Mungesa e vetëdijes politike si krizë shtetformuese

0
Kuvendi i Kosovës

Ese politike: (5)

Edhe kjo analizë është një ese politike, që i kushtohet moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës! Në romanin „Diplomacia e shteruar“ janë trajtuar shumë procese politike të fuqishme dhe janë pasqyruar shumë situata me shumë shembuj të strukturuar, edhe nga këndvështrimi me mendje të mprehtë të lexuesve, që përmes logjikave të argumentuara, analizës teorike, përvojës historike dhe gjuhës artistike reale po shpreh, edhe me këtë rast, një kritikë të thellë ndaj një gjendjeje dramatike në Kosovë. Të jem më i qartë, aktualisht moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës si simptomë e krizës së identitetit të shtetit dhe elitës së kësaj politike, është tema më shqetësuese për të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë…

Nga Safet SADIKU

Në rrënjët e të gjitha krizave institucionale që po përjeton Kosova sot, që nga moskonstituimi i Kuvendit e deri te vetëizolimi i saj në sferën ndërkombëtare, qëndron një krizë më e thellë, më e heshtur, por shumë më e rrezikshme: mungesa e një vetëdijeje politike që është e lidhur pazgjidhshmërisht me identitetin shtetëror. Kjo mungesë nuk është thjesht dështim për të kuptuar rolin që luan politika në ndërtimin e institucioneve, por është një dështim për të përjetuar ndjenjën e përkatësisë ndaj shtetit si projekt i përbashkët, i cili tejkalon interesin e partive, individëve apo grupeve të pushtetit. Pikërisht këtu, pra aty ku përfundon logjika e pushtetit, duhet edhe të fillojë logjika e shtetësisë, politika e Kosovës, në shumë raste të mëhershme, ashtu edhe tani, është treguar fatale.

Në vend që të shohë institucionet si mekanizma që burojnë nga legjitimiteti qytetar dhe që ekzistojnë për të mbrojtur interesin publik, elita politike në Kosovë i sheh ato si instrumente të kontrollit të përkohshëm dhe të përfitimeve afatshkurtra. Kjo formë e mendësisë nuk është e re, por është e ricikluar nga një tranzicion i pafund, i mbështetur në nostalgjinë për pushtet dhe në paaftësinë për të ndërtuar institucione që i mbijetojnë individëve. Prandaj, kur Kuvendi nuk arrin të konstituohet, kjo nuk është vetëm krizë teknike, por është simptomë e një politike që nuk ka përvetësuar kodet elementare të demokracisë moderne. Dhe kur një vend dështon të përvetësojë këto kode, ai rrezikon të mbetet në një gjendje të përhershme të mosfunksionimit institucional, që nuk është as liri, as demokraci, por një ngërç permanent që e zhbën ngadalë dhe në heshtje idenë e shtetit!

Kjo mungesë vetëdijeje manifestohet në të gjitha nivelet: në gjuhën publike të politikanëve që më shumë evokojnë ndarje sesa bashkim; në mediat që interpretojnë politikën si dramë dhe jo si përgjegjësi; në institucionet e drejtësisë që heshtin përballë skandaleve, dhe në ndërkombëtarët që herë e shohin si lodhje, herë si dëshpërim atë që ndodh në Prishtinë. E gjithë kjo krijon një panoramë të zymtë ku, në vend të ndërtimit të identitetit shtetëror, kemi zhbërje të tij përmes indiferencës, arrogancës dhe mungesës së një vizioni përtej cikleve elektorale. Politika e Kosovës si tërësi, në vend që të frymëzojë qytetarët me ndjenjën e shtetit, po i largon ata gjithnjë e më shumë, duke i shtyrë drejt mosbesimit, mospjesëmarrjes aktive në proceset e zhvillimit të vendit, dhe ajo që bëhet edhe më tragjike, i shtynë ata drejt emigrimit të heshtur.

