SALI BERISHA – SHKËLQIMI DHE RËNIA

0
Sali Berisha - foltore

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Sali Berisha  (1944 – ) shërbeu si presidenti i dytë i Shqipërisë në vitet 1992 – 1997, dhe presidenti i parë i zgjedhur nga një parlament i dalë nga zgjedhjet të lira demokratike pas rënies së regjimit komunist. Berisha qe edhe kryeministër i Shqipërisë nga 2005 deri më 2013. Ka qenë kryetar i Partisë Demokratike dy herë, në periudhën 1991 – 1992 dhe sërish nga 1997 gjer më 2013. Është aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Si një ish-sekretar komiteti i Partisë së Punës në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, e braktisi karrierën e tij si kardiolog dhe profesor i universitetit për t’u bërë lideri i Partisë Demokratike.

Në vitin 1978 fitoi një bursë nëntë mujore nga UNESCO për studime të avancuara dhe trajnime në Paris .

ROLI NË RËNIEN E KOMUNIZMITNë vitin 1989 kur vendet e Evropës Lindore filluan të përmbysnin komunizmin Sali Berisha dhe mbështetësit e tjerë të reformave dolën më hapur në thirrjet e tyre për ndryshime në Shqipëri.

Në gusht të vitit 1990 në një takim të disa intelektualëve shqiptarë me Ramiz Alinë (1925-2011), Berisha kërkoi lejimin e sistemit shumëpartiak dhe ekonominë e tregut. Në dhjetor të vitit 1990 ai iu bashkua që në ditën e parë demonstratave të studentëve të cilat e detyruan regjimin të lejonte sistemin shumëpartiak. Me krijimin e partisë së parë anti-komuniste, Partisë Demokratike, ai ishte një nga drejtuesit kryesorë të saj dhe në shkurt të vitit 199 ai u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike. Sali Berisha ka qenë zgjedhur deputet i parlamentit në 1991, 1992, 1997, 2001, 2005, 2009…

KRYETAR (PRESIDENT NË VITET 1992-1997) – Pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, Berisha u zgjodh President i Republikës më 9 prill 1992. Gjatë mandatit si President i Republikës së Shqipërisë, Shqipëria u hap ndaj perëndimit; ajo u bë anëtare e Këshillit të Evropës në vitin 1995; nënshkroi Marrëveshjen për Paqe dhe Partneritet në vitin 1993 dhe vendosi bashkëpunim të ngushtë me vendet e BE-së dhe ShBA-në. Të gjitha ligjet e diktaturës komuniste u zëvendësuan me ligje të reja të standardeve evropiane dhe u krijuan institucione të reja si Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që nuk ekzistonin më parë. Koha tregoi se institucionet e sipërthëna, që nga themelimi i tyre e këndej nuk kanë funksionuar sipas ligjit.

Rënia e skemave piramidale në fund të viti 1996, në të cilat shqiptarët humbën miliona dollarë, çoi në demonstrata në të cilat njerëzit akuzonin qeverinë për vjedhjen e parave. Trazirat e krijuara si rezultat i kësaj në fillim të vitit 1007 e detyruan Berishën të dekretonte zgjedhjet e parakohshme në qershor 1007. Këto zgjedhje u fituan nga opozita dhe pas kësaj Berisha dha dorëheqjen si President.

KRYETAR I OPOZITËS (1997-2005) – Më pas Berisha ri-zgjidhet Kryetar i Partisë Demokratike dhe këtë pozicion e mban nga viti 1997 deri, i rizgjedhur në prill 2005 deri në 26 qershor 2013.

Më qershor të vitit 2007 Berisha e priti në Shqipëri Presidentin e SHBA-së Xhorxh Bush, biri (George Walker Bush, 1946 -). Ishte kjo një vizitë historike.

KRYEMINISTËR NË VITET 2005-2013 – Më 8 shtator 2005 me shumicë prej 81 votash të deputetëve zgjidhet Kryeministër i Shqipërisë. Më 4 prill 2009 Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në NATO. Kjo u arrit falë reformave të kryera të qeverisë Berisha.

