POEZI TË BRUMOSURA ME FRYMËSI POETIKE DHE ME THELLËSI KUPTIMORE

0
Anton Nikë Berisha - Frymësi e fjalës

Mikel Gojani Mikel Gojani

Anton Nikë Berisha, Frymësi e fjalës, botoi Argeta LMG, Tiranë 2016

Leximi i librit me poezi me titullin e rrallë “Frymësi e fjalës“ më bëri përshtypje të thellë. E lexova dhe e rilexova këtë vepër me vlera kulmore poetike. Përshtypje filloi nga titulli. Një togfjalësh që ngërthen mundësi mendimesh të shumta: Fjala poetike ka diçka brenda saj më shumë se shpirt; përshkohet nga frymësia që e bën atë kuptimisht më të gjerë e më të thellë. Natyrisht, si shpirtësi ndërlidhet me shpirtin dhe e ringjall atë (lexo: fuqinë e kuptimore dhe ndikuese të fjalës); shpirtësi në kuptimin që fjala poetike degëzohet sa herë që lexohet me vëmendje nga lexues të ndryshëm, po dhe nga i njëjti lexues.

Kjo ngjet nga fakti se krijimi poeti, i përbërë prej fjalësh, është fryt i shpirtit të autorit, në këtë rast i poetit, ndërsa shpirtësia e krijuar përmes të shprehurit gjuhësor, të tekstit, kthehet tek vetë poetit dhe tek ai që do ta lexojë atë vepër. Frymësia mund ta receptohet edhe si një shpirtëzim i një hiri që ekziston ose do të ekzistojë, mirëpo meqenëse është i padukshëm, bart brenda dhe kureshtjen dhe fshehtësinë. Dhe pothuajse të gjitha poezitë e këtij libri, të hartuar me shumë përkushtim, shprehin jetësimin e frymësisë, që u jep atyre shpirt, i bën të gjallë, komunikuese dhe ndikuese.

Është thënë me të drejtë se koncepti i shprehjes Fjalë ka forcë të jashtëzakonshme kur përdoret në vendin e duhur dhe në kohën e duhur: “Fjalët kanë fuqinë e ngushëllimit dhe të shpresës, ashtu sikundër e kanë edhe fuqinë e frymëzimit. Ato kanë fuqinë e frikës, ankthit e hidhërimit, por edhe kapërcimin e tyre”. (Prend Buzhala)

Libri ”Frymësi e fjalës“ u botua me rastin e 70-vjetorit të lindjes së autorit dhe 50-vjetorit të krijimtarisë letrare e shkencore, si dhe me rastin e 20-vjetorit të veprimtarisë botuese të Ageta LMG. Ndërkaq në fillim të librit Berisha ka vënë jo rastësisht vargjet e shkrimtarit tonë të shquar, Azem Shkrelit:

E di një fjalë prej guri, fjalë prej zjarri
Miku im, furi e saj lëkund malet
I bën retë të rreknohen qiellit si shqerrat
Nga ungurimë e bishës e nga vetima
E di një fjalë që ia them lumit e ndalet
Nga magjia e saj rritet bari mbi vorre.
E di një fjalë që ia them gurit e ndizet,
Nga urti e saj përherë na janë plakë etërit.

* * *

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindish
Me secilin varg, të lindish me secilën fjalë…
Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesish
Për secilin varg, të vdesish për secilën fjalë.

Azem Shkreli

që ndërlidhen thellësisht me të shprehurit poetik në këto poezi dhe me vlerat poetike që i cilësojnë ato.

Librit i paraprin Fjala paraprake, në të cilën autori Berisha shkruan se hartimi dhe botimi i veprës “Ujëvarë drite në zemër” – Katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agneze Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, sidomos vepra “Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës” (Tiranës 2009), e cila zgjoi një interesim të dukshëm të shkrimtarëve shqiptarë dhe italianë (u shkruan 27 punime për të), e përshpejtuan dhe e kushtëzuan që t’i kthehem idesë së përgatitjes së një vëllimi me poezi:

“Ndoshta çështja që bëri punën kryesore për t’ia hyrë kësaj ndërmarrjeje qe përgatitja e një varg përmbledhjesh me poezi të zgjedhura të poetëve arbëreshë – shqiptarë dhe italianë, si Vorea Ujkos, Luka Perronës, Visar Zhitit, Anton Çefës, Miradije Ramiqit, Ibrahim Kadriut, Agim Gjakovës, Prend Buzhalës, Sabit Rrustemit, Ramadan Mehmetit, Ramadan Musliut, Giovanni Pistoia-s etj. Edhe parathëniet që i shkrova për vëllimet me poezi të Nicola Napolitanos-s, Dante Maffia-s, Rossella Fusco-s, Giuseppe Napolitano-s, Mario D’Agostino-s, Anton Çefës më nxitën t’i kthehem hartimit të një vëllimi me poezi. Nga dorëshkrimi me poezi që kisha përgatitur në vitet ’70 nuk mbeti të thuash asnjë gjurmë! Vëllimin Frymësi e fjalës e përbëjnë disa nga poezitë e shkruara duke filluar nga viti 1992, por pjesën kryesore e bëjnë ato të hartuara gjatë vitit 2016”.

