Kolec P. Traboini
K. P. TRABOINI:
Shkenca bëhet nëpërmjet debatit të ndërsjellët. Në shkencë nuk ka vetëm një kambanë. Një kambanë e vetme është thjeshte mort i shkences. Arta Marku ka emisione të shkelqyera. I ndjek me shumë vemendje. Ka auditor të madh dhe shpreh kompetencë në trajtimin e problemeve. E qetë e sigurtë dhe komunikuese. Natyrisht sugjerimet e ndjekësve të emisioneve të saj duhet t’i ketë parasysh. Gjithësesi emisionet e Arta Markut janë një akses me vlerë kombëtare.
ARDIAN VEHBIU:
Kolec, gjetiu i ke dhënë gojës shumë kundër meje, por këtu qenke përmbajtur pak. Nuk di se çfarë të ka armiqësuar kështu – nuk mbaj mend të kemi pasur ndonjëherë konflikte, madje unë të kam trajtuar me dashamirësi, kur ti debutoje në Alb-Club dhe e prezantoje veten si poet lirik shpirt-butë dhe pastoral, modest por gjithnjë dashamirë.
Shkenca vërtet bëhet nëpërmjet debatit, dhe libri im është i ndërtuar në formë debati. Të këshilloj ta lexosh, sepse do të përfitosh shumë. Por libri im nuk synon të bëjë shkencë – por thjesht të korrigjojë disa gabime dhe padrejtësi. E kam shkruar për të mbrojtur atë dije, së cilës i besoj prej dekadash. Ka libra të tjerë të mitë ku jam përpjekur të jap një kontribut timin origjinal, në çështje të sociolinguistikës dhe të analizës së ligjërimit shqip. Nuk t’i rekomandoj, sepse janë të vështira për ty.
Emisioni i Arta Markut i prezanton publikut librin e ri – dhe unë kam shkuar aty disa herë. Nuk është emision për të bërë debate, dhe aq më pak emision për argalisje estrade, si ca të tjera.
K. P. TRABOINI:
Ardian Vehbiu i nderuar, kam mendimet e mia dhe ato i shpreh sido që të duken nga të tjerët. Nëse dikush është prishaqejf është çeshtja e tij dhe jo e imja. Mënyra si i mëshoj gojës unë nuk ka të bëje me debate shkencore, por thjesht një impresion çasti. Ironia nuk ndihmon njeri. As mua dhe as ju. Ashtu dhe deliri. Ju kam lexuar çfarë kam mundur të gjej. Nuk do të shkoj të blej librat e tua me shkakun se edhe ju nuk merrni mundimin të bleni ndonjë liber timin në “Adrion”, ta zëmë monografinë “Saga Idromeno”.
Kësisoj mos sugjero diçka që nuk e bën vetë. Por, lexoj shumë libra dhe sapo u ktheva nga Washington DC solla tre libra voluminoz anglisht me poezi amerikane dhe nga bota. Jehona e debateve tuaja me Agron Dalipaj si një nga hulumtuesit më aktiv në kërkimin e rrënjëve të vjetra të Shqipes janë bërë biseda interneti. Në Televizion mëse një herë, në të drejten tuaj keni polemizuar madje ashpër me ironi dhe sarkazëm.
Mendoj se polemikat për çeshtje shkencore nuk kanë asgjë të keqe. E verteta mund të jetë me ju, por ama të drejten për ballafaqim mendimesh e kanë dhe ata që mund të kenë mendim të kundert. Unë lexoj në dy krahë në media elektronike, por anë nuk mbaj, thjesht shpreh ndonjë koment të shkurtër. Ndonjëherë edhe e teproj. Ne vërtetë nuk jemi qendra e botës, por ama disa rrenjë të vjetra janë. Se fjala e parë e “Iliadës” nuk është as serbe, as bullgare, as greke, as romune, as italiane, as gjermane, e as anglisht. Një fjalë që ende përdorët në Shkodër, por e kanë zhduk nga fjalori Standart për shkak të rotacionit në dialektin toskë. Fjala MËNI.
Mendoj se debati i kulturuar, shkëmbimi i mendimeve, më shumë se përjashtimi i njëri-tjetrit, është i dobishëm dhe frytdhënës. Mohimet apriori veç e thellojnë hendekun në mes obsioneve për të njëjtën çeshtje. Atë butësi që kërkon nga unë, e pranoj si këshillë të mirë, por më efekt ka shëmbëllesa se sa fjala, prandaj, së pari përdore vetë se jam i bindur se do ndjehesh më mirë.
12 qershor 2012
Agron Dalipaj reagon në FB:
Unë mendoj se prof. Ardian Vehbiu, pa dashjen e tij, ka shërbyer për të sjellë në vëmendje një temë që akademikët e gjuhës kanë frikë ta cekin.
Në tetor të vitit të kaluar prof. Vehbiu mbajti një ligjëratë në Bibliotekën Kombëtare për “rënien e autoritetit në shkencën e albanologjisë” dhe përgjegjës, sipas tij, për rënien e autoritetit të albanologëve të shquar (si Çabeji) na qenkëshin turbologët, ku me gjasë është si kryesor përralltari A. Dalipaj. Vehbiu mbron me pathos Çabejin si askush tjetër në ASh, apo gjetiu në institucione të gjuhësisë e albanologjisë së Tiranës.
