Një rrugëtim i shtruar me përkushtim dhe mbështetje familjare

0
Kosovare Gjevukaj Tolaj

Nga Kosovare Gjevukaj Tolaj

Në një ditë të mbushur me emocione dhe krenari, Dea Kapllani, një 23-vjeçare nga një familje intelektuale, ka arritur një arritje të jashtëzakonshme: diplomimin në Fakultetin e Mjekësisë – dega Mjekësi e Përgjithshme. Ky moment, i shoqëruar me gëzim dhe emocione, është kulmi i një periudhe të gjatë të studimeve, përkushtimit dhe sakrificave.

E lindur më 17 dhjetor 2001 në Pejë, Dea e nisi rrugëtimin e saj arsimor në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, e më pas vijoi në Gjimnazin “Bedri Pejani”. Me përkushtim të palëkundur dhe mbështetjen e vazhdueshme të familjes, ajo përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, dega Mjekësi e Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Përveç suksesit akademik, Dea është dalluar edhe në fushën e letërsisë. Në moshën vetëm 15-vjeçare, ajo ka shkruar librin “Vuajtjet që nuk i pamë”, një vepër me vlerë emocionale dhe historike, kushtuar gjyshit të saj Avdyl Gjevukaj veteran i arsimit, i burgosur politik. Përmes këtij libri, ajo ka sjellë në dritë rrëfime të dhimbshme dhe të pazëshme të një brezi që ka kaluar nëpër shtypje dhe padrejtësi, duke treguar pjekuri të rrallë për moshën e saj.

Dea është një figurë frymëzuese për të rinjtë e sotëm, duke dëshmuar se me pasion, punë të palodhur dhe ndjenja të thella njerëzore mund të arrihen qëllime të mëdha. Ajo përfaqëson një shembull të qartë se vullneti, mbështetja familjare dhe vendosmëria janë çelësat e suksesit në çdo sfidë të jetës.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.