KUR JE I PAFUQISHËM…!

0
Gani I. Mehmeti

Gani I. Mehmeti

Në vigjilje të lajmeve të orës 19:00, televizionet tona, nuk po qanin hallin e Kosovës dhe të referendumit serb në Kosovë, por sa po mundnin po jepnin marketingun me çmime “të lira” me zë të lartë për artikuj të ndryshëm ushqimorë të organizatave të tregtare si INTEREX e plot tjera!

Disi, edhe folësja e lajmeve doli me një buzëqeshje të lehtë në leximin shkurt të lajmeve në atë ditar. Po shihej, se nuk kishin brengën politike, por ishin marrë me atë ekonomike e tregtare, çka nuk ishte me rëndësi për atë mbrëmje se sa kushton një ushqim, por si të vendoset me Referendumin e Serbisë në territorion e Kosovës, kur, nisur nga Borell e deri tek QUINT-i, përfshirë edhe SHBA-të, ishin për mbajtjen e këtij referendumi, me çka nuk po tregohej se Kosova është e zonja të mbajë pavarësinë e saj si shtet, deri sa ndërhyjnë shtetet tjera më të mëdha!

Pas krejt kësaj, më erdhi në mendje Jahir Potoku, tani i ndjerë, kur po thoshte se, Lirinë duhet fituar vetë!

“Ni liri qi ta jep dikush, ata ta merr kur t’donë. Lirinë duhet me e fitue vetë, vetë duhet me e fitue, për mos me mujtë me ta marrë kurrrkush”! thoshtë Jahir Potoku.

Eh, kjo më erdhi në mendje tani, kur BE, QUINT-i, SHBA, kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të lejojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë edhe në Kosovë! Nuk do koment kjo, se mbajtja e këtij rferendumi në Kosovë është kundërkushtetuese, sepse e lëndon dhe e vret shtetësinë e Kosovës, tregon se Kosova nuk është sovrane, dhe, me të “drejtën” e mbajtjes të këtij referendumi mbetet të kuptohet se Kosova nuk është shtet, krejt ndoshta pse u çlirua me ndihmën e NATO-s dhe shteteve të tjera!

Eh, sikur të ishte çliruar vetë, me forcat e veta, pa ndihmën e askujt! – mendova.

Krejt kjo ka ardhuir si pasojë e lëshimeve të njëpasnjëshme deri sot për gjithçka që është kërkuar nga Serbia. Por, deri sot, asnjë këto lëshime nuk kanë qenë bërë të mëdha, për të mos i hidhëruar serbët, jo të Kosovës, por ata të Serbisë, sepse serbët e Kosovës, nuk do duhej të kishin kurrfarë ndërhyrjeje në Serbi. Ata le ta trajtojnë e le ta duan Serbinë si shtet të tyre amë.

“Luftën e fiton, ai që i fiton miqtë!” – thoshte Jahir Potoku. Pra, po shihet, se tani pas çlirimit të vendit, duke mos punuar mirë e drejtë për shtetin, humbën edhe miqtë, prandaj, është rrezik të humbim gjithçka që qe fituar me shumë gjak e viktima e mund.

Kjo është kur je i pafuqishëm, kur nuk e ke krahun nxehtë prej vëllaut e prej shtetit amë, por është bërë bashkë me shtetin armik tonin.
Kjo është përçarja mes shqiptarëve, dëmi e dhimbja më e madhe!

Kjo është Evropa që na ka copëtuar deri dje, kjo është që edhe sot i jep krahun të fortit, atij që ka krahun prej vëllait të madh.
Kur je i pafuqishëm, nuk mundesh të sundosh as në shtëpinë tënde, pse të përzihen nga jashtë!

Mbarë Bashkësia Ndërkombëtare po harron se Vuçiq është pasuesi i Millosheviqit, i cili në përgjithësi është duke e realizuar planin e të parit të tij për formimin e Serbisë së Madhe, përfshirë disa pjesë nga Kosova dhe me Republikën Serbe të Bosnjës e Hercegovinës, e cila ka dalë haptas si kërkesë edhe nga Republika Serbe edhe nga Serbia.

E njëjta Bashkësi Ndërkombëtare, mendon ndryshe dhe pengon bashkimin e trojeve etnike shqiptare, të pushtuara me luftë dhe të mbajtura me dhunë nën sundimin e popujve e shteteve që na rrethojnë.

Krejt kjo, është drejtësia e të fortëve dhe jo drejtësia ndërkombëtare.

Me referendum dhe me shumë kërkesa të tjera për serbët e Kosovës, janë jashtë Kushtetutës së Ahtisarit për Kosovën, prandaj, nuk do duhej lejuar asgjë më shumë se që jep ajo, Kushtetuta e Kosovës nga Ahtisari.

Bashkimit Evropian, QUINT-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikls, është mirë t’u thuhet se ne nuk mundemi të pranojmë asgjë që është kundër Kushtetutës së Kosovës. E ata vetë, le të veprojnë si të duan me ne, me Kosovën, por assesi të lejohet referendumi i Serbisë në Kosovë. Ka serbë mjaft Serbia dhe nuk ka mbetur përcaktimi i këtij referendumi nga serbët e Kosovës, të cilët mbetën si mollë sherri në Kosovë.

I mjeri i ligu, po i forti asht! (Popullore).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.