Gjatë qeverisjes së Berishës, në Shqipëri u ndërtuan shumë rrugë. Midis tyre edhe rruga Durrës-Kukës, që njihet si “Rruga e Kombit”, sepse lidh Kosovën me qytetin e Durrësit.   Berisha ka marrë pjesë në ceremoninë e emërimit të një rruge në Tiranë me emrin e Ibrahim Rugovës (1944-2006). Gjatë qeverisjes së vet Berisha u angazhua për të siguruar në Shqipëri energjisë elektrike pa ndërprerje.

Gjatë qeverisjes së Berishës, më 2 prill 2009 Shqipëria u anëtarësua në NATO. U hoqën vizat me vendet e BE-së. Vendimi hyri në fuqi më 15 dhjetor 2010, pas miratimit nga Parlamenti Evropian.

Berisha zotëron gjuhën angleze, frënge, italiane, ruse dhe gjermane.

Më 23 prill 1996, Kryetari Berisha u dekorua nga Kryetari i Republikës së Italisë Oskar Liugji Skalfaro (Oscar Liugi Scalfaro, 1918-2012) me dekoratën “Cavaliere di Gran Croce decorato di Gran Cordone dell’Ordine”.

Në vitin 2009, Universiteti i Prishtinës ia dha Kryeministrit Berisha titullin “Doctor honoris causa”.

Më 9 nëntor 2011, Kryeministri Berisha vizitoi Maqedoninë. Universiteti i Evropës Juglindore, me seli në Tetovë, ia dha Çmimi për lidership. Gjatë kësaj vizite u takua edhe me përfaqësues të Bashkisë së Tetovës dhe të Universitetit  të Tetovës.

*   *   *

LUHATJA E MARRËDHËNIEVE MIDIS ISH-KRYEMINISTRIT BERISHA DHE SHBA-SË, QË NGA 1991 E KËNDEJ

Sali Berisha ka qenë politikani më i mbështetur nga SHBA që nga nisja e lëvizjeve demokratike në Shqipëri. Më 1992 ai u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti amerikan i kohës, Xhorxh Bush, babai (George Herbert Walker Bush, 1924-2018). Kreu i Shtëpisë së Bardhë do ta presë përsëri në Shtëpinë e Bardhë Sali Berishën në 1992, tashmë si president i Shqipërisë, pas zgjedhjeve të para pluraliste.

VIZITA E BERISHËS NË ShBA DHE PRITJA NGA PRESIDENTI KLINTON – Më 1995, edhe pasardhësi i Xhoxh Bushit, demokrati Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946 – ), e priti Kryetarin Berisha në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Në takimin me Klintonin, Berisha e nxiti atë për më shumë vëmendje ndaj Kosovës.

TRAZIRAT E VITEVE 1997-1998 – Uashingtoni kishte besuar se Kryetari Berisha do t’i dëgjonte këshillat dhe sugjerimet e administratës amerikane gjatë trazirave të vitit 1997 dhe grushtit të shtetit në vitin 1998. Krisja e parë në këto marrëdhënie daton me zgjedhjet e vitit 1996, kur administrata amerikane nuk e pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe dhunën e ushtruar ndaj opozitës.

Dy vjet më vonë, d.m.th. më 1998 ambasadorja amerikane në Tiranë, Marisa Lino (Trieste, Itali, 1950 – ), dënoi grushtin e shtetit të opozitës, e cila i sulmoi institucionet shtetërore. Përmes një deklarate, ambasada bënte thirrje që “vdekja e Hajdarit nuk duhet të shfrytëzohet”, deklaratë që çoi në ftohjen e raporteve të ish-kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës. Pasuan disa vite marrëdhëniesh të ngrira mes PD-së, përkatësisht Sali Berishës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

NË VITIN 2007 PRESIDENTI AMERIKAN XHORXH BUSH, BIRI VIZITON TIRANËN – Fitorja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005 nga Partia Demokratike dhe nga aleatët e saj si dhe zgjedhja e Sali Berishës kryeministër i vendit, i riktheu marrëdhënien e dikurshme institucionale të tij me SHBA-në.

