LLAZAR SILJANI, NJË SHQIPTAR I KULLUAR DHE KRIJUES I PËRKUSHTUAR

0
Sinan Gashi - Llazar Siljani

(Në vend të parathënies)

Sinan Gashi Shkruan Sinan Gashi

Duke marrë nxitje nga e tashmja e tij, Llazar Siljani theksonte që të mos i japim “rrëndë i besës e fesë, apo toskë e gegë, muhamedan e të krishterë, katolik e orthodoks, të gjithë si vllazen, në dejt e të cilëve rrjedh nji gjak, zihni për dorë dhe mbroni kombësinë dhe historinë e vet, të cilat armiqët mendojnë të na i humbasin.”

* * *

Të shkruhet një vepër, çfarëdo gjinie apo zhanri qoftë, është një punë e veçantë dhe e rëndë njëkohësisht. Ajo fillimisht kërkon dije të përgjithshme dhe profesionale, e cila fitohet jo për pak kohë dhe jo pa një përkushtim të madh. Veç kësaj vjen edhe mundi fizik, duke qëndruar me kohëzgjatje i kërrusur mbi libra, madje duke marr shënime me përpikëri; t’ia përkushtosh gjithë kohën e lirë vetëm për të fituar sa më shumë njohuri, e pastaj, gjithsesi dhemb shpirti për faktet e gjetura, lodhen sytë deri në dobësim të hetuar. E mbi të gjitha është ajo që, me vite bëhet sëmundje e pa shërueshme, pavarësisht vështirësitë e natyrave të ndryshme, nuk hiqet dorë lehtë nga krijimi.

Është një gjë interesante në këtë mes: atë mundin e jashtëzakonshëm që autori e bën për ta krijuar një vepër, atë edhe ia shpërblen më vonë, jo në vlerë monedhe, jo në vlerë rehatie, pos të asaj në ruajtjen e emrit të tij gjatë viteve, mbase edhe shekujve.

Sa krijues jetën fizike e kishin bërë me shqetësime, peripeci e përjetime të rënda edhe ekzistenciale, pos vetëm që ndër kohëra ia bën të përmendet emri i tij, të zgjohet interesimi për jetën e tij dhe çdo fill biografik që, rrjedhimisht, është një nderim që i bëhet autorit. Arsye të tilla janë në gjithë botën dhe madje për shumicën e krijuesve letrarë e shkencorë.

Edhe letërsia shqiptare dëshmon këtë fakt, duke nisur që nga krijuesit e letërsisë së vjetër e deri edhe të ata që ishin pak kohë mes nesh, por që pas lan vlerën e tyre krijuese, e cila është më realja për çdo krijues.

Njëri ndër ata që kishte jetuar në një kohë të turbullt dhe kishte krijuar po ashtu në një kohë edhe më të rëndë, me krijimet e tij bëri edhe që pas një shekulli t’i zihet në gojë emri për të mirë dhe të shqyrtohet vepra e tij. Pra, emrin e respektuar ia ruajti si dhuratë përjetësisht vepra e tij.

Fjala është për rilindësin Llazar Siljani, një shqiptar i kulluar dhe krijues i përkushtuar, i cili frymoi vetëm shqip kudo që e shpuri fati i rëndë.

LLAZAR SILJANI:

Sipas hulumtimeve tona, të cilat do t’i shpërfaqim më poshtë në këtë libër, shqiptarët e sotëm nuk janë asgjë tjetër, përveçse çfarë mbetet nga fiset ariane që hasen përgjatë historisë me emërtimet: pellazgë, epirotë, frigas, thrakë, maqedonas, ilirë, miozianë, ligurë, liqet, klikët, esperët, mundarët dhe plot të terë syresh, të cilët nuk patën mundur asnjëherë të sendërtonin një qenësi kombëtare, dhe duke u përzier me popujt e tjerë ardhacakë të mëvonshëm, si: frikasit,  egjiptianë e të tjerë, do të formonin grekët e latinët, ndërsa fiset e tjera të papërziera, do të vijonin të ekzistonin me emërtime të ndryshme, gjersa në vitin 1444 pas Krishtit, heroi i shquar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, do të arrinte t’i bashkonte në një qenësi kombëtare, nën emrin shqiptarë (njerëz të shqiponjës), dhe bashkërisht ata do të do të luftonin kundër ushtrive të Sulltanit Muratit V, dhe birit të tij, Mehmetit, duke ngadhënjyer përgjatë njëzetekatër vjetëve.”

Kështu autori Pas hulumtimeve dhe konsultimeve të një literature të bollshme të arrirë për kohën, ky autor kishte formuar bindjen e thellë se edhe dy popujve klasikë (grekëve dhe latinëve) pellazgjishtja u kishte dhënë rrënjën gjuhësore të fjalëve, por gjithsesi edhe hyjnitë, emrat e të cilëve mund të marrin ndriçimin kuptimor vetëm përmes shqipes, duke e zbërthyer kështu misterin e mitologjisë[1].


[1] Llazar Siljani: Kush janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre? (Nga bullgarishtja e përktheu Elvi Sidheri), Prishtinë 2020, f. 5 – 6.

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet e shkrimtar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.