Kjo mungesë e vetëdijes, e shtruar për zgjidhje në romanin „Diplomacia e shterruar“, që klasa politike nuk është vetëm temë e debatit institucional, por është narrativë e një shoqërie që nuk e ka kuptuar ende se shteti nuk është një trup i huaj, por është pasqyra ku çdo qytetar dhe çdo politikan duhet të shohë veten, jo për të kërkuar përfitime, por për të marrë përgjegjësi. Pa këtë vetëdije, çdo përpjekje për reformë do të mbetet kozmetike, çdo strategji do të jetë e përkohshme, dhe çdo marrëveshje me aleatët ndërkombëtarë do të shihet si detyrim i jashtëm dhe jo si zgjedhje e brendshme për të ndërtuar një të ardhme që ka kuptim.

Mungesa e konstituimit të Kuvendit është vetëm maja e ajsbergut. Ajo që fshihet poshtë sipërfaqes është një krizë e identitetit shtetëror, ku Kosova ende po lufton për të kuptuar nëse dëshiron të jetë shtet funksional apo një hapësirë e kontrolluar nga tensionet e brendshme, pazaret e vjetra dhe frika nga përgjegjësia. Dhe nëse kjo krizë nuk trajtohet me ndershmëri, guxim dhe me një transformim të thellë të mendësisë politike, atëherë “diplomacia e shterruar” nuk do të mbetet një metaforë letrare, por do të jetë një realitet i hidhur i historisë moderne të Kosovës.

1) Parimi i diskutimeve të shëndosha dhe ndërgjegjja si kriter i domosdoshëm institucional: Kur politika bëhet pazari i vazhdueshëm i kompromisit për pushtet, dhe jo vendi i reflektimit të përgjegjësisë së përbashkët, atëherë edhe vetë institucionet humbasin kuptimin e tyre, sepse në themelet e një demokracie nuk qëndron vetëm vota, por qëndron morali institucional, që duhet të ndalë çdo bashkëpunim me strukturat që i kanë shërbyer pushtuesit dhe i kanë shitur kauzat kombëtare për interesa afatshkurtra, dhe kanë bërë biznes mbi gjakun e luftës e mbi idealin e lirisë.

Ky është parimi që duhet të përbëjë boshtin e një diskutimi të shëndoshë në çdo shtet normal, por që në Kosovën e pasluftës është trajtuar si “radikalizëm i panevojshëm”, vetëm e vetëm për të ruajtur status quo-në e atyre që kanë ndërtuar pasurinë e tyre mbi komprometimin e të kaluarës. Prandaj, kur Kuvendi nuk po konstituohet, nuk është fjala vetëm për një proces parlamentar që po zvarritet, por për një rezistencë ndaj një nevoje jetike: pastrimin e sistemit nga ata që nuk e njohin shtetin si ideal përfaqësues, por vetëm si burim përfitimi. Kështu, ky parim shndërrohet në domosdoshmëri: ose pastrim dhe rifillim institucional me vetëdije të pastër, ose thellim i krizës deri në zhbërje të besimit qytetar.

2) Parimi i drejtësisë si hallkë e shtetit, e përdorur nga drejtësia deri te drejtësia e munguar: Në çdo shoqëri që synon të ndërtojë shtet të qëndrueshëm, drejtësia nuk është një aparat teknik, por është mekanizmi themelor që ndan të drejtën nga pushteti arbitrar, që vendos kufirin mes së ligjshmes dhe të paligjshmes, dhe që ofron barazi përballë ligjit për çdo qytetar, pa marrë parasysh funksionin ose pasurinë. Por kur drejtësia, si në rastin e Kosovës, kthehet në një instrument të kontrolluar nga po ato struktura që kanë përfituar nga padrejtësia, atëherë nuk kemi të bëjmë me një mangësi në sistem, por me një strategji sistematike për të ruajtur një elitë që e përdor shtetin si mburojë.

Kjo drejtësi që nuk guxon të ndëshkojë, dhe që nuk ka arritur të verifikojë pasuritë e paligjshme, në të gjitha pushtetetet e gjer tanishme, që në fakt hesht për krimet politike të së kaluarës dhe që po gjunjëzohet përballë interesave të lidhura me trashëgiminë e okupimit, e cila nuk është drejtësi që ndërton shtet, por drejtësi që zhbën ligjshmërinë!… Për këtë arsye, moskonstituimi i Kuvendit nuk duhet parë si krizë procedurale, por si reflektim i mungesës së asaj hallke të domosdoshme që lidh institucionin me moralin: drejtësinë.

