NË MAJËN E PAQES SHËN TEREZË

0
Mother Teresa

Meti REXHEPI

Shi e rreze
çelën një Gonxhe stinës
mes një zymtësie jete
Gonxhja u mbëltua fletë pas flete
t`ia shfaqte shkëlqimin shpresës
që mbase këndeve pas shpinës
terrina në sy porse ia fshihte së vërtetës
një emër luleje gjakonte horizonteve
të mbinte atje ku i thante lule-shpresat urina
po shpërfaqej një Nënë simbol bardhë kaltërsie anembanë Yll-kaltrës
bijë Dardanie e shqipes përgjatë shtrirjes së anglishtes
Mother Teresa në Kalkutën e Indisë

*
Gonxhja e shqip-orës
po e dëftonte urtësinë e lashtë
ëndrrat fisnike shihen
edhe nga shtrati i shtruar në kashtë
Ajo kaptonte zbathur tokës së urtësive
dhe i lypte këshilla Hyjnisë
si të përtrollitej bukuria e bamirësisë
mandej Nëna e shqisave më të thella
rrugicave të zeza as portofol as xhepa për monedha
shqisës së erëmimit ia shporri luksin e parfumit
nëse i shërbyeka veçse erë ëndjes
ç`mu dashka t`ikë kutërbimit të dhimbjes së gërbulës

*
Ajo që e preku shëmtinë e smundinës
aty dhe atje tej arkitekturës së katrahurës
ku nuk hyri frymëmarrja as frymë-dhënia e Saj
përderisa lagjeve një morie për së gjalli mishi u zhvishej eshtrave
zvarrë skutinave mbi plagët e palara dhe zgjebja
Ajo Mëshirë-plotë lëkurët e varura i përdhelte me zemër e duar krem dashurie
Ajo pa shumëçka që shumëkush nuk e shihte
Ajo e ndjeu flakën e mëshirës se si po e digjte etikën
askush nuk e pa rrëzë Malit të Madh të brengës
me Krishtin e ri ngjallur përkrah dhe tjerrjen dyshe të mendjes
se bota u verbuaka pas kamjes dhe Nënës së bonjakëve
I Gjithëmëshirshmi ia tumirte lutjet për Rregulltarët e Paqes e të skamjes

*
në tridhjetë e shtatë mijë faqet për dëshmi
një Gonxhe një Anjëze e njëjtë dhe Nënën Terezë “të Shenjtë”
asnjë shkronjë as një togfjalësh asnjë presje
s`kishin mugulluar dot pa ngjyrën e njomë të barit
pa një të vetmen e zezë mbi tiparet
shekulli njëzet përmbushi një amanet
“Shenjtëroi” qenësinë e rrokullisjes së vet
Shën Tereza nga amshimi
hedh shikimet luledielli
më lë ndjesinë se si barbaria s`ka si e zhbin mirësinë
përtej sfondit Ilirik s`mund të më mbërthejë
jam gjen Kastrioti dhe gjak e doracak filozofie
i Shën Terezës
i një madhështie ngrehur prej më të thjeshtës

Gjilan, fund gushti 2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.