9.5 C
Tirana
E hënë, 9 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Meti REXHEPI: DASHURIA – DET I JETËS

Meti REXHEPI: DASHURIA – DET I JETËS

0
Nazmije Xhaferri Hasani - Dashuria e pashtershme

Nazmije XHAFERI – HASANI: DASHURI E PASHTERSHME
Printing press, Prishtinë, 2025

Libri i autores Nazmije XHAFERI – HASANI: DASHURI E PASHTERSHME është strukturuar në tetë cikle poezish: “Frymim kuq e zi”, “Lulëkuqet e lirisë”, “Kur e çiltër t’jetë dashuria”, “Melodia e shtëpisë”, “Kur thuprat bashkohen”, “Misionarët e dritës”, “Mbretëria e planetit” dhe “Të ndryshme.”

Te secili cikël nga tetë sitsh të librit DASHURI E PASHTERSHME hasim qasje ku e ku më të theksuar motivesh, që zgjerojnë hapësirën tematike të motivimeve poetike. Mirëpo, ngjyrat e kuqja dhe e zeza, qoftë kur duken apo nuk shihen janë lajtmotivi përshkues i tërësisë poetike të këtij vëllimi. Pohimin e këtillë e përtrollisin simbolet e identitetit etnik dhe etik, si plisi që njëkohësisht shënon përkatësinë e autoktonisë. Simbolika e të kuqes dhe e së zezës, po u thelluam në nëntekstin e reflektimit poetik të ideve, të porosive dhe të ngërthesave estetike, e kuqja dhe e zeza karakterizojnë përmasën e fatit tragjik të lirisë së etnisë shqiptare. Motivet e këtij përcaktimi tematik përkitazi ruajtjes së At Dheut, në ciklin e parë, fare pakëz na japin hapësira për shfaqje reflektimesh të nëntekstit.

Këtu porosia për lexuesin është e drejtpërdrejtë. Ngjyra e gjakut të derdhur me shekuj në këtë poezi vjen si fat ekzistencial, si vetëdije e rrënjosur e vijimësisë ilire – arbërore – shqiptare në Siujdhesën Ilirike. Çfarë është e zeza? E zeza ngërthehet e zbërthehet në “golgotën shqiptare.” Ajo është prodhimtare e shumësisë së përbërësve të së keqes, që madje ia nxinte dukjen tokës së njomur me ngjyrën e gjakut. Brenda këtyre dy simbolikeve jetike afatgjata epike, tragjike dhe heroike u gjakua liria dhe, moria e poetëve, edhe autorja e këtij vëllimi poetik, kishin motivime të mjaftueshme t`i thërrisnin forcimit të karakterit etik dhe etnik, cilësive të pashmangshme të trimërisë, të besëlidhjeve si akte përbashkuese përballë pushtuesve.

Kuptim – shtrirjen e kësaj mendësie ekzistenciale e ndjenë pashmangshëm poetët shqiptarë të gjithë brezave. Dje dhe sot në kohën moderne, nuk kishte si t’i shmangej as poetesha Nazmije XHAFERI – HAHASANI në librin e saj DASHURI E PASHTERSHME. Autorja e frymëzuar nga Rilindja Shqiptare risjell në faqet e librit të saj toponimet e qëndresës çudibërëse të Krujës, vijimësinë e të se cilës e përjetoi në bashkëkohësi në Prekazin legjendar me gjithë dramën, heroizmin dhe gjëmën e flijimit unikët të Jasharajve, pasojat gjenocidale dhe bëmat e ngritura në legjendën moderne të UÇK-s.

Cikli i parë i kësaj tematike përmasën e ngjyrave kuq e zi e shtrinë brenda dhe jashtë historisë së pashkruar, atëbotë e tkurrjes së çdo shprehje që i përngjasonte lirisë deri në atë masë: “Pa guxuar as ëndrrat t’i rrëfej”.

Kjo ishte përmasa e zezë e ngufatjes mbi trojet etnike dhe, varg-thurja poetes ia kërkon përmbushjen e të shprehurit etik dhe etnik në letrën e bardhë. Autorja duke hedhur në letër ca nga të ndodhurat madhore për shpëtimin e At Dheut, fragmente nga tërësia e së dhimbshmes dhe, bëmat e bujshme gjithandej ku çelin “lulëkuqet”, ndjehet e çliruar shpirtërisht. Meqë shtroi këtu në disa poezi, fjalë-përbërja lulëkuqe na sjell në mend shprehjen e qëmtuar e të shtrirë dendur në simbolikën e poezisë së poetit Beqir Musliu “lul-kuqet e gjakut.” Andaj, Nazmije XHAFERI-HASANI varg-thurjes i jep kahen e kryerjes së një misioni poetik, etik, etnik, ekzistencial dhe simbolik për përmasat e së kuqes dhe të së zezës. Por, në realitetin Ballkanik gjithçka është tektonike, sizmikë dhe paqe relative. Ajo gjakon poezinë që:

