PAJTIMET – KY MISIONI SHENJTȄ I KOMBIT TONȄ

0
Llesh Ndoj

Një libër me vlera nga zoti Pjetër Gjokë Marku

Nga Llesh NDOJ

Në një auditor për t’a patur zili për nga pjesmarrja e cilësia, me praninë e autoriteteve lokale, deputetëve të zgjedhur, Kryetarit të Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtarë, dashamirëve të autorit e kontribuesve për paqen në Lezhë, në rajon e më gjërë, atje ku banojnë shqiptarë, në Bibliotekën “Gjergj Fishta” në Lezhë u promovua sot, me 2 shtator 2025, libri i autorit Pjetër Gjokë Marku, Kryetar i Misionit të Pajtimit, dega Lezhë dhe zëvendës kryetar i Misionit Mbarëkombëtar, titulluar “Pajtimet – ky mision i shenjtë i kombit” (shtëpia botuese “7 Days”, Prizren 2025), nën moderimin e zotit Martin Deda, gazetar, krijues e prezantues i njohur.

Në takim përshëndetën Kryetari i Bashkisë z.Pjerin Ndreu, Kryetari i Misionit Mbarëkombëtar z.Gjin Marku, zoti Admir Kadeli, deputet i zgjedhur, zoti Ndue Luli, Kryetar i Këshillit Bashkisë Lezhë e të tjerë, si dhe diskutuan rreth librit mjaft personalitete, shkrimtarë, krijues, njerëz të kulturës, misionarë të paqes dhe miq të autorit. Nisur nga mbresat që më dha leximi i librit, dhuruar paraprakisht nga autori, dhashë disa mendime rreth vlerave të tij dhe misionin që duhet të kryejnë materiale të tilla me vlerë për të forcuar unitetin dhe ruajtur bashkimin vllazëror mes njerëzve, në një kohë kur paqes e bashkëjetesës i kanosen mjaft rreziqe.

Dashuria e Hyut zbret ndër ne tokësorët, përmes fjalës, veprimeve dhe aktiviteteve të njerëzve të caktuar, të cilët janë e duhen konsideruar misionarë. E në se ka një veprim të thjeshtë njerëzorë, që rrezaton fuqi hyjnore, përpjekjet për pajtim mes njerëzve zënë rendin e parë. I tillë, hyjnorë është edhe një veprim i thjeshtë, një fjalë, një ndërhyrje ndaj një zënke të vogël mes dy njerëzve rastësorë në rrugë, por kur veprime të tilla bëhen pjesë e përditshmërisë, objektiv, përkushtim e qëllim, ai kthehet në një mision, e ky mision është, pa as më të voglin dyshim, është mision hyjnor, mision i shenjtë.

Pjetër Gjokë Marku me bashkëpunëtorët e vet, e ka ngritur aktivitetin e tij me të vërtetë në lartësitë e një Misioni. Unë veçse dua t’a përshëndes e t’a uroj miqësisht e vllaznisht, për të gjithë punën e bërë deri më sot, por edhe t’i uroj jetë të gjatë e suksese pafund drejt objektivit final, siç ai edhe e shpreh bukur në librin e tij “Pajtimet – ky mision e shenjtë i kombit”, për një shoqëri me zero konflikte e gjakmarrjeje. Nevoja personale dhe familjare, përveçse horizontit intelektual, më kanë shtyrë që Kanunin e Lek Dukagjinit t’a studjoj relativisht mirë e thellësisht në detajet e tij dhe nuk e fsheh, e konsideroj atë Kushtetutë për Pajtim, e vlerësoj aq sa e ka vlerësuar e lartësuar historia si Kushtetutën e Maleve tona, që mban larg lindjen e konflikteve, por edhe që jep “çelësat” për pajtimin e tyre, kur ato ndodhin.

Puna e Pjetër Gjokës dhe e pajtimtarëve në Misionin e tyre, si vazhdues të denjë të misionarit të pavdekshëm Anton Çetta, nuk është një punë e lehtë dhe pa rreziqe, përveç angazhimeve të gjata kohore që kërkon, por edhe Jezusi i sfidoi dhimbjet e vuajtjet njerëzore e trupore në funksion të Misionit Hyjnorë, ndaj mendoj se sakrifica e tyre vlen shumë e duhet lartësuar nga shoqëria jonë. Këta misionarë hyjnë aty ku “gjuha e djallit” ka mbjellë urrejtjë e përçarje, ka mbyllë dyer e dritare e bashkë me to edhe shpresat për jetën. Këta misionarë hyjnë si dritë shprese e si frymëmarrje, edhe aty ku ligji ose nuk hyn, ose nuk ngjit, duke rikthyer mirëkuptimin mes njerëzve, hyjnë aty ku jeta për momentin nuk vlen, për t’a rikthyer atë në vlerën reale, që i ka dhënë Perëndia, të paçmueshme e të pakrahasueshme me asgjë tjetër. Misionarët nuk e sfidojnë shtetin, por e ndihmojnë atë, nuk vijnë aty si Perëndi, por përçojnë dashurinë e saj për jetën. Ata hyjnë jo për të fituar, por duke hequr nga vetja, prandaj ata janë specie e veçantë e rracës sonë njerëzore.

