– Mero Baze me librin “Republika e Parё” dokumenton mjeshtёrisht e plot pasion historinё politike tё Kosovёs. Edhe pse fokusohet në një “Dekadë irredentiste”, ai rrëfen gati gjithshka. Asnjё gazetar bashkёkohёs nuk ka krijuar njё publicistikё sfiduese si ky botim, qё nuk do pluhuroset kurrё, duke mbetur “Monument Pavdekёsie” pёr Kosovёn tonё.
Kur bota ёshtё e trazuar nё konflitet e veta, kur shohim se si njerёzimi nuk mund t’i shpёtojё “mallkimit tё vet”, qё me sa duket mbetet lufta dhe urretja “mes llojit”, libri i Mero Bazes “Republika e parё” tё duket si njё bibёl ballkanike për lirinë dhe paqen. Pasi e kam lexuar gjatё verёs qё iku, mё eshte sjellё nё mendje kjo vepёr e Bazes, siç shpesh vёrdallosen nё kujtesё “ёndrrat e bukura”. Jam munduar disa herё tё ulem tё shkruaj, dhe nuk kam mundur t’u gjej fillin mendimeve tё mia, sepse autori me kёtё libёr tё bёn vёrtet tё humbёsh “fillin tёnd”.
Njё libёr “i rёndё”, me peshё e mendim, logjikё, fakte, prova, kronologji e harmoni historike, mbi të gjitha shkruar plot dashuri, gati 800 faqe, vjen tek lexuesi si njё gardian besnik i historisё autentike tё Kosovёs. Autori ka “pёrveshur llёrёt” e qё tё na tregojё gjithçka pёr Kosovёn, duke filluar nga historia e hershme, deri tek “Republika e parё”, si themel fundamental i asaj që gëzon Kosova sot. Ёshtё pa dyshim njё nga kontributet intelektuale mё tё spikatura e po aq tё ndritura tё kohёs sonё, ku dёshmohet me fakte dhe prova se shqiptarёt “… ia dolёn”, sikur thekson autori që jo pa kuptim sjellë fjalёt e Hashim Thaçit pёr Rugovёn paqёsor kur shёnohet: “Lufta jonё ishte pёrpjekja pёr tё mos dёshtuar paqja nё Kosovё”. Nёnkupto, edhe paqja nё Ballkan.
Nuk ka dhe nuk të mund të ketë një libër të dytë, që mund t’i përngjajë sado pak “Republikës së parë” të Mero Bazes. Natyrisht historiografia shqiptare ka dhe do e ketë Kosovën nё studime e botime, por asnjë nuk do të mund t’i përafrohet sadopak thellësisë së mendimit dhe pasurisë faktike universale, që Baze dokumenton një Dekadë Historike të “dëshirës që nuk vdes”: Kosova-Kosovë. Ai jo vetëm ka mundur të futë në “vathën” e mendimit dhe analizës sё vet gjithë spektrin historik e politik shqiptar, por mjeshtërisht zbërthen qysh në gjenezën e vet “ëndrrën sërbe” për Kosovën si “jastëk” i synimeve shoviniste e dominuese.
Autori si një erudit gati i lindur i çështjes kosovare, dёshmon se Kosova dhe shqiptarёt kanё qёnё aty, dhe mbetёn aty, edhe pse nёn pushtete e pushtime shfarosёse. Ai gërmon në ideologjitë shoviniste sërbe duke i sjellë “lakuriq” në mes të Ballkanit dhe Europës ёndrrat sllavo-shoviniste. Baze e cilëson fashist “Memorandumin” e Ćubrilovićit, më 1937, duke kontrastuar befasisht me pushtimin real fashist të Shqipërisë që “…për herë të parë gjeti dy pjesë të shoqërisë shqiptarë: njërën nën një mbret, tjetërn pa asnjë liri njerëzore”. Është mbase, ky kontrast historik që krijoi atë lloj “fashizmi shqiptar” si shtytje për identitet kombëtar të Kosovës, siç edhe shpjegon qartёsisht Mero Baze.
