NA ISHTE NJËHERË NJË UJK

0
Ujk

Mehmet Elezi

Botuar në NACIONAL

Nata e tretë që e dëgjoja. Kum-kum.
Natën e parë vinte e mekur. M’u duk se ngjitej grykës së përroit. Bashkë me trishtimin e një nate vjeshte. Kum-kum. Kumbonë është kjo? Ç’ne kumbonë në këtë orë të vonë. Dhentë e kooperativës janë në stallë, ngujuet. Tjetërkush s’ka gjë të gjallë. Mbase ushton ahishta? Nuk mund të jetë ahishta. Ushtima e pyllit nuk vjen me shkëputje. Qita kryet në dritare. Terri i lagët lëshohej si brymë. Hënë kish e s’kish. Qielli mbuluar me lëpé të kujtonte napat që kullojnë qumështin. Prapa lëpesë hutohej një hënë e verbët, petë dylli. Drita qe trusur brenda saj.
Më kanë bërë veshët?

Natën tjetër u dëgjua më fort. Afrohem te dritarja. Hëna kësaj here e bardhë, si pshere djathi. E zgrapsur sa grima në skaj. Kum-kum. Dhe pushim. Dhe prapë kum-kum. Mbase janë zhurma, i shkapet shkëmbi mbi përrua. Është ndonjë shpellë që i mbledh, si guackat që mbledhin zhaurimën e detit. Apo janë krisma, i sjell gryka e përroit, kushedi prej kah? Si djalë qyteti, nuk ia njoh trillet malit. Gryka e përroit nxinte. Ham-ham, u gjallërua një qen matanë. Kumbona meni, nata ra fashë.

Qetësi rrenësh, kumbona kërciti rishtas. Iu përgjigj një qen me zë të trashë, samurr stani. Dhe dy-tre të tjerë me zë më të hollë, si për t’i dhënë zemër mos u tut, na ke edhe ne. Ndoshta po më lëviz shtypja e gjakut. Prej saj uturojnë veshët.

Hapa dosjen me etyde, merrem me to në fundjavë. Ditëve të javës u mësoj fëmijëve vizatim e punë dore, jap edhe botanikë e histori, me plotësue numrin e orëve. Ku je Da Vinç, e shpotita veten, pikturë e fizikë bashkë. M’u kujtua Zisoja, praktik siç është. Budalla, askush në moshën tënde s’ka hapur dy ekspozita në Tiranë, si ti. Nuk të lënë atje, talentet u duhen, veç thirri mendjes. Bëj ca skica koperativistesh të lumtura, portretin e sekretarit të partisë e të ndonjë heroine të punës socialiste, botoji nëpër gazeta. Kështu ndreq biografinë. Mirë e ke ti Ziso, për vete i ke punët grurë. Ngrohtë në televizion, ohoho.

Natën e tretë kumbona plasi fort, nuk mund ta shpërfillje. Kum-kum, kum-kum. Thua një përçor, kapreç bridredhur, po i printe tubës në kullotë. Përjashta errësirë e thellë, erë e lagësht, ahishta përkundej. Qeni me zë të trashë, që kish lehur një natë më parë, u trenua. Pas tij të tjerët. Diçka u rrëzua e u thërmua në oborr. Çka kërciti ashtu? Nata është e mbushur me gjithfarë fshehtësish, të vogla e të mëdha. Gjëmimi i kumbonës ndihet krejt ngjat. Qentë u çartën duke lehur. Më duket po çartem edhe unë, çfarë kumbone mund të rrahë në këtë orë të natës? Veç në qoftë vetë qoftëlargu.

Deri vonë nuk mbylla sy. Më dukej se dikush ngjitej dhe rrahte kumbonën te dritarja. Në një vend të panjohur të duket i dyshimtë edhe bari. U lehtësova diqysh, kur ndërmenda se kthina ime është në kat të dytë.

Në nesret e diel, aksion me korrë kallamboq. Katundi është rreth malit, arat e pjerrëta mbillen me një misër të vogël, të verdhë, farë vendi. Mbërrij me të parët. Brigadieri po gazitej me dikë. U dëgjua sonte andej nga ju? Lere, lere, harboi Arushi im, tha tjetri. Hidhej në verigë, lehte sa i hanin mushkëritë. Gallatë e madhe. Edhe atij përdreqanit, si i polli mendja ashtu. Për punë të verdha është i vetmi.

