RRAHMAN GREVA – ARGAT I DJALLIT!

0
Rrahman Jasharaj

IDRIZ ZEQIRAJ

“Po më quajnë Rrahman greva”, pohon, jo pa mburrje, Rrahman Jasharaj, kryetar i kahmotshëm dhe i plotëfuqishëm i SBASHK-ut. Dhe, ne po e quajmë Rrahman greva – argat i djallit! Dhe, djalli, sinonim i të gjithë katalogut të ligësive njerëzore, në rastin konkret, SHIK-u, punëdhënësi i Rrahmanit.

Që Rrahman greva është argat i SHIK-ut, këtë e demonstron me mujëshinë provokative e rrugaçërore. Ja, disa nga shantazhet e tij unike, që ai i bënë qeverisë, popullit, shtetit të Kosovës:

1) “Sa të jam unë kryetar i SBASHK-ut, nuk lejoj testimin e mësimdhënësve”. Nuk besoj të këtë sindikatë në botë, që ta marrë përsipër mos lejimin e testimit të mësimdhënësve. Kjo kompetencë i përket, ekskluzivisht, Ministrisë të Arsimit.

2) “Unë nuk lejoj zëvendësimin e orëve mësimore të humbura”, edhe pse përgjatë dy javëve numërohen 580 orë të tilla!

3) “Shkollat nuk do të hapën, deri në plotësimin e të gjitha kërkesave tona!”

4) Rrenacakërisht e hipokrizisht, pa u skuqur fare, Rrahman greva pohon se “Qeveria Kurti refuzon dialogun me SBASHK-un”. Ndërkohë që demantohet, madje, bindshëm, nga ministrja Arbërie Nagavci dhe qeveritarët tjerë.

5) Për të gjitha vendimet personale, i referohet Këshillit Drejtues të Sindikatave. Por, vetëdemantohet, sepse sapo doli nga zyra e takimit me presidenten Vjosë Osmani, harroi premtimin se do të konsultohet me Këshillin grevist, për sa u fol me Presidenten. Dhe, ende pa i zbritur shkallët, shantazhon e kërcënon se “greva vazhdon!”

6) “Kryeministri injoron sindikatat, nuk pranon ta takojë Këshillin sindikalist!” Dhe, këtë e thotë edhe pas takimit të Kurtit, me kryetarin e sindikatave të Kosovës, Atdhe Rykolli dhe Këshillin Drejtues sindikalist. Sërishmi përsëriti slloganin bombë, të poshtër, shantazhues e kërcënues: “Greva vazhdon deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të SBASHK-ut”, pa asnjë konsultim paraprak me anëtarësinë e SBASHK-ut apo Këshillin sindikalist.

Ndërkohë, 318 mijë nxënës, në mesin e tyre 21 mijë fillestarë të mësimit të Abetarës, zemërthyer, presin të ulën në bankat e shkollës! Specialisti i arsimit, profesor Xhavit Rexhaj, pohon se “do të duheshin 5 (pesë) vjetë, për të plotësuar mangësitë mësimore, të shkaktuara nga Pandemia C0VID 19 deri me sot. Dhe, sikur nuk mjafton kjo, sot thellohen mangësitë shtesë mësimore. Kjo është përgjegjësi kriminale, që kamuflohet me amnesti, në emër të rregullave, të ligjit për sindikatat, që rezultojnë me skadencë kohore e anakronike për Kosovën.

Tërheqja e kryetarit të Sindikatave të Kosovës, Atdhe Rykolli, dorëzimi i kompetencave të prfaqësimit sharlatanit Rrahman greva, na kujton ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, kur autorizoi Hashim Thaçin, për kryesimin e dialogut me Serbinë, duke e siguruar Ramushin se “me ndarjen e Kosovës, sigurojmë lirinë personale”, prkatësisht, amnistinë për krimet numerike e serike, përgjatë luftës dhe pas saj në Kosovë.

Qeveria Kurti shpalosi rritjen e pagave për 25 mijë mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë, komunalë e shtetërorë. Edhe pse i vonuar, ligji përmbushë, mrekullisht kënaqshëm, kërkesat e sindikatave, përfshi edhe atë të SBASHK-ut. Por, Rrahman greva, si SHIK-as i rreshkur, ka marrë obligime nga shefat e tij dhe duhet të ngulmojë, në mënyrë që përshkallëzimi protestues të arrijë qëllimin: Rrëzimin e Qeverisë Kurti! Megjithatë, në të gjitha sondazhet, mbizotëron opinioni mbështetës për Qeverinë aktuale.

Arsyeja:

Kosova vuan nga papunësia dhe ikjet masive. Shefi i zyrës sociale për Kosovën, deklaroi se “nuk ka familje në nevojë akute, që nuk trajtohet nga shteti”. Por, kjo ndihmë nuk përmbushë nevojat e qytetarëve skamnorë. Qeveria po bënë përpjekje, për të zvogëluar diferencat në pagat familjare. Llogaritet se mësimdhënësit paguhen, ku e ku më lart, se sa shumë kategori të tjera. Veç kësaj, muaj të tërë paguhen pa punuar fare. Madje, edhe kur punojnë, janë me gjysmë orari ditor, pra, paguhen më shumë se sa ata që punojnë 8 (tetë) orë. Prandaj, kërkesat e SBASHK-ut janë iracionale e cinike, në raport me kategoritë tjera, pa i vrarë fare ndërgjegja se paguhen më shumë se sa punojnë.

