KUJTIMET DHE REFLEKTIMET ME KADARENË SI PJESË TË JETËS

0
Sulejman Mato - Kujtime me Kadarenë

Mikel Gojani MIKEL GOJANI

Sulejman Mato: Kujtime të kohës me Kadarenë. Botoi SHB “Ura”, Prishtinë 2025

Duke shpalosur historinë e një libri kujtimesh me titull: Kujtime të kohës me Kadarenë, të shkrimtarit të vlerave të spikatura, Sulejman Mato, i cili brenda dy kopertinave të librit koncepton kujtime nga jeta dhe puna e përbashkët të këtyre dy kolosëve të de jë të letërsisë sonë. Me të lexuar këtë libër tejet interesant, si palimpsest të kujtohet ndjenja dhe shprehja e KUJTIMEVE SI PJESË E JETËS SONË…

Kujtimet janë një pjesë e jetës sonë…

Shpesh ne mendojmë për momentet e bukura ashtu edhe për ato të trishtuarat. E rëndësishme nuk është thjesht të jetosh vetëm me kujtime, por të krijosh kujtime të reja çdo ditë. Kujtimi është një proces i kujtesës ku mbartim imazhe nga e kaluara e largët. Ky është restaurimi mendor i ngjarjeve të jetës, ku me ndihmën e tij krijohet një lidhje e vazhdueshme ndërmjet kohëve. Kujtimet e bukura na tregojnë për një të kaluar të pasur, ndërsa ato të trishtuarat na tregojnë që kemi qenë mjaftueshëm të fortë për të vazhduar më tej. Kujtimet janë një kujtesë, kujtesa është gjurmë e një ngjarje ose përvoje të vetme apo e një kompleksi ngjarjesh dhe përvojash të së kaluarës, të ruajtura në vetëdije.

Mendoj se çdo kujtim është në simbiozën ose në bërthamën e gjithë qenies sonë. Kështu, gjithherë te kujtimet, na kujtohet e kaluara. “E kaluara është gjithherë më e rëndësishme se sa e tanishmja, sepse ajo harrohet”, do të shprehej shkrimtari i madh i letërsisë sonë, Sterjo Spasse. Prandaj për atë ato krijojnë imazhin e bukur të një thesari që duhet ruajtur.

I tërë kjo përqasje do ta kisha lidhur me këtë libër – roman që shpalos ngjarje tepër interesante jo vetëm nga jeta e përbashkët të këtyre dy shkrimtarëve, por duke zgjeruar edhe shume më tepër horizontin e protagonistëve dhe të jetës së shumë personaliteteve të shkrimtarisë së kohës që i takojnë dy shkrimtarët elitarë, por edhe të tjerë mjeshtër të letërsisë, artit, kulturës etj., nga Shqipëria, Kosova etj.

Libër që ruan në kujtime biseda, situata dhe fragmente të përditshmërisë, duke ia dhënë lexuesit Kadarenë me ngjyrat e gjalla të njerëzores

Libri i shkrimtarit të spikatur, Sulejman Mato, me ritull: Kujtime të kohës me Kadarenë, është një libër tepër i veçantë që sjell kujtime, interpretime, reminishencë, si dhe vlerësime për figurën dhe veprën e kolosit të shkrimtarisë sonë dhe të universit botëror. Si vegim drite e shkëndijon figurën e të gjallët, e të rilindurit të portretit të këtij gjiganti të letrave bashkë me veprat e tij, që do t’i tejjetojnë kohërat. Libri i shkrimtarit Mato është një libër i rrallë dhe tepër i veçantë kujtimesh e reflektimesh për profilin jetësor dhe letrar të I. Kadaresë, “ i shkruar me dashuri, kujdes dhe përkushtim, një dëshmi e kohës që bashkon për ojën personale me vetëdijes estetike”. Për të gjithë ne dhe brezat që do të vijnë, kjo vepër është një grishje për të qëndruar pranë dritës së mendimit të këtij mendjendrituri të kohës; përmes penës mjeshtërore të shkrimtarit dhe mikut tepër të afërt të Kadaresë, Sulejman Matos, me të cilin e lidhnin shumë gjera që do t’u qëndrojnë kohëve.