I përshëndeta, mora draprin që më dhanë, vura re se i lëvizte bishti, nuk bëzana. Jam rishtar këtu, nuk i njoh, nuk më njohin. Fshatarët janë kur i do të çiltër, kur i do dinakë. Flasin me rrotulla, të venë në lojë. Le më kur e ke mizën nën kapuç, si puna ime. Biografia, mushkëritë me hije. Këtu m’i dinë të tëra, sigurisht. Para se me ardhë unë, ka mbërri dosja ime. E qëndisur hollë.

Të hënën çohem herët, peshqirin krahëve dhe mësyj përroin. Akuarel mahnitës, eci si nëpër ëndërr. Udhëza e hollë përvidhet shpatit, përmes ahave të lagur vjeshtakë. Vende-vende shtruar me dushkun e kalbur të vjetëm, mbi të digjet ndonjë gjeth i verdhë, rrëzuar prej fërfërimës së natës. Një mjegull e brishtë ngjitet me përtesë grykës, cukla-cukla, si e përdhunuar. Ndalet dhe ve buzët mbi ujë. Mjegull je a pelë e lëbardhme, që të ka tharë etja?

Shpejtoj hapin, duke rrotulluar krahët me shpejtësi, për me u nxe.
Nuk u besoj syve. Mbas një trungu me myshk, turiri i një ujku. Nuk lëviz, rri si i shituar. Veshët curr, ujk hesapi. Shpina e përthime. Vetëm sytë ndryshe. U lëviz drita, sikur don me shqiptue diçka.

Ujk kaq afër shtëpive? Dhe pasi ka çelë drita? Pa e prishur fare terezinë?
– Mirëmëngjes, ujk!
Desha me i thanë hapu, ma ke zënë udhën. E di se ujku i tutet njeriut. Gjithsesi sjellja e tij po më dukej e çuditshme. Mos është ujk i çartur? Ata nuk pyesin. Tërbimi është më i lig se vdekja. Boll një jargë me ta lëshue!
– Jam pa hangër, thotë ujku. Dhe s’kam asnjë shpresë.
– Me mua kot e ke, i them. Nuk shuan dot uri me mua. Unë të vras në vend.

I mëshoj zërit trimërisht. Ani pse një tjetër zë, më i ulët, në fellutat e qenies, thotë të kundërtën. Dashtë Zoti s’ke mendje të keqe, se nuk të bëj dot gjë, o ujk, thotë ky zëri tjetër, në zgafellat e qenies. Në dorë kam një sapun e një pastë dhëmbësh, kaq janë armët e mia. As një shkop a gur rroshatak s’po më kap syri përreth.

Nuk thonë kot pushka e zbrazët tut dy burra. Atë që e mban, se e di se s’ka fishek brenda, dhe tjetrin që i drejtohet, se ai kujton se është e mbushur. Unë isha pushkë e zbrazët. Ujku këtë s’e dinte, pra mund ta trembja.
– Prandaj jam kah pres këtu, thotë ujku. Mbase të mbushet mendja e më fut një kokërr plumbi. Një plumb kish me më shpëtue. Këqyre si jam katandisur, zhele.

Tundi qafën e ligur. Vetëm atëherë ia pashë kumbonën në qafë. Kum-kum. Ushtoi ahishta.
Ujk, u bënë tri net që ma prish gjumin me atë dreq kumbone. Gjumin e gjakun. Ç’dreqin ke, mos jam në ëndërr?
Mjerisht nuk është ëndërr, thotë ujku. Jetoja në pyll, në botën time. I lirë. Në pyll nuk mbetesh kurrë pa hangër. Në dêjë nuk bëhet fjalë, por as në dimrat me borë. Gjuaj vetë, prenë e rrëmbej të gjallë. Nuk më pëlqejnë coftinat. Jemi racë krenare, vetë ju ia vini djalit emrin ujk. Ndihesha zot i malit, s’i druhesha kujt. Rrallë zbrisja në katund. Vatha ka qen, ka njerëz me pushkë. Më mirë gjuaj në kullotë të hapur. Aty i sheh e nuk të shohin, e sheston planin me nge. Rrëmben prenë e bëhesh tym në pyll.

