Turneu tradicional i futbollit “Meyrin Cup” edhe sivjet i ka tubuar juniorët më të mirë U-11, nga Anglia, Italia, Franca, Spanja, Kosova dhe Zvicra.
Në këtë ngjarje të rëndësishme sportive Republikën e Kosovës e kanë përfaqësuar vogëlushët e Akademisë së futbollit FC. ”Kickin” nga Prishtina.
Ata edhe pse me një orar të ngjeshur të ndeshjeve gjatë dy ditëve, aq sa edhe ka zgjatur ky turnir, kanë shkëlqyer, me lojën e tyre atraktive dhe të bukur.
Të 15-futbollistët juniorë të FC. Kick-in, edhe pse ende të njomë kanë demonstruar cilësi prej talentesh të vërtetë.
Veçmas ka habitur përgatitja e tyre fizike, ngase pushimi nga njëra ndeshje në ndeshjen tjetër ka qenë shumë i shkurtër.
Sulmit të kësaj skuadre i ka prirë qendërsulmuesi Gent Munishi, i cili nga gjithsej 11-të, ndeshje të zhvilluara ka shënuar 12-të gola.
Loja e tij u përshkua me goditje të forta dhe precize. Genti po ashtu në zotërim të topit ishte i mrekullueshëm.
Ai nga pozita në dukje të pamundshme për të shënuar disa herë i ka befasuar portierët e skuadrave kundërshtare.
Veç kësaj driblimet të tij perfekte dhe shmangia me aq lehtësi e mbrojtësve kundërshtarë janë duartrokitur me dhjetëra herë nga shikuesit e shumtë.
Në lojën e këtij vogëlushi na shfaqet përpara syve legjenda e futbollit shqiptar Fadil Vokrri, kur si nxënës i 8-vjeçares “Naim Frashëri”dikur“ Gjuro Gjakoviq “ të Podujevës, pati paralajmëruar shkëlqimin e tij në fushat e futbollit në ish-Jugosllavi dhe ato ndërkombëtare.
Një futbollist tjetër i kësaj Akademie që me lojën e tij brilante ka fituar zemrat e të gjithëve është Diar Xhogoviq, me origjinë nga trojet tona në Mal të Zi.
Ai në të gjitha ndeshjet ka shmangur çdo rrezik serioz për portën e kolegut të tij Rene Kuqi.
Po ashtu me gjuajtjet e tij sikur prej katapulti nga një largësi bukur e madhe ka shënuar dy gola, që i kanë ngritur në këmbë të gjithë.
Leart Sinani nga Podujeva, futbollist i kësaj Akademie dhe pjesëmarrës në këtë turniri, i aktivizuar në të gjitha takimet ka tërhequr vëmendjen e sportdashësve shqiptarë dhe atyre të huaj, me stabilitetin e treguar.
Krosimet që vinin nga të ashtuquajturit kornerë me kërcime në ajër dhe goditje me kokë Sinani, shtathedhur dhe i zhdërvjellët i dëbonte me lehtësi në mesfushë.
Ndërkaq, Jon Goxhuli e ekuilibronte lojën në mesfushë dhe i furnizonte me topa të gjatë bashkëlojtarët e tij, të sulmit.
Ai impresiononte me përpjekjet për ta rimarrë çdo top të humbur. Befasonte për të mirë edhe me qëndrueshmëri fizike. Shihej në çdo cep të fushës. Thjesht gjatë 11-të ndeshjeve të luajtura u tregua energjik dhe i lëvizshëm.
Me një të ardhme premtuese nëse vazhdon të jetë i përkushtuar në punë do të jetë edhe prizrenasi Dren Krasniqi, lojtar i repartit të sulmit në FC. Kick-in të Prishtinës.
Ai ka hyrë në listën e golashënuesve me një gol të bukur kundër skuadrës FC Vevey të Zvicrës.
Këtë takim e kanë fituar me rezultat bindës 4-: 0 ,akademikët e vegjël të Kosovës.
Edhe 10-të futbollistët emrat e të cilëve nuk janë përmendur për arsye të hapësirës së kufizuar, i posedojnë të gjitha parametrat për të qenë emra të njohur të futbollit.
Ata me lojën e tyre të bukur na kanë nderuar të gjithëve, e veçmas Flamurin e Republikës së Kosovës, që valonte përkrah atij të Anglisë, Italisë, Zvicrës, Francës dhe Spanjës.
ARIF EJUPI