Prend BUZHALA: KY KOMB NUK ËSHTË PRONË FETARE E ASKUJT (reagim)

0
Prend Buzhala

Prend BUZHALA

(Një demantim publik rreth keqpërdorimit të emrit tim)

Paska kohë që qenka përhapur e publikuar në disa portale një teskt prej 128 faqesh me titull “Letërthirrje për Mbrojtjen e Vlerave Kombëtare Shqiptare dhe Parandalimin e Ekstremizmit Politik Islamik: Thirrje për Angazhim të Përbashkët të Shteteve të Ballkanit, Evropës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Diasporës Shqiptare”

Në fund të këtij shkrimi gjendet referenca: Emrat dhe mbiemrat e nënshkruesve të këtij memorandumi, profesioni i veprimtarisë dhe vendbanimi. Aty, për habi, figuron edhe emri im!!!

E çuditshmja është se unë as që di se kush e ka bërë këtë “Letërthirrje” dhe absolutisht as që më ka pyetur kush për këtë gjë!!! As që më ka ra në dorë kjo Letërthirrje!!! Rastësisht e hasa në google emrin tim te Faqja juaj dhe te njëfarë Rexhep Elezaj (ia harrova edhe emrin atij portali), që reagon me një gjuhë si të ishte nga një planet tjetër!

As që kam vënë nënshkrim aty te “Letërthirrja…”! Për të qenë habia e shumëfishtë, një krah tjetër ekstremisht antishqiptar, edhe mua më etiketon aty (njëfarë Rexhep Elezi te një portal), më radhitka aty me fashizmin, “Naçertanijen” etj. etj., ani se kundër fallangave fashiste të “Naçertanijes” jam ballafaquar vazhdimisht që nga vitet ’70 (me burgje e me forma tjera barbare të përndjekjes… deri me thikat sllave mbi trupin tim).

Nga ju kërkoj që ta publikoni këtë demant.

Po ua kërkoj publikisht këtyre autorëve të “Letërthirrjes” që të mos e keqpërdorin emrin tim dhe ta heqin emrin tim nga ajo “Letërthirrje”, kurse atij autorit Rexhep Elezaj (nëse e sheh veten shqiptar, le t’i verifikojë faktet e jo të flasë përmendësh, duke recituar akuza e fyerje aq çnjerëzore ku më radhit edhe mua, sa as nga thikat sllave të tilla nuk i kam përjetuar këso sulmesh banditeske), le të ballafaqohet me fakte, se ku e paka parë “fashizmin” dhe “Naçertanijen” te unë (termin “fashizëm”, sigurisht që nuk e ka mësuar nga librat e shenjtë). Kam shkruar më herët ese e artikuj, bie fjala, kështu: se ekziston EDHE ANTIFASHIZMI ULTRAFASHIST, siç ishin regjimet komuniste, por nuk e kam ditur se ekzistuaka ky antifashizëm i tillë ultarfashist me tjetër petk ideologjik e fetar!!!

Nuk ndiej nevojë të jap provim para asnjë “krahu” të tillë, se si jetoj me kombin tim e popullin tim, sepse ky komb nuk është pronë fetare e askujt! Personalisht, nuk mund të dal jashtë Rilindjes Kombëtare dhe as jashtë historisë sonë apo Gjuhës Shqipe.

Me nderime,
Prend Buzhala

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.