Në vitin 2007 ndodhi ngjarja më e rëndësishme në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Për herë të parë një president amerikan do të vinte në Tiranën në një vizitë njëditore. Presidenti Bush, i riu u prit nga kryeministri Berisha. Mori mesazhin nga Presidenti Bush, biri për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ky vendim e rriti edhe praninë e kompanive amerikane në Kosovë dhe në Shqipëri, ndërsa pati si produkt edhe Rrugën e Kombit.

TAKIMI I BERISHËS ME KRYETARIN E KINËS – Në gusht të vitit 2008 u mbajtën në Pekin lojërat olimpike. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe Sali Berisha. Më 8 gusht 2008 Berisha u takua në Beijing me kryetarin e Kinës Hu Jintao (1942- ).     

SHQIPËRIA NË NATO – Në vitin 2009, në kohën e Kryeministrit Berisha, falë marrëdhënieve të mira me Uashingtonin dhe me Presidentin Bush, i riu Shqipëria u bë anëtare e NATO-së, edhe pse shpërthimi i Gërdecit ku humbën jetën 26 vetë, ngriti ca pikëpyetje te amerikanët, për ndikimin e Kryeministrit Berisha dhe të aleatëve të tij në këtë ngjarje. Në kabllogramet që i bëri publike “Wikileaks” shihet se në vitin 2008 ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Viters (John Lovelle Withers II, 1948- ), i raporton qeverisë amerikane mbi rolin e Berishës në tragjedinë e Gërdecit.

“Të marra së bashku, përpjekjet e Berishës për të ushtruar një kontroll më të madh mbi sistemin juridik, median dhe shërbimet e inteligjencës, plus përpjekjet e tij për të minuar hetimin e Gërdecit, zbulojnë një prirje të pagabueshme dhe shqetësuese; objektivat e tij më të afërt duket se janë kontrolli i hetimit mbi Gërdecin, ndaj SHISH, gjykatave, Prokurorisë së Përgjithshme dhe medias. Të gjitha këto luajnë një rol të madh në ekspozimin e bizneseve të dyshimta dhe korrupsionin që çoi në shpërthimin e marsit, si dhe çka është më e rëndësishme, lidhjet e mundshme të djalit të Berishës, që thuhet se ka pasur interes biznesi në Gërdec.

Një motivim i dytë është padyshim motivimi i Berishës për të kontrolluar zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që janë caktuar në qershor të vitit 2009. Sulmi është përpjekja e fundit për të devijuar hetimet në vazhdim, i pari ai i Gërdecit, i dyti ai i akuzave serioze të korrupsionit kundër ministrit të Jashtëm Basha dhe projektit Durrës-Kukës, ku abuzimi financiar shkon afërsisht në 200 milionë euro. Duke iu referuar natyrës shpërthyese të këtyre hetimeve, Kryeministri ka arsye të mëdha të vazhdojë, e madje të shtojë presionin ndaj zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm”, zbulon “Wikileaks” kabllogramin e Withers.

TAKIMI BERISHA-OBAMA – Në shtator të vitit 2009, midis Presidentit të ShBA-së, Barak Obama (Barack Obama, 1961- ) dhe bashkëshortes së tij, Miçelle (Michelle Obama, 1964- ), si dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha (1944- ) dhe bashkëshortes së tij, pediatres, Liri Berisha (1948- ) ka pasur një takim privat. Nga ky takim Shtëpia e Bardhë ka bërë publike foto. Takimi i Berishës me Obamën u zhvillua në kuadër të pritjes së organizuar nga çifti presidencial amerikan në “Metropolitan Museum of Arts”, në Nju-Jork për të gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive që merrnin pjesë në sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Pritja gala ka zgjatur rreth dy orë. Lajmi u publikua më 30 shtator 2009.

