Rreth librave të Gëzim Ziles “Shkrime të zgjedhura” dhe “Këpucari i lumtur”, Tiranë 2022
Nga Enver Memishaj
Sapo kanë dalë në qarkullim dy libra të Gëzim Ziles: “Shkrime të zgjedhura” dhe “Këpucari i lumtur”
Gëzim Zilja (foto) është i njohur sot në botën shqiptare. Atë e kujtojnë si mësues, pra me profesionin më fisnik nën diell. Isuf Luzaj e ngre figurën e mësuesit drejt profetit , ndërsa sipas librave të fesë njerëzit e ditur janë profetët që Zoti i dërgon mbi tokë për të ndrequr e udhëhequr botën.
Gëzim Zilen e njohin edhe si drejtor të gjimnazit të Vlorës, profesor në Akademinë e Marinës, kryetar i Bashkisë së Vlorës, deputet e së fundi drejtor në Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Ai njihet edhe si publicist e gazetar, që trajton problemet e shoqërisë sonë, por edhe si krijues me tregime dhe skica dhe botues i 11 librave. Botimet tërësore të tij përshkohen fund e krye nga dhimbja për problemet e shoqërisë sonë, që synon të forcojë e të ngrejë më lart ndjenjat e dashurisë ndaj popullit e vendit të tij, për të zgjuar shoqërinë në zhurmat e globalizmit dhe udhës europiane. Kështu dhimbjen për atdheun e gjejmë jo vetëm në publicistikë por edhe në analiza kritike të veprave historike dhe letrare si dhe në krijimtarinë artistike
Gëzim Zilja ka qenë i pari që përshkroi në mënyrë realiste pranverën e përgjakut të ’97-tës, në artikuj në shtypin e përditshëm dhe me tre libra të botuar. Ai është i pari që përmblodhi e botoi në një libër voluminos dokumente të vitit 1997, duke i bërë historisë sonë një shërbim të vlefshëm.
Gëzim Zilja me artikujt e tij ka qenë i pari që vuri alarmin për shitjen e portit të Durrësit me argumente të pa kundërshtueshme, i pari që denoncoi shkatërrimin e portit të Vlorës, i pari që denoncoi tecet lundruese si lubi që do të shkatërrojnë gjirin e Vlorës, i pari që denoncoi shkatërrimin e kujtimeve e monumenteve historike si Sheshin e Flamurit në Vlorë, lagjen Skelë të Vlorës ku është shtëpia e Pavarësisë etj.
Në një nga librat e tij ai shpreh devizën që e udhëheq në punën e tij: “Nuk kam menduar dhe nuk mendoj se ky libër me dokumente do të ndryshojë ndërgjegjen e shqiptarëve. Po unë nuk mund të rri i qetë, kur është çështja për ndërgjegjen e një populli: kur ata që e vrasin atdheun vihen në krye të tij dhe bëjnë pastaj rolin e shpëtimtarit”. (Skaner 1997)
Është e vërtetë se shoqëria jonë sot ecën shumë shpejt përpara në një udhë ku mendimet, idetë, globalizmi dhe Europa e bashkuar kanë ndikimin e pa shmangshëm në mendimet dhe gjykimet tona, por një gjë mbetet e pa ndryshuar: vlerësimi, respekti dhe nderimi ndaj prindërve tanë, ndaj babait dhe nënës, po kështu mbeten të pa ndryshuara edhe qëndrimi ndaj dheut të babës, atdheut dhe dheut të mëmës, mëmmdheut. Vetëm kthjelltësia ndaj këtij problemi i sjellin shërbime të çmuara atdheut, si shembulli i Gëzim Ziles në veprat e tij.
Por disa shpirtëra të prishur arrinë deri atje sa të kërkojnë e gjejnë skuta e vrima apo njolla të zeza që ka çdo popull dhe e entuzjazmojnë e gëzojnë dhe i publikojnë me komente të një mëndje të deformuar, pra duket se atë qëndrim çnjerzor kanë mbajtur edhe ndaj prindërve të tyre. Me këtë shfaqje merret Gëzim Zilja në librat që marrin në analizë.
Kufijtë e një artikulli të vetëm nuk na lejojmë të bëjmë një biografi të plotë të këtij qytetari vizionar, por do të shfaq mendimet e mia për dy librat e fundit që kanë dalë në qarkullim këto ditë.
Libri “Shkrime të zgjedhura”, përmbledh analiza kritike për 21 vepra të autorëve të ndryshëm nga të cilat 6 janë vepra historike dhe 15 krijimtari letrare në poezi dhe prozë.
Analizat përshkohen nga ndjenja e qëndrimit ndaj historisë, atdheut dhe shoqërisë shqiptare, kështu p.sh. autori kritikon me rreptësi Mustafa Nanon për devijime historike, po kështu për autorin turk Mehmet Maksudoglu, për Blendi Fevziun, për Fatos Lubonjën, vlerëson Bujar Leskaj për analizën e shkrimeve për të burgosurit e të persekutuarit politik, vlerësime jep për veprën e Astrit Xhaferit, Bedri Çokut, Bedri Myftarit, Theodhori Prokos, Reshta Agajt e Pëllumb Velos.
*
Libri “Shkrime të zgjedhura”, hapet me analizën kritike që Gëzim Zilja i bën librit të Mustafa Nanos “Sanduiç”, por më tepër, kritikë për vetë Mustafa Nanon. Mustafa Nano me librin e tij “Sanduiç”, na parqet një platformë me prirje antishqiptare, sipas tij shqiptarët nuk qenkan ashtu si i paraqet historia mijëra vjeçare, por ashtu si i paraqet radakja e Mustafa Nanos.
