Xhelal Zejneli
Kur shkruaj, më duket sikur më flet dikush tjetër. Unë e shënoj atë që dëgjoj – Fosse
– nga asgjëja në hiçgjë –
Laureat i çmimit “Nobel” për letërsi për vitin 2023, dramaturgu, poeti, eseisti dhe romancieri norvegjez Jon Fosse, në krijimtarinë letrare të vet nuk trajtoi “tema të mëdha”. Çmimi prestigjioz iu dha për “dramat inovative dhe prozën, që i japin zë të pathënës”. Rrënjosjen në gjuhën dhe në natyrën e prapatokës norvegjeze të vet, Fosse e ndërlidh me teknikat artistike në gjurmën e modernizmit.
Lidhur me çmimin e sipërthënë, Fosse thotë: “Këtë e shoh si një shpërblim për letërsinë e cila pikësëpari dëshiron të jetë letërsi, pa atribute të tjera”.
* * *
Ylli letrar botëror Fosse, shpesh është përmendur si kandidat i çmimit “Nobel”. Ka lindur në Haugesund të Norvegjisë në vitin 1959. Opusi i madh i tij është shkruar në nynorsk, që është një prej pesë gjuhëve të dikurshme të Skandinavisë perëndimore. Ka shkruar një numër të madh dramash, romane, përmbledhje poezish, ese, libra për fëmijë. Ka bërë edhe përkthime. Pas dramaturgut norvegjez Henrik Ipsen (Henrik Ibsen, 1828-1906), Fosse është dramaturgu norvegjez më i përkthyer dhe më i shfaqur në botë. U bë i njohur edhe me prozën e tij.
Studioi letërsinë krahasuese, sociologjinë dhe filozofinë në Universitetin e Bergenit. Në Universitetin e Hordalandit ligjëroi shkrimin kreativ. Kohë pas kohe punoi si gazetar dhe si kryeredaktor. I takon brezit të shkrimtarëve të cilët në vitet ’80 të shekullit XX sollën në Norvegji postmodernizmin dhe iu kundërvunë haptas traditës sociale-realiste që mbizotëronte në vitet shtatëdhjetë të qindvjeçarit XX. Por, kur është fjala për Fossenë, orientimi i ri nuk është manifestuar në teknikën e të shkruarit me referenca intertekstuale.
* * *
Kah mesi i viteve ’80 të shekullit XX, Jon Fosse shkonte në meshë në kishën katolike në Bjørgin. Pas shumë viteve kaloi në katolicizëm. “Nuk do të mund ta bëja këtë po të mos ishte Meister Eckhart-i dhe mënyra e tij e të qenit edhe katolik edhe mistik”.
Fosse flet për ndikimin e teologut, filozofit dhe mistikut katolik gjerman Majster Ekart (Meister Eckhart, rreth 1260 – rreth 1328) dhe për dimensionin mistik të fesë në kalimin e tij në katolicizëm.
Fosse i thotë New Yorker–it se Kishën katolike e sheh si faktor të vetëm dhe të vërtetë përballë forcave ekonomike të fuqishme që e qeverisin botën sot. “Sa e shoh unë, Kisha është institucioni më i rëndësishëm i teologjisë antikapitaliste. Faktorë të tjerë janë edhe letërsia dhe arti por ato nuk janë aq të fortë sa Kisha”.
* * *
Prej viti 2011 jeton në rezidencën Grotten, në kuadër të Pallatit Mbretëror në qendër të Oslos. Këtë nder të jashtëzakonshëm ia bëri mbreti i Norvegjisë, për kontributin e veçantë që ia ka dhënë Fosse kulturës dhe arit norvegjez. Gjysmë viti jeton në Oslo, ndërsa në kërkim të qetësisë, po aq jeton në një fshat austriak. Në Norvegji, Fosse është institucion kombëtar, klasik bashkëkohor. Shkrimtari norvegjez Karl Ove Knausgaard (Karl Ove Knausgård, 1968- ) e ka quajtur Fossenë “poet i së panjohurës” dhe “shkrimtar evropian më i rëndësishëm”.
Fosse shkruan në gjuhën nynorsk. Kjo është gjuhë e pakicës në Norvegji të cilën norvegjezët e ndërgjegjësuar në pikëpamje kombëtare e ndjejnë qenësisht, ngase gjuha bokmal që edhe sot shpesh përdoret në Norvegji, ua përkujton norvegjezëve kohën e pushtimit danez dhe është tejet e afërt me gjuhën daneze.
