NGA KALOSH ҪELIKU
(“Nëse dikujt i janë çrregulluar
jo vetëm shqisat, por edhe gjykimi
Intelktual, madje përtej masës së
zakonshme dhe përherë, vetëm atëherë
themi se ai nuk është larg tërbimit”).
ROTERDAMI
(TY BRE KALEMXHI
TË KAM KALLXUE)
(Në stilin e popullit)
Ty bre kalemxhi të kam kallxue*
Nuk ta qet me u provu me mue.
Se, s’ke zemër me hy në luftë
Qe, dyzetë vjet je tuj u tutë.
Natë e ditë të kanë vu samarë
Argat, ke punu në tjetër arë.
Zotnive tuj ua fërkue përditë
Mbylle më gojën he, jezitë!
Se t’shkoi jeta me parolla t’ndyta
E kam Lapsin: me Dy Dyta…
(O TI N’ATË TAVOLINË
E UNË KËT TAVOLINË)
O ti, n’atë tavolinë, e unë n’kët tavolinë
ma jep mua pak çiftelinë me dy tela!
T’ia marr një kënge patriotike me çifteli:
t’u këndoj burrave që luftojnë për karrige!
Që, zjarr e flakë nxjerrin për “Vatanin”:
Obobooo, u ngjita Sot, dola nga Varri
nga Përmendorja edhe, Unë marrë Malin…
O ti, n’atë tavolinë, e unë n’kët tavolinë
ma jep pak mua çiftelinë me dy tela!
T’u këndoj Donkishotave të Poterës,
që luftojnë me mullinjtë e erës!
Vetëm për Dylqinenë e Tobozës
“Bit-Pazarit” me gotat e bozës.
Aspak, me Dy gota verë të kuqe
Kokëmëkokë me çajin e rusit
Ditenatë te “Pazari Grave…
CUN GELI (ADEM KASTRATI)
(OBOBOOO SOT U
NGJITËN MALIT)
Ҫirren, sulen – luftojnë tinëz
Maskat vënë, i sulen binës.
Ngrejnë grushtat – trumbetojnë
Popullit i dalin zot, gjëmojnë.
Shpatat i zhveshin, i hipin kalit
Obobooo, si u ngjitën malit?!
Gurë e dru bashkë si lanë
Veç përpopull e “VATAN”.
Zërin ngrejnë, rrëfejnë grushtat
Gjoks më gjoks i puthin hutat:
Bollshevikëve duke u bërë “varr”,
Skuqen, fryhen – vjellin zjarr.
Harruan banesat, dhe paratë:
Vendet e punës. Dhe, gratë.
Që, u shpërblyen si dasmorë
Nëno moj, m’i qaj këta “dëshmorë”!
Edhe pse, dje lëvdonin, derdhnin lot
Sot, janë mbushur plot barot:
Me Naim në gojë e Bajram Curr
Vdesin, presin për flamur kuqezi…
(O KUR JAM KON
UNË NË PUSHTET)
(Në stilin e Trio Zajazit)
O, kur jam kon unë n’pushtet
Shtatë-tetë gjela i kam fut n’shporet.
Nënë, nënë! Nënë, amën – amëëën…
O, kur jam kon unë në pushtet
Shtatë – tetë sahat kam fjet n’kabinet.
Nënë, nënë! Nënë, amën – amëëën…
O, kur jam kon unë në pushtet
Djalit e vajzës u dhashë fakultet.
Nënë, nënë! Nënë, amën – amëëën…
O, kur jam kon unë pushtet
Mora banesë – vilë në bregdet.
Nënë, nënë! Nënë, amën – amëëën…
O, kur jam kon unë unë në pushtet
Dashuri bëja hoteleve nëpër Qytet.
Nënë, nënë! Nënë, amën – amëëën…
O, kur jam kon unë në pushtet
Faj, s’u kam, vetë më zgjodhët deputet.
Nënë, nënë! Nënë, amën – amëëën…
(PULA KUR KËNDON
SI GJEL MBI GARDH)
(Hojdodoles, me pizi “patriotike”: që me këngën
e vet”patriotike”, ende këndon mbi Gardh si gjel
pa herdhe ):
Krisën topat, e u dridh toka
N’fushë t’mejdanit bien koka:
Nga çiftelia e një këngëtari
Trim mbi trima në Fushën e Mejdanit.
ky bir i mejdanit të shqiptarit:
me Hojdodolen krah për krahu
fushën e mejdanit. Betejesë si rrufjanë
Natë e ditë këndonin mbi pleh
I përplasnin fletët, kush s’i njeh?
Këto shahirë me famë – teveqelë
Që, i bien çiftelisë me një tel…
U këndonin trimave që dje i shanë
Ndizen – digjen, kush si këto qanë?
