Foto: Den Hata
Nga Den Hata
Sot flitet shumë për oligarkët, në shtyp e media, në podiume partiake e tribuna të gjithëfarëshme. E vërteta është se më shumë “breshëri” sulmesh ndaj oligarkëve lëshjojnë vetë oligarkët, që janë vetë përfaqësuesit e elitës politike shqiptare, të cilët kanë tridhjetë e dy vjet që sundojnë në Shqipëri. Ata kanë monopolet e gjithçkaje, që nga tregu i lirë dhe gjer tek “qarkullimi” i elitave, që është një “produksion” i kësaj klase politike.
Çdo gjë vërtitet rreth tyre në emër të “sovranit”, i cili është i zhgënjyeri dhe i keqpërdoruri më i madh. Pra, oligarkët nuk duhen kërkuar askund përveçse në vijimësinë perfekte të kësaj klase politike, nga e majta në të djathtë, në qendër e në çdo kapilar të shoqërisë sonë, ku këta “tribunalë” diktojnë të gjitha rregullat e “lojës demokratike”, duke krijuar vazhdimësinë e palëkundur të kësaj oligarkie politiko-financiare, që deri tani nuk ka pësuar asnjë krisje.
Kulmin e këtij shfrenimi në përmbushje të orekseve dhe egove për pasuri e pushtet, e sollën të ashtuquajturit Rilindasit, që erdhën me premtime të mëdha, por sot pas rreth dhjetë vjetësh nga qeverisje të tyre, mund të themi se asnjë tullë nuk kanë vënë në murin e trishtë të indiferencës pushtetare, që është bërë fytyra e qeverisjeve të këtij vendi. Por, nga ana tjetër, është çimetuar oligarkia politico-financiare, ndarja e tenderave në oborrin e mazhorancës, shtimi i “konçesioneve”, shtimi i zullumit e vjedhjes ditën për diell, janë bërë ende më të hapura e më ditën për diell aferat, që çojnë ujë gjithkund (sidomos në xhepat e pushtetarëve) por jo në mullirin e interesit publik.
Tash tre dekada e ca vite shteti “ynë” dhe zyrat e tij vetëm zgjerohen e “lartësohen” si një ngrehinë pa themele, ndërsa jeta shqiptare bën rezistencë për mbijetesë brenda gojës së madhe të kësaj megaburokracie, që i ngjan një çerdheje të pushtuar prej parazitëve. Pikërisht, për këtë koshere parazitësh kanë kontribuar e vazhdojnë të kujdesen vit pas viti partitë e këtij pushteti të çimentuar që nga fillimi i viteve 90 e ku tani ka kulmuar në një vektor dëshpërues, ku si rriqra ngritën folenë e pjellës së tyre, madje, për të kënaqur mikeshat dhe miqtë e tyre, shtuan enkas ministri e drejtori, agjenci, këshilla e borde, komisione e seksione, taks-forca e zyra pafund, për vendësit dhe të huajt, duke i shumuar dita-ditës. Kjo “filozofi” e (pu)shtetit parazitar ka patur në themel mendësinë e uzurpatorit, prandaj gjatë gjithë këtyre viteve nuk është bërë asgjë tjetër, veç plotësimit të grykësisë së partive të pushtetit, që lypsen veç si propagandues për pushtetin e zullumit të radhës.
Në këtë mënyrë, zgjedhje pas zgjedhjesh zyrat shtohen dhe njerëzit që parazitojnë brenda tyre bëhen shumë e më shumë, duke e bërë gati të paçmontueshëm pushtetin e partive të pushtetit. Bashkë me to shtohet luksi, komoditeti, kollajllkëu i sundimit me “duar të pastëra”, e njëherësh shtohet dhe ritmi dhe figuracioni poetik i fjalëve “demokraci”, “Sovran”, “reformë” etj. E gjithë kjo frazeologji “demokratike” është një fasadë për të fshehur krjimin e një oligarkie të frikshme politike, që vepron si një strukturë e demontimit të demokracisë reale dhe funksionimit të saj si një “start të fortësh”.
Në këtë mënyrë, situata ka degjeneruar deri aty, sa nuk flitet më për programe e ide, por vetëm për premtime postesh e punësh shteti, duke hapur zyra të panevojshme në vendin më privat dhe më të varfër të Europës. Ky degradim e kalbëzim i politikës dhe i pushtetit, që ajo prodhoi në këto vite tranzicioni është bërë një pengesë serioze për shoqërinë dhe zhvillimin social të vendit.
Kjo oligarki që sundon në qelizë të shtetit dhe të shoqërisë e ka futur vendin në anarshi të plotë, duke e lënë popullin në duart e krimit deri në këto kohë të “heronjëve të rinj”, që kanë në dorë burgjet dhe ndërhyrjet policeske për popullin në masë, Shtetin Ligjor (ligjin e tyre, jo Shtetin e së Drejtës), stabilitetin (status quo-në) dhe rregullin e qeverisjes me radhë, d.m.th. Drejtësi – Barazinë mes tyre, mes kësaj lukunie politiko–ekonomike, që komunikon me zyra pafund mes vetes.
Ky kaos, ky shkatërrim e grabitje e shqiptarëve ka fajtorë me emra konkretë, siç ka dhe ideatorë e organizatorë të kësaj drame tragji-komike, por ka dhe mashtrues e “çudibërës”, që kanë përgjegjësi të dyfishtë për zhgënjimin e madh që sollën dhe atentatin që realizuan ndaj shpresave të shqiptarëve.
Tani kemi arritur në një pikë, që shumica popullore aktualisht gjendet e pafuqishme, por kjo nuk ka asnjë arsye të mos kuptojë, se jeta e tyre po shtrëngohet çdo ditë e më shumë në morsën e pushtetit të një grushti oligrakësh, që bëjnë ligje për të mbrojtur aferat e tyre zhvatëse e kriminale, me “ligj”!…
Oligarkia vepron pa pasur asnjë ferrë nëpër këmbë e në të tilla kushte bëhet nevojë e urgjente, e drejta e sovranit për të refuzuar, kundërshtuar e çmontuar këtë pushtet abuziv e arbitrar. Ne duam një shtet të shqiptarëve dhe për shqiptarët, jo zyra luksoze e institucione që funksionojnë vetëm mes tyre dhe të ndara nga populli e problemet e tij!…Do të donim një shtet që bën punët e veta dhe mban përgjegjësi direkte për detyrimet që ka ndaj qytetarëve të vet. Një Shtet, që druhet e madje të ketë frikë nga qytetari e jo të ndodhë e kundërta!…
Duam një shtet, që punon çdo ditë me koncepte dhe orientime të qarta drejt interesave popullore. Një shtet që të ndahet rreptësisht nga krimi dhe strukturat e organizuara kriminale. Një shtet, që mban përgjegjësi vetë dhe në mënyrë direkte për punësimin, arsimimin, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të tij, jo përmes padronëve e lidhjeve (kontratave korruptive) shtet-privat, që thithin gjakun e konvertuar në dollarë e euro të shqiptarëve.
Kjo situatë do jetë e tillë, për sa kohë mungon veprimi i një shoqërie aktive dhe të emancipuar, që të shprehë qartë tendencën drejt qëllimeve të saj, rikthimin e demokracisë dhe rregullave demokratike. Këta soj oligarkësh, që lindin dhe lëshojnë rrënjë si pjesë e devijimit të skajshëm të politikës dhe demokracisë nuk duhet të trazojnë, qoftë dhe emocionalisht, por konkurenca e lirë të kthehet në një realitet konkret dhe jo në një fasadë me retorikë propogandistike…