RECENSION
Ajne Ibërhysaj – Gravurë me ngjyrat e kohës, botoi SHB ORFEU, Tiranë 2024
Mikel GOJANI
Leximi i librit me poezi me titullin e rrallë “Gravurë me ngjyrat e kohës” i autores së talentuar Ajne Ibërhysaj më bëri përshtypje tepër të thellësishme. E lexova dhe e rilexova këtë vepër me vlera kualitative poetike me shumë përkushtim, i cili më bëri përshtypje që nuk më mjafton ta përfundoj me një të lexuar.
E lexova dhe e rilexova këtë vepër me vlera të çmueshme poetike, duke bërë përpjekje që t’i qasem në esencë brendisë së lajtmotivit çfarë autorja ka pretenduar të shpalos qenien e qenësisë së botës shpirtërore. Sikurse mua, po ashtu edhe gjithë lexuesve që do të kenë fatin ta lexojnë këtë vëllim poetik, nga përshtypjet që do t’i krijojë nuk do të ndalen me një të lexuar.
Mbresa do të fillojë nga titulli mjaft artistik dhe me vlera metaforike, që i jep frymësi librit qysh në fillimin e tij. Një vlerë artistike që ngërthen mundësi mendimesh të shumta: Fjala poetike ka diçka brenda saj më shumë se natyrshmëri poetike. E tërë vargjet përshkohen nga frymësia që i bëjnë kuptimisht më të gjerë e më të thellësishme. Natyrisht, si shpirtësi jetësore ndërlidhet me shpirtin dhe e ringjall atë duke u degëzuar sa herë që lexohet me vëmendje nga lexues të ndryshëm, po dhe nga i njëjti lexues.
Kjo ngjet nga fakti se krijimi poetik, i përbërë prej vargjesh, është fryt i shpirtit të autores në këtë rast i poetes, ndërsa shpirtësia e krijuar përmes të shprehurit gjuhësor, të tekstit, kthehet tek vetë poetja, por dhe tek ai që do ta lexojë atë vepër.
Vargjet kanë fuqinë e ngushëllimit dhe të shpresës, ashtu sikundër e kanë edhe fuqinë e frymëzimit
“Gravura me ngjyrat e kohës” mund të receptohet edhe si një shpirtëzim i një hiri që ekziston ose do të ekzistojë, mirëpo meqenëse është i padukshëm, bart brenda elementit kuptimor edhe kureshtjen, por edhe fshehtësinë. Dhe pothuajse të gjitha poezitë e këtij libri, të hartuar me shumë përkushtim, shprehin jetësimin e një mozaiku, që u jep atyre shpirt, i bën të gjallë, komunikuese të ngërthyer në shëmbëlltyrën e artit poetik.
Është thënë me të drejtë se koncepti i shprehjes Fjalë dhe Kuptimi kanë forca të jashtëzakonshme kur përdoren në vendin e duhur dhe në kohën e duhur: Vargjet kanë fuqinë e ngushëllimit dhe të shpresës, ashtu sikundër e kanë edhe fuqinë e frymëzimit. Ato kanë fuqinë e frikës, ankthit e hidhërimit, por edhe kapërcimin e tyre.
Në Fjalën paraprake, duke folur për vlerat ideaoartistike të librit të autores Ibërhysaj, studiuesi Agron Shale vlerëson se leximi i vargjeve poetike shtyn përtej kufirit, ndoshta mes atyre gjendjeve që ndajnë hapësirën dritë dhe ky fluks shërben për të ndriçuar gjurmët e jetës, si shkallë vitaliteti, por edhe përpjekje për të identifikuar veten.”
Vështrimi estetik ka për fokus jo vetëm analizën e strukturës poetike, por edhe tematikën që sjell kjo vepër letrare, kur dimensionet prekin hermetizmin e shpirtit dhe lakonizimet me format surreale të herëpashershme + ndërthurjen mes antikes dhe pragmatizmit të sotëm, nocioni i indeksit ky që ka për pehash (ngjyrën e fjalës – transkriptimin – muzikalitetin – transmetimin dhe ndjesinë përcjellëse).
