“Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa”.
(Gjn. 14, 2)
Si nota melodie Parajse,
mbi mua bien prekje
të thjeshtësisë së Fillimit:
Dhe është Paqe,
si Paqja e Burimit.
Nuk do të kërkoj
as nuk do të dëshiroj asgjë,
përveçse të pranoj
çfarë do të më vijë
nga duart e nderueshme
të Provanisë Hyjnore.
Në Heshtjen plot jetë e kuptim,
në Natën që ndriçon
më shumë se mesdita,
ku jeta vetvetiu mbushet me ngjyra,
do të mësoj të pres,
i heshtur e në vetmi,
nga duart tri herë të shenjta të Provanisë,
të marr gjithçka.
Këtu ku jeta është në plotësi,
do të pres,
i rrethuar nga asgjë tjetër
përveçse nga gëzimi i plotë
e nga lumturia
që ma premtoi Mësuesi.
E do të rri në mesin e vetmisë,
të Heshtjes e të varfërisë,
që bota nuk e sheh
as nuk e njeh;
do të rri aty ku fryn
një puhizë e ëmbël
derisa të dëgjoj fjalët:
Tashmë jemi Unë dhe ti,
ne të Tre dhe ti,
të lumtur përgjithmonë
në të njëjtën Shtëpi.
Ç’Mister i madh, o Atë:
Një Shtëpi e hapur për të gjithë
e në të njëjtën kohë
një Shtëpi ku nuk mund të hyjnë të gjithë!
E pranoj me paqe këtë fatalizëm,
ndërsa e ndiej
dhe kam sigurinë e plotë,
se edhe sikur të kaloja
nëpër luginën e hijes së vdekjes,
e në shtigjet më të frikshme të kësaj jete,
Ti je me mua
Dhe unë tashmë
banoj në të njëjtën Shtëpi me Ty!
Po marr guxim, Imzot,
Të të them se e kam kuptuar
misionin tim mbi këtë tokë:
Të kaloj duke i përmbytur të gjithë
me dashurinë dhe mirësinë tënde të pakufi,
siç më përmbyte Ti mua
me këtë Jetë plot Hir dhe dritë
duke shndërruar vazhdimisht
e pa u lodhur asnjëherë
pikëllimin tim në gëzim.
Më vulose me puthjen tënde në ballë, o Atë,
dhe nëse edhe Ti ke një ballë,
lërmë Të të puth e ta mbështes kokën në Ty,
derisa të më zërë gjumi në pushimin tënd
e pastaj të zgjohem në Përjetësi.
Nikolin Sh. Lëmezhi
Shenjtërorja e shën Antonit
Laç˗Kurbin, më 06.11.2022