Librit i paraprin një p r o l o g përmes të cilit shpaloset historia e idesë së lindjes së këtij libri. Kjo ide rreth sublimimit të librit u shpërfaq në bar kafenë “Juvilinija” në Tiranë, ku ishte pika kryesore e qëndrimit të Kadaresë, i cili shpeshherë shoqërohej edhe nga Mato. Shkrimtari Mato sqaron që dritë mbi këtë projekt, përkatësisht udhërrëfyes i këtyre shënimeve ka qenë sentenca e nobelistit portugez Fernando Pasoa, i cili thekson: “Çdo mbresë është e patransmetueshëm”, po nuk e bëre letrare”, po ashtu edhe thënia e Walter Benjaminit, ku pohon: “Jeta jetohet për tu futur në libër”:

“Kujtimet janë gjithmonë subjektive. Ka kujtim – shkrues që, duke zbukuruar ngjarjet dhe duke anashkaluar detaje thelbësore, i bëjnë kujtimet e tyre të pabesueshme.

“Rrëfimi im do t’i qëndrojë besnik të vërtetës, ose gjithsesi, asaj që kujtesa ime i ruan si të vëtetë, që është e njëjta gjë, e nis tregimin e tij Ulrika shkrimtari dhe eseisti J. L. Borges.

“Arti ka një veçanti të madhe, nuk e duron gënjeshtrën, shkruan Çehovi, dhe shton: “Mund të gënjesh në dashuri, në politikë, në mjekësi, mund të gënjesh gjithë botën, madje edhe Zotin, por në art nuk mund të gënjesh dot!”

Kadarenë e kam njohur në Gjirokastër, që në fëmijërinë time. Më pas na lidhi fati dhe një miqësi e veçantë për më shumë se dy vjet në qytetin e Beratit, dhe më tej, për gati një dekadë, në Lidhjen e Shkrimtarëve. Gjatë gjithë këtyre viteve, miqësia jonë, herë në afërsi, herë në largësi ka qenë gjithmonë konstante. Të shkruash kujtime me Kadarenë ishte një privilegj, por edhe një mision i vështirë, për këdo që do të vendoste veten në rolin e vëzhguesit, dhe Kadarenë në rolin e personazhit.

Kjo, ndonëse për lexuesin mund të jetë tepër intriguese. Gjithsesi, në këto shënime kam parasysh thënien e shkrimtarit R. Gourmont: “Nuk ka libra më të mirë se ato, kur një shkrimtar është duke shfalur vetveten në rrëfimin e sjelljes së bashkëkombësve të tij”. Ka qenë një kohë e vështirë, e ngarkuar me emblemën e një plenumi famëkeq “Qershor 1973”. Asokohe unë me disa shkrimtarë të rinj, si: Xhevahir Spahiu, Vath Koreshi, Moikom Zeqo, Thanas Dino, u kritikuam për një frymë të ashtuquajtur liberale në krijimtari.

Goditja nisi në revistën “Nëntori”, ku unë shërbeja si redaktor…” (fq.7-8). Mato, në vijim sqaron që të jetuarit bashkë në Berat, pastaj edhe si kolegë në Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë etj., kanë bërë që me kujdesin dhe dashurinë më të madhe t’i shkruajë këto mbresa të pashlyeshme që shkrimtarit Mato i kanë mbetur në memorien e tij, kështu që këto kujtime duke iu bërë pjesë të jetës së tij. Po ashtu udhërrëfyes i këtyre shënimeve ka qenë edhe sentenca e nobelistit portugez Fernando Pessoa, i cili shprehet: ”Çdo mbresë është e patransmetueshme, po nuk e bëre letrare!” Në këtë kontekst shkrimtari Mato përmend edhe Walter Benjaminin, i cili pohon se “Jeta jetohet për t’u futur në një libër”.

Gjatë atyre viteve të punës në Lidhjen e Shkrimtarëve Mato pati fatin që përpos Kadaresë të shoqërohej edhe me emra të tjerë të njohur të letërsisë.

Pas qëndrimit në kohëzgjatje prej dy vjet e gjashte muaj, shkrimtari Mato kujton fatin që e ndihmoi të emërohej në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku sipas tij, në jetën e tij fillon një kapitull i ri i jetës së tij. Puna dhe angazhimi i përbashkët në Lidhjen e Shkrimtarëve, jo që u mundësojë jo vetëm për t’i vazhduar raportet dhe miqësinë që kishin, por edhe për t’i forcuar ato. Gjatë atyre viteve të punës në Lidhjen e Shkrimtarëve Mato pati fatin që përpos Kadaresë të shoqërohej edhe me emra të tjerë të njohur të letërsisë si Petro Marko, Sterjo Spasse, Kolë Jakova, Fatmir Gjata, Viktor Qurku, Faik Balanca, Gjergj Zheji, po ashtu u ribashkua edhe me dy ish- kolegë të kursit, Vath Koreshin dhe Musa Vyshkën, më të cilët kishte qenë i shoqëruar edhe më parë. Mirëpo miqësinë me shkrimtarin I. Kadare nuk e kishte shkëputur asnjëherë. Pothuajse jeta e përbashkët në Berat, por edhe në Tiranë e gjetiu në vendet e Shqipërisë, me plot ngjarje e kujtime tepër mbresëlënëse, qenë nxitje dhe frymëzim për këtë libër, të cilin sapo e kemi në duar. Kështu që, sipas shkrimtarit Mato, gjykimi i disa personave për Kadarenë si “njeri i mbyllur”, ka qenë dhe mbetet i gabuar.

Historia e tri letrave enigmatike për Kadarenë Ngjarje të bujshme dhe të paharruara në libër që i erdhën Kadaresë tri letra enigmatike në orar të Vitit të Ri 1966, me inicialin “L”. Letra i shkaktoi përjetim të hidhur dhe e mori si kërcënim dhe shumë natyrshëm dukeni kërcënuar. “L” ishte një inicial i panjohur për te. Nga e gjithë ajo letër autori Mato tregon se mban mend vetëm dy rreshta: “Në këtë qytet mesjetar, jemi vetëm ne të dy të vetmuar!” Edhe letra e dytë e cila u gjet pas derës së apartamentit të Ismaili ngërthente po ashtu një anonimitet, edhe përkundër disa dyshimeve e vërteta e shkruesit assesi nuk i dihej e vërteta.

Dikush i kishte vënë në vesh Ismailit se letra me inicialin “L” duhej të ishte një provokim i hapur ndaj një shkrimtari të njohur dhe se duhej të ishte i obliguar ta dorëzonte në Komitetin e Partisë. Në mbledhjen e organizuar në degën e lagjes të udhëhequr nga kryetari i lagjes Pirro Gusho pas shumë diskutimesh dhe kundërshtimesh e kundërthëniesh u shpalos historia e letrave. Edhe në këtë situatë të nder dhe tensionesh Kadare vërehej i relaksuar. Mbledhja humbi rregullin dhe kuptimin që kur nuk u fol asgjë për incidentin por vetëm për inatet e dy partizanëve të LNÇ-së. Policët e shoqëruan gjer në rajonin e policisë Dhorën e internuan në qytetin e vogël të Roskovecit.

Ismaili do ta quante atë ditë” Ngjarja më e shëmtuar e jetës sime.” Tepër impresionuese janë edhe homazhet dhe kujtimet që i shpalos Mato me shkrimtarët, të cilët sot nuk janë në jetë si Petro Markon, Sterjo Spassen, Fatmir Gjatën, Gjergj Zhejin, dhe Faik Balancën. Petro Markon e përshkruan me flokët e fjata krela – krela, buzagaz dhe hokatari, i varfëri, i lënduari dhe i paharruari. Ndejën me Spassen e përshkruan me emocione dhe përshtypje mbresëlënëse, duke ndjerë gjithmonë kënaqësi duke biseduar për letërsinë dhe jetën. “Më vjen keq që romanet e Sterjos nuk i njeh brezi i ri, nuk i ribotojnë shtëpitë botuese dhe nuk i përfshijnë në tekstet shkollore”. Shkrimtari Mato me kujtesë të thellë dhe dhimbje të madhe shpalos fatin tragjik të shkrimtarit Faik Balancës, i cili u vetëvra në lulen e rinisë dhe duke i gëzuar frutat e prodhimtarisë letrare.

Kapitulli tematik i këtij libri Dashuria dhe urrejtja”, shkrimtari Mato vë në dritë takimin e I. Kadaresë dhe familjes së tij, bashkëshortes Helena dhe dy vajzave të vogla të me diktatorin e kohës E. Hoxhën: Takimi midis Ismail Kadare dhe Enver Hoxhës është një nga ngjarjet më interesante dhe shpesh diskutuar në historiografinë shqiptare, për arsye të marrëdhënieve komplekse dhe tensioneve midis autorëve dhe regjimit komunist gjatë periudhës së diktaturës. Ky takim ka ndodhur në vitet ’60 dhe është i lidhur ngushtë me periudhën kur Kadare, i njohur për veprat e tij letrare, filloi të bëhej një figurë e njohur në Shqipëri, ndërsa regjimi i Enver Hoxhës kërkonte të kontrollonte çdo aspekt të jetës kulturore dhe intelektuale.

“Kadareja, bashkë me Helenën dhe dy vajzat e vogla, në orën pesë të pasdites, hyn në Bllokun e rrethuar me roje. Askush nuk e ndal, përkundrazi e presin me një ceremoni të heshtur. . Familja Kadare, e veshur si për festë, çel portat e një bote që ngjante nësarajet sulltanore. Te dera i priste Nexhmije Hoxha. Ishin ftuar me porosi të Enverit… Nga ai takim i shkurtër , përtej fjalëve që u thanë, kuptuan edhe ato që nuk u thanë. Enver Hoxha mendoi: “Këtij njeriu i duhet besuar.

Nuk njihet ndonjë deiktator tjetër që të ketë një krijimtari kaq të pasur politike dhe letrare sa Enver Hoxha. I gjendur nën trysninë e sëmundjes dhe moshës i duhej një shkrimtar.

Kadarenë e kishte përkrahu në fillimet e tij letrare. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse Enver Hoxha e ftoi Ismail Kadarenë një pasdite në vilën e tij, për t’i treguar një shenjë mirënjohjeje dhe, si rastësisht, për t’i afruar një mundësi bashkëpunimi”. (f. 164)

Sipas autorit Mato, që rrëfen në kujtimet e tij, diktatori Hoxha shkrimtarin Kadare e kishte përkrahur në fillimet e tij letrare. Ndoshta e vërteta qëndron kjo ka qenë edhe arsyeja pse Hoxha e ftoi shkrimtarin Kadare në vilën e tij, me qëllimin për t’i shprehur një shenjë mirënjohjeje, por, ndoshta, rastësisht, për t’i afruar një mundësi bashkëpunimi. Përkrahja që i kishte dhënë në vitin 1956, kur Hoxha e kishte lavdëruar Kadarenë për poemën, “Princesha Argjiro”, kërkonte një ditë shpërblim! Në poezinë “Pashallarët e kuq”, poeti Kadare e lartësonte figurën e E. Hixhës, me këtë rast Hoxha sikur dyshoi në sinqeritetin e fjalëve te Kadaresë. Në dhjetëvjeçarin 1968-1978 Kadare u përfshi aktivisht në jetën publike dhe politike. U anëtarësua në partinë komuniste, më pas deputet, nisi udhëtimet jashtë shtetit, jepte leksione në fakultet për letërsinë botërore dhe shkruante në gazetën “Drita” për Kafkën, Prustin, Xhojsin etj., të cilët vlerësoheshin në Shqipëri si “shkrimtarë dekadentë.

Në këtë periudhë botoi më të rëndësishëm, romanin “Dimri i madh”, vepër me përmbajtje politike dhe “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, një pasqyrë mbi fatin historik dhe ekzistencial të shqiptarëve. Edhe në vazhdim të këtij libri, shkrimtari Mato shpalos ngjarje, kronika, veprimtari dhe aktivitete të tjera me interes letrar e kulturor brenda Lidhjes së Shkrimtarëve, por edhe jashtë saj. Shkrimtari Mato përkujton veprimtarinë e përbashkët të shkrimtarëve të Shqipërisë me ata të Kosovës, si shprehje e ndjenjës se letërsia dhe kultura janë busullat më të sakta të orientimit shpirtëror. Delegacionit kosovar i printe kryetari i këtij delegacioni, shkrimtari Rrahman Dedaj, i cili kërkoi që në atë darkë të organizuar nga shkrimtari Dritëro Agolli të jetë i pranishëm edhe shkrimtari S. Mato. Në libër pasojnë edhe ngjarje të tjera tepër interesante, si takimi në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku merrte pjesë edhe Ramiz Alia; kritika që i bën Enver Hoxha poezisë së Xhevahir Spahiut, poezinë e të cilit e kishte botuar vetë Mato.

Në takim u zhvilluan diskutime të ashpra. Kureshtje zgjoi fjala e Jakov Xoxës, i cili me ton të ngritur gjatë mbledhjes iu drejtua të pranishmëve: “Ju kërkoni lepurin që ka korrë arën? Po lepuri nuk është. S.Mato! Në mbledhje romani im “Ditët”, pohon Mato, ku sipas redaksisë nuk ishte roman, por “antiroman.” Në fund të mbledhje masa që është marrë ndaj S. Matos ishte largimi nga detyra si redaktor. Gjatë votimit askush nga anëtarët e kolegjiumit nuk miratoi largimin e S. Matos nga kjo pozitë redaksionale. Disa ditë më vonë nga gazeta “Drita” u pushuan nga puna poetët Viktor Qurku, Moikom Zeqo; prozatorët Faik Balanca dhe Thanas Dino. Mato u largua nga puna me motivacionin “ për ndikime liberale në letërsi. Në këtë kohë sapo kishte botuar librin me poezi “Mbi glob fryjnë erëra”, ndërsa në skenën e teatrit “A. Moisiu” po i vihej drama “Kryeqyteti i frikës”, e cila u ndalua për përmbajtje ideore të papështatshme. Ndërsa më vonë po i kritikohej drama “Ankth”. Në një mbledhje të posaçme, në të cilën prezantoi edhe R. Alia, i cili ngrehi idenë e pluralizmit, duke e lënë si nismëtar I. Kadarenë, krejt me qëllimin për ta përdorur.

E vërteta argumenton se I. Kadare ishte ndarë nga ai sistem përpara se të vriste veten Mehmet Shehu dhe të vdiste Enver Hoxha. Shkrimtari Mato, në kujtimet e tij të shkruara në këtë libër, rrëfen se pas largimit nga Lidhja e Shkrimtarëve takimet me shkrimtarin Kadare i kishin më të rralla, i cili tashmë jetonte me krijimtari të lirë sikurse edhe disa prej shkrimtarëve tjerë si Fatmir Gjata, Sterjo Spasse, Dhimitër Xhuvani, Loni Papa etj. Nga të gjithë ata që u larguan më së keqi pësoi shkrimtari Mato: Iu ndalua drama “Kryeqyteti i frikës”, në Teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, drama “Ankth”, e vënë në skenë në Teatrin “Çajupi”, madje u kritikua edhe në gazetën “Zëri i Popullit”, pastaj artikuj kritikues edhe për librin me poezi “Mbi glob fryjnë erëra”. Shkrimtari Mato kujton që me Kadarenë takohej shumë rrallë, mirëpo krijimtarinë e tij ka ndjekur me shumë përkushtim dhe interesim të jashtëzakonshëm. Në libër shkrimtari Mato zë në gojë edhe temat bosht si “Krijimtaria – pasuri kombëtare”, “Çmimi Nobel”, “Midis Lindjes dhe Perëndimit”, “Takimi i fundit”, etj.

Ikja e shkrimtarit Kadare, që krijoi zbrazëtirë të humnershme

Ikja e Ismail Kadare, në 1 korrikun e vitit 2024 është e pangushëllueshme për letërsinë shqipe, për letërsinë europiane e botërore. Me shuarjen e Gjigantit të letrave I. Kadare, do t’i mungojë letërsisë dhe kulturës sonë, do t’i mungojë letërsisë europiane; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha, Ismail Kadare, i cili është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe përgjatë pesë shekujve të jetës së saj. Shkrimtari Mato ndarjen nga jeta të mikut të tij të letrave dhe të jetës, Ismail Kadaresë e përjetoi me pikëllim të thellë dhe dhimbje tepër të natyrshme. Lajmin e zi Mato e zuri në TV 24, ky lajm i hidhur nuk e zuri pa pritur, meqenëse e kishte ndier. Këto çaste shkrimtari Mato i përshkruan: “ U vesha dhe shkova pranë pallatit ku banonte. U ula në barin Skw Toyer”dhe porosita një kafe. E ndjeja veten të qetë që gjendesha aq afër banesës së tij. “O çmendje e lartë u përmbys këtu… Ushtari, oborrtari dhe shkollari…”

Këto vargje të Shekspirit për princin Hamlet mu duken si të shkruara enkas për princin e letërsisë shqipe. Lamtumirë Ismail Kadaresë! Ti e doje Homerin, Eskilin dhe Shekspirin, ndaj u bëre vetë Homer, Eskil dhe Shekspir.

Lamtumirë, mik! Krijimtaria jote tashmë është bërë pronë e shqiptarëve kudo që janë, krijimtaria jote është bërë pronë e botës së qytetëruar!”, pohon në mesazhin lamtumirës shkrimtari Sulejman Mato.

“Kujtime të kohës me Kadarenë” është një libër tepër i rëndësishëm, tepër i nevojshëm, tepër plotësues për atë që sot na mungon dhe do të na mungojë edhe në të ardhmen, të flasim për vlerat e përjetshme të kolosit të ketrave tona dhe të I. Kadaresë është vlerë më tepër se hyjnore. Se në minierën e botës letrare të Kadaresë ka çfarë të hulumtohet dhe se nuk ka mundësi të vihet dritë krejt çfarë në thesarin e tij sado që gërmojmë nuk arrimë për asnjëherë cakun e hulumtimit të tërësishme, si pjesë e universit letrar dhe artistik që nuk ka kufij. Libri, “Kujtime të kohës me Kadarenë” i Sulejman Matos është dhe do të mbetet vazhdimisht në duart e lexuesve, por do të jetë njëra nga veprat e tij më të rëndësishme, njëherësh edhe për letërsinë shqipe.

Nëntor 2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.