MENDIME PËR NJERIUN DHE JETËN

0
Arif Ejupi

Aforizma dhe sarkazma origjinale nga Arif Ejupi

1. Punët e mira duan durim e qetësi.
2. Ku shihni shkolla, mbillni lule — do vijë koha që do të shijoni aromën e tyre.
3. Të nderosh të moshuarit, do të thotë të nderosh vetveten.
4. Po e ngatërruat profesionin, s’do të mbeteni as farkëtar, as berber.
5. Kur shihni një shtëpi të bukur, mos pyesni vetëm për të zotin e saj, por edhe për mjeshtrin.
6. Stadiumeve dhe palestrave u rrinë mirë emrat e sportistëve, kurse shkollave e rrugëve emrat e heronjve dhe shkencëtarëve të mirëfilltë.
7. Dielli dhe shiu ngjallin jetë, kurse dora e njeriut të keq shuan.
8. Kur akumulohet bërlloku, s’e pastron dot as shiu e as dëbora , ai vetëm shtresohet para pragjeve tona.
9. Shëndeti mbrohet me aktivitet sportiv, andaj ndërtoni më shumë shtigje ecjeje e më pak kafene.
10. Dhia mbahet dhe buka e misrit hahet vetëm kur është në pyetje mbijetesa.
11. Qyteti pa lumë mban pluhur dhe kundërmon erë të keqe.
12. Pleqtë i frikon dimri, e i gëzon pranvera.
13. Edhe po të jesh yll, kuptoje që qielli nuk shndrit vetëm me ty.
14. Po nuk pate unin tënd, mos u merr me politikë se të bën prostitutë.
15. Nëse u mërzitet shtëpia, bëhuni analistë në televizionet tona.
16. Kur jeni në rregull me mendjen, shikimin e dëgjimin, pamja bëhet e parëndësishme.
17. Djemtë me vathë e zinxhirë, e vajzat me tatuazhe e koka të rruara ,vera në dimër e dimri në verë; janë ngatërruar gjini e stinë.
18. Sot, në dasma ftohen vetëm bashkëshortet, përjashtohen fëmijët, këtë marifet disa po e quajnë “konflikt interesi”.
19. Asnjë reflektor nuk e ka forcën e diellit, andaj luftoni për origjinalen dhe të bukurën.
20. Themelues të celulave të para të UÇK-së, ishin pesë–gjashtë veta; në paqe u bënë njëmijë edhe lepujt duan të bëhen ujq.
21. E keqja e atij që s’ka krahë bëhet bjeshkë, kurse e atij që ka klan e muskuj avullohet si vesa para diellit.
22. Kur të zezës i themi e bardhë, na ka ikur truri dhe na ka marrë lumi.
23. Kur vetë e vidhni shtëpinë, mos pritni që t’ua përtërinë të tjerët.
24. Ai që të kërkon shkas për konflikt preferon lojën e ujkut me qengjin.
25. Murgjit serbë thirren në Zot, e në emër të tij i bëjnë njëmijë e njëqind të zeza. Ata mendojnë se ato i mbulojnë me leshin deri në kërthizë.
26. Hajduti e trajton njësoj kishën, xhaminë, tempullin dhe sinagogën.
27. Dreqi thuhet se rri vetëm në mezhda. Aty e ka ngushtë. Ai rri në kokat dhe zemrat e lakmitarëve.
28. Gjelave këngën ua prish dhelpra, kurse minjve vallen macja.
29. Së pari bëni fermë, pastaj mendoni për fabrikë bulmeti.
30. Femrat kur hyjnë në pubertet hallakaten sikurse lumenjtë pas reshjeve.
31. Fytyra e buzëqeshur e mjekut shëron vetëm atëherë kur s’keni probleme serioze me shëndetin.
32. Me thika e revole shkojnë në shkollë vetëm ata që kërkojnë bela.
33. Po i dhatë shkrepësen fëmijës, mos u çuditni nëse i shkon tym e flakë shtëpisë.
34. Kujdes në rrugë, se mund të haseni në kuaj e gomarë.
35. Derisa t’u bëhet strehë qenve endacakë, mos u çuditeni nëse njerëzve nga trupi u rrjedh gjak.

Shënim autorial
Të gjitha aforizmat dhe sarkazmat në këtë përmbledhje janë krijime origjinale të Arif Ejupit dhe burojnë nga përvoja, vëzhgimi dhe reflektimi i tij i thellë mbi jetën, shoqërinë dhe njeriun.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.