REFORMA NË DREJTËSI – Sali Berisha sulmoi reformën në drejtësi në vitin 2016, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama (1964- ) se  tenton ta kapë atë nëpërmjet miliarderit Xhorxh Soros (1930-) dhe me mbështetjen e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu (1966- ): “Menjëherë reformën e mori Edi Rama në dorë dhe përjashtoi opozitën. Çuditërisht në krah të Edi Ramës u rreshtuan edhe guvernatorja e BE-së dhe më pak ambasadori Lu. E bënë draftin me specialistë të huaj, natyrisht të paguar nga Xhorxh Soros, ky kryekorruptor në botën e lirë”. Berisha e sulmoi ambasadorin Lu edhe për akuzat në adresë të Prokurorit të Përgjithshëm. “Zoti Lu është në konflikt interesi, ka dy probleme. Lu do që Adriatik Llalla me çdo kusht të ikë. Se Llalla e ka akuzuar për korrupsion. Lu duhet t’u përgjigjet akuzave. Ai e ka akuzuar se i ka shkuar në zyrë dhe i ka kërkuar ndërprerje hetimi për një dosje. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që kryeprokurori të akuzojë një ambasador”, është shprehur Berisha.

DEKLARATA E RAMËS – Në janar të vitit 2019, në Kuvendin e Shqipërisë kryeministri Rama lajmëroi se Sali Berisha e ka të pamundur të udhëtojë drejt SHBA-së: “…ti Sali e kapërcen dot oqeanin me dasht?…Nëse do të isha ai që përshkruani Ju, të jeni i sigurt se nuk do ta kapërceja dot oqeanin, e jo më të komunikoj me Shtëpinë e Bardhë, me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë…”.

SHKËMBIMI I TERRITOREVE KOSOVË-SERBI – Sali Berisha ka denoncuar tezën e shkëmbimit të territoreve, duke e cilësuar atë produkt të Fondacionit Soros në Beograd, ndërsa autorë të këtij projekti i ka quajtur  kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin (Aleksandar Vučić ose Александар Вучић, 1970- ) kryeministrin Rama (1964- ) edhe ish-kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçin (1968- ).

*   *   *

SALI BERISHA DHE FAMILJA E TIJ SHPALLEN NGA ShBA-ja “PERSONA TË PADËSHIRUAR” – Më 19.05.2021, në një mesazh në twitter Sekretari i Shtetit, Antoni Blinken (Antony John Blinken, 1962- ), shkruan se Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, ndaj dhe u ndalohet hyrja në ShBA. Të padëshiruar apo persona non grata shpallen edhe bashkëshortja e Sali Berishës, Liri Berisha, djali Shkëlzen Berisha si dhe vajza Argita Berisha Malltezi.

“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”.

Sali Berisha i mohon akuzat duke thënë se brenda tridhjetë vjetëve në skenën politike, asnjë institucion i vendit apo i huaj nuk ka ngritur ndaj tij asnjë akuzë për korrupsion apo për çfarëdo pune tjetër të paligjshme. Ai shton se anëtarët e familjes së tij, gjatë veprimtarive që kanë ushtruar,  kurrë nuk i kanë shfrytëzuar fondet publike. Për shpalljen person të padëshiruar, midis tjerëve fajëson edhe Xhorxh Sorosin.

Shënim: Xhorxh Soros (George Soros ose György Schwartz, Budapest, 1930-) është miliarder amerikan, investues dhe filantrop. Themelues i Fondacionit “Shoqëria e hapur”. Vjen nga një familje e pasur hebraike e Hungarisë, e cila me dokumente të falsifikuara ia doli të shpëtonte nga holokausti. Ka edhe të tillë të cilët Sorosin e quajnë baba të prapaskenave botërore, bashkëpunëtor të nazizmit, spekulator, nxitës i shkëmbimit të popujve etj. Një prej kundërshtarëve të tij është edhe kryeministri hungarez Viktor Orbán (1963- ).

ZGJEDHJET E 25 PRILLIT TË VITIT 2021, PD-ja I HUMBI – Për humbjen e zgjedhjeve, Berisha nuk tha asnjë fjalë kundër Lulzim Bashës.

