Me Reshatin njihemi herët pasi na ka lidhur puna në arsim. Takohemi dhe pimë një kafe, në qendër Babrru, në prag të 7 marsit. – Kjo datë është e shenjtë për ne mësuesit, nxënësit, studentët dhe arsimin shqiptar. Këto qenë fjalët e para të mësuesit veteran, Reshat Sida. – Faleminderit për respektin, i them. Përpos kafes, unë kam qenë i motivuar të takoj dhe të bisedojmë. Kemi shumë kujtime të bukura për zhvillimin e arsimit në zonën tonë. Ndaj qëllimi im shkon përtej kafes.
– Reshat ti je një nga mësuesit e parë vendas nga Selita e Malit dhe ke punuar e kontribuar për një kohë të gjatë në arsim. Detyrimisht ruan shumë kujtime të bukura për të… – Po, natyrisht, prandaj të jam shumë mirënjohës, Ibrahim, – vazhdoi sërish, Reshati. – Në shenjë respekti për ju si mësues i ciklit fillor unë dua të bëj një shkrim modest për për ty. Dua të fiksojmë diçka nga kujtimet tuaja rreth punës 40 vjeçare në arsim…
– Faleminderit që kujtohesh për mua, – ma kthen ai. – Unë jam i sinqertë në atë që do të them, Ibrahim. Po, kam kujtime dhe mbresa të shumta, që nuk do t’i harroj kurrë…
Reshat Ramazan Sida lindi në fshatin Selitë e Malit më 18. 07.1954. Mësimet e shkollës fillore i bëri në Selitë të Malit. Shkollën 7 – vjeçare e kreu në fshatin Moisit në vitin 1965-1968, me rezultate të mira. Ai kujton me shumë nostalgji dhe respekt mësuesin e tij të klasës së I-II-të Ramazan Tafa. Ky qe një mësues i shkëlqyer, një metodist i rrallë, një njeri i kompletuar. Në klasën e tretë dhe të katër kam pasur mësues, Nazmi Qokun. Ai ishte mjaft i përgatitur, punonte pa u lodhur me ne, ishte shumë korrekt dhe shumë dashamirës me nxënësit. Ju prehtë shpirti në parajsë, këtyre mësuesve të aposionuar të arsimit…
Arsimin 7-vjeçar Reshati e ka kryer në Shkollën 7- vjeçare Mojsit. -Disa nga mësuesit e mi në Moisit qenë: Isuf Nela, Zhaneta Progri, Xhemal Koçi, etj. Drejtues shkolle ka qenë Gjetan Strazimiri i cili qe një drejtues shumë i përgatitur nga ana shkencore, pedagogjike dhe me aftësi drejtuese.
Shkollën e mesme Reshati e ka bërë në Gjimnazin “Ylli Kuq” Kamëz, në vitin shkollor 1968-1972. Duke u kthyer në kohë, Reshati, vijon: “Kjo shkollë pati një kolektiv të shkëlqyr dhe shumë të përgatitur si nga ana pedagogjike ashtu edhe nga ajo shkencore. Ata dhanë më të mirën e mundëshme për ne nxënësit, dhe si të tillë do të mbeten përjetësisht në kujtesën time. Ndër to kujtoj, mësuesit: Fehmi Shehri, Ylber Shehu, Xhait Minga, Hajredin Rudi, Lirie Gjika, Haki Kovaçi, dhe drejtorin e shkollës, Isuf Murthi. Pas gjimnazit u futa në punë në arsim. Ndërkohë vazhdova SHkollën e Mesme Pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë me korespondencë, dhe e mbarova në vitin 1984. Për këtë shkollë ruaj përshtypjet më të mira. Mbyllja e shkollave pedagogjike qe disfatë e rëndë për arsimin. Mirënjohje dhe respekt të veçantë për këta “arkitektë” të arsimit që na dhanë njohuritë bazë të mësuesisë”.
Në vitin 1975 Reshati emërohet mësues në shkollën 8-vjeçare, Selit e Malit. Duke u kthyer prapa në kujtesë, ai shton: “Unë isha nga mësuesit e parë vendas nga Selita e Malit. E ndjeja veten shumë krenar dhe iu përkushtova punës me fëmijët e fshatit tim. E kisha shumë pasion arsimin, ëndrra ime që kisha për arsimin u bë realitet. Ruaj përshtypjet më të mira për kolektivin pedagogjik, të gjithë kolegët dhe veçanërisht për mësuesin e apasionuar, Rami Nela, dhe drejtorin e shkollës Fadil Disha”. Në vitin shkollor 1980-1982 ai emërohet mësues në shkollën fillore Krroqe, të fshatit Selitë e Malit, ku punoi si mësues me katër klasa kolektive.