Përthanë plagët e trungut të gjymtuar”*

Poezitë e ciklit të dytë “Lulëkuqet e lirisë” trajtojnë të njëjtën frymëmarrje tematike, por tashmë të bartur mbi shëmbëlltyrat që mëtonin vetëdijesimin e penguar me gjithfarë mënyrash e mynxyrash. Popujve që u kanoset ekzistenca kulturore shtetërore historinë e shndërrojnë në mit. Një këso mendësie nuk i shpëtoi as autores sonë:

Apostull i lirisë e qytetërimit,
I gjithkohshmi trim.
Nder i arbrit – i oxhakut të Kastriotit;
Si ti fisnik tjetër, nuk lind!” *

Poetesha XHAFERI – HASANI sikur ndjenë një borxh të thellë që vargjet t`i përçojnë dashuri të gjithanshme për të tashmen dhe për brezat… Ajo mbjell dashuri në poezi aq sa mund të bartte gjuha dhe mjetet e qëmtuara prej kërkimeve të saj në fushën e pa skaj të figuracionit artistik e stilistik. Ajo e ka matur fjalën e vet në peshoren e qëmtimeve poetike dhe, nuk është futur labirinteve të fjalës. Nuk ka hyrë aty ku nuk dilet. Pse? E di që fjala ka bukuri të pakufishme… Në shtjellimin e saj është mjaftuar me aq sa mund të thellohej. Si duket kësaj poeteshe i përshtatet pohimi i poetit frëng Alfred de Musset: “Gota ime është e vogël, por unë pi prej gotës sime.” Borxhin e saj moral kundruall brezave i duket se do ta lajë, duke shtjelluar fjalësin poetik për kurbanet e lirisë, si: Hasan Ali Remnikut, simbolit konkret të qëndresës Adem Demaçit, njërit nga strategët e thyerjes së kufirit mes shqiptarëve Agim Ramadanit, guerilasve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, dëshmores së njomë, bukuroshes Antigonë Fazliut.

Në këtë anames të atmosferës epike nuk di pse është vendosur poezia “Bilbilit të Kosovës?” Ndoshta poezia e tillë përkushtuar zërit magjeps të Nexhmije Pagarushës, një ikonë të këngës shqipe, do të duhej renditur në ciklet ku mbizotërojnë timbret e poezisë lirike?
Cikli i tretë “Kur e çiltër t’jetë dashuria” dhe i katërti “Melodia e shtëpisë” i përshkon kryesisht lirika familjare. Kjo lirikë shfaqet përmes artikulimit të ritmeve të rrahjes së hovshme të zemrës, duke rikthyer ngjyrën e mallëngjimit krejtësisht të natyrshëm për bashkëshortin, personazhin lirik të jetës bashkëshortore, që ia kishte rrëmbyer e pashmangshmja e jetës – vdekja në amshimin e pasosur. Kontekstit të një lirike të kulluar i japin shtytje për artikulime të thella dhe të këndshme vargjet e këtillë, të cilët pikëllimin e ngrehin në nivel të mirëfilltë të përjetimit artistik:

Vallë,
Kaq e paarritshme është lumturia sa,
Të rendim pas saj,
Si pas ëndrrës së bukur,
Që nuk duam të na humb?”*

Vargje përsiatjesh kësisoj për lumturinë afatshkurtër dhe dhimbjen e përhershme të dashurisë së këputur në lumturinë e saj, i sjellin këtij vëllimi poezish kulturën e një lirike me rrjedhje të kulluar dhe, udhërrëfema për sprovat djegëse të jetës. Sprova e dashurisë së

*Nazmije XHAFERI – HASANI: DASHURI E PASHTERSHME, Printing Press, Prishtinë, 2025; f. 44
*Po aty; f. 53 ; *Po aty; f. 70

sinqertë në poezinë “Kur e Çiltër t’jetë dashuria” sjell porosi e përkufizime të përvojës, se vetëm dashuria që ka në thelbin e saj çiltërsinë:

Fal buzëqeshje, buzëqeshje merr,
Shkëlqimi i syve errësirën bjerr.

Duke lexuar vëmendshëm poezinë e vëllimit poetik që kemi në dorë, autorja XHAFERI-HASANI shpërfaq botën e saj femërore si vashë e dashuruar, si grua besnike, si nënë dhe si gjyshe nipash e mbesash. Le të nënvizojmë dyvargëshin e poezisë “Kaltërsisë së qiellit i ngjan”:

Dashuria ime asnjëherë zbeh’ tjetërkujt si falet
Edhe po t`i kem shtatë jetë.