Libri Frymësi e fjalës është shtjelluar në disa pjesë që dëshmon për një koncept të menduar mirë: Etja e fjalës, Shtjellë tundimesh, Prushësí e muzgët dhe Yllësi e lodhur.

Në poezinë e Berishës vërehet një shkallë e lartë, dhe e veçantë e të shprehurit poetik, një përpunim ngulmues i të shprehurit simbolik dhe metaforik, një poezi që të pushton me llojshmërinë e të shprehurit dhe me thellësinë e mendimit, mbi të gjitha, një botë e pasur e një natyrshmërie e të shprehurit e ndërtuar me kujdes dhe dije. Për këtë arsye për të komunikuar me to dhe për t’i bërë pjesë të vetes sate, thënë poetikisht, për të mbërritur deri te dritësimi i mendimit dhe i interpretimit, është i nevojshëm një lexim i vëmendshëm dhe i përqendruar. Kjo është poezi që të josh e të përvetëson vetëm pas disa leximeve dhe të thellimit në tekstet e tyre.

Anton Nikë Berisha është poet i simbolikës dhe i metaforës; mbretëresha e figurave stilistike është metafora (në vend të dytë do të vinte simboli) që është e pranishme fund e krye librit. Në poezitë e kësaj vepre, shprehin dukuri të zakonshme dhe përfytyruese, por të rëndësishme për jetën e njeriut si: dashuria, malli, ëndrra, drurët, zogjtë, miqtë e të afërmit, të gjallët dhe të vdekurit.

I kam lexuar edhe librat e tjerë poetikë të këtij shkrimtari, por në këtë merr një përmasë e vlerë universale një ligjërim funksional dhe i ngritur. Një vlerë tjetër e poezive të këtij libri është se autori nuk na i thotë ë gjitha, po i lë ia lë lexuesit.

Poezi e brumosur me shprehje të pasura figurative

Përsiatjet poetike, siç i quan zakonisht autori, janë të mëvetësishme brenda poezisë sonë, por edhe më larg. Kjo poezi është e brumosur me një shprehje të larmishme figurative dhe e ndërtuar nga një varg dhe një koncepcion të menduar e të veçantë. Nga mënyra e hartimit të vargjet dhe të poezive si tërësi rrjedh se poeti Berisha idenë poetike e mban dhe e përpunon gjatë në vete dhe e qet në letër për t’iu kthyer prapë asaj, derisa bindet se ka marrë formën e duhur.

Simbolizimi dhe metaforizimi

Te kapitulli i parë, Etja e fjalës, hyjnë disa poezi të motiveve të ndryshme filozofike e përshpirtërore, si Fillesë e fjalës, Me hirin e kremtes hyjnore, Je vetë të qenmit, Etja ime zjarrndezur, Frymësia jote, Fjala thellim i jetës, Askush s’mund të matet me ty, Fjala jam unë, Heshtja pjesë e hyjnisë sate etj..

Fjala  poetike është ajo që i shpreh dhe përjetëson dukuritë; ajo dëshmon artin e secilit tekst letrar, e secilës vepër letrare. Ka forcë të jashtëzakonshme kur përdoret në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, qoftë kur ne flasim për veten tonë, qoftë kur flasim për të tjerët. Frymësia e saj është e gjithëkohëshme dhe ajo është në gjendje të ndikojë artistikisht dhe ta pasurojë shpirtin e lexuesit. Fjala është nismja e gjithçkaje.

Linde në sythin e amëzimit,
në nismë të frymësisë:
të dheut, të ujit, të erës,
të rrjedhës së pafund –
kur gjërat zunë të emërohen
me ndriçimin tënd jetik.

Dhe fjalë pas fjale
e mbolle farën tënde – ujëvarë
në ndërrim të kohëve
e të shkëlqimit të dritës.

(Fillesa e falës)

ose

Brenda qenësisë sate
thuren e qëndisen mendimet
në mijëra e mijëra mënyra
si vrushkujt e ujit
që përqafohen e puthen
me afshin e freskisë
në Ujëvarën e Madhe –
bukuri e pathënë.

(Heshtja pjesë e hyjnisë sate)

Fjalët kanë fuqinë e ngushëllimit dhe të shpresës, ashtu sikundër e kanë edhe fuqinë e frymëzimit. Po ashtu, kanë fuqinë e frikës, ankthit e të hidhërimit, por gjetjes së forcës për t’i kapërcyer ato.