3) Thirrje për reflektim! Nga liria e fituar, te shteti i bllokuar: Kur historia e një kombi ka kaluar nëpër periudha sakrifice, ajo krijon një trashëgimi morale që nuk duhet të harrohet, sepse është ajo vetëdije që duhet të udhëheqë të gjitha brezat që vijnë pas. Nëse kjo vetëdije humbet, atëherë edhe liria, pavarësisht se është e shpallur në dokumente, mbetet e pashpirt në praktikën e përditshme politike. Sot Kosova është pikërisht në këtë udhëkryq: liria është fituar me gjak, por shteti po humbet në baltën e interesave partiake dhe në heshtjen e një klase politike që nuk ka më asnjë lidhje me idealin për të cilin luftuan mijëra qytetarë.

Pa një transformim të brendshëm, pa një ndërgjegjësim, se pushteti është barrë dhe jo privilegj, nuk do të ketë as reformë, as përfaqësim të vërtetë, as integrim evropian, por vetëm një vazhdim i teatrit politik të radhës që, në vend se të japë zgjidhje, ushqen krizën si mënyrë mbijetese politike. Kështu, siç e thotë me saktësi autori i këtij shkrimi edhe në librin e tij “Proceset Politike pa Identitet Shtetëror”, nëse nuk e rifitojmë vetëdijen e luftës, „atë vetëdije që nuk kërkonte përfitim por përfaqësim“, atëherë pavarësia jonë do të mbetet e pashpirt, e pastrehë dhe e padrejtim, vetëm si një simbol formal, por pa substancë reale.

Histori e ngëeve të përsëritura është bërë kulturë e krizës si normalitet

Nga viti 2014 e deri më sot, ajo që në fillim u perceptua si krizë kalimtare e një shteti të ri në formim, ka evoluar në një strukturë të përsëritur e të ngurtësuar të funksionimit politik, në një mënyrë të tillë që edhe qytetari më i thjeshtë ka filluar ta pranojë krizën jo më si anomali, por si gjendje normale, si pjesë të pandashme të frymëmarrjes institucionale të Republikës së Kosovës, ku çdo përpjekje për të tejkaluar ngërçin politik përfundon në përsëritjen e tij, çdo akt i ri i qeverisjes mbart në vetvete farën e bllokadës së radhës, dhe çdo shpresë e artikuluar me zjarr në fushatë elektorale përkthehet, menjëherë pas zgjedhjeve, në kompromise sterile që nuk synojnë zgjidhje, por ruajtjen e pushtetit në një sistem të ngujuar rreth vetes.

Në vitin 2014, u deshën më shumë se gjashtë muaj për të konstituuar Kuvendin, duke krijuar jo vetëm vakuum institucional, por edhe një precedent që do të përsëritej me një ndjenjë të çuditshme paqësimi publik; në vitin 2017, situata u rithellua me tre muaj të tjerë bllokade, ku koalicionet që formoheshin e shpërbëheshin „me shpejtësi marramendëse“ dëshmuan se pushteti politik po artikulohej gjithnjë e më shumë si një treg, dhe jo si një instrument përfaqësimi. Ndërsa, në vitin 2021, ndonëse u arrit një shumicë e qartë parlamentare që mund të kishte ndërtuar bazat për stabilitet dhe qartësi institucionale, Kuvendi u kthye në skenë të një konflikti verbal të vazhdueshëm, ku debatet u shndërruan në akuza, përballjet në personalizime, dhe retorika politike në spektakël për konsum ditor, duke e shtyrë Kosovën edhe më thellë në atë që mund të quhet “kulturë e krizës si normalitet”.

