34.5 C
Tirana
E martë, 22 Korrik 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

“PRUSHI I BUKURISË” – NDËR POEMAT MË TË VLERËSUARA TË POEZISË SONË[1]

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Isak Ahmeti

1. Vlerësime të përgjithshme

“Prushi i bukurisë” me nëntitullin Përsiatje poetike për artin e fjalës i Anton Nikë Berishës është një vepër poetike e veçantë dhe origjinale, shumëkuptimore dhe me vlera shumështresore, është përsiatje poetike-estetike për artin e fjalës. Në të poeti përsiat mbi rëndësinë e fjalëve , mbi mënyrën se si ato përftohen e zgjedhen, vihen pranë e pranë njëra-tjetrës, ballafaqohen, qëndisen me mendje e zemër me qëllim që të kumtojnë gjëra të bukura dhe që krijojnë vepra të lartësuara, sublime që na ndihmojnë në pasurimin e shpirtit për të njohur më mirë veten dhe botën që na rrethon (Albana Alia).

“Prushi i bukurisë” që është vlerësuar dhe çmuar lart nga studiuesit shqiptarë dhe italianë, është një poemë e përkryer, me elemente të theksuara estetike-poetike, për fjalën, për fjalën që trajtohet poetikisht në të gjitha dimensionet e saj. Fjala për poetin Berisha është “dritë”, “himn” , “prush i heshtur” etj. Në këtë kuptim poeti këndon (vargjet janë marrë nga pjesë të ndryshme të poemës):

Je drita e Hyjit që pareshtur lind / Je virgjëreshë joshëse që nuk di të plaket / Je himn i mrekullive që ndodhin / Je prush i heshtur që i ngroh / Je rrjedhë e ngrohtësisë së Diellit / Je bukuria vetë- dhuratë e Hyjit: / Je çekani dhe kudhra ku ribëhet jeta / Je zëri lashtësor i fjalëve -vesë e ylberit, / Je prehje e hirshme që përherë vetëlind / Je shprehësia e detit të mendimeve / Je reshje e bardhësisë së agimeve- / Je bukuri e stolisur e përfytyrimit, Je lavdia mbresëlënëse e veprimit / Je plim i reve të bardha, kurorë nusërie / Je jehu i zërit të shqiponjave / Je heshtje që flet vijimisht / Je pengu i zjarrit të dashurisë / Je dëshmi e qenësisë së heshtjes / Je përsosja e kërkimit të plotënisë, / Je shpirti mistik i secilës lindje / Je përkëdhelje e pikërrimës së shiut .

Dhe jo rastësisht në Parathënien e librit të vet “Prushi i bukurisë”, që fillimisht është botuar shqip dhe italisht në përkthim të përkthyeses dhe studiueses Albana Alia, poeti do të shkruajë:

“Qenësia e letërsisë përligjet para së gjithash për njohjen që bën përmes artit, artistikes, që është shumëfish më e qenësishme se njohja e zakonshme për arsye se ajo bëhet përmes strukturave tekstore-kumteve poetike, që janë rrjedhojë e përfytyrimit, e pasurisë së botës shpirtërore dhe mendore të krijuesit”. Në të vërtetë, forca e fjalës, vlerëson Giuseppe Napolitano, është si ajo flaka olimpike, hyjnore, fjala që bëhet letërsi “Je rrëfim që rrëfimin e nxit, / të kaluaren e afron dhe e bën të sotme/ i jep frymën e kohës konkrete; / je e sotmja e veshur me të nesërmen /për të qenë e mirëfilltë dhe ajo që vjen”. Fjala artistike për poetin është art që mbetet përherë Bukuri e prushtë; ajo për poetin, siç thotë G. Napolitano, është gjithçka: bukuri, esencë, dritë, burim, dashuri, realitet, imagjinatë, mendim, përsiatje, magjepsje, pushtet, rizgjim i ndërgjegjes, freski, ujëvarë e detit, përkëdhelje e pikërrimës së shiut, shkëmbësi që i mbijeton shekujt, fuqi e dallgëve të detit, frymësia e parajsës, gurgullimë e ujit që buron nga zemra e tokës etj.

Vlen të theksohet se në traditën biblike Fjala apo Logos-i ekzistonte përpara krijimit, sepse i përkiste mendimit hyjnor që, si e tillë, Hyji ua dërgoi njerëzve për t’ua shpallur mesazhin e shpëtimit dhe shi për këtë, i ndikuar dhe frymëzuar edhe nga Bibla, poeti ynë këndon “Përtej harrimit e pata djepin-Bukuri”.

Në tekstin poetik të Anton Nikë Berishës gjenden edhe gjurmë intertekstuale, të dukshme (në kursiv) dhe të padukshme: me Biblën dhe vepra të autorëve që u përkasin epokave të ndryshme të cilët, nëpërmjet aforizmave, sikur kërkojnë të sjellin një kuptim plotësues të Bukurisë së Fjalës artistike në rrjedhën e amshuar (Albana Alia).

Poema “Prushi i bukurisë” si për nga mbarështrimi artistik, por edhe për nga qasja, nga ndërtimi dhe mënyra e shqiptimit lirik, del të jetë ndër poemat më të vlerësuara të poezisë sonë, duke përjetuar tri ribotime brenda një periudhe të shkurtër.