Vetëm për ART e reklamë politike
Edhe sot si dje çirren nëpër lamë.
Herë mbi pleh, e herë mbi gardh
Mos është pulë që këndon n’livadh?
Këngët e tij deri dje pa gjak
Sot, plot zjarr ndizen flakë…
(SATRAPËT KUR DALIN
PARA POPULLIT)
Me kravata turren këta satrapë
Nga një qytet në tjetrin vrap,
e parolla në dorë e gojëplotë:
Ҫirren, tërbohen – derdhin lotë.
Vetëm për popull e Maqedoninë
Satrapët, që s’e njohin historinë.
Po, i shajnë shqiptarët si faktorë
Këto koka të nxehta “liberatorë”.
Herë i quajnë qenë, inskete, indianë
Nga kanë ardhë, thonë: duhet përzënë.
E harrojnë satrapët, që u janë nxe trutë
Se, pa shqipet s’është bërë asnjë luftë.
Dhe, kush i ka ardhë kujt në shtëpi
Historia, cilin e njeh zot me tapi…
(PA DËGJONI ORE BURRA)
Pa dëgjoni, ju: ore, burra
Pas Hutit, kurrë s’u turra.
Pas karriges, edhe famës
Duke u çjerr n’mes të lamës.
S’lakmova rrena në vjershërime
Me parulla ta shes këngën time.
Me kravatë për qafe e syze ari
Se, Hut u dashka t’jetë këngëtari:
T’i ndërroj maskat sipas nevojës
Veten ta shes për kafshatë t’gojës.
Natë për natë në darka e pije
Se kështu gjenive u paska hije.
Me nga një këngë nëpër tribina
Qafë për qafe me kanarina…
(I HIPA PAMPORRIT)
(Në stilin e popullit)
I hipa pamporrit javash – javash
Tuj mendue tuj kujtue Yllkuqët ku i lashë.
Yllkuqët ia kam lanun Shkupit amanet
Do të m’i ruaj si bërllkoun e vet.
I hipa pamporrit deri në Beligrad
Tuj mendue tuj kujtue Yllkuqët e ngratë.
Yllkuqët e ngratë i lashë në “Bit-Pazar”
Tuj “bërtitë e tuj luftue” për shqiptarë.
I hipa pampurrit, e erdha te shpia
Tuj mendue tuj kujtue vitet e mia.
Vitet e mia i lashë rrugëve t’Beligradit
Tuj mendue, tuj kijtue rrugët e fshatit…
(PO VIJNË BURRAT
E “HYQYMETIT”)
Po vijnë burrat e “hyqymetit”
Setret krahëve përreth detit,
Me dashnoret zonja të rënda
Lum kostumet çka kanë brënda.
Që, ua kanë marrë mendtë, sytë
Verë për verë duke u kacafytë.
Po vijnë burrat e “hyqymetit”
Gjithmonë me paratë e shtetit.
Zyrtarisht t’i kryejnë sa punë
Po, deti ynë, o me furtunë:
Harrojnë popullin, harrojnë gratë
Në darka e pije natë për natë…
(KOMUNIST I ARRATISUR)
(Në stilin e Nolit)
Seç e ndrydhën – seç e shtrydhën
Seç e hipën – seç e zbritën:
Gazdallarët – baballarët,
Zagarët, dhe trumbetarët.
Seç e ndërsynë – seç e pështynë
Seç e frynë – seç e shqynë:
Fajdexhinjtë – derraxhinjtë,
Bythaxhinjtë e jabaxhinjtë.
Seç e ngopën – seç e ropën
Seç e turrën – seç e furën:
Rrenaxhinjtë – parollaxhinjtë,
Plaçkaxhinjtë, dhe tellallxhinjtë.
Ngrehuni – bini – mos na shes
Partive, pa besë – pa shpresë!
Rreth Mullarit – “Bit –Pazarit”
Rrëzë Sharrit – anës Vardarit…
(BINI O TRUMBETA – BINI)
Bini, o trumbeta, bini: edhe, Nesër:
Maleve të Zajazit, te Drini! “Ҫukë”!
Nga gjumi na zgjoni,
Këngë kaçakësh këndoni!
Që, s’i trembi Sulltani, as Krajli
Bini, që të tundet mali!…
Bini, o trumbeta, bini
Të dridhet “Bit-Pazari”, zengjini!
Shatërvanit t’i dalë gjumi
Këngën , të mos e ndalë lumi.
Që, me vite ecën nën atë Urë
Bini, sokaqeve nëpër gurë!
Bini, o trumbeta, bini
Edhe në vdeksha, prapë më prini!…
Përmes Shkupit, në Shatërvan, “Bit-në Pazar”
e kam Rrapin që më qanë…
(Nga Libri: TRUMBETAT E TELLALLIT, Shkup 1992).