Siç shtjellohet në libër, Millosheviçi e thirri në ndihmë “Memorandiumin”, duke e bërë strategji të pasvitit 1989, që siç shёnohet “… Ishte institucionalizomi i ideologjisë së fashizmit serb, që po përgatitej t’u jepte dërmën shqiptarëve në Jugosllavi”. Duket se Milosheviçi synoi tё gjallёronte ёndrrat shoviniste, qё me rrёnimin e “republikave tё Titos” sё paku tё rrёmbente Kosovёn, e cila ishte zёri i parё i protestёs sё fuqishme qysh nё vitet 80-tё, qё do fillonte rrёnimin e “tigrit tё letrёs”.
Nё libёr, me njohjet dhe detajet ndaj ish-Jugosllavisë e veçmas zhbirimi gjithё situatave qё kalon politika dhe qeverisja e Beogradit, me metastazat sllavo-komuniste në Prishtinë, tё duket sikur gazetari Mero Baze ёshtё njё “agjent” sqimatar edhe nё hollet politike tё Beogradit. Ai e vizaton me dy fjali realitetin sёrb nё dekadёn e fundit tё shekullit tё shkuar. “Jugosllavia e vitit 1990, shkruan Baze, i ngjan njё pikture tё vjetёr qё nёse tenton ta restaurosh, tё mbetet nё dorё si cope lecke. Njё regjim totalitar, i mbёshtetur mbi ekuilibra nacionaliste dhe ekonomi pa reforma reale tregu, e ka tё pamundur tё reformohet pa u prishur gjithё ngrehina”.
Në të vërtetë Beogradi, siç është dëshmuar ato vite, i ktheu sytë nga dhuna dhe terrori çnjerëzor. Cila do ishte zgjidhja për Kosovën përballë kësaj tiranie nacionalsite sërbe? Rrëmbimi i armëve apo shpalosja e ideve, vizioneve dhe praktikave moderrne të shtetformimit shqiptar? Libri “Republika e parë” është vërtet një enciklopedi historike e ringritjes përmes paqes, qëndresës dhe diplomacisë së fjalës dhe urtësisë së mendimit. Dy burra kosovarë kishin “Një Ide” duke filluar “Aventurën e paqes” – një shtet me letra që nuk e njohu Perëndimi, por e njohën shqiptarët, siç shënon qysh në fillim autori.
Mero Baze, autori i njё libri qё “mbjell zili” jo vetёm tek kolegёt, por edhe midis akademikёve, u sjellë shqiptarёve dhe ballkanasve njё nga vepёr gati biblike tё shpirtit paqёsor e rezistues shqiptar, tё mbijetesёs sё njё kombi qё edhe pse “copёtuar e çarfalitur” nё rajon, mbijetoi dhe nё herёn e kёtij shekulli krijoi pёr herё tё parё nё historinё e njerёzimit “Republikёn e Paqes” si një ëndërr e hershme shqiptare që triumfoi falë “Dekadës Gandiane” të Rugovës, që siç dihet deshte “Një pushkë” si kurban në themelet e një Lirie të ëndërruar. Nё kёtё arritje historike shqiptare, Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshi, ishin “kollonat” e qёndresёs paqësore dhe mendjet vizionare moderrne pёr Ballkanin dhe Kosovёn veçanёrisht.
