Zymer Mehani
(poemë me disa tablo shoqërore)
I. TRIBUNA E FJALAMANËVE
Në një shesh ku burrat flasin,
me flamuj të përdorur për dekor,
ngrihen pseudopatriotët e piskasin,
me shpirt bosh, zëlartë si në kor.
Njeri bën betimin mbi lavdi,
tjetri nderin e shet për një tender.
Njëri thërret “atdhe”, duke u çjerrë
tjetri në tavolinë krekoset porsi gjel!…
II. FJALOR POLITIK I SHEKULLIT XXI
Politikani ynë, me gjoksin si ballkon,
fol e fol, sa me zë, s’resht, sa me ton,
por kur vjen puna hap për të hedhur
këpuca e tij zë përpjetë duke bredhur.
Në fjalor të tij nuk gjendet fjala “turp”,
por “grabitje”, “komision” e “kurth”,
dhe “Kosovë” është fjalë për slogan,
jo për dashuri, për amanet, për vatan.
III. KURORA E NDERIT PREJ TENEQEJE
Dikush merr medalje për flamur të valuar,
por s’ka lënë as një ditë diçka pa e gllabëruar.
Tjetërkush – fotografi me kallash, ndanë urës
ndërsa dora e tij ka prekur vetëm çelësin e veturës.
Dhe djemtë e vërtetë që ranë në male për liri,
Shfrytëzohen si “rast” për të fituar gjithsesi,
e ndërsa nënat i mbajnë fotot e tyre me lot,
këta mbajnë pushtetin si kurorë, ruana Zot!…
IV. KAFE ME FLAMUR
Në kafene flitet për tradhti kombëtare,
me filxhan në dorë dhe me sy nga lajmet.
Njëri e quan veten “armikun e armikut”,
por ka shokë çdo ministër që i jep leje ndërtimi.
Çka është patriotizmi sot, më thuaj, o vëlla?!
Një postim në Facebook, në 24 në 7-të?
Një ngjitje flamuri në Audi Q7 të tipit?
Apo ndoshta një konkurs për nipin e mikut?!
V. RROKOPUJË
Na u bë atdheu si tregu të dielës, dikur
ku gjithkush shet çfarë ka – nder, besë e flamur.
Na u bë lufta një CV, i rremë, jo aktiv,
e dhimbja na u shndërrua – një spot televiziv.
Kjo është koha e maskave pa teatër,
ku dy plus dy, tashmë s’bëkan katër!
Fjala “Kosovë” vlen sa e rrymës faturë,
burrat e vërtetë heshtin e nuk flasin kurrë.
EPILOG
Kur të mbarojë kjo shfaqje me maska,
dhe dritat e fjalëve të fiken pa dorashka,
do të mbetet zëri i heshtjes që s’harrohet,
dhe gjaku që s’bëhet ujë, as nuk tjetërsohet.
Një ditë, kur flamuri s’do shitet më për vota,
kur emri “atdhe” do peshojë sa krejt bota,
do të kthehen burrat që nuk flasin shumë,
por do t’ecin para me vepra dhe me punë.
Rrokaqiejtë do të rrëzohen, për shembje,
në dhé do të bien tërë kartat e rreme,
e populli –i urituri për agun e ditës –
do t’i shohë dallimet mes hijes dhe dritës.
Deri atëherë, kujto, mos harro, o vëlla:
një komb nuk e mbajnë pseudo, as pará,
por të pastra si liria, një grusht zemrash trimoshe
që s’e këmbejnë kurrë amanetin për lavdi boshe.