Poezitë e vëllimit “Dhembje dhe dashuri” të poetes Ymrije Beqir

0

Zymer Mehani

Ymrije Beqiri tashmë veç është nga ato autore të njohura, që në poezitë e veta e ka të theksuar trinomin kuptimplotë: mallin, dhembjen dhe dashurinë. Ajo, në horizontet e poezisë shqipe ka hyrë me fizionominë dhe profilin e vet të përcaktuar dhe të kristalizuar, qoftë me tematikën e motivet, qoftë me mënyrën e të shkruarit (stilin).

Duhet theksuar se një pjesë e lirikave intime (të dashurisë) në vëllimin poetik “Dhembje dhe dashuri” kanë si sfond vetminë, ambientin dhe atmosferën e zymtë. Pra, mjaft poezi të vëllimit në fjalë, që vërtet janë të bukura i kushtohen dashurisë.

Shumica e poezive të vëllimit “Dhembje dhe dashuri” të poetes Ymrije Beqiri janë shkruar si rrëfime ekzistenciale dhe reflektojnë spiritualitetin ekspresionist, në radhë të parë në theksimin e dimensionit njohës të përvojave dhe meditimeve të saj. Në këtë kontekst, poetja Beqiri bën pikërisht pyetje dhe kërkon përgjigje për kuptimin dhe arsyet e ekzistencës së vetë njeriut. Në këtë kuptim, autorja pyet veten “Kush jam unë”,

“Çfarë jam unë”, “Pse jetoj”, si mund të kapërcehet mashtrimi dhe e keqja, që vërtiten përreth nesh:

E provova mashtrimin
Helmin ia provova
Me ndjenja përkushtimi
Mbi të keqen triumfova

(Poezia “EDHE NJË HERË”)

Problemet ekzistenciale të poetes Beqiri mund të tematizohen rreth tri pyetjeve themelore, të përmendura më lart.

Në këtë kuptim, vetmia dhe zbrazëtia shfaqen duke zbuluar një ndjenjë dukshëm të dëshpëruar të realitetit, sepse ditët, dikur plot dritë në diellin e mesditës, tani i ngjajnë një humnere tmerri.

Prandaj poetja do të rrëfejë:

Kurrë vetminë s’e desha n’jetë
S’kam menduar kurrë, vërtet
Ndonjëherë me të t’përqafem
Gjithmonë ajo më fuste datën
Ah, moj vetmi- e akullt shumë
Sa tinëzare je, si erdhe tek unë
Kurrë s’të desha, unë e ngrata
Erdhe vjedhurazi, më more ç’pata

(Poezia “VETMINË NUK E DUA”)

Derisa drita dhe errësira ndërrohen, njeriu nuk ndryshon në dhimbjet e veta, sepse mendimi i tij zhytet në pafundësinë e tmerrit, në kaos dhe në hiç. Pafundësia e këtij tmerri, gllabëron dhe vret, kur njeriu ka frikë nga zëri i tij. Kështu, kuptimi i ekzistencës së njeriut sot pasqyrohet në paradoks, në pasiguri, në frikë nga e ardhmja.

Për njerëzit me vese, poetja Ymrije Beqiri thotë se ata kanë kundërshti me vetveten, se kanë dyfytyrësi (hipokrizi), se janë kaotikë dhe të errët, të dëshpëruar, se nuk besojnë në asgjë. Edhe pse jo, ata nuk besojnë as në kuptimin e kulturës, as në kuptimin e jetës, por jetojnë për të gjetur një lloj përmbushjeje në mënyrë të padukshme në pakuptimësi.

Tipat e tillë, pas çdo fjale vijojnë me pyetje të menjëhershme, me dyshim, mosbesim. Prandaj, ngushëllimin e gjejnë vetëm te injoranca dhe te veset e tyre të pështira.

Në poezinë e poetes Beqiri, ngjyrat e caktuara kanë edhe një kuptim specifik të funksionit shprehës dhe kuptimor, p.sh. në disa vargje të saj, ajo paraqet një sintezë të kuptimeve të caktuara diskursive, nëpërmjet një mjeti të caktuar shprehës. Secila fjalë ka kuptimin e saj specifik dhe ngjyrat e saj.

Shpejt mësojmë se këto ngjyra të fjalëve të saj poetja i përjeton qetësisisht: të bardhën që është ngjyra e borës, e reve e plisit; ngjyrën blu të qiellit pranveror dhe ngjyrën e gjelbër të fushave të pjekura me grurë të fshatrave të Vushtrrisë. Pikërisht këto tri ngjyra autores i sjellin në shpirt paqen, qetësinë, eteritetin dhe spiritualitetin.

E ngjyra e zezë tregon një aluzion ndryshimi dramatik, sepse simbolizon heshtjen, dhembjen dhe hijen e trishtimit të thellë, që akoma e pret, por edhe frikën:

Një ndjenjë e ftohtë më kaplon
Frikën ia kam territ të natës
(…)
Frikën ua kam gënjeshtrave të ditës
Shumë herë i shtroj pyetje vetes
-Si është më mirë për ty
Të jesh apo të mos jesh?!…

(Poezia “PA ZHURMË”)

Ca vargje të poetes Beqiri, vërtet mishërojnë mallin e dashurisë, por në të njëjtën kohë na kujtojnë edhe frikën e ndarjes.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.