Shkruan: Florim Zeqa, 02.04.2023
Politikanët kosovarë ka kohë që i kanë harruar heronjtë, dëshmorët dhe viktimat, bashkë me to edhe dhe dëmet e luftës. Edhe përkundër ndërrimit të shpeshtë të qeverive, qasja e pushtetarëve ndaj qytetarëve mbeti e njëjtë dhe e pandryshuar.
Dëshmorët përdoren për konsum të partive politike
Harresa e gjakut të dëshmorëve dhe viktimave të luftës ka kaluar nëpër disa faza, të cilën në vijim po mundohem ta zbërthej në mënyrë të pavarur analitike.
Faza e parë e harresës së gjakut të dëshmorëve, e harresë së qytetarëve të gjallë dhe interesit të vendit fillon me përfundimin e luftës së lavdishme çlirimtare, ku disa prej ish “komandantëve” dhe ish “çlirimtarëve” të djeshëm u vërsulen për uzurpimin e banesave dhe pronave publike në kryeqytet e gjithandej Kosovës, duke e harruar në tërësi pjesën veriore të vendit tonë.
Me bashkimin në koalicionin qeverisës apo me ardhjen në pushtet të krahut të luftës dhe krahut të paqes ndodhi harresa e plotë e gjakut të dëshmorëve dhe ndarja e tyre në baza partiake.
Politikanët në pushtet u shkëputën skajshmërisht nga interesat e popullit, duke e vënë komplet aparatin shtetëror në shërbim të interesave personale dhe grupore, gjegjësisht pasurimin dhe punësimin pa kritere në institucionet e shtetit të familjarëve të tyre dhe militantëve partiakë, ndërkohë që pjesës tjetër të popullatës që nuk ishin të lidhur me pushtetarët iu kishte mbetur vetëm një zgjidhje, ajo e largimit nga vendi.
Ndërsa faza e tretë dhe më e rëndë e harresës së sakrificave sublime të popullit të përvuajtur dhe harresës së ndihmës së pakursyer të miqve ndërkombëtarë për çlirimin e vendit ndodhi pas 14 shkurtit 2021, me ardhjen në pushtet të “shpëtimtarëve” të kombit, të cilët i thyen dhe edhe ato pak shpresa të mbetura të qytetarëve për jetë në këtë vend.
U harruan premtimet, u përbuzen qytetarët
Si pasojë e mospërmbushjes së asnjë premtimi elektoral qytetarët janë duke i braktisur në mënyrë masive vatrat shekullore dhe me lot ndër sy janë duke i lënë varret e dëshmorëve, varret e bijve dhe bijave të tyre që ranë heroikisht për lirinë e Kosovës, duke i mallkuar deri në qiell kusarët e politikës që shkelën mbi gjakun e dëshmorëve dhe vranë ardhmërinë e shumë gjeneratave në këtë vend.
Domosdo mallkimi më i madh për politikanët mashtrues dhe politikanët milionerë që shkelën mbi gjakun e dëshmorëve, do të ishte thirrja e familjarëve që ata të mos shkojnë më tek varret e dëshmorëve, për shkak se dëshmorët nuk ranë në altarin e lirisë për pasurimin e tyre, por për liri dhe mirëqenie të të gjithëve në këtë vend.
Pavarësisht cila parti po udhëheq me shtetin, ajo po e zhvat buxhetin e shtetit dhe po e harron interesin e qytetarëve. Me një fjalë, të gjitha partitë pa dallim, pushtet dhe opozitë janë bërë të njëjta, janë bër sinonim i së keqës dhe e rrënimit të shtetit.
Përderisa shteti të udhëhiqet nga hajdutët dhe mashtruesit, nga huliganët dhe injorantët politik, nga mercenarët dhe pseudopatriotët shteti nuk do ta merr të mbarën, për shkak se këta janë të lidhur me njëri-tjetrin sikurse mishi me kockën.
Sytë në letër, mendjen në restorant
Në fund po i kthehem edhe një herë lojës plot hipokrizi të politikanëve me rastin e përkujtimeve të heronjëve dhe dëshmorëve, martirëve dhe viktimave të luftës çlirimtare. I harrojnë dëshmorë dhe familjet e tyre për 364 ditë, kurse në ditën e 365 iu shkojnë të varret për të mbajtur fjalime dhe për të lexuar referate të gjata, por gjatë leximit shpesh ngatërrohen, sepse mendjen e kanë tek mishi i pjekur dhe rakia, andaj mezi presin të largohen nga të vdekurit dhe familjarët e tyre të gjallë por të vrarë në shpirt, për të ikur me shpejtësi me eskortat e tyre në restorantët luksoze për t’ja grahur me yrysh pijeve alkoholike dhe mishit të pjekur, erën e të cilit e shijojnë nga largë qytetarët e varfër.
Ndaljen e kësaj dukurie sa negative po aq shëmtuese, mund ta bëjnë vetëm familjarët, të cilët, në ditët përkujtimore e të dashurve të tyre, duhet t’ua mbyllin derën të gjithë politikanëve, qofshin ata në pushtet apo opozitë, për shkak të shkeljes së gjakut të dëshmorëve dhe harresës permanente ndaj tyre.
Vetëm Alternativa Demokratike për Ndryshim (ADN) do t’i largojë nga skena politike këto parti të konsumura dhe të dala afati për kohën në të cilën po jetojmë. ADN është forca dhe shpresa e ndryshimit, është gjaku i shëndoshë dhe i pastër kombëtar, e cila do ta bëjë përfundimisht ndarjen nga e keqja që e ka mbërthyer vendin, sikurse Ylberi që e ndal shiun e rrëmbyeshëm, largon errësirën dhe rikthen ngrohtësinë e diellit.