Enver Robelli
Askund në Kuran nuk kërkohet mbulimi i kokës!
Islamistët me agjendë politike, por edhe besimtarët tepër konservatorë ose naivë thotë se gruaja myslimane duhet të mbulojë kokën me hixhab (ḥiǧāb), domethënë me shami.
Por në suren 33, vargu 59, hixhabi nuk përmendet fare.
Përmendet xhilbabi, që dijetarët gjermanë e përkthejnë me «Gewand» apo «Überwurf», që i bie: një mbulesë, pelerinë për trup – që të mos shihen pjesët e turpshme. Në shqip fjala xhilbab përkthehet si «shami», gjë që është e pasaktë, sepse për shami ekziston fjala hixhab.
Në suren 24, vargu 31, u bëhet thirrje grave të mbulojnë gjoksin me pelerinë (arabisht: khimar). Në gjermanisht: «Und sag den gläubigen Frauen, sie sollen (…) ihre Tücher (chimâr) über ihre Busen ziehen».
Në disa përkthime në shqip të Kuranit (në mos në të gjitha) gjoksi përkthehet me kraharor, i cili, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, përshkruan pjesën nga qafa deri te barku. Gjermanët janë më precizë.
Dhe kjo është e kuptueshme. Përkthimi i parë i Kuranit në gjermanisht u bë më 1616 nga Salomon Schweigger, predikues evangjelist dhe udhëtar nëpër Orient. Që nga atëherë Kurani është përkthyer disa herë në gjermanisht nga orientalistë gjermanë. Sa për krahasim: përkthimi i parë i plotë i Kuranit në gjuhën shqipe u bë tek në vitin 1984 nga orientalisti Feti Mehdiu.
Të kthehemi te çështja e sureve dhe te shamia.
A po e vëreni mungesën e logjikës? Në dy suret e Kuranit, të cilave islamistët i referohen si burim i obligimit për bartjen e shamisë nga gratë, fjala shami (hixhab) nuk përmendet fare. Si është e mundur që zoti, për të cilin thuhet se e ka shpallur Kuranin përmes të dërguarit të tij, të përdorë dy shprehje krejtësisht të ndryshme për një gjë, një objekt?
Nëse zoti do të kishte menduar shaminë do ta kishte thënë këtë qartë: hixhab (ḥiǧāb). Nuk do të kishte përdorur fjalën xhilbabi dhe khimar. Interesant është po ashtu se në suret përkatëse askund nuk përmendet fjala kokë.
Ngatërresën gjuhësore e kanë shkaktuar burrat që e kanë interpretuar Kuranin sipas interesave të tyre politike apo kulturore. Kështu ata e fyejnë çdo ditë zotin e tyre duke i veshur gjëra që s’i ka thënë, pra as shami, as kokë. Refuzojeni shaminë si shenjë të injorancës dhe simbol të ideologjisë islamiste!
Në Suren 24 thuhet vetëm se gratë duhet t’i mbulojnë pjesët joshëse të trupit, konkretisht gjoksin. Kurani jep edhe një arsyetim pse gratë duhet t’i mbulojnë pjesët joshëse: „Kështu ato nuk ngacmohen“. Ky definicion atëbotë, para gati 1500 vitesh, është bërë me qëllim që gratë të mbrohen nga ngacmimi dhe nga dhuna seksuale e burrave. Nëse burri mysliman nuk është zhvilluar e emancipuar për 15 shekuj dhe ende e sheh çdo grua vetëm si objekt seksual, atëherë problemi nuk qëndron te gratë, por te burrat! Koka nuk është pjesë e turpshme e trupit!
—
Lamya Kaddor, shkencëtare e islamit, pedagoge religjioni, publicistë, deputete e parlamentit gjerman: “Para më shumë se 1000 vitesh hixhabi (shamia) është konsideruar si mbrojtje për gra brenda shoqërisë së atëhershme. Në rrethanat e shoqërisë moderne perëndimore kjo mënyrë e mbrojtjes nuk ka kuptim. (…) Më dhemb shpirti kur prindërit de fakto i seksualizojnë fëmijët e tyre duke i detyruar të futen nën shaminë islamike për të mbrojtur gjoja turpin e tyre.”
Ekin Deligöz, deputete në parlamentin gjerman, e lindur në Turqi: “Shamia është simbol i shtypjes së grave. Kush kërkon nga gratë të bartin shami, i shndërron ato në objekt seksual, i cili duhet të mbulohet. Hedhja poshtë e shamisë është në përputhje me islamin përparimtar dhe me demokracitë shekullare europiane.”
Abdel-Hakim Ourghi, shkencëtar gjermano-algjerian i çështjeve të islamit, filozof dhe pedagog i fesë: “Shamia është instrument i nënshtrimit të grave. Përmes shamisë synohet të kontrollohet trupi dhe mendja e grave. Shamia nuk është simbol fetar. Në Kuran nuk ka asnjë shenjë se shamia na qenkësh shenjë e islamit.”