahnezta
i shpojnë shpojnë
13.
Ç’të bëj tash
pa veshje
të lëkurës tënde
Si t’iu ikësh
kafshimeve të mallt
ndryshkut
të qëndresës
së hekurit
shpresës së zgjebosur
Shiritkujtime
shpalohet paprerë
prushin e tij
për të më hedh
14.
Ke për ta provuar
shijen e Artit
të Pritjes
frymën tënde
të fëguar
Lubjanë, 1987