Për arritjet dhe ngecjet e Shqipërisë gjatë periudhës së pluralizmit, meritat dhe përgjegjësitë u përkasin udhëheqësve politikë, siç janë Fatos Nano (1952- ), Sali Berisha (1944- ), Ilir Meta (1969- ), Edi Rama (1964- ), Lulzim Basha (1974- ) etj. Këta kanë qenë liderë partiakë, ndonjë prej tyre ka qenë kryetar shteti, kryeministër, ministër, deputetë, kryetar bashkie. Ndonjëri prej tyre ka qenë kryeministër më shumë se një herë. Në vitin 2002 Fatos Nano zgjidhet kryeministër për së treti herë. Liderët apo politikanët e sipërthënë nuk arritën që brenda tri dekadave ta kthejnë Shqipërinë në shtet ligjor, në shtetin e së drejtës. Nuk arritën t’i japin fund tranzicionit. Dhe këta liderë apo politikanë, bashkë me nomenklaturat e tyre sillen sikur asgjë s’ka ndodhur. Rrethi i tyre më i ngushtë nuk kanë vetëdije kombëtare dhe njerëzore të mjaftueshme. Sillen sikur të jenë amerikanë. Amerikanë, në një vend të pazhvilluar, të ngecur.

Çdo pushtet të prishë. Sidomos pushteti në një vend me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik. Aty ku ekonomia ndodhet në shkallë të ulët, edhe demokracia është në nivel të ulët. S’ka shtetar apo burrë shteti që nuk gabon. Gabojnë edhe burrat e shtetit të vendeve me shkallë të lartë të zhvillimit ekonomik dhe demokratik. Vendin me ekonomi të pazhvilluar mund ta udhëheqin vetëm prijësit idealistë. Por prijësit e tillë s’bëhen dot milionerë. Mahatma Gandi (Mahatma Gandhi, 1869-1948) me bastunin në dorë, i binte kryq e tërthor Indisë me tren. Refuzonte të ulej ngase edhe për të tjerët s’kishte ulëse të lirë. E thirrin baba. Shpallja e Berishës person i padëshiruar nga superfuqia paraqet dramë për të. Por kjo s’është fare mirë as për Shqipërinë dhe as për shqiptarinë. Të qëndrosh në maje të politikës tridhjetë vjet, në një vend me probleme të theksuara politike, ekonomike, sociale dhe morale është gabim. Në shtetin ku nuk funksionon ligji, lideri apo politikani lehtë mund të shndërrohet në shtetar apo në politikan autoritar dhe autokrat.

Madje, kjo është e pashmangshme. Autoritarizmi dhe autokracia nuk janë larg despotizmit dhe tiranisë. Autoritari dhe autokrati s’ka sesi të mos jetë    karrierist dhe i etshëm për pushtet. Ai mund të jetë ekscentrik, egocentrik, narcis, person me ambicie të shfrenuara, megaloman, arrogant. Pushteti i mundëson personit të tillë të krijojë pasuri. I pasuruar, tanimë ai është edhe i pabindur. Të qëndrosh tridhjetë vjet në pushtet, abuzimet dhe veprimet e paligjshme janë të pashmangshme. Në hapësirat shqiptare, pothuajse të gjitha partitë janë liderike. Lideri autoritar nuk lejon të rritet apo të formohet një lider tjetër që do ta zëvendësonte. Ai dëshiron të jetë i pazëvendësueshëm. Kur vjen koha të zëvendësohet, zëvendësuesin e cakton vetë. Ai vazhdon të ushtrojë ndikim, por tani vepron në hije. Në partinë e tillë as që mund të flitet për demokracinë brenda saj. Lideri i tillë nuk njeh rregulla dhe parime demokratike edhe kur vjen në krye të shtetit.

Shtetari i mençur duhet të dijë se kur duhet të largohet nga skena politike. Sa më parë të largohet, aq më mirë për të. Ndryshe, rrezikon të diskreditohet dhe të komprometohet. Shtetari që përqendron në duart e veta pushtet, nuk mund t’u bëjë ballë trysnive të rrethit të ngushtë. Nëpërmjet pushtetit të tij, rrethi i ngushtë synon t’i realizojë interesat e vet. Në rrethin e ngushtë bëjnë pjesë pjesëtarët e familjes, miqtë, bashkëpunëtorët partiakë. Pushtetari autoritar dhe autokrat shndërrohet në ligj, ligji jam unë. L’État, c’est moi kishte thënë më 13 prill 1655 para parlamentarëve të Parisit mbreti i Francës dhe i Navarës Lui XIV (Louis XIV, 1638-1715).