Ujku prani, i bëri veshët curr. Nga suka matanë dikush i bëzani shokut, e ndiet sonte? He-he, ia ktheu tjetri, po i afrohet fundi.
Me mua e kanë, thotë ujku. Kanë hak. Qe natë e plotë, errësirë e lidhur nyje. Në këtë terr nuk del pa gjë, them. I afrohem një vathe bri përroit. Mat me sy hapësirën ndërmjet hunjve. Fort e ngushtë, as një këlysh, as një dhelpër mos me përbirue dot. Në një vend m’u dukën dy hunj pak më të larguar. Shti kryet mes tyre, thith barkun e bëhem petë, po, mund të kaloj! Qeni më heton. Leh çmendurisht, hov thikë përpjetë, gati me i këputë zinxhirët. Del i zoti e vikat. I jap trupit mbas, tërhiqu shpejt se e pate! Se si përdridhet huri, ngushtohet hapësira, më mbet kryet aty. Nuk bëj dot para as mbrapa. Bariu i shpejtë, ujk e shkuar ujkut edhe ai. Sa çel e mshel sytë merr një bigë të fortë e ma ve mbi qafë. I mëshon bigës, e ngul në tokë mirë, qafa ime nën të. I thërret dikujt, ma bjer një kumbonë. Atë të madhen, të ogiçit. Ta nderojmë, siç i ka hije një ujku trim.

Mendova se po përdorin gjuhë të fshehtë, të koduar. Do të ma këpusin kryet, duke më prerë në qafë me sakicë a me thikë, siç presin berrin për mish. Apo do të ma lëshojnë qenin me më copëtue së gjalli, siç bëj unë me prenë? Ndoshta kanë ndër mend me më zhgojue në hu, sa të më dalë shkuma e të jap shpirt. Mos u tut o ujk, thotë çobani, që m’i blen mendimet. Një qime s’kemi me ta heqë, po ta jap fjalën. Kam me të lëshue prapë në mal, si kokrra e mollës.

Nuk i besova. A ka besë me njeriun, që i kam ngrënë aq berre? Tjetër gjë se edhe mua më duhet me jetue. Kështu më ka bërë Zoti, mbahem gjallë dhe përtërij racën vetëm duke gjuajtur. Përndryshe shuhem, nuk bëj hije në fytyrë të tokës.
Qeni i kërthndezur çohet hucel, do me i këputë hekurat. Çobani ma mban fort qafën zënë nën bigë. E shoqja afrohet, ma var në qafë kumbonën. E përthekon fort në kllapë, mos me u shkoqë kurrqysh. Çobani heq bigën e ma mëshon me shuplakë vitheve. Mbathja tash o ujk, a të dhashë fjalën s’kam me ta prekë një qime?
U bëra erë.
Kumbona kum-kum. Në qafën time.

Jam i lirë në mal, por a është liri kjo? Barinjtë zënë pritë e ma veshin shpinës me hu të çarë, pse me e harxhue plumbin kot. Dhitë e egra e kapronjtë e ndiejnë kumbonën hejseku larg dhe bëhen erë mbi thepa. Më e rënda, kur tallen lepujt. E marrin vesh se po vi, hingrizen e ma qesin gjuhën pas. Një lepur i ri bënte thirrje ejani ta q… ujkun, të tërë me radhë. Edhe këtë mund të ma bëjnë lepujt tashti, pse jo. Unë po cof. Po jap shpirt, pa shti gjë në gojë. A më ndien kur marr frymë? Më fishkëllojnë brinjët si fisarmonikë e çarë. Po marr fund i uritur, i koritur, i fëlliqur. Na ishte një herë një ujk. Isha unë ky ujk, por nuk jam më ujk. A s’të ndodhet një plumb, me ma shkrepë në lule të ballit?

Veshët më kumbojnë prej kumbonës së ujkut.
Herë-herë prek qafën. Ruajna Zot, mos ma kanë varur edhe mua një kumbonë në këtë qafën time të hollë?
Na ishte njëherë një u… unë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.