Ka vepra letrare që zhvillojnë intuitën tek lexuesi përmes krijimit artistik, ka vepra të tjera që duhet t’u rikthehesh, ndërsa në rastin konkret, fokusi është tek njehsimi i gjendjes me formën, mbledhjes me pasqyrimin dhe pastaj shkrirja e plotë një me artin e shkruar. Fare shkurt mund të prekim disa elemente që e pasqyrojnë ose nxjerrin në pah gjithë përmbajtjen e këtij mesazhi: Duhet të besojmë në pavdekësinë e shpirtit (Epikuriane); Duhet të besojmë në transmetimin e shpirtit (Asketikë); Gjithçka fillon nga referimi rreth vetes, për të mbërritur te forma jonë ekzistenciale (Dekart + Niçe)”, pohon Shale.
Prof. dr. A. Vinca: “E tërë poezia e Ajnes është një vërshim ndjenjash, mbresash, kujtimesh, të cilat poetja i shpreh natyrshëm, ashtu si i vijnë”
Ndërkaq shkrimtari dhe kritiku i vlerave kulmore të letërsisë shqipe, prof. dr. Agim Vinca, duke u shprehur për vlerat e këtij libri poetik shprehet se Poezia e Ajne Ibërhysajt nuk është poezi e mjeshtërisë a zanatit, por e ndjesisë dhe përjetimit të çastit. Fjalë kyçe e poezisë së saj është fjala shpirt, ndërsa togfjalëshat: “dridhjet e shpirtit”, “britmë shpirti”, “psherëtimë shpirti” e të tjerë të ngjashëm, shfaqen shpesh në vargje edhe si tituj vjershash, që, herë-herë, ngjajnë si variacione të njëra-tjetrës.
E tërë poezia e Ajnes është një vërshim ndjenjash, mbresash, kujtimesh, të cilat poetja i shpreh natyrshëm, ashtu si i vijnë. Po qe se bëjmë një krahasim me fenomenet e natyrës, do të thoshim se rrëfimi poetik rrjedh lirshëm, ashtu siç ndërrohen stinët e motit, siç bien gjethet në vjeshtë dhe siç rrjedhin ujërat e lumenjve. Edhe pikat e shiut që lëshojnë retë dhe lotët që rrjedhin nga sytë janë pjesë e kësaj “gravure”.
(Të themi në parantezë se titulli i librit: Gravurë me ngjyrat e kohës i përgjigjet përmbajtjes së veprës: frymës së përgjithshme dhe në mënyrë të veçantë përbërësve të saj ideotematikë dhe gjuhësorë-stilistikë). Ndoshta bukuria e kësaj poezie qëndron pikërisht këtu, te kjo natyrshmëri, që është shprehje e botës së pasur shpirtërore të poetes dhe e përvojës së saj jetësore. Në harmoni me këtë përcaktim është edhe fjalori i kësaj poezie, si dhe motivet e saj, që, edhe kur duket se largohen në mitologji (Troja, Prometeu, Sizifi, Itaka), i qëndrojnë besnikë kohës dhe mjedisit që i ka lindur.
Edhe kur ndeshet me ftohtësinë e rrethit, poetesha jonë përpiqet ta zbusë atë me ngrohtësinë e ndjenjës, të tingujve e ngjyrave, që nuk e lënë indiferent për asnjë çast lexuesin. Duke i lejuar vetes ta mbyllim këtë fjalë të shkurtër në mënyrë pak a shumë të figurshme, metaforike, do të thoshim se lirika e Ajne Ibërhysajt ka shpirt dhe kolorit: ajo i ngjan një kopshti shumëngjyrësh, ku secili gjen diçka pas shijes së vet”, shprehet kritiku Vinca.
Poete e simbolikës dhe metaforës
Në poezinë e Ibërhysajt vërehet një shkallë e lartë, dhe e veçantë e të shprehurit poetik, një përpunim ngulmues i të shprehurit simbolik dhe metaforik, një poezi që të pushton me llojshmërinë e të shprehurit dhe me thellësinë e mendimit, mbi të gjitha, një botë e pasur e një natyrshmërie e të shprehurit e ndërtuar me kujdes dhe dije. Për këtë arsye për të komunikuar me to dhe për t’i bërë pjesë të vetes, thënë poetikisht, për të mbërritur deri te dritësimi i mendimit dhe i interpretimit, është i nevojshëm një lexim i vëmendshëm dhe i përqendruar. Kjo është poezi që të josh e të përvetëson vetëm pas disa leximeve dhe të thellimit në tekstet e tyre. Përmes këtyre poezive të konceptuara në librin “Gravurë…” poetja Ajne Iberhysaj dëshmon se është poete e simbolikës dhe e metaforës si mbretëreshë e figurave stilistike, që është e pranishme fund e krye librit.