Kjo situatë nuk është më simptomë e mungesës së përvojës demokratike, por pasojë e një stili qeverisjeje që ka braktisur çdo përpjekje për ndërtimin e kapaciteteve funksionale shtetërore, dhe që është bërë i aftë vetëm për një gjë: të mbijetojë në krizë, ta riprodhojë atë si strategji politike dhe ta përdorë si justifikim për çdo dështim. Në këtë kontekst, demokracia e Kosovës, edhe pse në letër dhe në Kushtetutë gëzon të gjitha atributet e një sistemi pluralist dhe përfaqësues, fatkeqësisht në praktikë shfaqet si një fasadë e zbrazët, si një ndërtim formal pa themele funksionale, ku zgjedhjet mbahen rregullisht, por rezultati i tyre nuk përkthehet në një ndërrim real të mënyrës së qeverisjes, ku institucionet ekzistojnë, por paralizohen nga pazaret e pafundme për poste dhe nga mosbesimi i thellë ndërmjet aktorëve politikë, dhe ku qytetari është teknikisht “i përfaqësuar”, por në realitet mbetet jashtë çdo procesi vendimmarrës.

Kjo është ajo që teoricienë si Juan Linz kanë përshkruar si “demokraci e brishtë”, një rend politik ku ekziston forma por mungon përmbajtja, ku procedurat zbatohen për të penguar dhe jo për të avancuar zgjidhjet, dhe ku vota e qytetarit është gjithnjë e më shumë një simbol bosh, sepse elitat që e marrin atë votë nuk ndihen të detyruara t’i japin llogari askujt, përveç njëra-tjetrës. Në analizat e Francis Fukuyama-s dhe Fareed Zakaria-s, krizat e demokracive të reja nuk vijnë nga mungesa e zgjedhjeve apo e kushtetutave, por nga mungesa e institucioneve të forta që mund ta mbajnë sistemin në drejtimin e duhur edhe kur elitat devijojnë. Dhe kjo është pikërisht nyja që Kosova nuk ka arritur ta zgjidhë: kemi procedura, kemi ligje, kemi rend kushtetues, por nuk kemi ndërtuar as kapacitetet institucionale, as kulturën e përgjegjësisë që i jep kuptim gjithë këtij sistemi.

Kuvendi i Kosovës, i cili në një republikë parlamentare duhet të jetë zemra e debatit publik dhe burimi kryesor i legjitimitetit politik, është reduktuar në një arenë ku strategjia kryesore është bllokimi, ku retorika triumfon mbi përmbajtjen, dhe ku pazaret për koalicione bëhen më të rëndësishme sesa politika publike për qytetarët. Në këtë mënyrë, Kosova, më shumë sesa një shtet në tranzicion, rrezikon të bëhet një shtet në stagnim të përhershëm, me një demokraci që mbetet e mbyllur në një cikël ngërçesh, ku çdo krizë e re nuk shkakton më zemërim, por vetëm lodhje; dhe ku gjithçka që mbetet për qytetarin është një ndjesi e përhershme zbrazëtie, ku pjesëmarrja politike duket gjithnjë e më e kotë dhe ku fjala “republikë” rrezikon të humbë çdo kuptim përveç asaj që shkruhet në dokumente zyrtare.

Humbja e busullës evropiane, kryeneçësia si strategji dhe izolimi si pasojë

Humbja e busullës evropiane në rastin e Kosovës nuk është më thjesht një zhvendosje taktike nga një linjë diplomatike në tjetrën, por është shndërruar në një proces të ngadalshëm dhe të dhimbshëm të vetëzbehjes së vizionit kombëtar, një zbehje që ka ardhur jo si pasojë e ndonjë presioni të jashtëm, por si rezultat i vetëzgjedhur i një politike që e ka bërë kryeneçësinë një formë të re si sjelljeje shtetërore, duke e vendosur vendin në pozita gjithnjë e më të vështira në raport me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me Bashkimin Evropian, i cili nuk mund të vazhdojë të sillet si garantues i një rruge integrimi për një vend që nuk tregon më gatishmëri për të qenë pjesë e kësaj rruge, qoftë në nivel të reformave të brendshme, qoftë në nivel të përfaqësimit të qëndrueshëm dhe të respektueshëm diplomatik.

Kur moskonstituimi i Kuvendit, një ngjarje që më parë shihej si krizë e brendshme, për çdo ditë e më shumë po fillon të perceptohet, edhe nga partnerët evropianë si simptomë e një mungese strukturore të qëndrueshmërisë institucionale, atëherë „ai ngërqi i inateve“ nuk qëndron më vetëm në kuadër të analizave të brendshme politike, por po kthehet në element të bilancit të jashtëm të shtetit, një bilanc që për çdo ditë bëhet më i rëndë, më i rrezikshëm dhe më i pamëshirshëm, për sa kohë që mungon vullneti i partive tona politike për të pranuar, për t’u përballur me realitetin.