E njohur si “norvegjishte e re” të cilën e përdorin jo më shumë se 10 për qind e popullsisë norvegjeze, versioni i kësaj gjuhe i përdorur nga Fosse, është zhvilluar në shekullin XIX dhe është bazuar në dialektet rurale. Kësisoj është bërë alternativë e përdorimit dominues të gjuhës daneze, që ka pasuar pas unionit gati 400-vjeçar me atë vend.
Fosse i cili shkruan në versionin më pak të afirmuar nga dy versionet zyrtare të gjuhës norvegjeze, thotë: “Për mua, shpërblimi paraqet mirënjohje për gjuhën në të cilën shkruaj dhe për lëvizjen që synon promovimin e saj. Për këtë shpërblim, i falënderohem gjuhës”.
* * *
Fosse është pjesëtar i dramës së re evropiane që e karakterizon paraqitja reale e botës, brutaliteti, të qenët i drejtpërdrejtë, të qenët provokues, fabula lineare apo vargu i tregimeve fragmentare. Koha rrallë është e përcaktuar, ndërsa vendi ku zhvillohet ngjarja kryesisht është banesa, një pjesë e shtëpisë, krevati bashkëshortor, spitali etj. Me gjuhën dhe me formën bëhen eksperimentime të shpeshta. Temat fare nuk janë “të mëdha”. Kryesisht bëhet fjalë për frustrime private të individëve në shoqëri, dëshpërimi, të qenët i pafuqishëm, të qenët pasiv.
Vepra e Fossesë mbështetet në një gjuhë të thjeshtë e cila mesazhin e vet e përcjell nëpërmjet ritmit, melodisë dhe qetësisë.
Veprimtaria e tij prek ndjenjat më të thella të njeriut, ankthet, pasigurinë, pyetjet mbi jetën dhe vdekjen. Debitoi në vitin 1983 me romanin “E kuqe, e zezë” (Raudt, svart). Pasojnë romanet, përmbledhjet me poezi, midis të cilave shquhet “Engjëlli me ujë në sy” (Engel med vatn i augene, 1986), esetë dhe librat për fëmijë. Në vitin 1994, në Teatrin Kombëtar në Bergen u shfaq pjesa teatrale e parë e tij “Dhe kurrë s’kemi për t’u ndarë” (Og aldri skal vi skiljast). Pason drama “Emri” (Namnet, 1995), për të cilën u nderua me çmimin “Ibsen”. Vijnë dramat “Ditë vere” (Ein sommars dag, 1999) dhe “Ëndërr vjeshte” (Draum om hausten, 1999).
* * *
Prej vitit 1993 Fosse u fokusua kryesisht në krijimin e dramave. E zhvilloi gjuhën teatrore të vet, sa intensiv aq edhe poetik. Ai konsiderohet si një prej dramaturgëve evropianë më provokues, më të lëvduar dhe më të shfaqur. Botuesi i tij thotë se ai është përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, ndërsa dramat e tij janë shfaqur mbi 1.000 herë anekënd botës. Disa drama i janë shfaqur në skenat e teatrove më të njohur të Evropës dhe të botës, përfshi edhe skenat teatrore të Japonisë, të Australisë dhe të Kilit.
Në vitin 2000, iu dha çmimi teatror kryesor nordik, ndera për romanin “Melankolia” (Melancholia, 1995/1996) – çmimi “Melsom”. Për punën letrare të ardhshme, shteti i Norvegjisë i akordoi bursë të përjetshme.
Ka shkruar mbi dyzet drama. Shumë drama i janë përkthyer në pesëdhjetë gjuhë. Konsiderohet si një prej dramaturgëve bashkëkohorë më të mëdhenj dhe më të shfaqur në botë. Romanet e tij janë përkthyer në mbi njëzet gjuhë të botës. Sidomos janë lexuar dhe lexohen romanet “Mëngjesi dhe mbrëmja”, “Melankolia 1”, “Melankolia 2” dhe “Septologjia”.
“Magnum opus” i tij në lëmin e prozës është cikli i romaneve “Septologjia” që e përfundoi në vitin 2021, e që konsiderohet vepra letrare më e rëndësishme e tij.