Në poezitë e kësaj vepre, shprehen dukuri të zakonshme dhe përfytyruese, por të rëndësishme për jetën e njeriut si: dashuria, malli, ëndrra, të gjallët dhe të vdekurit. Krahasuar me librat e tjerë poetikë të kësaj autoreje, por në këtë vëllim poetik merr një përmasë e vlerë universale një ligjërim funksional dhe i ngritur. Një vlerë tjetër e poezive të këtij libri është se autori nuk na i thotë ë gjitha, po i lë pa i thënë, ia lë që idetë e shprehura të nënkuptohen nga lexuesit.
Poezia e Ibërhysajt është poezi e brumosur me shprehje të pasura të tropeve dhe figurative stilistike. Përsiatjet poetike, siç i quan zakonisht autorja, janë të mëvetësishme brenda poezisë, por edhe më larg. Kjo poezi është e brumosur me një shprehje të larmishme figurative dhe e ndërtuar nga një varg dhe një koncepcion të menduar e të veçantë. Nga mënyra e hartimit të vargjet dhe të poezive si tërësi rrjedh se poetja Ibërhysaj idenë poetike e mban dhe e përpunon gjatë në vete dhe e vë në letër për t’iu kthyer prapë asaj, derisa bindet se vargu ka marrë formën e duhur.
Simbolizimin dhe metaforizimin të vargjeve brenda kopërtinave të librit, autorja Ibërhysej ka kapërthyer edhe disa poezi të motiveve të ndryshme filozofike etj., që iu japin shpirt vargjeve të këtij libri. Fjala poetike është ajo që i shpreh dhe përjetëson dukuritë; ajo dëshmon artin e secilit tekst letrar, e secilës vepër letrare. Ka forcë të jashtëzakonshme kur përdoret në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, qoftë kur ne flasim për veten tonë, qoftë kur flasim për të tjerët. Frymësia e saj është e gjithkohshme dhe ajo është në gjendje të ndikojë artistikisht dhe ta pasurojë shpirtin e lexuesit. Fjala dhe ideja janë nismat e gjithçkaje që zhvillohet në vargjet e sajuara.
Vargjet që kanë fuqinë e ngashërimit dhe të shpresës
Cilido lexuesi që do ta ketë fatin ta lexojë këtë vëllim poetik, nga përshtypjet që do t’i krijojë nuk do të ndalet me një të lexuar. Përshtypja fillon nga titulli mjaft artistik dhe me vlera metaforike, që i jep frymësi librit qysh në fillimin e tij. Një vlerë artistike që ngërthen mundësi mendimesh të shumta: Fjala poetike ka diçka brenda saj më shumë se natyrshmëri poetike, ngjyra të kohës, mozaik më i bukur dhe piktura më jetësore në shëmbëlltyrën e artit poetik. E tërë vargjet përshkohen nga frymësia që i bëjnë kuptimisht më të gjerë e më të thellësishme. Natyrisht, si shpirtësi jetësore ndërlidhet me shpirtin dhe e ringjall atë duke u degëzuar sa herë që lexohet me vëmendje nga lexues të ndryshëm, po dhe nga i njëjti lexues. Kjo ngjet nga fakti se krijimi poetik, i përbërë prej vargjesh, është fryt i shpirtit të autores në këtë rast i poetes, ndërsa shpirtësia e krijuar përmes të shprehurit gjuhësor, të tekstit, kthehet tek vetë poetit dhe tek ai që do ta lexojë atë vepër.
“Gravura me ngjyrat e kohës” mund të receptohen edhe si një shpirtëzim i një hiri që ekziston ose do të ekzistojë, mirëpo meqenëse është i padukshëm, bart brenda dhe kureshtjen dhe fshehtësinë. Dhe pothuajse të gjitha poezitë e këtij libri, të hartuar me shumë përkushtim, shprehin jetësimin e mozaiku, që u jep atyre shpirt, i bën të gjallë, komunikuese të ngërthyer në shëmbëlltyrën e artit poetik. Është thënë me të drejtë se koncepti i shprehjes Fjalë ka forcë të jashtëzakonshme kur përdoret në vendin e duhur dhe në kohën e duhur: Vargjet kanë fuqinë e ngashërimit dhe të shpresës, ashtu sikundër e kanë edhe fuqinë e frymëzimit. Ato kanë fuqinë e frikës, ankthit e hidhërimit, por edhe kapërcimin e tyre.