*   *   *

Përkundër pranisë së amerikanëve, politika shqiptare nuk ia del të ndërtojë shtet ligjor. Pa Amerikën, a thua kur do të mund të ndërtonin shqiptarët shtet demokratik? Ka pasur dhe ka politikan shqiptar që kanë ardhur në mosmarrëveshje me përfaqësuesit diplomatikë të ShBA-së në Tiranë. Pasi ia hoqën imunitetin, kryetari i PS-së Fatos Nano fajësoi – pa arsye – diplomatët e huaj, ambasadorin e parë të ShBA-së në Shqipëri në periudhën e pluralizmit Uilliam Rajerson (William Edwin Ryerson, 1936- ) dhe ambasadorin amerikan Kristofer Hill (Cristopher Robert Hill, 1952- ). Nano akuzohej nga qeveria e Berishës për vjedhje në përmasa të mëdha të ndihmave italiane kur ishte kryeministër. Më 30 korrik 1993 u arrestua. Më 1994 u dënua me 12 vjet heqje lirie. Më 14 mars 1997 u lirua me faljen e Kryetarit Berisha.

Berisha ka pasur mosmarrëveshje me disa ambasadorë të ShBA-së në Tiranë. Midis tyre edhe me ambasadoren Juri Kim (Yuri Kim, 1972- ). Duhet ditur se përfaqësuesi diplomatik amerikan përfaqëson ShBA-në. Diplomati amerikan, në cilindo vend të botës, është i paprekshëm. Politikani shqiptar që përplaset me diplomatin amerikan, s’i ndihmon dot as vetes, as Shqipërisë, as kombit. Të sulmosh ambasadorin amerikan është naivitet.

Shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Shqiptarët i janë mirënjohës Amerikës deri në jetë të jetëve. Pa Amerikën, shqiptarët në rajon janë të rrezikuar prej hienave.

Mosmarrëveshjet apo konfliktet brenda Partisë Demokratike kanë për pasojë dobësimin e opozitës në Shqipëri. Pa opozitë të mirëfilltë nuk mund të ketë pluralizëm politik, pluralizëm ideologjik dhe shumësi interesash. Pa një opozitë të njëmendët nuk mund të zhvillohen as proceset demokratike. Me një opozitë të dobësuar s’kontrollohet dot shumica parlamentare,  qeveria dhe pushteti. Në rrethana të tilla, shoqëria mund të ballafaqohet me elemente të monizmit. Drama personale e individit nuk duhet të jetë mbi interesin e shtetit, të shoqërisë dhe të kombit.

Një Shqipëri jo mjaft e konsoliduar, nuk i ndihmon kauzës kombëtare shqiptare, nuk i ndihmon Kosovës. Interes mbi interesa i çdo shqiptari në rruzullin tokësor është forcimi i shtetësisë së Kosovës. Kjo nuk është punë individi apo partie. Është punë e shtetit shqiptar, e kombit. Në një kohë kur shqiptarët kacafyten ndër vete, Serbia forcohet ekonomikisht, ushtarakisht dhe politikisht. Në vitin 2021 kanë hyrë në Serbi investime në një shumë prej 3.9 miliardë eurosh.

*   *   *

Historia është plot shembuj që dëshmojnë për daljen nga skena të personaliteteve historike. Legjendari Uinston Çërçill (Winston Churchill, 1874-1965) ishte ngadhënjyes i Luftës së Dytë Botërore. Kryeministër i Britanisë në vitet e luftës, 1940-1945. I pari prej vetëm tetë njerëzve në botë që janë shpallur qytetar nderi në ShBA. Në zgjedhjet e para të pas luftës – nuk fitoi. Gjenerali francez Sharl dë Gol (Charles André Joseph Marie de Gaulle, 1890-1970), organizues i Lëvizjes së Qëndresës (Les Mouvements unis de Résistances), nderi dhe lavdia e Francës, doli nga skena para kohe.

