Nga Agron Shabani
Më vjen shpesh të them se Dr. Ibrahim Rugova ishte vijuesi dhe trashëgimtari më i vërtetë, më skrupuloz dhe më autentik i veprave madhore e monumentale të Gjergj Fishtës dhe Pjetër Bogdanit, në historinë dhe hapësirën e përgjithshme shkencore, intelektuale, kulturore, politike dhe patriotike të shqiptarëve të Kosovës, por jo vetëm të Kosovës.
Dr. Rugova, pa dyshim, ishte intelektuali dhe politikani (lideri) më oksidental, apo më perëndimor, që ka njohur Kosova shqiptare.
Në kohën kur Dr. Ibrahim Rugova shkoi për të ndjekur dhe vazhduar studimet pasdiplomatike mbi klasikët e letërsisë franceze, e ashtuquajtura elitë shkencore, intelektuale dhe politike e Kosovës gjendej ende në gjumë, agoni, letargji dhe nostalgji të thellë serbo-jugosllave.
Edhe angazhimi dhe përkushtimi intelektual, kulturor dhe politik i Dr. Rugovës ndaj vëllezërve dhe motrave tona shqiptare të besimit katolik i ngjante një misioni të lartë, të vazhdueshëm dhe konsekuent, me karakter pastoral ose kanonik. Për të mos thënë këtu, edhe një mision të epërm hyjnor ose profetik.
Sepse, edhe në ditët e fundit të jetës së tij, Dr. Rugova nuk u largua as për një mikromilimetër nga ky peng dhe mision madhor.
Madje, edhe në çastet e fundit të jetës, kur për herë të fundit ia hodhi sytë dritës së diellit, Dr. Rugova e mbajti në zemër, në shpirt dhe thellë në qenien e tij amanetin, dekalogun dhe testamentin e madh të Gjergj Kastriotit, Pjetër Bogdanit, Lekë Dukagjinit, Naim Frashërit, Konstandin Kristoforidhit, Çajupit, Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit, Asdrenit dhe kolosëve të tjerë të mendimit dhe veprimit shqiptar.
Për të mirë apo për të keq, me qëllim apo pa qëllim, me sherr apo pa sherr, nuk e di; por e di se Ismail Kadare dikur pati thënë:
Fati i popujve të vegjël buron nga dyert e tragjedive të mëdha.
Jetojmë në një botë gjithnjë e më konfuze, turbulente dhe kaotike, të mbushur me acarime dhe përplasje interesash të ndryshme ushtarake, politike, konceptuale, ideologjike, strategjike dhe gjeopolitike.
Kosova nuk bën dhe nuk guxon të shndërrohet në arenë apo poligon strategjik ose gjeopolitik, ku kryqëzohen shpatat e konfrontimeve dhe interesave të njohura e të panjohura të fuqive të ndryshme imperiale, kolonialiste, cariste ose neootomane, si Turqia dhe Rusia.
E aq më pak të shndërrohet në epruvetë apo laborator eksperimentesh kozmetike, artificiale dhe johistorike.
Kosova është vend dhe shtet i vlerave, potencialeve, kapaciteteve, mundësive dhe resurseve të shumta njerëzore e natyrore, të cilat ia kanë falur Zoti dhe natyra.
Shqiptarët janë popull trim, liridashës, patriotik, autokton, indigjen dhe autentik, me vlera, resurse, potenciale dhe kapacitete të shumta oksidentale apo europerëndimore. Ata nuk janë turq, boshnjakë, goranë, torbeshë, serbë apo popull sllav. Ata janë ilirë (dardanë), shqiptarë, pasardhës të Gjergj Kastriotit.
Ndërkaq, lidhjet dhe aleancat natyrore e historike të iliro-shqiptarëve me Perëndimin janë po aq të lashta sa vetë historia.
E kundërta e kësaj qëndron në idetë, teoritë, insinuatat dhe tendencat e njohura hipokrite, dogmatike, demagogjike, paradoksale, reaksionare dhe anakronike, sipas të cilave turqit paraqiten si vëllezër, miq dhe aleatë natyrorë e historikë të shqiptarëve. Ata, pra, që për më shumë se pesë shekuj i kanë sunduar, vrarë, zhdukur, përdhunuar dhe masakruar iliro-shqiptarët.
Po të mos ishin vrarë, masakruar, zhdukur dhe shkombëtarizuar për mbi pesë shekuj nga turqit osmanë, numri i shqiptarëve në Ballkan dhe Evropë sot do të ishte përafërsisht i barabartë me atë të anglezëve, italianëve ose francezëve.
Jozef Tiso ishte prift famullitar, intelektual, politikan, oficer ushtarak dhe patriot i madh sllovak, i cili, në kohën kur Rajhu i Tretë gjerman ishte në kulmin e fuqisë, u zgjodh President i parë i Republikës së parë të pavarur të Sllovakisë. Si kapiten i klasit të parë, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Tiso iu bashkua Partisë Popullore të Sllovakisë, të themeluar nga i ati, Andrej Hlinka, nën moton: “Sllovakia sllovakëve”. E gjithë kjo ndodhi për shkak se Sllovakia e asaj kohe ishte shtet satelit ose marionetë e Rajhut të Tretë.
Pas ratifikimit nga Britania e Madhe dhe Franca – të Marrëveshjes së Mynihut në vitin 1939, mbi aneksimin e Sudeteve nga Gjermania -, Jozef Tiso shpalli Republikën Autonome të Sllovakisë, duke u zgjedhur president dhe kryeministër i saj.
Më pas, pas pushtimit të pjesës lindore të Sllovakisë nga Ushtria e Kuqe sovjetike, Tiso u arrestua nga policia ushtarake amerikane në Bavari, u ekstradua në Çekosllovaki dhe u pushkatua nga regjimi prorusosovjetik i Eduard Beneshit.