Libri Frymësi e fjalës është shtjelluar në disa pjesë që dëshmon për një koncept të menduar mirë të pa strukturuar në kapituj siç ndodh me shumë autorë të tjerë, mirëpo duke iu përmbajtur vlerave dhe ideve përmbajtjesore si koncepcion të përafruar.
Poezi e brumosur me shprehje të pasura figurative përsiatjet poetike
Poezi e brumosur me shprehje të pasura figurative përsiatjet poetike, janë të mëvetësishme brenda poezisë sonë, por edhe më larg. Kjo poezi është e brumosur me një shprehje të larmishme figurative dhe e ndërtuar nga një varg dhe një koncepcion të menduar e të veçantë. Nga mënyra e hartimit të vargjet dhe të poezive si tërësi rrjedh se poetja Iberhysaj idenë poetike e mban dhe e përpunon gjatë në vete dhe e qet në letër për t’iu kthyer prapë asaj, derisa bindet se ka marrë formën e duhur.
Simbolizimi dhe metaforizimi brenda kopërtinave të librit autorja Iberdemaj ka kapërthyer edhe disa poezi të motiveve të ndryshme filozofike etj., që iu dhënë shpirt vargjeve të këtij libri. Fjala poetike është ajo që i shpreh dhe përjetëson dukuritë; ajo dëshmon artin e secilit tekst letrar, e secilës vepër letrare. Ka forcë të jashtëzakonshme kur përdoret në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, qoftë kur ne flasim për veten tonë, qoftë kur flasim për të tjerët. Frymësia e saj është e gjithkohshme dhe ajo është në gjendje të ndikojë artistikisht dhe ta pasurojë shpirtin e lexuesit, po ashtu njëherësh begatojnë edhe rrjedhat e jetës:
Kështu janë valët e jetës,
si ato rrugët e pambaruara
ku disa kalojnë mes sheshit të pritjeve që s’kanë lidhje me stinët, me vitet
ku fjalët të ngjajnë si net të përgjumura.
Rrugët e jetës
janë baladë dhembjesh që ndryhen në shpirt
teatër ku secila pjesë e trupit vetëvritet
në Itakën e syve të tu të përhumbur…
E tillë është kjo jetë
ka ditë të hirta e të bardha
që s`kanë lidhje me vjeshtën
e as me mua…!
Poezia, Valët e jetës, f.
Ose, vargjet tjera që ngërthejnë pothuaj një lajtmotiv identik që trandin frymëzimet që qëndrojnë të strukur si makth brenda urnës që shpërthen guallin e botës që shprush prushin e frymëzimit.
Në rrëfimin poetik të ngrohtë e të drejtpërdrejtë të poetes Iberhysaj, zotëron një ndjenjë ngashërimi, ku poetja nëpërmjet botës së brendshme i shqipton fenomenet, reaksionet, botën e saj. bashkë me dramën e trazimit dhe plagët e shpirtit:
Ç’rëndësi ka bregu i pikëllimit!
Ç’ngjyrë̈ kanë sytë̈ e ylberit të humbur,
pas shiut në kodër të diellit?!
Shpirtin e djegin shikimet memece,
të ngrira në dritaren e pritjes…
Poezia, Brenda vetes, f.
Poetja Iberhysaj e ndien poezinë, e mendon dhe ka aftësi ta krijojë, pra ajo reflekton nga bota e saj e brendshme shpirtërore dhe intelektuale. Autorja di çka do dhe çfarë kërkesash shtron me vargun, me poezinë e vet.
Duke u thelluar në vargjet e poetes nuk është vështirë të vërehet ndjeshmëria, e cila i jep asaj një koherencë ekzistimi dhe ndikimi artistik. Poezia e Iberhysajt qenësisht shpreh shpirtin e dallgëzuar të poetes, i cili është i pakursyer e herë-herë i papërmbajtur ndaj veprimit të njeriut, fatit dhe ekzistencës së tij. Këto botë poetja e shpreh me tërë patosin që prek qenien e qenësisë:
Mendimet kacafyten
ashtu si shiu në pikë të verës.