Kjo mungesë e qasjes aktive ndaj politikës evropiane dhe rajonale, „që nga refuzimi“ për të marrë pjesë në samite të rëndësishme si ai i Tiranës, deri te dështimi për të përmbushur obligimet e marrëveshjeve të nënshkruara ndërkombëtarisht, dëshmon se strategjia që është përqafuar nuk ka më të bëjë me diplomaci, por me inat, me kryeneçësi të ngatërruar me krenari, dhe me një vetëbesim të rremë që e justifikon pasivitetin me nocione të shtrembëruara të sovranitetit.

Në këtë kontekst, refuzimi për të zbatuar (apo mos zbatuar) marrëveshjen për Asociacionin nuk lexohet më në Bruksel si ruajtje e interesit shtetëror, por si mungesë e një partneriteti të sinqertë, mungesë që e ul besueshmërinë e Kosovës në sytë e atyre që për vite kanë investuar në ndërtimin e institucioneve të saj, në krijimin e kapaciteteve shtetërore dhe në fuqizimin e rendit demokratik. Moszbatimi i këtyre marrëveshjeve nuk është vetëm një çështje teknike e moskoordinimit mes palëve, por është shenjë e qartë e mungesës së një identiteti politik që e di se çfarë shteti dëshiron të jetë, dhe që kupton se pa përmbushje të obligimeve ndërkombëtare nuk mund të kërkohet as respekt, as integrim, dhe aq më pak ndihmë.

Kjo gjendje mes harresës dhe izolimit, ku idealet e dikurshme zëvendësohen me retorika boshe, dhe ku lidhjet me partnerët ndërkombëtarë dobësohen çdo ditë e më shumë për shkak të mungesës së një vizioni të përbashkët dhe të qëndrueshëm, nuk është rastësi, por është produkt i një vakumi të identitetit, ku shteti nuk ka arritur të zhvillojë një vetëdije të qëndrueshme për veten, për rolin e tij në rajon dhe në Evropë, dhe për obligimet që vijnë nga vetë dëshira për të qenë pjesë e kësaj bote demokratike dhe të integruar.

Nëse ky identitet nuk konsolidohet në mënyrë institucionale, me reforma reale, me përfaqësim dinjitoz dhe me diplomaci të bazuar në parime e jo në emocione, atëherë çdo marrëdhënie ndërkombëtare do të mbetet e brishtë dhe e përkohshme, dhe çdo përpjekje për integrim do të shihet me dyshim, ose, edhe më keq, do të braktiset nga të tjerët. Në këto rrethana, të tjerët nga BE nuk na pyesin më, se cili politikanë apo subjekt politik është më i bukur, më i dështuar apo më i mirfilltë. Por na pyesin dhe na shikojnë se a jemi apo nuk jemi shtet funksional!

Integrimi evropian nuk është thjesht një proces burokratik, por është prova më e mirë e seriozitetit të një shteti që dëshiron të ecë përpara; është një proces që kërkon bashkëpunim ndërinstitucional, vullnet politik të pakushtëzuar dhe vetëdije se reformat nuk bëhen për të kënaqur Brukselin, por për të ndërtuar një shtet që funksionon për qytetarët e vet. Mungesa e kësaj vetëdijeje po kthehet në barrë për të ardhmen e Kosovës dhe po e dërgon vendin në një rrugë të rrezikshme izolimi, në të cilën as ndihma financiare e BE-së nuk është më e garantuar, dhe as përkrahja diplomatike nuk është më e padiskutueshme.

