PSE KËTO PËSHPËRITJE TEOLOGJIKE?

0
Anton Nikë Berisha - Pëshpëritje teologjike

“Përpara se unë të jetoja ishe ti, dhe unë nuk isha para se ti të miratoje që unë të jetoja. Unë jam në saje të mirësisë tënde që paraprin gjithçka që më ke bërë të jem, si dhe atë nga e cila ke nxjerrë këtë qenie. Ti nuk kishe nevojë për mua, as unë nuk jam një e mirë e tillë, që ti të përfitosh nga unë, ti që je Perëndia ime dhe Zoti im, jo sepse shërbimi im të shpëton nga lodhja e punës, ose sepse mjeshtëria jote nuk mund të bëjë dot pa nderimet e mia, as që unë të të lëvroja pothuajse sikur ti të ishe toka e të ngeleshe i palëvruar pa adhurimin tim. Unë duhet të të shërbej e të të lëvroj ty për të qenë unë mirë, sepse nga ti më vjen e gjithë mirëqenia, me të cilën jam i lumtur unë”[1].

SHËN AUGUSTINI

Fjalë paraprake

Anton Nikë Berisha
Anton Nikë Berisha

Gjatë leximit të Biblës dhe të disa veprave të natyrës teologjike, gjatë punës për hartimin e librave për veprimtarinë dhe figurën e Nënës sonë Tereze[2], tashmë të shpallur e shenjtë nga Vatikani, gjatë përkthimit të Këngës së këngëve[3] dhe të Psalmeve[4], pastaj gjatë hartimit të Antologjisë së poezisë së përshpirtshme shqipe, të dy botimeve[5], të studimeve monografike për Gjon Bdek Buzukun[6] dhe për Pjetër Budin[7], pastaj të përgatitjes për shtyp, fjala vjen, të dokumenteve të Kuvendit të Arbënit mbajtur më 1703 në Mërqi të Arbërisë së atëhershme[8], të redaktimit të disa veprave të natyrës teologjike të autorëve tanë dhe të hartimit të parathënieve për to, i kam njohur disa nga çështjet kryesore të botës shpirtërore dhe hyjnore.

I vetëdijshëm se dukuritë teologjike janë shumë të ndërliqshme dhe kërkojnë dije shumë më të madhe sesa e imja, punimet që i kam përfshirë në këtë libër nuk janë asgjë tjetër pos pëshpëritje për disa dukuri të kësaj fushe dhe për disa vepra me të cilat janë marrë.

Me këtë rast e falënderoj don Robert Kolën që e lexoi dorëshkrimin dhe më bëri disa vërejtje të vlefshme.

Prishtinë, dhjetor 2023

AUTORI


[1] Shën Augustini, Rrëfimet. Gjurmët e shpëtimit në dramën e jetës. Përktheu Çlirim Mukli. Plejada, Tiranë 2006, f. 357 – 358.

[2] Shih, pos të tjerash, veprën time Nëna Tereze në shtatë shpalime. I – VII, Botues “Faik Konica”, Prishtinë, Kuvendi Françeskan Gjakovë 2019 dhe Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze. Instituti i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve – Shkup, Shkup 2022.

[3] Kënga e këngëve – kryevepër poetike e dashurisë dhe e jetës. Me përkthim të ri të tekstit. “Faik Konica”, Prishtinë 2015, botuar më parë në revistën “Fjala Hyjnore”, Prishtinë – Shkodër 2013.

[4] Psalmet. Shqipërimin dhe parathënien Anton Nikë Berisha. Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult, Shkodër 2017.

[5] Burim drite e dashurie. Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1618-1998. “Shpresa”, Prishtinë 1999 dhe Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1555 – 2019. Faik Konica, Prishtinë 2020.

[6] “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Cosenza 2014. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014 dhe Gjon Buzuku poeti ynë i parë. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2016. Botimi i dytë Pellegrini Editore, Cosenza 2016.

[7] Pjetër Budi poet dhe prozator. Studim. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2015. Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2015.

[8] Kuvendi i Arbënit 1703. Tri versione. Përshtatjen në gjuhën e sotme të përkthimit të Engjëll Radojës e bëri Anton N. Berisha. Konferenca ipeshkvore shqiptare. Prishtinë 2003. Botimi i dytë vetëm versioni i përshtatur, “Shpresa”, Prishtinë 2003.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.