Përplasen me pamëshirën e farsës-jetë,
dhe ma mbërthejnë fjalën.
Ofshama e prish qetësinë.
Poezia, Ofshama, f.
Poetja e vlerave të spikatura Ajne Iberhysaj në vargjet e saj të kapërthyera në brendinë e këtij libri shpreh lidhshmërinë jetike shpirtërore me atdheun e saj, Kosovën. Këtë lidhshmëri të shumëfishtë, do ta ruaj , do ta kultivojë dhe përherë do ta pasurojë me veprimtari të pandërprera poetike. Ky gjakim do ta përcjell përherë në majën e saj poetike dhe Emri i saj, dejtë e gjakut, Drini i Bardhë, Drini i Zi, Ulpiana, Dodonë, plagët e shpirtit… do të jenë frymëzim i pashtershëm në botën poetike të poetes Iberhysaj:
Emrin tënd e mbaj në zemër.
Në dejtë e gjakut, Kosovë!
Aty ku del Buna, sytë e etur pyesin për ty,
aty ku rrjedh Lumbardhi, rrahjet e zemrës i gjen,
aty ku bashkohet Drini i Bardhë e Drini i Zi,
shpirti merr zjarr.
Kosovë,
plagët i mbështolle me lule jasemini.
Pesë petale që nuk njohin kufi,
veç dhurojnë dashuri.
Emri yt, bekim i Dodonës!
Shën Mëria prek t’bardhën e zambakut t’shenjtë,
kambanat gjysmë të errëta si hijet e vetmuara,
Ulpiana nuk ka vdek’,
asht’ dashnia, plagë shpirti!
Poezia, Kosovë, f.
Dhe prandaj:
Fryma e saj ende gjallëron,
gjithandej shpërndarë nëpër kohë.
Nga ashti i saj gufojnë dejtë
në pranga dashnie.
Në etje kanë mbërthyer tokën.
Zotat i ndëshkojnë
me zjarrin e dashnisë…
Poezia, Drejt tokës Dardane, f.
Qenia e poetes Iberhysaj brenda vargjeve të librit ngërthen disa bërthama vizionesh, të cilat shkëndijojnë në trope dhe figura stilistike, sidomos në mbretëreshën e këtyre figurave, në metaforën. Poezia e kësaj poeteje të talentuar nuk reshti për sa vite dhe se do të pasurohet edhe më tej. Brenda korpusit të poezive mbresëlënëse janë edhe poezitë e dashurisë, tepër njerëzore dhe të kthjellëta, një cikël i veçantë dhe tepër unikal.
Stili i poetes Iberhysaj është një estetikë e prekshme, larg abstraksionit shterp. Ky lirizëm bën pjesë në botën meditative. Konkretja modelon simbolikën. Kjo frymë vërehet sidomos tek disa poezi të këtij vëllimi poetik, si Lotët e stinëve, Ëndrrat e jetës, Ëndrra ime, Duaje, Shpirti im, Sonte, Në sytë e mi mund të shkruash vargje etj.:
Nëse të dua më shumë se dje
Ti mos u habit
Dridhjet e shpirtit më tundin
Sot, mes meje dhe teje
Një vijë e hollë shtegtimi ere na veshë
Si një pikturë mëkatare që luan me ferr
Heshtja e zhurmshme
Akull e zjarr në sytë e mi
Brenda nesh
Një flakë e brishtë zjarri na zhvesh
Ndërsa digjem nga etja e hijeve tona të murosura
Poezia, Në sytë e mi mund të shkruash vargje, f.
Dhe krejt në fund lirisht mund të konstatojmë se lexuesi duke marrë në dorë libri “Gravurë me ngjyrat e kohës, të autores Ajne Ibërhysaj, sigurisht do të ndjejë një kënaqësi të veçantë për hir të vlerave tepër të cilësueshme ideoartistike.
Autorja e di mirë këtë gjë, mirëpo preferon dëshiron të mos shprehet për veten e vet. Këtë ndjenjë ia beson poezisë së saj, të cilën na e afron me dashamirësi për t’i prekur vlerat e saj.
Klinë, nëntor 2024