Ata krijuan “qeverinë paralele” pa sallone e ndërtesa qeveritare, pa kolltuqe e tapete, por me një fantazi të ndritshme për “Shekullin tjetër”. Kjo nuk ndodhi rastёsisht, por vetёm e vetёm se Dy Burra shtetvizionarё, Rugova dhe Bukoshi, ditёn tё bёheshin bashkё, tё mendonin dhe vepronin mençurisht, tё merrnin rreziqe, tё trokisnin nё “portat e perёndrimit”, tё bёnin miq dhe armiq sё bashku, dhe me qёndresё historike tё arrinin triumfin e ёndёrruar, duke shmangur konfliktet mes “Dy Baballarёve” tё Kosovёs sepse siç citohet nga autori thania e Bukoshit pёr Rugovёn “…ai ishte fanatik kundёr konfliktit” ndaj mes tyre shpesh dilte .. diçka e vakët”, por që nuk u shua kurrë zjarri për Kosovën e Pavarur.
Duke lexuar librin e Bazes, jo pa dhimbje, kupton se rrёnjёt e qёndresёs shqiptare nuk janё thjesht “patetizma atdhetare”, por mbi tё gjitha, principe, parime dhe “betime kolektive”, kontribute financiare, sakrifica dhe kёmbёngulje, qё çojnё dhe duhet tё çojnё nё fitore, duke shmangur “konfliktet shqiptare” qё siç dёshmohet edhe nё tё sotmen janё “varrmihёse” tё suksesit tё mundshёm tё kombit tonё.
Botuesi dhe intelektuali Mero Baze ka “skalitur” njё histori ku triumfon paqja dhe mendja e shёndoshё shqiptare. Sikurse shprehet autori fillesёn e nxitjen e kёtij libri-dёshmi, e gjeti nga dashamirёsia e Bujar Bukoshit. Pёr çudi, kryeministri-legjendё i Kosovёs, duke mos i besuar askujt nga “tё vetёt” gjithё arshivёn e historisё ringritёse tё Kosovёs (që “flinte” diku në banesën e ish-kirurgut kryeministёr) ia besoi Mero Bazes, njё njeriu “larg Kosovёs”, por realisht i pranishёm nё zemёr tё saj, duke dёshmuar tё jetё “kosovari mё i madh” i lindur nё Labёrinё shqiptare.
Kur flet me autorin pёr kёtё “fat arkivor”, mёson edhe nukleusin rreth tё cilit u skicua ky libёr, por po aq dhimbshёm konstaton se ne mbetemi pa instituicione, pa “arkiva shtetare” sepse nёse Mero Baze do kishte dёshtuar tё ringjallte “Dosjet e Bukoshit”, kjo dekadë hitorike mbase do ishte bёrё pluhur e harresё. Merita i takon “gazetarit skifter” Mero Bazes dhe vetё miqёsisё unike Bukoshi-Baze, qё tё ngjan me njё flamur atdhetarie tё paparё. Ai nuk e “vodhi” siç janё vjedhur arshivat shqiptare dhe tani “bёhen sensacione” me plagjiaturё tё pёshtirё, por u ul dhe shkroi njё libёr me referenca, autorёsi burimesh dhe foto me tё drejtё autori. Ndihesh entuziast kur gjen njё skrupulozitet profesional klasik tё autorit, respekt dhe konfirmim tё burimeve, analiza tё mprehta e konkluzione tё qarta nga Njeriu i Medias, Mero Baze.