Shfaqja e rrënjosur si besnikëri e kësisoj që varg qëmtuesja XHAFERI e ngre në një shkallë të lartë parimësie, për mendësinë e sotme të botës feministe do të tingëllonte si diçka paradoksale! Madje poezia në qenien e saj është paradoksale e thonë estetët…

Pa dyshim s’kishte si të mos zërë shkas dukuria e mërgimit te kjo autore varg-thurjesh. Brenga e një lirike të këtillë familjare është e thellë, ngaqë këtu shpërfaqen motivet e shqetësimit amnor, si plagë e kahershme apo si fat i mungesës së bijve e të bijave, i varfërimit të trurit kombëtar në qytetërimin Euro – Atlantik. Këto motivime marrin shtrirje të valëzuara emocionale të trishta për bijtë mërgimtarë, të cilët i çelën si lule agimet djaloshare dhe, i ngrysën muzgjet mërgimtare:

Vjeshtë e dimër m’është bërë jeta
Ëndërr e gëzim grirë.”*

Në ciklin e pestë “Kur thuprat bashkohen”, autorja busullën e ndjeshmërisë së vargjeve të saj mëton ta drejtojë kahes së ngërthesave etike, ndonëse notat moralizuese nuk i duron poezia e mirëfilltë. Mirëpo, e veçuar artistikisht është poezia “E qelqtë ishte zemra ime.” Pohimi, i veçuar, ka parasysh gjetjen qëmtuese të autores, që në këtë poezi përdori mjete shprehëse të pëlqyera, me të cilat ngre idenë artistike për sedrën e pastër njerëzore dhe vetëkritike, nëpërmjet një figurshmërie, do të thosha, e standardit të duhur të pasjes së vlerave njerëzore të përtrollitura në vargjet e shkruara. Mbase një thurje e kënaqshme, e apostrofuar këtu, do të duhej t’ia shtonte autores kërkesën për hedhje vargjesh jo dosido në letrat e bukurshkrimit.

Kështu shohim se poetja Nazmije në kërkimet e saj pas gjetjes të së bukurës në varg, ia del mbanë sidomos kur ngulë këmbë për t’ia kapur bukurisë thesaret e fshehura që gjenden në përvojën shteruese të shkrim-ndërtimit. Vetëm me përqendrim e durim krijues mund të funksionalizojë artikulim të metaforës së urtisë poetike, sikurse në katërvargëshin e vjershës “Fjala”:

Del, sapo hap derë
Edhe merr dhenë.
Po deshe të të bëjë nder,
Me mjaltë ushqeje që pa lerë.”

Në tri ciklet përmbyllëse të librit “Misionarët e dritës”, “Mbretëria e planetit” dhe “Të ndryshme”, hasim aty-këtu shprehje që nuk sjellin ndonjë risi poetike-stilistike. Në përgjithësi poezitë e këtyre cikleve i përshkon nota e fisme e njerëzores, e madhërishmja e detit, kontrastet e natyrës që evoluon, magjepsë, josh dhe tmerron.

Poezia në vëllimin poetik DASHURI E PASHTERSHME mëton thadrimin, pra shtrohet si mision i vetëdijes njerëzore për kultivimin e dashurisë si themeltare e njerëzimit, e paqes

*Po aty; f. 83
dhe miqësisë kundruall armiqësisë dhe synimeve për zhbërje të njeriut prej njeriut, ngasë:
E paqen e kemi vënë në zgrip t`ekzistencës!

Si akt përmbylljeje i qasjes sime librit me poezi të autores Nazmije XHAFERI – HASANI, që tashmë po sprovohet me zejen e ndërlikuar të shkrimit artistik, lë të më lejohet të nxjerrë konstatimin nga këndi i shikimeve të mia. Poezia që kultivon kjo autore në këtë libër i përket traditës së poezisë shqipe, pa mëtime për të eksperimentuar risi stilistike dhe, identifikime me fizionominë e rrymave moderne e të postmodernes. Kjo autore shkruan thjesht e qartë në shqipen standarde.

Te ky vëllim poezish vërehen përpjekjet për shmangien e klisheve dhe, hapje shtigjesh për një lirikë të mirëfilltë poetike. Kryesorja: në thjeshtësinë dhe qartësinë e stilit të saj vegjetojnë çiltërsia dhe ngrohtësia, dashuria si koncept i drejtpeshimit njerëzor, fryma atdhetare dhe vlerat e së njerëzishmes, të gjithë këta përbërës ushqejnë vargjet e saj. Kjo sado pak është një prehje në vrazhdësinë dhe dinamikën e jetës.

Përgëzime për autoren dhe frytin e saj libror!

Gjilan, më 14 nëntor 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.