Në këtë udhëkryq, Kosova duhet të zgjedhë: ose të vazhdojë rrëshqitjen drejt një shteti që e harron vetveten për të ruajtur pushtetin, ose të rifillojë ndërtimin e asaj vetëdijeje politike që e nxori nga lufta me shpresën e një shteti funksional dhe të denjë për përkatësinë që aspiron. Dhe nëse kjo vetëdije nuk rindizet me përkushtim të ri, atëherë Kosova do të mbetet një vend i lirë vetëm në emër, por i bllokuar në realitet, si një vend që dikur kërkoi njohje ndërkombëtare, e që sot nuk di më si ta njohë vetveten!…

Komunikimi politik

Përfundimisht mendoj se komunikimi politik duhet …të rifillojë mbi bazën „e ndërtimit të asaj vetëdijeje politike të avancuar“, që vendin tonë e nxori nga lufta me shpresën e një shteti funksional dhe të denjë për përkatësinë që aspiron, por që në kushtet e tanishme nuk mund të rikthehet vetëm me ndryshim aktorësh politikë apo me rotacione të radhës në pushtet, por përmes një riformulimi të rëndësishëm aktual të mënyrës se si kuptohet dhe ushtrohet komunikimi politik, sepse pa një gjuhë që përçon vizion, pa një diskurs që ndërton kuptim dhe pa një komunikim që fton qytetarin të bëhet pjesë aktive e shtetformimit, çdo përpjekje për reformë mbetet thjesht një manovër teknike e shkëputur nga ndërgjegjja kolektive dhe nga legjitimiteti demokratik.

Në një shtet të brishtë si Kosova, ku institucionet janë ende në proces ndërtimi dhe ku përfaqësimi shpesh reduktohet në retorikë elektoraliste, komunikimi politik nuk mund të jetë më pa mbarim, vetëm një mjet manipulimi emocional apo një strategji për të fituar klikime e duartrokitje të përkohshme, por logjika e shtetit funksional gradualisht do të shndërrohet në një platformë të ndërtimit të konsensusit shoqëror, ku liderët nuk do të flasin thjesht vetëm për të sunduar agjendën mediatike, por edhe për të krijuar një hapësirë ku qytetari ndjehet i dëgjuar, i përfshirë dhe bashkëpërgjegjës për fatin e shtetit që po ndërtohet.

Në të kundërtën, nëse komunikimi vazhdon të ndërtohet mbi antagonizma artificialë, mbi narracione të frikës dhe mobilizime negative që shërbejnë më shumë për të legjitimuar pushtetin sesa për të ndërtuar lidhjen mes qeverisjes dhe shoqërisë, atëherë ky shtet nuk do të arrijë asnjëherë të shndërrohet në një subjekt të besueshëm dhe të pavarur, sepse nuk do të ketë një shtyllë narrative që e mban të bashkuar, nuk do të ketë një histori të përbashkët të rrëfyer nga vetë qytetarët, dhe nuk do të ketë as vizion institucional që e tejkalon ciklin zgjedhor.

Në këtë kuptim, komunikimi politik nuk është luks retorik, por është akt themelues i shtetit: ai është mënyra se si udhëheqësit shpjegojnë vendimet e vështira, si mobilizojnë energjinë kolektive për reforma, si ndërtojnë durimin qytetar për procese të gjata dhe të ndërlikuara si integrimi evropian, dhe si e mbajnë të gjallë shpresën që ky projekt nuk është i braktisur, por është thjesht në kërkim të një forme të re përgjegjësie dhe lidershipi, që na përfaqëson. Në këtë kuadër mbase liderët politikë pa përjashtim kanë nevojë për ndjekje të ndonjë kursi si riarsimim me theks të veçantë, „mësimnxënja për rëndësinë e komunikimit politik“.

Në fund, pa një komunikim që buron nga vetëdija politike dhe që i flet qytetarit jo si votues të përkohshëm, por si bashkëthemelues të shtetit, pa një gjuhë që nuk maskon edhe më tej mungesën e vizionit me patriotizëm të rremë, dhe pa një transparencë që ndihmon në rikthimin e besimit të humbur, Kosova rrezikon jo vetëm të humbasë mundësinë për t’u integruar në familjen evropiane, por edhe të zhbëjë atë energji morale dhe ideale që e çoi drejt pavarësisë, që nënkupton se atëherë, jo vetëm që do të kemi një shtet të izoluar, por edhe një shoqëri të dekurajuar, e cila nuk sheh më te politika jonë as një mjet ndryshimi, dhe as një burim shprese!…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.