Nё fillimet e librit, autori pohon edhe njё “enigmё” tё madhe tё Kosovёs: “Ibrahim Rugova, udhёhqesi i pazakontё i njё populli qё e adhuronte ngase nuk i ngjante, kishte vdekur ndёrkohё pa lёnё asnjё shёnim pёr kёtё eksperiment tё rrallё nё botё. Njeriu qё kishte shkruar pёr Budin e Bogdanin e katёrqinviteve mё parё, qё kishte zhvarrosur ata dhe i kishte sjellё tё gjallё para historisё, nuk shkroi mё shumё se tri fjali pёr kauzёn e vet…”. Befas kёtu libri i Mero Bazes kthehet vetishёm nё njё “publicistikё rrёngjethёse” pёr historinё e Kosovёs dhe pёr qёndresёn e saj paqёsore në fundshekullin që shkoi. Lexuesi mbёrthehet nga engima: Si mundet “Babai i Kosovёs” nuk la asnjё “testament” pёr vendin qё u shkri?… Pse vetёm “Arshiva Bukoshi” e dёshmon nё kёtё sukses rugovian tё triumfit të lirisё nё Kosovё?…
Kjo pyetje tё bёn ta lexosh librin deri nё fund, i cili ndonëse nuk ёshtё fantazi, ka “kurthe” publicistike qё tё bёn tё shkosh deri nё fund, jo vetёm sepse Mero Baze me njё talent qё e zotёron vetёm ai rrёfen gjithçka, por di tё “mbajё pezull” temat e rёndёsishme dhe tё bёn tё shkosh rresht mё rresht, nga mendimi nё mendim pёr t’u ngërthyer nё historinё e mbijetesёs sё Kosovёs. Librit nuk i mungon asgjё dhe nuk ka firuar asnjё e vёrtetё qysh nga momenti i “qeverisё nё mёrgim” deri tek triumfi i dёshmuar. “Republika e parё” do të futet nё referencat e historisё, jo vetёm se ka pёrfshirё çdo tё vёrtetё historike rreth Kosovёs, duke filluar me vitet e errëta otommane, “joshet drejt Stambollit”, reprazaljet serbe, dhunёn dhe kёrcёnimet, helmimet e fёmijve, mbylljen e shkollave, mediave, mёsymjet spastruese, duke bёrё ferr jetёn e shqiptarёve tё Kosovёs, por nё kronologji dhe paralel me kёtё nё libёr ka njё gjithёpёrshirje tё tё gjithё faktorёve brenda dhe jashtё qё “ideali i pavarёsisё tё triumfojё”.
Mero Baze tё bёn tё besosh me kёtё botim, se ka qёnё “kronikani historik” i gandizmit qё mbajti si flamur triumfi drejt Perёndimit Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshi. Autori duket sikur ka bluajtur nё “mokrrat” e imagjinatёs së vet publicistike, gjithçka, duke mos lёnё tё tretet asgjё në një libër “pa krunde”. Ka njё pasion tё pashoq, por edhe njё devotshmёri labe pёr tё sjellё nё dritё tёrё historinё politike tё Kosovёs, duke pasur nё qendёr tё vet njё “duet politik” (Rugova-Bukoshi) qё nuk besoj tё ngjasojnё me asnjё rast tjetёr nё historinё e njohur tё Shqipёrisё.
Personalisht kam ndjekur kur isha nё Radio-Tirana, pёrpjekjet informuese rreth “qeverisё sё Kosovёs” (diku në arrati), ku pёr kёtё qёllim ishte vёnё nё dispozicion gati gjithçka duke hapur njё kanal transmetues tё posaçёm. Pёrnatё nga studio e Radio-Tiranës përcilleshin në efir raportime telefonike nga Zvicra, Gjermania, Franca, Anglia, Amerika, Austria pёr “ёndrrёn kosovare”. Tё jem i sinqertё me veten, shpesh ndihesha skeptik. Por jo Mero Baze qё qysh ato vite kishte njё “dashuri epileptike” por edhe optimizёm tё pashoq pёr Kosovёn. Ai do të ishte njё nga redaktorёt mё aktivё tё botimit tё gazetёs “Rilindja”, qё ato kohё shtypej nё Tiranё si pёr tё parashkruar kёtё sukses publicistik-historik siç ёshtё libri “Republika e Parё”.
Qysh ato kohё Baze ishte njё flakadan shqiptar pёr Kosovёn, gjё tё cilёn e ka pёrcjellё nё mёnyrёn mё konseguente tё mundёshme, duke u bёrё edhe njё “firmё historike” e Kosovёs Republikё. A kishte Mero Baze njё intuitё se do të vinte kjo ditё, apo thjesht ishte njё pёrkushtim nacionalist i tij? Kёtё e konfrimon libri qё ёshtё edhe nja nga dhuratat intelektuale mё tё vlefta qё mund t’i bёhet Kosovёs, popullit tё atjeshёm dhe historisё se saj nga njё njeri i vetёm nё Shqipёri.