Kancelari gjerman Helmut Kol (Helmut Kohl, 1930-2017), ribashkues i Gjermanisë, u dënua për korrupsion nga gjykata në moshë të shtyrë. Kancelarja Angela Merkel (Angela Dorothea Merkel, e lindur Kasner, 1954- ), e konsideruar si një prej politikaneve më me ndikim në rrafshin global, doli nga skena. Liderët shqiptarë, daljen nga skena nuk duhet ta përjetojnë si një tragjedi shekspiriane. Qëndrimi pafund në skenën politike është karakteristikë bolshevike.

Sali Berisha është personalitet i rëndësishëm i periudhës së pluralizmit në Shqipëri. Por, ai dhe kushdo qoftë, nuk mund të qëndrojë pafundësisht në skenën politike, vetëm pse paskësh qenë lider historik i PD-së dhe pishtar i djathtizmit dhe i pluralizmit në Shqipëri. Për rolin dhe kontributin e tij le të shkruajë historia. Sot, për të është më mirë të tërhiqet nga skena politike, të ruajë shëndetin, të mbrojë integritetin moral dhe të shkruajë kujtime.

Ngjarjet e 8 janarit të vitit në vazhdim, sado brendapartiake, e diskreditojnë Shqipërinë para botës. Ngjarje të tilla, në sytë e botës i bëjnë dëm edhe Kosovës. Para selisë së PD-së apo brenda saj, ka mundur dikush edhe të humbë jetën. Në trazira të tilla pësojnë të rinjtë e papunë, bijtë e punëtorëve, të fshatarëve, skamnorët, të varfrit. Kështu ka qenë gjithmonë në histori. Në situata të tilla nuk pësojnë fëmijët e politikanëve apo të pasanikëve. Kjo s’ka ndodhur kurrë në histori. Ka bij dhe bija politikanësh dhe pasanikësh që e kalojnë kohën me shthurje morale, pa pasur ndjenja njerëzore dhe atdhetare.

Nuk ka dy Amerika. Amerika është një. Administratat në Amerikë ndërrohen, por vendimet e administratës paraprake, kryesisht mbeten në fuqi. S’ka administratë amerikane që e rehabiliton korrupsionin. Edhe sa dekada duhet të jenë prezentë amerikanët në Shqipëri apo në rajon, për t’u kryer reforma në drejtësi, për t’u luftuar korrupsioni. Po qe se shqiptarët nuk mund vetë ta luftojnë korrupsionin, atëherë duhet t’i jenë mirënjohës Amerikës për ndihmën e dhënë. Po të mos jetë Amerika, kuvendet e vendeve të rajonit do të vlonin prej deputetëve me dosje kriminale. Shteti, kuvendi i të cilit ka deputetë që dyshohen për vrasje, plagosje, larje parash, amoralitet, kultivim dhe shitje lëndësh narkotike – nuk e ka vendin në BE. Pastaj, fajet i paska presidenti i Francës Emanuel Makron (Emmanuel Jean-Michel Frédéric Macron, 1977- ).

Jeta e njeriut dhe interesi i kombit është mbi luftën për pushtet, të individëve apo të koniunkturave. Politikanët, ish-kryetarët e shtetit, ish-ministrat, përfaqësuesit e qytetarëve apo deputetët, të dikurshëm dhe të tashëm duhet të gjykojnë në mënyrë racionale dhe jo të bëjnë gara se kush është më militant partiak se tjetri. Do prej tyre sillen në mënyrë irracionale dhe u ngjajnë veprimtarëve të shtabeve partiake gjatë fushatave parazgjedhore. Në vend që të jenë konstruktivë, ata dalin destruktivë.

*   *   *

Po të mos ishte shpallur Berisha person i padëshirueshëm, për të Lulzim Basha do të vazhdonte të ishte i mirë. Po të mos ishte shpallur person i padëshirueshëm s’do të kishim as foltore. Basha për Berishën do të vazhdonte të jetë kryetar i PD-së, madje i pakontestueshëm. Zgjedhjet e 25 prillit të viti 2021 PD-ja i cilësoi si masakër zgjedhore. Sidoqoftë, zgjedhjet i humbi. Megjithëkëtë, Berisha një fjalë të vetme s’e tha kundër Bashës. Bashën, tani të cilësuar si të keq, e krijoi, e ngriti dhe e mbajti Berisha, si kur ishte në pushtet, ashtu edhe kur vepronte në hije. Basha është bir politik i Berishës, ndërsa Berisha është baba politik i Bashës.

