Në të dyzet e pesë komunat e Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, përfundimi i vitit shkollor është shënuar me ceremoni të shumta kulturore dhe artistike.
Pjesë e këtyre manifestimeve kanë qenë edhe prindër e nxënës shqiptarë, që prej vitesh jetojnë në këtë qytet, qendër e kulturës, civilizimit dhe diplomacisë botërore .
Në fakt pjesa dërrmuese e fëmijëve të mërgimtarëve tanë janë të lindur në Gjenevë . Fatmirësisht ata janë treguar dhe po tregohen mjaft të suksesshëm qoftë si nxënës shkollash fillore e të Mesme, qoftë edhe si studentë në Fakultete e Shkolla të Larta të Gjenevës dhe Lozanës.
Sot, ish- nxënës dhe studentë shqiptarë janë udhëheqës të dalluar, repartesh të Spitalit Universitar të Gjenevës, siç është rasti me doktoreshën e specializuar, Fortesa A.Mehmeti, e cila me sukses e drejton Klinikën e Pediatrisë.
Pastaj ,e reja tjetër Anita N. Hiseni, që shquhet me punën e saj të shkëlqyer si inxhiniere e Kimisë. Zonja,Hiseni,ka 5- 6 vite, që punon në Kompaninë e njohur të parfumerisë dhe aromës “Firmenich”të Gjenevës.
Në anën tjetër në Zyrat e Jurisprudencës dhe të Avokatisë në Gjenevë, kanë krijuar emër për të mirë; Ilir Çenko, Gëzim Ilazi, Liburn Mehmetaj ( kryetar i LAPSH-it, në Gjenevë e Zvicër) Pranvera Këllezi, Arbnore Hasani, Alisa Telkiu, Ilir Muji, Edona Ajdini, Dashnim Murati ,Dalmat Piraj, Gazmend Elmazi etj.
Ndërkaq, ndërmarrjet profitabile dhe me emër drejtohen nga ekonomistë dhe arkitektë të dalluar që e dominojnë fushën e Ndërtimtarisë dhe të Restaurimit. Në këtë sferë kampion janë vëllezërit “Orllati” nga Rahoveci i Republikës së Kosovës.
Puna e tyre cilësore ka bërë që ata të jenë të pranishëm në çdo pëllëmbë të Zvicrës, frëngjishtfolëse.
Prandaj, shpresohet që rrugën e sukseseve të tyre do ta ndjekin edhe nxënës e studentë të tashëm dhe të ardhshëm që jetojnë dhe veprojnë jo vetëm në Gjenevë, por anembanë Zvicrës.
Meqenëse mërgimtarët tanë janë të përqendruar në numër më të madh në komunat Vernier,Meyrin dhe Onex të Gjenevës, prania e tyre natyrisht, që me rastin e shënimit të përfundimit të vitit shkollor ka qenë më e madhe në këto komuna.
Ansambli i këngëve dhe valleve tona popullore “Gëzuar“ i Gjenevës, trashëgimi e punës shumëvjeçare e treshes së njohur Xhemali Berisha, koreograf, Nexhmedin Ilazi, producent, dhe Ismet Kurteshi, drejtor, po vazhdon me sukseset e dikurshme edhe me udhëheqësit e rinj, Fadili Avdiu dhe Yllka Kurteshi.
Këngëtarë dhe valltarë të këtij Ansambli, në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme, kanë prezantuar pika të zgjedhura këngësh e vallesh, përpara komuniteteve të huaja të botës, që po ashtu jetojnë në Gjenevë të Zvicrës.
Ismet Kurteshi, një aktivist i hershëm i komunitetit tonë thotë “ Shumica prej veprimtarëve të viteve ‘80 e ‘90 – të, jemi pensionistë apo në prag të tij, kjo lë me kuptuar që kontributi ynë s’ mund të jetë në asnjë mënyrë sikurse i gjeneratave të reja “
Andaj, mesazhi imi është që profesionistët e vërtetë duhet t’i aftësojnë pasardhësit e tyre.
Në të kundërtën ata një ditë do të ikin nga kjo botë sikurse drunjtë, që s’ lëshuan hije, e as nuk dhanë fryt”.
Në të gjitha manifestimet e mbajtura ka mbretëruar atmosferë e vërtetë feste dhe hareje.
Mirëpo, ai i organizuar në ambientet e shkollës së ciklit të ultë “École du Bosson” të komunës Onex të Gjenevës, ka qenë i gërshetuar me shumëllojshmëri kulturash si : shqiptare, spanjolle, italiane, portugeze, afrikane, aziatike dhe amerikano-latine.
ARIF EJUPI