* * *
Në romanin “Mëngjesi dhe mbrëmja” gruaja e peshkatarit Olai – Marta është në çastet e lindjes së fëmijës. Për peshkatarin, kjo është një ngjarje e madhe. Ata kanë një vajzë – Magdën. Lindja është e vështirë. Pranë Martës ndodhet mamia e moshuar Ana. “Po qe se lind djalë, do t’ia vë emrin e tim ati, Johanes. Kur të rritet, edhe ky do të bëhet peshkatar si unë” – thotë Olai dhe bërtet me zë: “Foshnja do të vijë në këtë botë të ftohtë, aty do të jetë vetë, i ndarë nga Marta, i ndarë nga të gjithë, gjithmonë do të jetë vetë. Kur të kalojë e gjitha, kur të vijë koha, do të rrënohet dhe do të shkojë atje nga ka ardhur, nga asgjëja do të shkojë në hiçgjë. E tillë është rrjedha e jetës…”
“Mëngjesi dhe mbrëmja” është roman që, duke hyrë në thelbin e lindjes dhe të vdekjes, i lidh dy pikat e jetës së njeriut. Në mes ndodhet jeta që duket se gjithmonë është e njëjtë, por gjithmonë edhe ndryshe. Roman madhështor për ëndrrën kur jeta kishte kuptim.
Të shkruarit e ka çuar Fossenë në alkoolizëm por edhe e ka nxjerrë prej tij, për ta afruar me Zotin. “Kur shkruaj, më duket sikur më flet dikush tjetër. Unë e shënoj atë që dëgjoj”.
Vitet e fundit Fosse shkruan vetëm pjesë teatrore të cilat sot janë pjesë përbërëse e repertorëve të metropoleve teatrore të Evropës.
* * *
Herë-herë e kanë krahasuar me romancierin dhe dramaturgun irlandez, kryesisht të shprehjes franceze Semjuel Bekit (Samuel Becket, 1906-1989). Në mesin e njëqind gjenive më të mëdhenj të gjallë, gazeta Daily Telegraph e ka renditur Fossenë në vendin e 83-të, ndërsa gazeta Le Monde i Parisit e ka quajtur “Becketti i shekullit XXI”.
“Jon Fosse është poet i së panjohurës. Mbase kështu më së lehti mund të sqarohet suksesi i madh i tij. Ai na jep neve diçka që na mungon” – Den internasjonale Ibsenprisen / The International Ibsen Award.
* * *
Pretendues seriozë të sivjetshëm për ta marrë çmimin “Nobel” për letërsi, midis tjerëve kanë qenë edhe shkrimtarja avangarde kineze Kan Sue (Can Xue, 1953- ); shkrimtari bashkëkohor japonez Haruki Murakami (1949- ); prozatorja, poetja dhe kritikja kanadeze Margaret Atvud (Margaret Atwood, 1939- ); prozatori anglez me prejardhje indiane, i cili rrjedh nga një familje myslimane e Indisë në të cilën flitet gjuha urde dhe angleze, Salman Rushdi (Salman Rushdie, 1947- ); shkrimtari australian Gerald Murnane (1939- ), të cilin The New York Times e ka quajtur dikur “shkrimtari më i madh i gjallë në gjuhën angleze për të cilën shumë njerëz kurrë s’kanë dëgjuar”. Si laureat i mundshëm është përmendur edhe shkrimtarja ruse, kritike e hapur e Kremlit – Ludmilla Ullicka (Lyudmila Evgenyevna Ulitskaya, 1943- ), e njohur për romanet epike të saj.
* * *
Veprat: Romanet më të njohura: “Melankolia I” (1995); “Melankolia II” (1996); “Mëngjesi dhe mbrëmja” (2000); “Ky është Alesi” (2004); “E kuqe, e zezë” (Raudt, svart); “Vigjilenca” (2007) etj. Romani “Septologjia” (2021) është vepra më e rëndësishme e tij. Përbëhet prej tre vëllimeve dhe është i ndarë në shtatë pjesë.
Dramat më të njohura: “Emri” (Namnet, 1995); “Fëmija” (1996); “Nëna dhe fëmija” (1997); “Biri” (1997); “Njeriu me kitarë” (1999); “Ëndërr vere” (Ein sommars dag, 1999); “Vizitorët” (2000); “Dimri” (2000); “Pasdite” (2000); “Vasha në sofë” (2002); “Vdekja e qenit” (2004); “Ëndrra” (2005); “Hijet” (2006); “Unë jam erë”; “Dhe kurrë s’kemi për t’u ndarë” (Og aldri skal vi skiljast); “Ëndërr vjeshte” (Draum om hausten, 1999).
Përmbledhjet me poezi, midis të cilave shquhet “Engjëlli me ujë në sy” (Engel med vatn i augene, 1986).