7.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj “Kur po i shoh dajt (e këqij), po më gërditet edhe nana…”

“Kur po i shoh dajt (e këqij), po më gërditet edhe nana…”

0
Lekë Mrijaj

(Thënie popullore shqiptare)

Shkruan: Lekë Mrijaj

Populli shqiptar ka trashëguar ndër shekuj edhe një pasuri të madhe urtësie, të përmbledhur në fjalë të shkurtëra, por me domethënie të thellë. Thëniet popullore nuk janë thjesht shprehje spontane; ato janë përvoja të jetuara, janë reflektime të dhimbjes, zhgënjimit, shpresës dhe moralit të një kombi. Njëra ndër to është: “Kur po i shoh dajt (e këqij), po më gërditet edhe nana.”

Kjo thënie, e dëgjuar shpesh në odat tona shqiptare dhe e përcjellë brez pas brezi, nuk është ofendim për askënd. Ajo është metaforë e fuqishme. “Dajt” simbolizojnë ata që janë pranë pushtetit, që kanë përgjegjësi publike, që duhet të jenë model për të tjerët. “Nana” simbolizon atdheun, vendin, shtetin – atë që është më e shenjta për ne. Kur zhgënjimi ndaj atyre që drejtojnë bëhet i madh, ndjenja e lodhjes morale prek edhe raportin emocional me vetë shtetin.

Në realitetin e Republikës së Kosovës, kjo thënie merr një dimension të veçantë. Pas një historie të rëndë okupimi, pas luftës çlirimtare dhe pas shpalljes së Pavarësisë, pritjet e qytetarëve ishin të mëdha dhe të drejta. U prit një shtet me drejtësi funksionale, me arsim cilësor, me shëndetësi dinjitoze, me ekonomi të qëndrueshme dhe me unitet kombëtar rreth interesave madhore.

Por rruga e ndërtimit të shtetit nuk ka qenë e lehtë. Për vite me radhë, që nga paslufta e deri më sot, kemi parë përçarje të theksuara në jetën politike, por edhe tensione në segmente të caktuara shoqërore e fetare. Debati i shëndoshë demokratik shpeshherë është zëvendësuar me përplasje personale, me gjuhë të ashpër dhe me polarizim të skajshëm.

Partitë kryesore politike – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – kanë pasur dhe kanë përgjegjësi të madhe historike në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit. Secila prej tyre ka dhënë kontributin e vet, por njëkohësisht ka mbajtur edhe barrën e përgjegjësisë për gabimet, lëshimet dhe përçarjet që kanë ndodhur.

Kur interesi partiak vendoset mbi interesin shtetëror, qytetari fillon të humbasë besimin. Kur vendimet madhore vonohen për shkak të kalkulimeve politike, kur konsensusi për çështje strategjike mungon, atëherë rritet ndjenja e pasigurisë. Kur të rinjtë dhe kuadrot e specializuara largohen jashtë vendit për shkak të mungesës së perspektivës, kjo nuk është thjesht statistikë – është alarm për të ardhmen e shoqërisë sonë.

Po ashtu, në kohë kur shfaqen ide përçarëse, narrativa radikale apo mendësi regresive që rrezikojnë frymën demokratike dhe karakterin laik të shtetit, qytetarët presin që politika të jetë e bashkuar në mbrojtje të Kushtetutës, të demokracisë, të laicitetit dhe të orientimit euro-atlantik. Shteti modern ndërtohet mbi tolerancë, pluralizëm dhe respekt për ligjin, jo mbi përjashtim apo ndarje.

Republika jonë është ndërtuar mbi sakrificë. Ajo mban në themel gjakun e heronjve, vuajtjet e martirëve dhe mundin e brezave të tërë që besuan në liri dhe dinjitet. Prandaj askush nuk ka të drejtë ta përdorë shtetin për interesa të ngushta apo ta dobësojë atë me përçarje të panevojshme. Liria politike nuk garanton automatikisht pjekuri qytetare. Demokracia nuk është vetëm votë çdo katër vjet; ajo është kulturë e përditshme përgjegjësie. Institucionet mund të ekzistojnë në letër, por ato funksionojnë vetëm kur mbështeten mbi:

kulturë politike të shëndoshë;
respekt për mendimin ndryshe;
ndarje të qartë të pushteteve;
drejtësi të pavarur dhe të paanshme;
arsim cilësor dhe etikë publike;
përgjegjësi dhe ndershmëri në çdo nivel.

Nëse këto shtylla dobësohen, zhgënjimi rritet. Dhe pikërisht në këtë pikë thënia popullore fiton kuptim të plotë.

Megjithatë, duhet ta kuptojmë qartë se: “nana”, në kuptimin simbolik, është atdheu ynë. Atdheu nuk është një parti, as një qeveri e përkohshme, as një individ, por është shumë më i madh dhe më i qëndrueshëm se çdo pushtet i radhës. Gabimet e njerëzve nuk duhet të na bëjnë të humbim dashurinë për vendin tonë.

Në përmbyllje të këtij opinioni të thënies popullore “Kur po i shoh dajt (e këqij), po më gërditet edhe nana…” e themi se thënia në fjalë është një alarm moral, por edhe një thirrje për vetëdijesim, e cila thënie na fton të mos pajtohemi me mediokritetin, të mos heshtim përballë padrejtësive dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që na përfaqësojnë. Por njëkohësisht na fton të fillojmë nga vetja: të jemi qytetarë më të përgjegjshëm, më aktivë dhe më të ndershëm.

Shteti nuk ndërtohet vetëm nga politika, por ndërtohet nga kultura qytetare e secilit prej nesh. Pra, kur interesi kombëtar të vendoset mbi interesin partiak, kur të mbrohet laiciteti i shtetit në përputhje me Kushtetutën, kur të ruhen vlerat demokratike dhe kur qytetari të bëhet më i vetëdijshëm e më i përgjegjshëm, atëherë kjo thënie do ta humbasë kuptimin e saj.

Dhe në vend të zhgënjimit, do të mbizotërojë krenaria për një shtet që ecën përpara me unitet, maturi dhe dinjitet.

Klinë, më 24 shkurt 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.