Xhelal Zejneli
Autor i romanit “Ura e psherëtimave” (Le Pont des Soupirs)
Ne romanin “Ura e psherëtimave” (Le Pont des Soupirs; 4 vëllime, 1921) Xevako, duke mbajtur frymën pezull, flet për historinë e dy të rinjve, djalit të Dukës së Venedikut – Roland Kandianos dhe Leonora Dandolos.
Ditën e shpalljes së fejesës së dy të rinjve, Rolandit i thurin komplot. E rrëzojnë nga pushteti dhe gjashtë vjet e mbajnë në burg. Nga një histori e bukur dashurie, ngjarja shndërrohet në një rrëfim plot vuajtje, intriga, komplote, pabesi dhe hakmarrje.
Për fatin e dy të rinjve, në pjesën e parë të veprës, autori s’na jep dot informata. Historinë e tyre e vazhdon në pjesën e dytë të librit.
* * *
Mishel Zevako (Michel Zévaco) lindi në Ajaçio/Ajaccio të Korsikës, Francë, më 1 shkurt 1860. Vdiq: në Eaubonne, Francë, më 8 gusht 1918. Ishte shkrimtar, gazetar, botues francez, veprimtar antiklerikal dhe anarkist. Në vitet e fundit të jetës së tij ishte edhe regjisor filmash pa zë. U shkollua në Lycée Saint-Louis. Ka shkruar romane popullore dhe letërsi historike. Vepra të rëndësishme të tij konsiderohen “Kapiteni” (Le Capitaine, 1907); dhe “Pardellanët” (Les Pardaillan).
Adoleshencën e kaloi në një shkollë me konvikt ku diplomoi në vitin 1878. Pas një përvoje të shkurtër si mësues, në moshën 20-vjeçare iu bashkua ushtrisë ku qëndroi katër vjet. Në korrik të vitit 1886 u lirua nga detyrimet ushtarake dhe vajti në Paris. I joshur nga letërsia dhe politika, Mishel Zevako u bë gazetar dhe zëvendës-redaktor i gazetës “L’ Égalité” (Barazi) që drejtohej nga revolucionari socialist Zhyl Rok (Jules Roques; Paris, 24.10.1850 – Paris, 08.03.1909).
U kandidua pa sukses në zgjedhjet e vitit 1889 për “Lidhjen socialiste të Rokut” (Ligue socialiste de Roques). Për shkak të retorikës së ashpër, në mes të sulmeve anarkiste, në Sainte-Pélagie u dënua disa herë me burg.
Më 6 tetor 1892 u dënua nga Gjykata e Jurisë së Senës për fjalimin që mbajti në një tubim publik në Paris:
“Borgjezia na vret me uri, na vjedh. Për t’u çliruar nga ky sistem i kalbur, janë të lejuara të gjitha mjetet, përfshi edhe dinamitin”.
Në vitin 1900, Zevako braktisi gazetarinë politike për t’iu përkushtuar shkrimit të romaneve.
Romani i tij i parë ishte “Mëkatet e Borxhiave” i botuar në revistën “La Petite République socialiste” (“Republika Socialiste e Vogël”) të historianit dhe profesorit Zhan Zhore (Jean Léon Jaurès, 03.09.1859 – 31.07.1914).
Pas suksesit të madh të librit të tij të parë, Mishel Zevako, për të njëjtën revistë krijoi personazhin Pardellan. Në vitin 1905 u angazhua në gazetën “Le Matin” (Mëngjesi) ku punoi me gazetarin dhe shkrimtarin francez Gaston Lëru (Gaston Louis Alfred Leroux, 06.05.1868 – 15.04.1927), të njohur për romanin “Fantazma e operës” (Le Fantôme de l’Opéra, 1910).
Shënim: Është roman në kufirin e punës së detektivit dhe fantazmës. I veshur me një kostum të kuq balloje dhe maskë të vdekuri, fantazma Erik zbret shkallëve të mëdha të operës Granier.
* * *
Në vitet 1905-1918, Mishel Zevako për gazetën “Le Matin” shkroi dy romane të tjera “Le Capitaine” (1907) dhe vazhdimin e ciklit “Les Chevaliers de Pardaillan (1902-1907)“.
Gjatë Luftës së Parë Botërore Zevako u largua nga Pierrefonds dhe u vendos në Eaubonne (Val-d’Oise).
Vdiq më 8 gusht 1918 nga një sëmundje e rëndë. Ka mbetur në kujtesën e lexuesve si një shkrimtar francez i romaneve popullore.
* * *
Vepra të botuara – Cikli „Pardellanët” (Les Pardaillan; “Kalorësit Pardellan” (Les Chevaliers de Pardaillan, 1902-1907); “Epopeja e dashurisë” (L’Épopée amoureuse. 1902-1907); “Fausta” (Fausta, 1903-1908); “Fausta e mundur” (Fausta vaincue, 1903-1908); “Pardellan dhe Fausta” (Pardaillan et Fausta, 1913); “Dashuritë e Çikos” (Les Amours de Chico, 1913); “Djali i Pardellanit” (Le Fils de Pardaillan, 1914-1916); “Thesari i Faustës” (Le Trésor de Fausta, 1914-1916); “Fundi i Pardaillan” (La Fin de Pardaillan, 1926); “Fundi i Faustës” (La Fin de Fausta, 1926).
Vepra të tjera – “Vrasjet e Borxhias” (Les Meurtres des Borgia, 1906); “Kapiteni” (Le Capitaine, 1907); “Nostradamusi” (Nostradamus, 1909); “Ura e psherëtimave” (Le Pont des Soupirs; 4 vëllime, 1921); “Heroina” (L’Héroïne, 1910); “Tribule” (Triboulet, 1910); “Hoteli Sent-Pol” (Hôtel Saint-Pol, 1911); “Markeza dë Pompadur” (vëllimi I) dhe “Rivali i Mbretit” (vëllimi II) (La Marquise de Pompadour, vëllimi I) dhe (La Rivale du Roi, vëllimi II); “Buridan, heroi i Kullës Nesle” (vëllimi I, 1923) dhe “Mbretëresha e përgjakshme” (Buridan, le Héros de la Tour de Nesle. vëllimi I) dhe (La Reine Sanglante); “Margareta e Burgonjit” (Marguerite de Bourgogne, vëllimi II); “Don Zhuani” (Don Juan) dhe “Komandanti” (Le Commandeur); “Mbretëresha Izabelë” (La Reine Isabelle (vëllimi I) dhe dhe “Ura e Monteros” (Le Pont de Montereau, vëllimi II); “Klerikët” (Les Clercs, 1920); “Mbretëresha e Argosë” (La Reine d’Argot, vëllimi I) dhe “Primeroza” (Primerose, vëllimi II); “Aventurat e mëdha” (Les Grandes Aventures, vëllimi I) dhe “Zonja me të bardha” (La Dame en Blanc); “Zonja me të zeza” (La Dame en Noir, vëllimi II); “Lulet e Parisit” (Les Fleurs de Paris, 1921); “Princesha Rejon d’Or” (La Princesse de Rayon d’Or); “Kalorësi i mbretit” (Le Chevalier du Roi); “Dashuri dhe urrejtje” (Amour et Haine); “Kalorësi Pasavant” (Le Chevalier Passavant); “Konti i Montobanit” (Le Comte de Montauban); “Mbreti i lypësve” (Le Roi des Gueux).