Ajete Zogaj
Anton Nikë Berisha, Dy kryevepra lirike të Fishtës (Rreth veprave “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” dhe “Zana e Vizitorit”), botoi Sh. B. “Beqir Musliu” Gjilan 2023
“Unë jam një artist në jetë, puna ime e artit është jeta ime” – Suzuki[1].
Ndriçimi i vlerave të veprave kulmore të letërsisë sonë shqipe (siç veproi dhe me disa kryevepra të letërsisë botërore[2]) nga profesor Anton Nikë Berisha, është një kontribut i çmuar për studimet tona letrare. Kjo dëshmon punën e studiuesit të përkushtuar, i cili të thuash çdo ditë të jetës ia ‘falë’ artit – letërsisë, siç e thotë edhe ai vetë në njërin ndër librat me biseda se “Letërsia vetvetiu u bë jeta ime”[3].
Dëshmi e një studimi sa serioz po aq të rëndësishëm, është edhe botimi i librit “Dy kryevepra lirike të Fishtës”, ku merren në vështrim veprat “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” dhe “Zana e Vizitorit”. Studimi dëshmon një qasje të veçantë për dy vepra lirik të rëndësishme të Fishtës, të cilat profesor Berisha i vlerëson si kryevepra.
Në dy pjesët e studimit “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” dhe “ Zana e Vizitorit” janë ndriçuar disa nga vlerat kulmore të tekstit e të këtyre dy krijimeve të Fishtës tonë të madh.
Jerina ase Mbretnesha e Luleve – “Rreze e truve të Fishtës”
Rreth veprës lirike “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” të Fishtës, për të cilën për herën e parë bëhet një interpretim i mirëfilltë i tekstit të saj, Anton Nikë Berisha thekson: “Është vështirë të gjendet edhe një shembull tjetër në letërsinë tonë, që pikëpamjet e veta teorike dhe estetike një shkrimtar t’i ketë zbatuar me aq saktësi dhe shkathtësi në një vepër letrare poetike, si në “Jerina ase Mbretnesha e Luleve”, e cila “është vepra poetike më përfytyruese, më imagjinatave, që ka dalë nga pena e tij”.[4]
Veprën “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” Berisha e vështron nga disa këndvështrime, përmes së cilave ndriçohet kjo lirikë e pasur dhe me vlera, që sipas profesor Berishës është “rreze e truve të Fishtës”.
Autori e krahason Jerinën e veprës së Fishtës me Vashën e veprës së Santorit “Këngëtorja arbereshe” dhe me Hajdhinë e veprës së Skiroit “Milli dhe Hadhia”; ai vlerëson me të drejtë se Jerina “është sa hyjnore po aq konkrete : “ Qi t’jét nieri e të dajë Lule”[5].
Teksti i kësaj vepre dëshmon se bukuria e Jerinës është e pazakonshme, siç është e pasur dhe e veçantë gjuha poetike dhe të shprehurit e pasur poetik, mënyra dhe shumësia e mesazheve që dalin prej tij (tekstit):
Si’ i cirkë voëse m’gjeth t’nji Lilit,
Kúr prej nandjet kah pranvera
T’a pershkojë nji rreze diellit:
Herë danë mal me borë ngarkue,
Herë nji fushë krejt n’Lule shtrue:
Tash ixhí ruajtun n’kutí:
Tash si zogla neper pyll:
Sidomos, por si nji diell,
Të tanë rreze e të tanë dritë,
Qi mbí shekull rrin e shndritë,
Amel amel tue shkelqá,
Kurrkund sŷt aj pa t’i vrá.”[6]
Në të katër pjesët e veprës: Prologu (Trazimet), Pjesa e parë (Zgjedhja), Pjesa e dytë (Të kunoruemt) dhe Fundi (Apotheosis), imagjinata fishtjane, ‘i bën lulet të flasin e kuvendojnë mes tyre’, po dhe me zanat dhe orët, të cilat i njohim nga mitologjia shqiptare.
Profesor Berisha thekson se hijeshia dhe bukuria në këtë melodramë nënkuptojnë dashurinë dhe lumturinë, që është baza e të shprehurit poetik të Fishtës, një gërshetim ndërmjet artit të fjalës, njëjtësim i bukurisë së gruas dhe i bukurës si veçori estetike në art. Pra, “E bukura tjetër, si strukturë gjuhësore poetike, është krijesë e mendjes dhe shpirtit të Fishtës e shprehur përmes vargjesh, metrash, ritmesh e ngjyrimesh të ndryshme, përmes tablosh të rralla poetike të përftuara me përkushtimin e një krijuesi të madh”[7], që ndërlidhet me mendimin e Fishtës: “[…] prej kângësh e vallesh s’ona popullore vêhet oroe se Shqyptari, mâ fort se dashunín, këndon hijeshín e grues, shka edhè perkon mâ se miri me temperament të nji populli kreshnik, kshtu per subjekt të këtij poemthi u muer bindja ndaj hieshín e grues”.[8]
Përkimet me letërsinë tonë gojore
Përkimet e tekstit poetik të “Jerinës…” me letërsinë tonë popullore, përkatësisht me poezinë tonë gojore, të cilën Fishta e çmonte tej mase “shka s’besoj se e ká ndonji kómb tjetër i Europës”[9], është një pjesë mjaft me interes, të cilën studiuesi Berisha e vështron me përkushtim duke pasur parasysh krijimet nga tradita: vajet, gjëmët, baladat, përrallat, urimet e mallkimet etj., po duke dëshmuar përherë origjinalitetin e vet, me ç’rast krijon ‘thesare të njëmendët’.
E bukura që në esencë shpreh botën e shqiptarit, siç ngjet në pjesën dërmuese të krijimtarisë letrare e atdhetare të Fishtës, është analizuar me shumë kujdes nga autori duke sjellë pjesë më të realizuara nga libri, edhe nga vetë origjina shqiptare e Jerinës: “Vashë bujare – edhè Shqyptare”, “ Lé në Shqypni” dhe “Prej nji Lulje bîjtë n’Shqyni”[10], duke e shprehur përmasën hyjnore të saj të lidhur me vendin e shqipeve – Shqipërinë.
Në përmbyllje të interpretimit të veprës “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” Anton Nikë Berisha jep këtë vlerësim: ”Me pak fjalë, me cilësitë dhe vlerat që përmban, “Jerina ase Mbretnesha e Luleve”, hyn në rrethin e ngushtë të veprave poetike më të rëndësishme të letërsisë sonë, ndërsa në rrafshin metrik, bashkë me “Këngëtoren arbëreshe” të Françesk Anton Santorit dhe “Mino-n” e Zef Skiroit, hyn në radhën e kryeveprave të traditës sonë letrare”[11].
“Zana e Vizitorit” – lirikë përfytyruese e pazakonshme
Kur është analizuar dhe interpretuar vepra e Fishtës “Lahuta e Malcís”, zakonisht janë ndriçuar kryesisht vlerat epike të tekstit. Lirizmi, ose nuk është përmendur, ose është përmendur shkarazi. Përmes studimit të këngës “Zana e Vizitorit” në mënyrë të argumentuar Berisha e përmbysë mendimin se gjithë “Lahuta e Malcís” është vepër epike e bazuar mbi ngjarje e ndodhi konkrete të sfondit historik.
Sipas tij “Zana e Vizitorit” (me 1134 vargje) është dëshmi e lirizmit dhe e realitetit përfytyrues poetik të jashtëzakonshëm dhe si e tillë edhe vepra “Lahuta e Malcís” duhet të interpretohet nga ky aspekt nga se pa ndriçimin e këtij fakti “[…] çdo studim për të do të jetë i pjesshëm dhe i mangët”[12].
Duke analizuar tekstin e këngës ”Zana e Vizitorit”, autori në mënyrë të veçantë vlerëson mjeshtërinë e Fishtës që t’i shprehë përmes gjuhës poetike veprimet e zanave dhe të orëve, veçmas të Zanës së Vizitorit, të Zanës së Madhe (Të Bukurës së Dheut) dhe të simotrave të saj.
Në studimin e vet profesor Berisha hedhë dritë mbi disa elemente të cilat nuk janë thënë deri më tani për këto dy krijime, sidomos të sistemit të pasur shprehës poetik, kur përdoret një simbolikë dhe metaforikë e pasur, që meritojnë shqyrtim në vete.
Shembujt që i sjell autori si konkretizim i tablove dhe i teksteve nga dalin mesazhet poetike të këngës “Zana e Vizitorit” janë ndër pjesët më të bukura, që dëshmojnë sa për një lexim të kujdesshëm, aq dhe për një vepër kulmore lirike.
Të përmend këtu pamjet poetike për shumëçka të pasur të çastit të betimit të zanave dhe të orëve se do të marrin hakun e Tringës së vrarë nga Vasil Ndreka. Për këtë veprim Zana e Vizitorit, me maturi, i frymëzon dhe i nxit trimat më të mirë të Malësisë dhe nga i gjithë vendi që të bashkuar të mbrojnë vendin, nderin e dinjitetin e shqiptarit:
Veç ndigjoni, oj Orë e Zana,
Se me zanë due bét e mdhana:
Pasha rrezet qi lshon hana!
Pasha voesen mbí ledina!
Pasha brej, aha e çetina!
E per mriza e qepariza!
E per gurra neper curra!
E per lila e per bylbyla!
Pasha t’rijt e pasha veren!
Mos e pritsha kurr prendveren!
E as mâ Zanë mos m’thaçin mue,
Se un dér neser, pa marrë dielli,
S’e là Tringen pa e pague![13]
Thënë me pak fjalë, kjo vepër e Anton Nikë Berishës është për shumëçka e rëndësishme dhe si e tillë do të jetë nxitje për studiuesit e veprës së Fishtës që t’u qasen teksteve të veprave të tij në mënyrë sa më të mirëfilltë, për arsye se vetëm me analizimin dhe interpretimin e tekstit dëshmohen vlerat e njëmendta të një vepre.
Prishtinë, janar 2023
[1] Robin Sharma, Murgu që shiti ferrarin. Botoi “Albas” Tiranë 2020, f. 41.
[2] Shih Anton Nikë Berisha, Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore. Faik Konica, Prishtinë 2022.
[3]Letërsia vetvetiu u bë jeta ime. 32 biseda me Anton Nikë Berishën në vitet 1981 – 2019. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Prof. ass. LABINOT BERISHA, Botoi Sh. B. “Beqir Musliu” Gjilan 2020.
[4] Anton Nikë Berisha, Dy kryevepra lirike të Fishtës, Sh. B. ”Beqir Musliu”, Gjilan 2023.
[5] Anton Nikë Berisha, Dy kryevepra lirike të Fishtës, vep. e përm., f. 16.
[6] Po aty, f. 17.
[7] Po aty, f. 22.
[8] Po aty,f. 19.
[9] Po aty, f. 19.
[10] Po aty, f. 41.
[11] Po aty, f. 44.
[12] Po aty, f. 48.
[13] Po aty, f. 72-73.