Autoriteti i vërtetë shkencor nuk ka nevojë ta mbrojë dikush me ligjërata. Autoritetet shkencore janë të pacënueshëm nga baltosja. Është absurde që një si Dalipaj të sulmojë Njutonin dhe t’i shkaktojë atij rënien e autoritetit – duhet të jesh Ajnshtajn. Përsa askush nuk mund të rrëzojë parimet e ligjet e fizikës që ka zbuluar Njutoni, autoriteti i tij është i paprekshëm edhe sikur më shumë se gjysma e planetit ta përçmojë atë. Edhe sikur Njutoni të ishte njeriu më me vese e më pervers në botë dhe këto t’i zbuloheshin publikut, që në gjalljen e tij ose pas vdekjes, autoriteti i tij shkencor nuk rrëzohet. Autoritet o je, o s’je.
Nevojë për mbrojtje të autoritetit kanë vetëm autoritetet e rreme dhe një ndër ta është edhe Çabej. Nuk jam marrë me jetën e tij private, sepse nuk kam të drejtë ta gjykoj në atë kahje. Unë jam shkencëtar dhe Çabeji nuk kish si të mos më dilte përpara në rrugëtimin tim. Ai për mua përbën një bazë krahasimi dhe referencë shkencore. Për hir të së vërtetës, Çabeji u pranua si autoritet i lartë shkencor, por veprës së tij nuk i qe bërë kurrë një oponencë shkencore dhe të parën oponencë, të botuar më 1 qershor 2012, ia bëra unë.
Menjëherë sistemi më shpalli antikombëtar dhe më përjashtuan përjetësisht nga universiteti, ku studjoja për gjuhësi. Kështu “u mbrojt” autoriteti “shkencor” i Çabejit. Mandej më hapën disa gjyqe farsë (penale e civile) dhe fati e desh t’i shpëtoj burgut.
Mbrojtja e Çabejit me terror psikologjik ndaj oponentit, dështoi. Por gjithsesi lufta për mbrojtjen e autoritetit të tij vazhdoi me mjete të propagandës të stilit sllavokomunist dhe më i rafinuari rezultoi të shfaqet prof. Ardian Vehbiu. Nuk di të them se ia caktuan këtë detyrë apo e ndërmorri vet.
Jam i bindur se prof. Vehbiu i njeh mirë rregullat e debatit shkencor dhe atij publik, por nuk i shfrytëzoi drejt ato. Mbase atij iu caktua detyra për të sulmuar e denigruar publikisht figurën time dhe në daljet e tij televizive nga tvsh më stigmatizonte si “njeriu që do lindë fashizmin shqiptar“, turbolog, përralltar i gjuhës shqipe, argëtonjës i publikut, marifetxhi e prestigjator, etj., etj.
Dikujt i djeg fort rrëzimi i autoritetit fals i Çabejit sepse rënia e tij shkakton efektin domino në albanologjinë e sotme zyrtare të Tiranës, që është identike ashtu si e do Beogradi. Mjafton të shohësh se si u spërdrodhën publikisht akademikët shqiptarë të gjuhës për të bindur popullin shqiptar, se gjuha e tij është vetëm 1500 vjet e vjetër dhe e formësuar pas ardhjes së sllavëve në Ilirik. Dhe këtë e deklaruan akademikët e gjuhës shqipe në panik e sipër, sapo doli artikulli i revistës “Shkenca” në USA, që e shpallte shqipen si 6000 vjetë të folur pandërprerje.
Në propagandën kundër meje, Vehbiu është konsumuar jo pak, porse ai vazhdon me të njëjtin ritëm dhe për këtë, në një farë mënyre, ka fituar edhe admirimin tim. Vetëm se ai nuk përballet dot publikisht me mua, se e di që kjo do ta rrënonte publikisht.
Çdo njeri normal, në vend të Vehbiut, pas gjithë atyre dështimeve në propagandën kundër meje, do kish ndaluar. Vetëm nëse propaganda që ai bën është e sponsorizuar, nuk bën sens të ndalojë.
Baza e gazetarisë është sjellja e qëndrimit të të gjitha palëve. E kundërta është e dënueshme. Ndaj, kur Vehbiu del i vetëm në studiot ku e ftojnë, është duke konsumuar një vepër turpi në gazetari. Përndryshe, edhe nëse nuk më do në përballje, të paktën t’i thotë të njëjtës gazetare të më thërresë e të dëgjohet edhe mendimi i palës tjetër.
Të paktën Vehbiu është aktiv dhe flet e jo si laraskat e ballcamosura të ASh-së që vetëm firmosin peticione, që Dalipajt t’i ndalohet dalja nëpër media.
Pa Vehbiun, ne nuk do ta kuptonim aq mirë se institucionet zyrtare të identitetit tonë kombëtar punojnë (si Ardiani) kundër kombit shqiptar.