Për këtë ai, thotë: “Nxënësit qenë mjaft të përkushtuar dhe me një dëshirë të madhe për arsimim. Prindërit qenë shumë të interesuar për ecurinë e fëmijëve në mësime. Drejtor shkolle qe Vasil Dhamo, dhe pas tij, Bujar Poçari. Ai i punoi me një përkushtim të madh për drejtimin e shkollës, qe korrekt, punoi me profesionalizëm me kolegët, nxënësit dhe komunitetin. Në vite kam punuar edhe me drejtorë të tjerë, si: Kadri Elezi, Ali Sida, Shefqet Sida, Liman Doka, Bashkim Popshini, Ylli Hysa, etj. I falenderoj drejtorët për punën e bërë, për ndihmën e dhënë, për shkëmbimin e përvojës, për aftësitë komunikuese me nxënësit dhe komunitetin. Ruaj një respekt të veçantë për drejtorët, Liman Doka, Bashkim Popshini, Ylli Hysa; të cilët më kanë ndihmuar shumë për kryerjen e punës time me nxënësit në arsim”.
Më 12 maj1985, Reshati emërohet mësues definitiv, ku emërohet mësues i gjuhë- letërsisë, në Shkollën 8- vjeçare Mëner i Sipërm. Atje pati kolegë shumë të mirë ku përmend mësuesit Sali Hida, Hamit Lika, etj.
– Fshati Mëner i Sipërm, qe shumë arsimdashës dhe mikpritës – përfundon ai. Për nevoja kuadri, nga viti1985 deri në vitin1989 ka punuar si mësues biokimie në Selitë. Më pas, po këtu si ka punuar si mësues i ciklit fillor deri në vitin 2004.
Nga viti 2004 deri në vitin 2019, kur ai doli në pension, Reshati ka punuar si mësues i ciklit fillor në shkollën e Mojsit dhe Shëngjin i Vogël. Për këtë, shton: “Kam punuar dhe ruaj respekt të vecantë për kolegët; Skënder Balla, Mehmet Hidri, Mimoza Balla, Ismail Dajti, Lirie Islami, Rajmonda Ceka, Skënder Hoxha, etj”. Nxënësit e dalë nga dora e Reshatit, kanë pasur rezultate të mira dhe shumë të mira në mësime në ciklet më të larta të arsimimit të tyre. Kjo flet shumë për punën e tij si mësues. Duke kujtuar punën e gjatë, rreth tre dekada, në arsim, ai shton: “Jam munduar të punoj me përkushtim, të jem korrekt me nxënësit dhe komunitetin, dhe të jem sa më këmbëngulës në punë”.
Gjatë periudhës së gjatë në arsim Reshati është dalluar për punë sistematike me nxënësit, për kërkesë llogarie ndaj vetes dhe nxënësve, për përdorimin e metodave të reja të mësimdhënjes dhe përkushtim në punë. Ai ka arritur rezultate të mira dhe shumë të mira me nxënësit. Reshati është dalluar edhe për një punë këmbëngulëse, në ngritjen e tij profesionale. Ai ka organizuar dhe zhvilluar shumë mësime të hapura në klasat e ciklit fillor dhe ka dhënë e shkëmbyer përvojë me kolegët e tjerë të këtij cikli. Për këtë, shton:
“Si mësues gjithnjë kam menduar se arsimi është mision. Duke e parë në këtë këndvështrim, unë punën time si mësues e kam ushtruar me ndërgjegje dhe pasion të lartë. Ne procesin mësimor-edukativ kam qenë korrekt me nxënësit, si mësues kam punuar sistematikisht me to që nga fillimi i punës deri në fund të daljes në pension, ndaj kam pasur rezultate të kënaqshme me to, mendoj unë”.
Reshati është vlerësuar me çertifikata mirnjohje nga drejtorët e shkollave për kontributin e dhënë në arsimimin dhe edukimin e brezave të nxënësve, dhe punën e tij fisnike si një mësues model i ciklit fillor. Vlerësimin më të madh si mësues, Reshati, e ka marrë dhe e merr nga nxënësit që ka nxjerrë në vite, ku ka shërbyer si mësues në shkollat; Selitë e Malit, Mëner i Sipërm, Mojsit, Shëngjin. Ai kujtohet në breza dhe gëzon respektin e nxënësve, kolegëve dhe komunitetit…
Këto ishin disa vlerësime që unë u mundova të shkruaj për mësuesin pensionist Reshat Sida. Ky portretizim i figurës së këtij mësuesi, në përvjetorin e 7 marsit, merr vlera të shtuara… Brezat zëvendësojnë njëri – tjetrin… Koha ecën përpara… E ardhmja do jetë më e mirë kur kujtohen dhe respektohen brezat dhe kontributet e tyre…
Ibrahim Kabili
Tiranë, më 06.03.2024