Çdo faqe e librit ёshtё njё kronikё mё vete, por jo e shkëputur. Nuk ёshtё thjesht informim dhe dokumentim politik, por edhe njё shkrirje me tё tёrёn, ose “brumë i arrirë”, sepse autori ka njё pasion tё pazakontё pёr tё rrёfyer me zjarrmi pёr Kosovёn, detaje qё kulmojnё me reportazhet plot ngjyra emocionale, ku ka detaje qё nuk mund t’i sjellё dot asnjё gazetar veç Mero Bazes, qё me sa duket “ёshtё zёnё” qysh nё embrion pёr tё qenё “ky qё ёshtё”. Mero Baze me këtë botim dëshmon të jetë një “gazetar fantazmë”, qё është kudo dhe shënon gjithshka, (edhe pa bllok në dorë), që di ç’bëhet në Tiranë dhe në Prishtinë, çfarë kurthëzohet në Beograd, çfarë mendohet në Londër, Uashington DC, Berlin, çfarë përpilohet në Paris dhe si politikat e perëndimit gjejnë jehonën e vet në shpirtin e qëndresës kosovare.
Mahnitshëm pena e Bazes, kujton gjithçka dhe gjithkënd, duke mos lënë “asnjë boshllëk” në këtë rrëfim politik që të bën të ndiesh pjesë, edhe pse nuk ke kontribute direkte, sepse Mero Baze, si ambasador i shkëlqyer i publicistikës moderrne, shkruan mbi të gjithë për nesër dhe vetëm për Shqipërinë që duam. Siç duket edhe në këtë vepër të Bazes, “themelet” shqiptare duket se janë projektuar dhe çimentuar në “Poltronet” e politikës Amerikane, që me sa duket e ka “pas me qejf” Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj edhe “Portat e Hapura” të Shtëpisë së Bardhë, janë një kapitull interesant i librit në fjalë ku ka detaje dhe “sekrete” të bukura që bëhen publike. Shkurt “Na ka dashtë fati” mund të thuash kur lexon librin “Republika e parë”, që të duket edhe si një “kurban publicistik” në themelet e shtetformimit gjithëshqiptar.
“Republika e parë” është një vepër krenarie e autorit, që me sa duket dashurinë për Kosovën, jo thjeshtë e ka demonstruar në mënyrën më perfekte, por të befason me larminë e fakteve, personazheve, burimeve zyrtare dhe mbi të gjitha me mënyrën rrëfyese ku ngërdhehet fakti me fantazinë publicistike të Bazes. Për mendimin tim, Mero Baze, përmes këtij libri dëshmon sikur ka punuar vetëm për Kosovën e kauzën e saj liridashëse, edhe kur ka qënë në ATSh, edhe kur ka punuar tek “Rilindja”, por edhe si gazetar i “Zërit të Amerikës”, ai ka arshivuar në memorjen e tij provat dhe deklaratat si një “lëndë e parë” e librit, që e shkroi në dekadën e tretë të shekullit tonë. Një tejshikim i tillë intelektual i jep autorit një meritë largpamёsie, që jo kushdo e zotëron. Një aftësi dhe qartësi profesionale e Mero Bazes, e bën atë me shumë miq dhe më shumë armiq, por ndërsa miqtë dhe armiqtë do të harrohen, autori i librit-monument për Kosovën do referohet nga historia si “Mero Baze nga Tepelena”.
Duke lexuar librin kam pasur pritshmërinë, që Mero Bazes nuk i shpëton gjë. “Magjia” publicistike e autorit jo vetëm ka gatuar çdo gjë mrekullisht, por t’i ofron të gjitha momentet historike të procesit Gandian në Kosovë, në harmoni të plotë dhe logjikshëm renditur.
