NJË VEPËR E RËNDËSISHME EDHE PËR NËNËN TEREZE

0
Iris Halili - Lideri nuk lind, bëhet

Hysen S. Dizdari Hysen S. Dizdari

Dr. Iris Halili, “Lideri nuk lind… bëhet

Lidershipi është një disiplinë më pak e studiuara në Shqipëri. Me librin e saj “Lideri nuk lind… bëhet”, Dr. Iris Halili sjell një ndihmesë të madhe, duke hedhur dritë mbi këtë fushë përmes një analize të thelluar dhe origjinale, e para e këtij lloji në botën tonë. Libri nuk është vetëm një manual mbi lidershipin – është një ftesë për vetë reflektim dhe zhvillim personal, që provon se çdokush mund të bëhet lider i suksesshëm nëse i kushton kujdesin e shtuar ndërtimit të karakterit dhe moralit të lartë.

Ajo që e bën librin të veçantë është qasja dhe strukturimi, ku autorja trajton thellësisht rolin e karizmës dhe narcisizmit, që kushtëzojnë suksesin apo dështimin e liderëve.

Sipas autores karizma është një element i rëndësishëm, por jo vendimtar. Me argumente të mbështetura në shkolla të ndryshme të mendimit, ajo i ndihmon lexuesit të kuptojë se çfarë e bën një lider të qëndrueshëm dhe të besueshëm.

Kapitujt kushtuar lidershipit toksik dhe liderëve negativë, përfshirë diktatorët dhe drejtuesit e korruptuar, sjellin një pasqyrë tronditëse për të kuptuar ndikimin e drejtimit të keq në shoqëri. Librit i shtohet dhe më shumë vlera nga se një kapitull i veçantë i kushtohet lidershipit femëror, ku ndër të tjera ndalet tek figura më madhështore e shekullit të kaluar: Shenjtorja jonë, Nëna Tereze..

Në faqen 61, autorja shkruan:

“Nënë Terezën si një ndër katër liderët më të mëdhenj të njerëzimit – përkrah Gandit, Martin Luther Kingut dhe Mandelës – e ka njohur literatura e lidershipit perëndimor si lideren që ndërtoi modelin e dashurisë pa kushte dhe transformoi mendimin botëror. Ajo na mësoi se dashuria është arma më e fortë që sjell paqe dhe prosperitet. Modeli i saj nuk ishte thjesht fetar, por njerëzor, universal dhe i lirë.”

Ky vlerësim e vë Nënën Tereze si lideren shërbëtore për t’u imituar, një figurë e cila tejkalon kufijtë fetarë dhe kombëtarë.

Dr. Halili thekson se shqiptarët s’kanë pse të kërkojnë modele jashtë vendit – Nënë Tereza është modeli ynë i madh, i gjallë, për të ndërtuar një lidership me vlera humane.

Në mënyrë të veçantë libri e ndriçon çështjen, si mit i vjetër, se arti dhe lidershipi nuk lidhen. Përkundrazi, autorja provon se artistët mund të jenë liderë të jashtëzakonshëm, pasi kanë aftësinë të jenë fleksibël, krijues, dhe të mos e shohin botën bardh e zi. Kjo u jep atyre një përparësi të madhe në vendimmarrje.

Një tjetër kapitull i qëlluar dhe i hartuar me dije është ai për rolin e kulturave në lidershipin. Nëpërmjet një analize të thellë, autorja argumenton pse kultura shqiptare ka dështuar të prodhojë liderë transformues në epokën moderne; tregon se katër tiparet kulturore që karakterizojnë lidershipin negativ – dhe që, për fat të keq, janë të pranishme te ne – kanë penguar zhvillimin e drejtimit pozitiv dhe reformues.

Ky libër (e botoi shtëpia botuese Dituria në vitin 2020 dhe ribotuar në vitin 2022), u shpall libri më i mirë i mendimit për vitin 2021 nga portali më i madh online i librit shqip, Bukinist.

Sot, ai gjendet rrallë në libraritë e Shqipërisë dhe të Kosovës, por mbetet një thesar i domosdoshëm për çdo student, studiues, drejtues, apo qytetar që synon të kuptojë dhe të zhvillojë lidershipin.

“Lideri nuk lind… bëhet” është më shumë se një libër – është një udhërrëfyes i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të udhëheqin me vlera, të dallojnë liderët e mirë nga ata të këqij dhe të kuptojnë se lidershipi i vërtetë fillon nga vetja.

Si fillim, një hap i zgjuar, do t’ishte dhe  leximi i këtij libri që me vetëm 90 faqe përmbledh me saktësi e maturi thelbin e lidershipit modern.

Një vepër që na bën krenarë për Nënën Tereze, por gjithashtu për autoren që ia ka dhënë shqiptarisë këtë kontribut të madh.

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.