Për qeveritë evropiane, politika e ashpër e imigracionit e Danimarkës është një model se si të kontrollohet çështja e diskutueshme dhe të qëndrohet në pushtet. Gazetarja jonë Jeanna Smialek raporton nga Kopenhageni mbi efektet e politikës.
Nga Jeanna Smialek, Katrin Bennhold, Nikolay Nikolov, Leila Medina dhe James Surdam – The New York Times, 23 nëntor 2025 – Përktheu Arben Çokaj
Nga Katrin Bennhold
Mirëmëngjes, botë! Skandinavia është admiruar prej kohësh në qarqet progresive për shtetet e saj të mirëqenies, renditjen e lumturisë, barazinë gjinore dhe pasurinë e saj. Tani një vend skandinav po tërheq vëmendjen për një arsye tjetër: politikat e saj të ashpra të azilit. A mund të shërbejnë ato si një mburojë kundër të djathtës ekstreme? Sot shkruaj për magjepsjen e Evropës me “Modelin Danez” – dhe pse mund të ketë kufizimet e tij.
Propozimi do ta bënte statusin e refugjatit subjekt të rishikimit të shpeshtë dhe qëndrimin afatgjatë shumë më të vështirë: Marrja e qëndrimit të përhershëm do të zgjaste të paktën 20 vjet. Ai përfshin gjithashtu politika, që disa kritikë i kanë konsideruar “mizori performuese“, siç është konfiskimi i bizhuterive nga azilkërkuesit, për të ndihmuar në pagesën e kostove të ushqimit dhe strehimit.
Kryeministri britanik Keir Starmer po përpiqet t’i përgjigjet një pyetjeje që i mundon shumë qeveri të qendrës, në këtë moment të populizmit në rritje: Si i përgjigjeni shqetësimeve që votuesit kanë në lidhje me imigracionin, duke mbetur besnikë ndaj vlerave liberale?
Partia Laburiste fitoi fuqishëm në zgjedhjet e vitit të kaluar. Megjithatë, që atëherë, partia e ekstremit të djathtë Reform U.K. ka ndërtuar një epërsi dyshifrore në sondazhe, duke argumentuar se një tepricë e imigracionit po shkatërron kulturën dhe identitetin britanik dhe po i tendos shërbimet publike.
Por politika e Starmer nuk është e frymëzuar nga e djathta. Është e frymëzuar nga Danimarka. Atje, një qeveri me prirje të majta ka mbajtur pushtetin dhe ka kufizuar vrullin e të djathtës ekstreme të Danimarkës, duke argumentuar diçka jo krejtësisht të ndryshme: se kufizimi i imigracionit është, në fakt, një parakusht për një shtet të qëndrueshëm të mirëqenies.
Britania është vetëm vendi i fundit që ka zhvilluar një interes për “Modelin Danez”. Holanda, Gjermania dhe Suedia e kanë studiuar gjithashtu Danimarkën. Ironia është se vetë në Danimarkë, ne mund të jemi duke dëshmuar kufizimet e modelit.
Një pengesë e suksesshme
Zemra e qasjes së Danimarkës ndaj azilit është pengesa. Danimarka po përpiqet ta bëjë jetën aq të vështirë për azilkërkuesit, sa ata preferojnë të mos vijnë që në fillim.
Për shembull, ishte Danimarka ajo që miratoi një ligj në vitin 2016 për të konfiskuar sendet me vlerë nga azilkërkuesit për të mbuluar kostot e tyre të jetesës. Përfitimet janë ulur ndjeshëm gjithashtu. Procesi i azilit është bërë më i gjatë dhe më i brishtë. Aplikantët janë në rrezik të kthehen, nëse vendet e tyre të origjinës konsiderohen të sigurta. Marrja e lejes së qëndrimit të përhershëm zgjat të paktën tetë vjet.
