Ekskavatori në veprim në Theth.
Pamje e shembjeve të bujtinave në kulmin e sezonit turistik.
Ilustrim i marrë nga YouTube.

Me ndërhyrjen e Policisë, u tronditën jo vetëm vendasit, por edhe vizitorët e huaj që kërkonin qetësinë e Alpeve shqiptare.
Banorët e Thethit, gjatë kësaj jave, përjetuan një makth të vërtetë, kur Kryeministri Rama urdhëroi shembjen e mbi 120 objekteve të gastronomisë në këtë zonë të Alpeve shqiptare.
Shqiptarët e kësaj treve, çdo kursim të fituar me mund dhe sakrificë në vendet e Perëndimit, e kanë investuar për të ngritur një bujtinë apo një shtëpi mikpritjeje në vendlindje.
Sot, këto investime po rrënohen me ekskavatorë, paparalajmërim dhe pa mëshirë.
Veriu i Shqipërisë ka vite që është i harruar nga shteti. Nga rrugët e rrënuara deri te mungesa e shërbimeve bazë, fshatarët e kësaj ane janë mësuar të jetojnë vetëm me forcat e tyre.
Meqë shteti nuk ofroi asnjë projekt që do t’u mundësonte gjetjen e një vendi pune, ata u detyruan të ndërtojnë vetë, duke i shndërruar shtëpitë e tyre në bujtina dhe duke ofruar gatim tradicional si burim të vetëm jetese.
Çfarë absurditeti dhe veprimi i ngutshëm nga Qeveria e Shqipërisë, kur dihet se Tirana vëlon nga shtëpi dhe lokale të ndërtuara pa leje, dhe askush nuk guxon të dërgojë atje ekskavatorët!
Ndërsa në Theth, një dhomë e drunjtë në skajin e malit, që shërben për ta mbajtur familjen me bukë, bëhet rrafsh me tokë dhe konsiderohet si “krim i madh urban”.
Çka ju desh ky aksion rrënimi Ramës në pikë të verës?
Kur Thethi gumëzhin nga vizitorët dhe bujtinat janë plot me mysafirë të huaj, kjo një mundësi e vetme që fshatarët të nxirrnin të ardhura për të përballuar dimrin e ashpër që i pret vjen kjo goditje e papritur dhe e pabesë.
Ky gjest i pamëshirshëm dhe pa asnjë dialog me banorët e kësaj zone të thellë malore, do ta acarojë edhe më tepër situatën edhe ashtu aspak stabile.
Askush nuk thotë se ndërtimet pa leje janë zgjidhje. Por në një vend ku mungon përkrahja nga shteti, çatia prej dërrasash është e vetmja mënyrë që këta banorë të mbeten në tokat e tyre shekullore.
Nëse këtyre fshatarëve do t’u ishte ofruar një projekt alternativ, një formë legalizimi apo kompensim, ata do ta kishin pranuar pa zhurmë dhe pa kundërshtim çdo vendim.
Por kur shteti vjen vetëm për rrënim, pa ofruar asnjë zgjidhje, kush mund ta pranojë atë si drejtësi?
Qeveria Rama veproi si derrat e egër që, pabesisht, sulmojnë arat e misrit dhe, në pak minuta, shkatërrojnë atë që fshatarët e kanë mbjellë, e ka ujitur dhe e kanë ruajtur për muaj të tërë.
Ngjashëm u shemb edhe mundi i malësorëve të Thethit, të kthyer nga vendet e Perëndimit me shpresën se më në fund do të shohin dritë me sy edhe në vendin e tyre.
Lotët e kësaj nëne që qan për djersën e shkuar huq të të birit të saj më detyruan të mos hesht.
Pamje nga Thethi – një ndër dhjetëra histori të dhimbjes që u shpalosën gjatë ndërhyrjes së IKMT-së. Burimi: YouTube / kronikë televizive.
Edhe nëse këta rreshta mund të më kushtojnë, unë zgjedh të jem në anën e atyre njerëzve që nuk kanë zë, por kanë të drejtë.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 13 korrik 2025