Mirëpo, fjala poetike e ka dhe veçorinë që të flasë dhe me heshtje, me atë që nuk e thotë, po lë mundësinë të nënkuptohet:

Ti e përfton e qëndis
heshtjen;
e stis me përkushtim
sa herë që s’do ta thuash të tërën
po e lë të nënkuptohet.

Fjalë,
heshtja është pjesë e hyjnisë sate poetike.

(Heshtja pjesë e hyjnisë sate)

Edhe në poezitë të kapitujve në vijim Berisha me mprehtësinë më madhe bën objekt vështrimi poetik dukuri nga më të ndryshme, po që janë me interes të veçantë dhe të një rëndësie shumëfishtë.

Një pjesë të poezive Berisha ua kushton edhe disa personaliteteve, edhe ata ata frymësi që nuk shuhen si, fjala vjen, De Radës, Nënës Tereze, Martin Camajt etj.

Në paanësinë e rërës
re pluhuri të pambarim
shndërruar në stuhi të pafré
më futen me ngulm në sy
thuajse do të zhbëjnë gjithçka.

Në këtë tundim të errët
më shfaqet Nëna Tereze
shtatshkurtër e pak e kërrusur
me një të ecur të ngadalshëm
ngarkuar me ndriçimin e yjeve
e me freskinë e maleve në pranverë.

(Buzëqeshja në shkretëtirë)

E thashë edhe më parë: Në poezinë e Berishës, simboli dhe metafora janë elementet më të pranishme që bëjnë tekstin e poezive sa mund ta quajmë poezi simbolike – metaforike; përmes tyre dëshmohen vlerat kryesore të këtij libri me poezi.

Këtë frymë e ndeshim te poezitë, si Brenda teje janë të gjitha rrugët, Dielli im, Heshtje e hirtë, Lufta për heshtjen, Bota teatër i dhembjes, Natë ndër varreza, S’ka kohë ta ndal perëndimin e diellit, Mbrëmja bie si psherëtimë, A u kujtohet gjetheve, Dallgë të mugëta, Mos më braktis etja ime, Prushi i harrimit, Qyteti i ëndrrave të bardha (Shën Pjetërburgut), etj.

“Yllësi e lodhur”- shprehje që bart një shumësi kuptimesh

Brenda kapitullit të fundit të librit që ka titullin dukshëm metaforik Yllësi e lodhur, përfshihen poezi nga bota arbëreshe, pra nga vendi i “gjakut të shprishur”, ku qëndron një zjarr përcëllues që akoma rëndon në shpirtin e çiltër dhe fisnikërues të arbëreshëve, që me shumë flijime bëjnë përpjekje ta ruajnë gjakun, gjuhën traditën e Dheun të Arbrit.

Frymëzimet e tilla lindin dhe e përshkojnë shpirtin e poetit në mënyrë të natyrshme: për më se dy dekada autori pati fatin ta ndjejë nga afër atë “botë në miniaturë” bashkë me bukuritë, imazhet dhe traditat që ka përcjellë brez pas brezi.

Frymëzim qenësor i poetit Berisha është bota, shpirti dhe fati i arbëreshëve të Italisë bashkë me dhembjet dhe vuajtjet e asaj pjese të shkëputur nga dega amë ndër shekuj. Këtë frymë e vërejmë te vargjet e poezive, si Etje e gurëzuar (Arbëreshëve të Italisë), Ora arbërore në mal të Frasnitës, Shenjtërimi i fjalës arbërishte (Lukë Matrangësë), Dritarja e frymëzimit (Jeronim de Radës), Peshë shkëmbi (Françesk Santorit), La vida es sueno, (Dushko Vetmos), Me akullmsinë e qindvjetshave (Një plake arbëreshe), Kujtimet e Poetit i mbolle ( Maqit, vendlindjes së De Radës etj.:

Në ndërrimin e viteve
kujtimet e Poetit i mbolle
në çdo kënd tëndin
e secilin e pret dhe e përcjell
me ngrohtësinë e vargjeve të tij
që frymëmarrin brenda teje
shtegtarë të përhershëm:
Lis jeta kish ndërruar
ujë të ri në dejti.
Sa këmbëngulës kujtimi i frymësisë –
i prushit të pritjes.

(Kujtimet e Poetit i mbolle)

Në vend përfundimi

Në fund mund të them me bindje se shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë sonë, Anton Nikë Berisha, me veprën “Frymësi e fjalës“ është dëshmuar poet me botë sa të pasur aq dhe të veçantë poetike, përdor një sistem të shprehurit modern poetik që si të tillë nuk e gjejmë te poetet tanë të tjerë. Përmes veprave të tij, si dëshmohet edhe me përmbledhjen me poezi “Frymësi e fjalës“, dëshmon se ka prirje dhe aftësi t’u qaset dukurive dhe t’i bëjë ato objekt vështrimi poetik, duke e krijuar një tekst me cilësi të tilla shprehëse komunikuese që do t’u përkasin dhe kohëve të ardhshme.

Korrik, 2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.