Shkruan: Florim Zeqa, 26.03.2025
Problemi i rritjes së kriminalitetit dhe dhunës fizike në vendin tonë, rrënjët i ka në disa faktorë socio-ekonomikë dhe institucionalë. Mungesa e barazisë sociale dhe pabarazia ligjore janë shkaktarët kryesor, por jo të vetëm.
Pabarazia ligjore e theu besimin e qytetarëve në shtet
Rënja e cilësisë në arsim dhe edukimi i pamjaftueshëm familjarë janë faktorët e parë, rrethi shoqëror dhe sistemi i drejtësisë janë faktori i dytë, kurse politik-bërja e gabuar dhe mungesa e përspektivës zhvillimore janë faktorët e tretë dhe kyq të bastardimit të shoqërisë sonë.
Humbja e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë ka ndikuar në rritjen e kriminalitetit dhe pasigurisë.
Pabarazia ligjore apo drejtësia selektive ka bërë që qytetarët ta humbin besimin në drejtësi dhe jo vetëm.
Janë edhe mbrojtësit e rendit dhe ligjit (Policia) që e kanë humbur besimin në sistemin e korruptuar të drejtësisë!
Nuk ka si të jetë ndryshe, kur policët me mund dhe sakrifica, duke e rrezikuar edhe jetën e tyre arrijnë ta arrestojnë një hajn ordiner apo një të dyshuar për krime, ndërsa të nesërmen të njëjtin e shohin të lirë në të njëjtin vend (lokal) duke pirë apo duke u argëtuar me shoqërinë e tij, atëherë demotivimi i policve për punë është i pashmangshëm!
Përderisa drejtësia nuk arrin t’i dënojë keq-bërësit dhe kriminelët, qytetarët nuk mund të ndjehen të lirë!
Drejtësia selektive (korruptive) ka krijuar hapësirë veprimi për kriminelët!
Kur qytetarët e kanë besimin e plotë tek policia, ata bashkëpunojnë më shumë dhe pa hezitim në denoncimin e rasteve, gjë e cila ndikon në parandalimin e akteve kriminale.
Kurse mos funksionimi i sistemit të drejtësisë i nxitë të rinjët dhe moshat e tjera të shoqërisë që të përfshihen në veprime kriminale.
Fillimi i një fushate të gjërë në nivel vendi për grumbullimin e armëve dhe kontrollet e rrepta nëpër lokale mund të ndihmojnë në uljen e rasteve të vrasjeve dhe dhunës në familje!
Kosova ‘arenë të kaubojve’
Kosova e sotme është shndërruar në ‘arenë të kaubojve’ sikurse në parlament ashtu edhe në sheshet dhe rrugët e qyteteve tona!
Politikanët vijnë dhe largohen nga pushteti me kauza të rrejshme pa e bërë asnjë punë të mirë për vendin! Ndërsa familjarët e tyre sillen si ‘kauboj’ rrugëve dhe lokaleve, ku përveç hajnisë sistematike shkaktojnë edhe dhunë fizike ndaj të tjerëve.
Bijët dhe bijat e politikanëve, sikurse në të kaluarën edhe sot janë shtresa më e rrezikshme e shoqërisë, pasi të njëjtët janë të paprekshëm nga organet e rendit dhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi!
Kur një qenje njerëzore e humbë besimin në institucione shtetërore dhe e ‘mund’ frikën nga Zoti atëherë nga ai nuk pritet gjë e mirë, përveq shkaktimit të dëmit ndaj të tjerëve!
Kur shqoëria njerëzore e humbë besimin në ligjet e shtetit dhe në Zot, atëherë e humbë paqen dhe dashurinë për njëri-tjetrin.
Armëmbajtjet pa leje, katër vrasje për tre ditë
Numri i madh i armëmbajtjeve pa leje dhe pa dijeninë e familjarëve ka bërë që shumë të rinj të implikohen në veprime kriminale!
Pasojat e armëmbajtjeve pa leje janë këto; për tre ditë katër vrasje! Kjo vjen si pasojë e tretjes së vlerave njerëzore: njerëzillëkut, moralit, dashurisë dhe dhembshurisë njerëzore, dinjitetit dhe respektit njerëzor!
Shoqëria e cila hesht para padrejtësisë, bëhet viktimë e saj!
“Kush vret një të pafajshëm, është sikur të ketë vrarë mbarë njerëzimin”!
Nuk e di, a na kanë zënë mëkatet apo inatet personale, egoizmi apo dëshira për t’i marrë tjetrit atë që ka në mënyrë të dhunshme!
Pasiguria qytetare është në nivelin alarmant!
Njeriu del nga shtëpia, por nuk është i sigurtë që kthehet i gjallë në shtëpi!
Qytetarët në heshtje e pyesin njëri-tjetrin, kush e ka radhën nesër!
Ku është shteti!?
Shteti vazhdon të jetë i heshtur dhe i përgjumosur karrshi krimit dhe kriminelëve!
Ndodhën katër vrasje brenda tre ditëve dhe asnjë reagim i drejtuesve shtetërorë, madje asnjë ndjenjë solidariteti për viktimat!
Kjo përveçse papërgjegjësi shtetërore, mund të kuptohet edhe ndryshe, si pajtim me situatën e krijuar të pasigurisë në vendin tonë, e cila po i bën më të sigurtë politikanët në kapjen e shtetit!
Vrasjet janë shpërqendrim total i shoqërisë nga keq-qeverisja e vendit!
Ndodhë kështu, për faktin se me këto vrasje të njëpasnjëshme atyre nuk po ju prishet rehatia në kolltuqet e pushtetit!
Ndërsa atyre që po ju prishet jeta dhe rehatia po largohen nga vendi!
Nëse vazhdon edhe më tutje kjo situatë alarmante e pasigurisë, atëherë ka rrezik që dhuna fizike dhe vrasjet të bëhen normë shoqërore dhe plagë e pashërueshme e shoqërisë sonë! Ky është dështim i përbashkët i politikës dhe shoqërisë në ndërtimin e një të ardhme të sigurtë në shtetin e lirë, në të cilin nuk po funksionon Ligji dhe as Kanuni!