Diskursi politik
Diteve të fundit ne media ka filluar debati për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë duke dalë me propozime të ndryshme, ndërsa partitë politike ende nuk kanë ndonjë propozim konkret, ku sipas të gjitha gjasave do të dalin në momentin e fundit sikurse më parë, nga del se këtë institucion e trajtojnë vetëm formal pa peshën e duhur, duke iu mohuar qytetarëve të drejtën për të zgjedhur Presidentin me votën e tyre
Dr. Nail Draga
Sipas kushtetutës së Republikës së Shqipërisë 28 deputet mund të propozojnë një kandidat për President, ku në sajë të numrit të tyre, këtë mundësi e kanë dy grupe parlamentare përkatësisht PS dhe PD. Sipas kushtetutës parashihet të votohet në pesë raunde, fillimisht tre raunde me 84 vota, dhe në mungesë të tyre shkohet në votimin prej dy raunde me 71 vota. Sipas procedurës në katër raundet e para mund të ketë kandidatë të rinj në proces, ndërsa raundi i fundit nuk lejon kandidatë të rinj dhe nëse Presidenti nuk zgjidhet parlamenti shpërndahet duke kaluar në zgjedhje të parakohshme. Nëse Presidenti zgjidhet përpara datës 24 maj ai e merr detyrën me 24 korrik.
Në sajë të procedurës së zgjedhjes së Presidentit do të ishte me e drejtë të thuhet se parlamenti e emëron se sa e zgjedh ate, sepse zgjedhja ka të bëjë me votimin direkt të qytetarëve, që zgjedhin sipas preferencave të tyre.
Duhet mbeshtetje nga deputetët
Çështja e zgjedhjes së Presidentit nga viti 2008, ka mbetur peng në sajë të marrëveshjes Berisha-Rama e cila vazhdon të jetë ende në fuqi. Kemi të bëjmë me marrëveshje e cila nuk është në favor të qytetarëve por të interesave të partive politike. Pikërisht nga një qasje e tillë, ata që duan të kandidohen për tu zgjedhur mund të legjitimohen vetëm nëse sigurojnë 28 nënshkrime deputetësh, në të kundërtën ata të cilët nuk sigurojnë këtë mbeshtetje mbesin jashtë garës për tu zgjedhur.
Duke ditur se deputetët veprojnë sipas interesave të tyre politike, del qartë se kemi të bëjmë me një tallje me gjoja mundësinë e kandidimit për President nga qytetarët, apo shoqëria civile, sepse çdo gjë varët nga partitë politike të përfaqësuara në parlament.
Qytetarëve iu mohohet ta zgjedhin Presidentin
Në lidhje me këtë çështje në media debatohet për zgjedhjen e Presidentit, duke ftuar mysafirë të ndryshëm ne emisione, madje, duke dalë me propozime sipas shijes dhe preferencave personale. Po të zgjidhej Predisenti direkt nga populli, emisionet e tilla kanë vlerë dhe janë me peshë sensibilizuese të opinionit, duke dëshmuar gadishmëri qytetare për pluralizmin e institucionit të Presidentit sikurse në vendet me traditë demokratike.
Madje, kandidatët opinionit do t’ia kishin obligim për t’iu prezantuar programin e tyre zgjedhor duke sfiduar konkurentët dhe përfituar elektoratin votues. Ndërsa zgjedhja e Presidentit nga parlamenti eliminon prezantimin konkurues me program zgjedhor, ku për shumicën parlamentare thënë më së buti parësore mbetet përshtatshmëria politike.
Zgjedhja e Presidentit nga populli për Shqipërinë model mund të jenë edhe vendet fqinje apo në regjion sikurse janë Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia apo Sllovenia. Ndërsa, përvoja nga këto vende në lidhje me kompetencat e Presidentit dëshmon se zgjedhja e tillë nuk ka ndikuar ne natyrën parlamentare të shtetit.
Por, mohimi i qytetarëve të drejtën për ta zgjedhur Presidentin me votën e tyre nuk mund të arsyetohet me asgjë, vetëm me interesin partiak që nuk është në favor të parimeve demokratike. Sepse zgjedhja direkte do të forconte integritetin e institucionit, lidhjen me qytetarët dhe përgjegjësisë publike të Presidentit. Nga ana tjetër do të dobësonte ndikimin e partive politike, duke avancuar votën popullore në zgjedhjen e kandidatit të merituar.
Kujtojmë me këtë rast se në pluralizëm në Shqipëri ka pasur 7 presidentë, e to 6 të zgjedhur nga mazhoranca dhe 1 me konsensus(PD-PS).
PS mund ta zgjedhë vetë Presidentin
Në sajë të raportëve politike në Kuvendin e Shqipërisë, mazhoranca aktuale është komode, se Presidenti do të zgjidhet sipas shijes dhe disponimit të tyre. Andaj edhe debatët e kësaj natyre ditëve të fundit duken pa peshë sepse PS do të vendosë për kandidatin potencial për President. Andaj, opinioni është kureshtar për të ditur se cili do të jetë kandidati i preferuar i PS, përkatësisht i kryeministrit Edi Rama. Nuk ka dilemë se ai dëshiron një president formal i cili nuk do të ishte impulsiv dhe refuzues por të miratoj çdo gjë sipas shijes dhe disponimit të tij. Andaj, duke marrë parasysh raportët brenda PS, me shumicën e mjaftueshme për të vendosur për propozimin nga ana e shefit të tyre, deputetët do të votojnë për kandidatin për President, sepse askush nuk mund të bësojë, se deputetët do ta refuzonin, ku si pasojë do ishte shpërndarja e parlamentit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Një grua për Presidente
Duke përfillur kriterët për President mendoj se ka ardhur koha që një grua për të parën herë në historinë e Shqipërisë të zgjidhet në këtë funksion. Një veprim i tillë do të dëshmojë qytetari e do të mirëpritej nga shqiptarët, sepse deri më tash gratë janë anashkaluar për këtë pozicion institucional.
Në këtë aspekt në regjion kemi shembuj pozitiv si më parë në Kroaci e tani në Kosovë, duke dëshmuar dhe vlerësuar barazinë gjinore. Në Shqipëri ka gra të përgatitura dhe të dënja për ta kryer me përgjegjësi një detyrë të tillë shtetërore, ku kandidatja e tillë mendoj se do të mbeshtetej jo vetëm nga mazhoranca por edhe nga opozita parlamentare.
Duhet ndryshuar kushtetuta
Duke respektuar parimet demokratike shpresoj që kjo të jetë zgjedhja e fundit e Presidentit nga Kuvendi i Shqipërisë, sepse shqiptarët meritojnë të deklarohen me votë për Presidentin të cilin e duan, e jo t’iu imponojnë deputetët, përkatësisht pazaret e partive politike. Në këtë aspekt duhet të inicohet ndryshimi i kushtetutës përkatësisht të egzistojë vullneti politik i mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentit nga vota e popullit.
Vetëm me një veprim të tillë politik do të dëshmohej se vlerësohet vota e qytetarëve dhe nderohet institucioni i Presidentit si kudo në botën demokratike, e jo duke mbetur peng i deputetëve në parlament.
(Prill 2022)