Edhe pse mësimdhënësit akuzohen për cilësi të dobët, në përgaditjen e nxënësve, me përqindje të lartë të analfabetëve funksionalë, 76 % e nxënësve, sipas vlerësimit të PISA, mendoj se ka dobësi e defekte faktike, në librat shkollorë. Zakonisht, librat shkollorë, në shtetet serioze, përgaditën nga grup specialistësh, për çdo libër. Ndërsa, në Kosovë tenderimet për literaturë shkollore, në të shumtën, janë hartime individuale ose dyshe, me nepotizëm e korruptive, jashtë çdo kontrolli institucional.

Shembulloj:

Nga përvoja individuale, si mësues në Kosovë dhe Shqipëri, tekstet shkollore në Kosovë, në të shumtën, çalojnë në hartimin përmbajtësor, në veçanti, në matematikë dhe lëndet tjera ekzakte. Veç kësaj, ka laramani dhe konkurime të paautorizuara, gjë që është edhe joligjore.

Në disa shtete evropiane, që unë i njoh më mirë, investojnë shumë për librat shkollorë cilësorë, të cilat, zakonisht, hartohen nga grup autorësh, me dominim titullarë shkencorë. Librat, qoftë të shkollës fillore apo të mesme, trajtohen e përdorën me shumë kujdes, mbështillën, emri i nxënësit- shkruhet në një letër ngjitëse mbi faqosjen e librave dhe në mbarim të vitit shkollor, dorëzohen në drejtorinë e shkollës përkatëse, për t`i përdorur gjeneratat pasuese. Ndërsa – Fletoret e punës -, për arsye të përdorimit shkrimor, në faqet e tyre, blihen të reja, për çdo vit. Kështu bëhet edhe një kursim i madh. Prandaj, kur këtë e praktikon Gjermania e pasur, pse të mos e bëjë Kosova e varfër?

Megjithatë, testimi i mësimdhënësve është i domosdoshëm. Tërheqja nga testimi, pse kërcënoi qeverinë dhe qeveritë, radhazi, Rrahman greva, është e pafalshme. Në vend të heshtjes, duhej tërhequr zvarrë nga karrika-fron, të cilën e ka ndotur skajshëm. Lëshimet e radhës, po e ndihmojnë edhe opozitën, rrast të inkriminuar, për të shpresuar se duke e përdorur Rrahman grevën, me horrat e tij, po e dëmtojnë arsimin, nxënësit, të ardhmen e Kosovës.

“Nuk lejoj testimin e mësimdhënësve”,- përsëritë batakçiu Rrahman greva! Kush është ai -me nder-, që shantazhon e kërcënon kaq vrazhdësisht e kriminalisht, qeveritë dhe shtetin e Kosovës?! Kjo flet mjaftueshëm, se prapa Rrahman grevës, qëndron banda numerike e SHIK-ut, e cila ka përgjakur Kosovën anepërtej. Dhe, duke shkelur mbi kufoma, ka ardhur në pushtet. Dhe, kurrë nuk është ndëshkuar.

Ka filluar me vrasjen e ministrit të Luftës, Kolonel Krasniqit në Tiranë, për të vazhduar me oficerët komandues luftëbërës. Pastaj, krimet vrastare të kryetarëve të komunave dhe ata në perspektivë, për t`u zgjedhur, që nga komandant “Drini”, alias Ekrem Rexha, në Prizren; Ukë Bytyçi në Suharekë, Fetah Rudi në Malishevë, Smajl Hajdaraj në Pejë, Shaban Manaj në Istog, Idriz Rrecaj në Skenderaj, Ismet Rraci në Klinë, Agim Veliun në Podujevë, Sejdi Koca në Drenicë dhe të tjerë. Për të mos i kursyer nga plumbat bashkëpunëtorët tjerë të Presidentit Rugova dhe as gazetarët trimoshë të Kosovës. Prandaj, nuk ka asnjë habi, për veprimet kriminale të Rrahman grevës, sepse është argat i SHIK-ut monstrum.

“Kush duhet me na testu ne”, – thotë me fodullëk e cinizëm, kuadri i Rrahman grevës, Reshit Kushaj, nga Prizreni. Ai na kujton shefat e komunizmit, kur në mungesë të argumenteve, bërtisnin çjerrshëm, duke goditur edhe tavolinën!

Opozita e çoroditur, deri në “hallakamë”, me pararojen e saj, SHIK-un, edhe pse e dinë burimin bojkotues të mësimit, thonë se duhet dialoguar me faktorët socialë! Por, SHIK-u nuk është kurrëfarë faktori social. Prandaj, Qeveria Kurti ka bërë mjaftueshëm dhe vetëm duhet ta përshpejtojë lëndëzimin, zbatimin e ligjit të pagave të shtuara. Tashmë, qeveria ka konsumuar, deri në shterrim dialogun me sindikatat. Asnjë lëshim Rrahman grevës dhe Këshillit egoist të sindikatave, të cilët nuk kanë as mëshirë dhe as turp, për ata që gëzojnë pagë, sa gjysma e rrogës të mësimdhënësve. Qeveria, ka obligim të plotësojë, brenda mundësive buxhetore, nevojat e qytetarëve, por, kurrë tekat dhe qëllimet e ulëta, të organizatave mafioze e kundra-kombëtare.

Qeveria t´i drejtohet popullit, të kërkojë dërgimin e nxënësve në shkollë. Ndërkohë, t´u bëjë thirrje mësuesësve pensionistë dhe atyre të papunë, ta fillojnë vitin shkollor, duke injoruar, me fund, Rrahman grevën dhe opozitën, e cila na kujton dhelprën, që mbeti në pritje “të rënies të boleve të dashit”!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.