Mjafton të sjellim në mendje vizitën e parë të Rugovës në Tiranë, kur sapo ishte rrёzuar “Miti Enver”, kur ende “regjimi i djeshëm” ishte në regëtimat e veta dhe perballja zyrtare e dy pjesëve të kombit ndodhte në ditët më të vështira, Rugova do të thoshte: “Më vjen mirë që ju shikoj bashkë të dyja palët”… Siç shënon Baze nga intervista me Bukoshin “në fakt ata ishin në një vend, por jo bashkë… Ishin më larg se kurrë njëri tjetrit”. (Dhe për çudi ngelën larg e më larg). Një profeci e ndritshme kosovare e vërtetuar tashmë. Ishte koha kur Shqipëria po hapej jo pa dhimbje, por ishte edhe zhgënjimi më i madh i udhëheqësve të Kosovës, kur shpresa tek “shteti amë” avullonte në varfërinë dhe kaosin e një ngrehine që po binte, me shpresë për një shoqëri mё tё mirё.
“Republika e Parë”, është një histori shqiptare bukur rrëfyer e saktësisht dokumentuar nga pena dhe mendja e Mero Bazes. Ky botim është një triumf shqiptar në Ballkan, një “eksperiment politik” i frymëzuar nga vështrimi perëndimor i Rugovës “misionarit që mundi luftën me paqe” dhe Bukoshit, “kirurgu që mori në dorë fatet e Kosovës”. Janë dy udhëheqësat e vetëm shqiptarë që nuk pësuan kurrë “divorcin politik” edhe kur mbase ishin “ujë i vakët”, por burrërisht qëndruan në krah të njëri tjëtrit duke u bërë “çifti politik” që shpëtoi Kosovën. Autori u ka bërë një “kirurgji” publicistike gjithë marrëdhënieve Rugova-Bukoshi, që krijuan shansin historik të triumfit të “Republikës së parë”. Asnjë komb në Ballkan nuk ka pasur këtë fat, por le të shpresojmë që “nuk do fluturojë nga duart”.
Ky është një “libër i rëndë”, siç kam shënuar në fillim, që kohët që vijnë domosdoshmërisht do ta shfeltojnë. Nuk është thjesht një “vërshim arkivor”, por edhe një analizë, deduksion, një ndjenjë e dashuri triumfale. I organizuar në 3 pjesë, me 23 kapituj dhe 772 nëntituj me 561 referanca dokumentare, ”Republika e Parë” është monument publicistiko-historik, që do ta kishte lakmi çdo gazetar, por që realisht mbetet pronë intelektuale e gazetarit erudit e mendjemprehtë, Mero Baze. Ndihem mirë të jem bashkëkohës me Bazen dhe të njihem me të qysh kur ishim studentë. Në dedikimin që më kushtoi ai do shkruante: “Shefqetit, një “vizë” për në Kosovë”. Unё sapo kisha promovuar novelёn “Viza Ammerikane”. Qesha me batutёn e Bazes që edhe kur “thumbon”, tё bën të duash më shumë, sepse askush nuk ka bёrё betejё mediatike si ai. “Arma” e vetme e Bazes është Fjala Shqip.
Mendoj se libri “Republika e parë” i Mero Bazes, botimi i Kosta Çekrezit “Shqipëria – e shkuara dhe e tashmja”, shkruar shekullin e shkuar në Amerikë dhe “Sovraniteti versus Integriteti” i Arben Çejkut, janë tre kolona të mermerta publicistike. Këto botime, sipas meje mbeten “tre harqe” të urës historike shtetformuese shqiptare. Këto prurje të vleftëta intelektuale do të vezullojnë si kontribute dhe mençuri njerёzore edhe kur ne të gjithë do “kemi ikur”. Librat mbeten, gazetat zverdhen. Me sa duket “…viza për në Kosovë”, nuk do të ketë skadencë.
Shefqet Meko
Minneapolis, 30 Nëntor 2023