Ka disa prova që po funksionon. Kolegia ime Jeanna Smialek, e cila sapo ishte në Danimarkë, më tha se numri i përgjithshëm i azilkërkuesve në vend kishte rënë. Në vitin 2015, rreth 21,000 njerëz kërkuan azil atje. Kjo shifër ra në pak mbi 2,000 vitin e kaluar. Rënia erdhi ndërsa numri i azilit ra në të gjithë Evropën; Siria nuk është më në luftë, gjë që ndihmon. Por rënia e Danimarkës ishte më e madhe.
Kjo ka dhënë rezultate politike, të paktën për një kohë.
Kryeministrja Mette Frederiksen ka arritur t’i mbijetojë valës anti-pushtet. Politikat e saj shihen gjerësisht si të tilla, që u kanë mohuar partive të ekstremit të djathtë oksigjenin në një nga çështjet e tyre më të rëndësishme.
Dhe vetë Frederiksen ka argumentuar se ato i kanë lejuar asaj të ruajë shtetin e mirëqenies së Danimarkës, të cilin e lavdërojnë.
Shumë emigrantë, thotë ajo, minojnë ndjenjën e kombësisë, që mbështet gatishmërinë e njerëzve për të pranuar taksat e larta të nevojshme për të paguar për shërbimet publike. Si e tillë, argumenton ajo, një qëndrim i ashpër ndaj imigracionit, larg nga lëvdatat e së djathtës, është një parakusht për një axhendë progresive.
E gjithë kjo e ka bërë qasjen e Danimarkës një model për qeveritë e tjera të qendrës dhe madje edhe të majta, që shpresojnë të mbijetojnë në një epokë populiste.
Një reagim nga e majta
Megjithatë, javën e kaluar, partia e Frederiksen pati rezultate të këqija në zgjedhjet komunale, duke humbur kontrollin e kryeqytetit, Kopenhagën, për herë të parë në më shumë se një shekull. Shumë votues në qytet i braktisën Social Demokratët për një parti më të majtë. Disa i thanë Jeanna-s se i gjetën politikat e qeverisë për imigracionin mizore dhe raciste.

Sisse Marie Welling, kryebashkiake e re e Kopenhagës. Mads Claus Rasmussen/Agence France-Presse — Getty Images
Kritikët kanë ngritur shqetësime se, me kalimin e kohës, politikat që synojnë t’i bëjnë emigrantët e paligjshëm të ndihen të padëshiruar, kanë ndikuar edhe në mënyrën se si ndihen emigrantët e ligjshëm.
Dhe shkurtimet e përfitimeve për azilkërkuesit kanë çuar tashmë në një rritje të refugjatëve që jetojnë në varfëri, sipas një eksperti danez të imigracionit, gjë që ka kontribuar në një rritje të krimit dhe rezultate më të dobëta në arsim.
Këto lloj politikash, thonë ekspertët, sjellin tension midis dy qëllimeve: pengimin e ardhjes së emigrantëve dhe integrimin e atyre që janë tashmë në vend. Ky tension mund të jetë edhe më i ashpër në një vend si Britania, e cila ka një popullsi shumë më të larmishme – dhe e cila mbështetet te emigrantët e ligjshëm për të mbushur shërbimin e saj të dobët shëndetësor.
E gjithë kjo ngre pyetjen: A mund të shërbejë vërtet “Modeli Danez” si model për këdo tjetër?
Danimarka është një vend i vogël. Është shtëpia e rreth gjashtë milionë njerëzve, më pak se ata që jetojnë në Londër. Është relativisht etnikisht homogjene. Pra, ajo që funksionon atje mund të mos kalojë në vendet, që kanë qenë shtëpi për emigrantët dhe pasardhësit e tyre për breza.
Socialdemokratët danezë shpresojnë që humbjet që pësuan në Kopenhagë – me popullsinë e saj disproporcionalisht të pasur, të re dhe urbane – do të kompensohen përmes mbështetjes nga votuesit me prirje më konservatore në të gjithë vendin.
Testi i lakmusit do të jenë zgjedhjet kombëtare në vitin 2026. Qeveritë e tjera evropiane do të vëzhgojnë më nga afër.