Pajtimtarë nuk mund të jetë kushdo. E gjitha kjo sepse nuk është e lehtë të jesh pajtues gjaku e konfliktesh, e se për t’a bërë këtë, minimalisht kërkohen:
– Njohuri të thella të rregullave kanunore – ligjore dhe të normave zakonore për çdo krahinë, aty ku ndodh konflikti. Pa këto njohuri dhe me slogane boshe e bajate, zor me pasë sukses.
– Pajtimtarëve u duhet t’a studjojnë mirë e në thellësi rastin, duke evidentuar elementet lehtësues e pérbashkues mes palëve, si dhe miqtë e tyre të përbashkët. Në se jo, në vend që të venë vetullat, rrezikojnë të nxjerrin edhe sytë;
– Atyre u duhet të bëjnë edhe psikologun dhe t’a njohin fort mirë karakterin e palëve në konflikt, sidomos të asaj që i kërkohet të falë, duke e lartësuar atë, jo duke e denigruar. Pajtuesi gjithashtu duhet t’a vendosë veten në shkamin e palës që i kërkohet të falë, ndryshe s’ka kurrë sukses.

M’u desh një radhë para shumë vitesh të fusja pleq për një konflikt të lindur aksidentalisht. I mblodha ata më të zgjedhurit dhe u dakortësuam për çfarë e si duhej kërkuar nga pala në konflikt. Kur i përcolla, u them: – Kush s’pranon me iu sha nana sot, të mos shkoje tek pala tjetër! Reaguan negativisht shumica e tyre, e mua m’u desh t’u shpjegoja se ata atë ditë nuk ishin vetja, por Misioni që po merrnin përsipër, se ata nuk shaheshin, por mund të fliste halli, jo logjika e palës tjetër, se… Të mos ishte ky dakortësim paraprak mes nesh, negociatat u hodhën në erë akoma pa filluar.

– Pajtuesit sigurisht që duhet të jenë oratorë. Me gek – mek nuk mund të zërë vend fjala. E Pjetër Gjoka me shokët e tij e zotërojnë bukur artin e fjalës. Ky libër e dëshmon më së miri këtë.
– Por pajtuesit duhet të jenë edhe trima. Ne se nuk je i tillë, pajtimi ose nuk arrihet ose nuk i qëndron kohës. Për hir të jetës, pajtuesi “heq” dorë nga vetja! Më kujtohet një zënkë e rëndë mes tre adoleshentëve në prag të shtëpisë sime në Lezhë, këtu e 25 vite të shkuara, me gjakosje, me armë të ftohta e zjarri, gati për përdorim, dhe njerëzit që bërtitnin e i shikonin si spektatorë nga ballkonet e pallateve. Kur unë ndërhyra mes tyre, mora parasyshë gjithçka, veç jo thirrjet e atyre që bërtitnin si tifozë, të mos ndërhyja në konflikt.

– Mbi të gjitha nga misionari duhet zotëruar ndjesia e drejtësisë. Po nuk gjykove me dorën në zemër, e pa marrë parasyshë nivelin ekonomik, apo pozitën shoqërore e shtetërore të tjetrit, zor se t’a dëgjon kush fjalën.

Sukseset personale e kolektive të Pjetër Gjokë Markut dhe Misionit të Pajtimit që drejton tash shumë vite, flasin se ai i zotëron këto cilësi, sa njerëzore po aq edhe hyjnore, në nivelet më të larta të mundshme, sepse këta misionarë kanë zgjidhur shumë konfliktë, kanë pajtuar shumë gjaqe, kanë shpëtuar shumë jetë. Kjo vepër, mendoj se nuk është një libër për Pjetrin, ndonëse ai është autori – personazh dhe heroi i tij, por vlen si një manual i bukur pune për këdo që mishëron në vetvete një pjesë të vogël dhimbshurie e dashurie hyjnore, të cilën synon t’a përdorë në funksion të vendosjes e ruajtjes së ekulibrave socialë, aty ku ai jeton e punon.

I uroj suksese Pjetrit dhe Misionit Hyjnorë të Pajtimit të Gjaqeve e Konflikteve, në udhën e shtruar të bacë Anton Çettës së madh e të ndriçuar nga Jezusi e shën Tereza.

Lezhë, më 02/09/2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.