Më 9 shtator 2021, Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, duke shtuar se kjo do të zgjasë derisa të zbardhet në rrugën ligjore vendimi për padinë e ngritur nga ish-kryeministri ndaj sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken. Vendim më të rëndë se ky, Basha nuk ka pasur gjatë jetës dhe s’ka për të pasur. Kësaj i thonë atëvrasje. Shikuar nga këndvështrimi i sotëm, shihet qartë se amerikanët kanë gabuar që kanë kërkuar largimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së. Uashingtoni duhej ta linte me aq, person i padëshirueshëm dhe jo përjashtim edhe nga grupi parlamentar. Uashingtoni nuk e ka parashikuar se ngjarjet do të zhvillohen kësisoj. Nuk e ka parashikuar se Berisha do t’ia marrë Bashës një pjesë të madhe të partisë. Në anën tjetër, edhe Lulzim Basha nuk ka vepruar mirë që e ka pranuar detyrën që ia kanë dhënë amerikanët për ta përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar i PD-së. Për të, më mirë ka qenë të jepte dorëheqje. Një atëvrasje të tillë, kodi moral i shqiptarit nuk e lejon. Ndryshe i thonë thikë pas shpine.

Sidoqoftë, beteja e Berishës është e humbur, madje pa asnjë dyshim. Berisha edhe krejt PD-në ta bëjë për vete, beteja e tij është e humbur. Nuk do ta kenë mbështetjen amerikane as ata që sot janë në rrethin e ngushtë të Berishës. S’ka dyshim se edhe ata ndodhen në ndonjë farë liste të hirtë të ShBA-së. Berisha e ka një pjesë të madhe të PD-së, por s’e ka Amerikën, ndërsa Basha mbase e ka pjesën më të vogël tëPD-së, por mbështetet nga Uashingtoni, për të mos thënë edhe nga BE-ja. Basha thirret në legjitimitet, ndërsa Berishën dhe personat pranë tij, i konsideron jolegjitimë dhe puçistë. Amerikanët aleatin e vet kurrë s’e lënë në baltë.

Pra, Bashën, në asnjë rrethanë s’kanë për ta lënë në baltë. Por, amerikanët janë edhe pragmatikë. Për hir të ruajtjes së unitetit të PD-së, amerikanët mbase nuk do të ishin kundër largimit të të dyve – edhe të Bashës, edhe të Berishës. Të gjithë ata që janë në rrethin e ngushtë të Berishës e dinë mirë se fajtori kryesor, në mos dhe i vetëm për ngritjen e Bashës, është ai dhe vetëm ai. Asnjë i rrethit të ngushtë të Berishës nuk do ta donte atë në krye të PD-së. Si duket, ata e përdorin Berishën, në betejën e tyre kundër Bashës, njashtu siç i përdor Berisha, në luftën e tij kundër “atëvrasësit”. Rrethi i ngushtë i Berishës e dinë shumë mirë se një PD me Berishën në krye, të shpallur person të padëshirueshëm nga Departamenti i Shtetit, kurrë s’mund t’i fitojë zgjedhjet.

Për të mos u ndarë PD-ja në dy parti, duhet që edhe Basha, edhe Berisha të largohen nga skena politike. Berisha, si person i padëshirueshëm, ndërsa Basha si bir politik i tij dhe si viktimë e gabimit amerikan që ia kanë caktuar detyrën e atëvrasësit. Por, me largimin e Bashës, PD-ja mbase do të binte në duart e militantëve që e rrethojnë sot Berishën.

S’ka dyshim se amerikanët i përcjellin zhvillimet në PD. Ata do ta bëjnë më të mirën për të. Është utopi të mendohet se Uashingtoni mund të miratojë çfarëdo zgjidhjeje pa Lulzim Basshën. Aktorët “politikë” duhet të kenë kujdes që të mos zhyten nga gabimi në gabim.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.