2. Struktura e poemës “Prushi i bukurisë”

Poema “Prushi i bukurisë” në katërmbëdhjetë këngë, në katërmbëdhjetë pamje-përfytyrime poetike, të bukurisë së artit të fjalës, të cilave u shtohet në fund edhe një poezi e ndërtuar me të gjitha vargjet e para të çdonjërës duke formuar kështu edhe akrostikun Prushi i bukurisë. Poema ka edhe nëntitullin Përsiatje poetike për artin e fjalës, që vë në dukje argumentin poetik, një udhëtim në kërkim të Bukurisë. Për këtë lloj strukturimi poetik është thënë nga studiues të ndryshëm (shqiptarë dhe italianë) se është shfrytëzuar tradita poetike, se ndarjet janë sa vargjet e një tingëllimi (soneti); ato janë quajtur pjesë, pamje, këngë apo ndarje (Zimo Krutaj).

Katërmbëdhjetë vendndalimet edhe kësaj radhe, që nuk duket të jenë nxitur nga numri i vargjeve të një tingëllimi (soneti) sesa vendndalimve të Udhës së kryqit, ku poeti i shtjellon poemat e tij, të ndara në pamje, pjesë, këngë ose kapituj, edhe pse, siç vepron në pasqyrën e lëndës, me ç’rast vargjet fillestare, të katërmbëdhjetë vendndalimeve poetike, nga të cilët përbëhet libri, me një titull dhe një nëntitull shumë dompthënes, përbëjnë një tingëllim, që mund të lexohet si një tekst poetik. Duke e veçuar një shprehje, një definim të sëcilës prej katërmbëdhjet pamjeve ose situatave, përftohet një sintezë (Giuseppe Napolitano), njëra nga mundësitë e shumta të mendimit të poetikës së Berishës, të kuptimit të tij për poezinë e për bukurinë e fjalë, të fjalës si subjekt dhe objekt i bukurisë:

“Fjala pushton kohën dhe hapësirën; fjala është çekani dhe kudhra ku ribëhet jeta, / ku brumosen përfytyrimet, shkëlqim i zjarrtë i mëshirës hyjnore, /që na e mban frymën, jetën; shkëndijë flakëruese e trurit, e mendjes, grishje e përjetim i bukurisë, / amzë e pasurimit të shpirtit nëpër mote, / çelës i artë i zbulimit të fshehtësive, ushqim i mendjes dhe i zemrës njëherësh, gurrë e frymëzimit, muzikë e shpirtit”. “

Është me rëndësi të theksohet se vargje dhe strofa të tëra, thuajse në të gjitha këngët e poemës “Prushi i bukurisë”, i janë kushtuar dashurisë, madje edhe vetë poema është shkruar në emër të dashurisë për fjalën, si një dëshmi që ngjiz e mbart e bukura në shpirtin dhe për shpirtin e njeriut.

I shtjelluar në katërmbëdhjetë pamje, sa të veçanta aq edhe të pasura, kjo vepër e A. N. Berishës shpreh disa nga qenësitë që e kanë cilësuar artin e fjalës nëpër rrjedh të kohëve dhe që e cilësojnë edhe sot e gjithë ditën.

Në Hyrjen e vëllimit të “Prushit të bukurisë – Një përmendore poetike për artin e fjalës[2]” hartuesit, Albana Alia dhe Labinot Berisha, shkruajnë pos të tjerash: gjithçka shprehet në këtë vepër nëpërmjet një strukture tekstore poetike skajshmërisht të përpunuar.

3. Në përmbyllje

Krejt në fund vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se vepra “Prushi i bukurisë” me kohë ka zgjuar interesimin jo vetëm të shkrimtarëve, por edhe të studiuesve të letërsisë, që dëshmohet edhe nga vëllimi i përmendur kushtuar kësaj poeme, ku 26 autorë, shqiptarë dhe italianë, shkruajnë për këtë vepër duke e cilësuar atë si përmendore poetike për artin e fjalës. Autorët që kanë shkruar për të janë: Sergio Paolo Foresta, Prend Buzhala, Dante Mafia, Agron Tufa, Giuseppe Napolitano, Albana Alia, Enrico Bagnoto, Sabit Rrustemi, Francesco Fusca, Zimo Kurtaj, Gianni Mazzei, Fatmir Minguli, Gianni Antonio Palumbo, Eris Rusi, Fiorella de Rosa, Beatriçe Balliçi, Alessandro Gaudio, Natasha Xhelili, Flavio Nimpo , Griselda Doka, Vincenzo Bruno, Hamdi Erjon Muça, Rosela Fusco, Mateo Pulizzi etj.


[1] Anton Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Il fulgore della belleza. Riflessioni poetiche sull’arte della parolla. Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2014.

[2] “Prushi i bukurisë – Një përmendore poetike për artin e fjalës. Njëzet e gjashtë punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për veprën Prushi i bukurisë – Përsiatje poetike për artin e fjalës të Anton Nikë Berishës. Zgjedhur dhe përgatitur nga ALBANA ALIA dhe LABINOT BERISHA. Shtëpia botuese Beqir Musliu. Prishtinë 2017.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit