Legalizoni pronat, pastaj kërkojuni tatim mërgimtarëve!

0
Florim Zeqa

Letër e hapur kryeparlamentarit Glauk Konjufca

Duke shpresuar në orientimin tuaj të pastër kombëtar, traditën e shëndoshë familjare, integritetin tuaj personal dhe professional, veprimtarinë dhe kontributin tuaj atdhetar, unë si mërgimtar po ju drejtohem me këtë letër të hapur publike, për inicimin e një ligji të veçantë mbi pasuritë e patundshme të mërgimtarëve.

Të lirohen me ligj oligimet tatimore për shtëpitë e pabanuara të mërgimtarëve

I nderuari kryeparlamentar Konjufca, mërgimtarët janë arteria më e pastër dhe më e shëndoshë e qenjes sonë komëtare, janë shpirti dhe fuqia më e madhe ekonomike e dhe patriotike këtij vendi.

Të hyrat vjetore të mërgatës në Kosovë apo ‘remitencat’ siq quhen në zhargonin politik janë më të larta sesa gjysma apo afërsisht sa buxheti i shtetit të Kosovës.

Secili bashkatdhetar që vjen nga mërgata për pushime i shpenzon me mijëra euro në Kosovë, kurse çdo familje kosovare me rastin e ardhjes në vendlindje gjatë pushimeve verore i shpenzon me dhjetra mijëra euro apo edhe më shumë.

Andaj është pak më tepër se paradoksale të ngarkohen mërgimtarët edhe me tatim mbi pronë për shtëpitë e pabanuara, të cilat i shfrytëzojnë vetëm një muaj brenda vitit e nganjëherë edhe më pak se kaq.

Nëse vazhdohet me këtë trend të gjobitjes të mërgimtarëve me tatimet mbi pronë për shtëpitë e pabanuara, me koston mujore të energjisë së pashfrytëzuar dhe pagesat për lidhje të internetit të pashfrytëzuar do t’i kthehet bumerang buxhetit të shtetit, ngase mërgimtarët do t’i rrallojnë vizitat në vendlindje, gjë e cila do të ndikojë dukshëm në uljen e ‘remitencave’ dhe do të bien investimet e mërgimtarëve në shtetin e tyre!

Jam i sigurtë për këtë dhe flas me përgjegjësi morale se secili mërgimtar, në momentin e riatdhesimit në vendlindje, me vetëdëshirë do t’ju nënshtrohet të gjitha obligimeve ligjore ndaj shtetit.

Të bëhet vlerësim real e jo paushall i pronave të mërgimtarëve

Meqënëse shumica e mërgimtarëve në sistemin anagrafik dhe kadastal ende rezultojnë në bashkësi familjare të 30 apo 50 viteve më parë dhe asnjë pronë (parcelë toke apo shtëpi) nuk ekziston në emrin e tyre personal, madje as shtëpitë e ndërtuara para dhe pas lufte.

Të detyrohen shërbimet kadastale për ndarjen dhe bartjen e pronave të familjeve të reja të cilat deri dje kanë jetuar në një bashkësi familjare. Angazhimi i punëtorëve shtesë për matjen dhe regjistrimin e pronave nëpër çdo njësi komunale dhe thjeshtësimi i procedurave burokratike do të ndikonte pozitivisht në rritjen e buxheteve komunale dhe forcimin e shtetit në përgjitësi.

E konsiderojë se ngarkimi me tatim mbi pronë përvqese i paligjshëm dhe i padrejt në aspektin juridik, është i papranueshëm në aspektin moral përderisa mërgimtarët nuk jetojnë në ato shtëpi dhe nuk i shfrytëzojnë pronat e tyre.

Andaj i nderuari kryeparlamentar i Kuvendit të Repulikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, në emrin tim personal dhe të qindramijëra e miliona bashkatdhetarëve, ju lutem që këtë çështje ta ngirsni për shqyrtim në Kuvend dhe të kërkoni nga ATK-ja dhe Qendra e Tatimit në Pronë (QTP) që të merrë në konsideratë kërkesën për regjistrimin në mënyrë të rregullt dhe të plotë të pasurive të palujtshme të mërgimtarëve përmes Zyrave Kadastale, gjegjësisht përmes ekspertëve profesional për caktimin e cilësisë së tokës dhe matjeve ekzakte të shtëpive duke i kategorizuar sipas kritereve dhe standardeve të ndërtimit e jo sipas përkatësisë partiake apo njerëzëve që i pyesin në rrugë, “E kujt është kjo shtëpi” dhe mbaroj puna!

Imazhet Satelitore e vërtetojnë gjëndjen fizike të shtëpive por e nuk e vërtetojnë kualitetin dhe pronësinë e tyre. Për shkak se pronarë faktik të shtëpive të mërgimtarëve nuk janë baballarët, por trashëgimtarët e tyre, të cilët mund të jenë djemtë apo vajzat, e në disa raste nipat dhe mbesat e tyre!

Ekziston gatishmëria e mërgimtarëve për të kontribuar në shtetin e tyre

I nderuari Kryetar i Kuvendit z. Konjufca, ne mërgimtarët jemi të gatshëm për kryerjen e të gjitha oligimeve në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë hezitim ndaj shtetit tonë, por jo në mënyrë klandestine dhe në formë të haraçit siq ka ndodhur në Kosovën e pasluftës dhe po ndodhë edhe në ditët e sotme.

Janë edhe shumë aspekte abuzive që bëhën nëpër qendrat komunale dhe zonat rurale rreth tatimit në pronë, rrëfimi për të cilat do të ishte rrënqethës për qytetarët e Kosovës, duke filluar nga hudhja e faturave mbi pullazet e shtëpive e deri tek manipulimet që bëhen në qendrat kadastale komunale…

Sikurse ky shqetësim i imi që nuk është i këndvështrimit partiak, as adresimi i kësaj çështje ndaj ndaj jush nuk është ndaj një zyrtari partiak, por ndaj njërit prej zyrtarëve më të lartë shtetërorë, në këtë rast ndaj kryetarit të organit më të lartë ligjvënës në vend, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Edhe përkundër dyfishimit të faturave të ‘tatimit mbi pronë’, gatishmëria e mërgimtarëve për të kontrubuar në vendin e tyre është shumëfish më e madhe sesa pagesa e tatimit në pronë, por, kur kjo bëhet në mënyrë selektive dhe diskriminuese, atëherë rrezikon të kthehet në bumerang të keq ndaj buxhetit të shtetit dhe shtetit në përgjithësi.

Që kjo të mos ndodh, ju lutem të ndërmerrni të gjitha masat ligjore për suspendimin e tatimit në pronë për të gjitha shtëpitë e pabanuara të mërgimtarëve, derisa të kanalizohen të gjitha aspektet juridike të regjistrimit dhe bartjes së pronësisë, pa anashkaluar borgjin moral që ka shteti ndaj mërgimtarëve.

Sinqerisht dhe me respekt: Florim Zeqa

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.