Pa u ndalur gjatë në kalvarin e njohur të Stepan Banderës së Ukrainës, në kampet e Sachsenhausenit, Mynihut e gjetkë: Mjafton të përmendet fundi i tij tragjik në vitin 1959, kur u vra nga KGB-ja sovjetike në Mynih, si intelektual, politikan, nacionalist dhe patriot i madh i Ukrainës.
Nëse i referohemi narrativës paradigmatike të mitologjisë dhe gjeopolitikës serbe, del se Kosova paraqitet si një krijesë fantome, artificiale, kirurgjikale dhe johistorike e SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë, Zvicrës, Austrisë, Kroacisë, NATO-s dhe Perëndimit.
Absolutisht nuk është kështu.
Burimet, shënimet, dëshmitë, arkivat dhe dokumentet e panumërta historike dhe shkencore dëshmojnë se Kosova (Dardania antike), së bashku me shqiptarët e saj iliro-dardanë autoktonë, indigjenë dhe autentikë, janë të pranishëm në këto troje – në Kosovë, në Luginën Lindore, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut – që nga periudhat e hershme të Neolitit, rreth 3000-4000 vjet para Krishtit.
Serbia, duke përfituar nga lufta shkatërrimtare dhe apokaliptike e Rusisë kundër Ukrainës, shpreson se një fitore eventuale e gjeopolitikës ruse do ta ndryshojë tërësisht edhe qëndrimin e SHBA-së dhe Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit, në favor të aspiratave të saj gjenocidale, imperiale dhe kolonialiste.
Unë them se do të ndodhë e kundërta e asaj që Serbia aspiron dhe pretendon.
Sepse çdo ide, formulë, sintezë apo teori politike i përket sistemit të vlerave dhe prognozave të analizuara, të studiuara dhe të konfirmuara mbi bazën e dijes shkencore dhe politologjike.
Gjeopolitika nuk është sfilatë mode apo fontanë dëshirash, por disiplinë serioze historike, gjeografike dhe politologjike, ku determinizmi historik dhe gjeografik shpesh nuk ka asgjë të përbashkët me fantazitë imperiale apo kolonialiste.
Elementet dhe instrumentet kryesore të teorive politike janë të dhënat e verifikuara mbi figurat, personalitetet, ngjarjet dhe zhvillimet madhore e relevante.
Është e pavërtetë se Kosova, për shkak të territorit të vogël, nuk mund të bëhet shtet i fortë, funksional, stabil dhe i respektuar. Këto prognoza janë të pasakta.
Luksemburgu, për shembull, me rreth 600 mijë banorë dhe me përmasa territoriale 90 kilometra gjatësi dhe 50 kilometra gjerësi, është një nga vendet më të pasura dhe më të zhvilluara të globit, me buxhet shtetëror që tejkalon 15 miliardë euro.
Çdo ditë, mbi 100 mijë punëtorë nga Gjermania, Franca, Belgjika dhe Holanda udhëtojnë drejt Luksemburgut për të punuar.
Kosova, një ditë, mund të bëhet fuqi industriale dhe ekonomike e rajonit.
Pa e zgjatur më tej.
Dërgoi për publikim, Isidora Nikollëbibaj












Po citoj fjalinë e juaj:
1. “Burimet, shënimet, dëshmitë, arkivat dhe dokumentet e panumërta historike dhe shkencore dëshmojnë se Kosova (Dardania antike), së bashku me shqiptarët e saj iliro-dardanë autoktonë, indigjenë dhe autentikë, janë të pranishëm në këto troje – në Kosovë, në Luginën Lindore, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut – që nga periudhat e hershme të Neolitit, rreth 3000-4000 vjet para Krishtit.”
Mungon burimi i fakteve(argumenteve, provave) historike?!
*
2. Fjalitë e tjera dhe thënia e juaj, po citoj:
Serbia, duke përfituar nga lufta shkatërrimtare dhe apokaliptike e Rusisë kundër Ukrainës, shpreson se një fitore eventuale e gjeopolitikës ruse do ta ndryshojë tërësisht edhe qëndrimin e SHBA-së dhe Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit, në favor të aspiratave të saj gjenocidale, imperiale dhe kolonialiste.
Unë them se do të ndodhë e kundërta e asaj që Serbia aspiron dhe pretendon.”
*
Unë mendoj sikur ajo thënie e popullit tonë të mençur: “Mos ban hop, pas e këcye shtegun (gardhin)!”
Ua përkujtoj REZOLUTËN 1244* e cila është më e fuqishme se Gjykata Kushtetuese e Kosovës: pra, Kosova NUK ËSHTË SHTET SOVRAN!
I nderuar zotëri,
ju falënderoj për leximin dhe komentin tuaj.
Teksti në fjalë është një ese publicistike dhe politike, jo studim akademik apo punim shkencor me aparat burimor. Duke pasur parasysh se historia, në rrjedhën e saj, shpesh është ndikuar, keqintepretuar ose rishkruar nga raportet e fuqisë – sipas parimit të njohur, se fituesit e luftërave priren ta shkruajnë historinë sipas interesave të tyre – ky shkrim mbështetet në narrativën e gjerë historiografike dhe diskursin publik të njohur, jo në citime formale.
Sa i përket çështjeve gjeopolitike dhe referencave juridike, ato mbeten tema komplekse dhe të debatueshme, të cilat në këtë ese trajtohen në mënyrë interpretative, në përputhje me bindjen politike dhe intelektuale të autorit.
Me respekt,
Isidora Nikollëbibaj