Libëri për historinë e shqiptarve titullohet me një fjalë të huaj Sanduiç, i vetmi shembull në historinë tonë. A nuk gjeti ky njeri një fjalë të bukur shqipe? A e di ky njeri se poeti kombëtar Naim Frashëri ka thënë se fjala e huaj është si derri ndër dhën, apo për të, këto janë vjetërsira?
Kështu historinë e shqiptarve Mustafa Nano na perifrazon me emrin e një kumarxhiu të pa ndreqshëm anglez, Sanduiç, i cili nuk ngrihej nga tavolina e kumarit dhe kuzhinieri tij shpiku këtë mënyrë të ushqyeri feta buke me mish e sallam që t’i krijonte të zotit mundësinë të hante diçka pa u larguar nga tryeza ku luante bixhoz, pra historinë e shqiptarve Nano na e paraqet me nje titull fyes.
Sipas llogjikës perverse të Nanos shqiptarët janë ashtu si i përcaktojnë armiqëtë e tyre apo veprat armiqësore kundër tyre. Gëzim Zilja lë të kuptohet qartësisht se ky është një libër me frymë dyshuese për vendin dhe njerëzit e tij të origjinës, që quhen shqiptarë.
Merita e Gëzimit në këtë analizë është fakti se ai i vë emrat e vërtetë veprimtarisë antishqiptare të fqinjve tanë apo të Fuqive të Mëdha si Gjermania, kur shkruan: “Kongresi i Berlinit ishte një Pazar i madhë ku shiteshin e bliheshin njerëzit e territoret, e duhet thënë se Bismarku e të tjerë luajtën rolin e kasapit”, pra jo ashtu siç pretendon Nano se shqiptarët nuk pasakam të drejtë qe e cilësojnë Bismarkun si antishqiptar!!!
Dyshimi për Nanon duket në avokatinë që ai bën për “Megali-Idea”, që shqiptarët të gjithë në të gjitha kohët e kanë denoncuar si një ide antishqiptare e konkretizuar me veprimtari armiqësore greke ndaj shqiptarve, ndërsa Mustafa Nano, synon t’i hedhë poshtë të gjithë studjuesit e historianët!!!
Kur vjen fjala për Lidhjen e Prizërenit Nano paska “zbuluar” se shqiptarët qenkan mbledhur atje për të mbrojtur kufijtë e Perandorisë Turke. Gëzim Zilja e analizon librin e Nanos, për çdo fjali, e për çdo fjalë. Kështu p.sh. Nano habitet se shqiptarët qenkan mbledhur në një xhami! Po ku të mblidheshin? Ndofta në Këndin e Kuq ku mblidheshim ne njerëzit e rinj të Partisë së Punës?
Gëzim Zilja mendon e shkruan krejtësisht ndryshe, nga ato që bluan rradakja e Nanos, e që shkruan libra, që nuk vlejnë as për karton e për këtë Gëzim Zilja thërret në ndihmë historianë me emër si Misha Glenny, George Gavrych e shumë të tjerë, shqiptarë apo të huaj që e cilësojnë Lidhjen e Prizërenit, Lidhjen e shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve të tyre.
Ajo që hedh poshtë tezat antishqiptare të Nanos janë luftërat që bënë shqiptarët të frymëzuar e organizuar nga Lidhja e Prizërenit, gjaku i derdhur për mbrojtjen e trojeve të tyre dhe tradhëtia që pësuan nga ata të Kongresit të Berlinit e Bismarku Nanos.
Gëzim Zilja thekson gjithashtu se “Të gjithë figurat kryesore të Lidhjes, u dënuan pa gjyq, u internuan ose u burgosën nga Perandoria Turke”, megjithëse “kishin mbrojtur kufijtë e Perandorisë Turek!!!”, sipas Nanos.
Është tepër absurde, për të besuar Nanon, me veprën e tij ai bëhet shumë primitiv e qesharak që me një mëndjelehtësi prej adoleshenti, mbuluar me megallomani e madhështi, deklaron se shqiptarë nuk qenkan ashtu si i paraqet historia mijëra vjeçare, por ashtu si i paraqet radakja e Mustafa Nanos
Më tutje Gëzim Zilja merr në analizë mendimin e Nanos se shqiptarët pas 400 vjetëve nën Turqinë do të jenë shqiptarë apo turq? Po mirë a e di kjo koka e madhe e Nanos se Perandoria Turke ishte e shtrirë në tre kontinente Europë, Azi dhe Afrikë? Atëhere sipas mëndjes e logjikës perverse të Nanos, banorët e këtyre tre kontinenteve janë ashtu si janë sot apo janë turq?
Nga ana tjetër Nano a e di devizën e shqiptarve se “Feja e shqiptarëve është shqiptaria?
Për këtë kapitull Gëzim Zilja thërret në ndimë Ismail Kadarenë: “Së pari, thotë Kadareja, nuk është e vërtetë, së dyti sepse të lakmosh një cilësim të tillë është njëlloj si të vetshpallesh “gjysmak” që në shqip midis të tjerash do të thotë “torollok”.
Pra Kadareja na thotë se mendimet e Nanos qenkan mendimet e një torollaku, që Gëzimi nuk e thotë me gojën e tij por e lë ta kuptojë vetë lexuesi.
Projekti sllav “Naçertanie”, sipas të cilit dhe sipas Mustafa Nanos, tokat ku banonin boshnjakët, malazestë e shqiptarët historikisht janë toka serbe dhe sipas Nanos ato duhet t’u kthehen të zotërve!!!
Një politikë armiqësore e vitit 1844 që është hedhur poshtë që në atë kohë e në vazhdim, shkruan Gëzim Zilja, mirëpo sot del një argat i Beogradit dhe e mbron këtë ide, sa turp!!!
Në fund Zilja hedh poshtë edhe mendimin e Nanos se epika historike qenka mollë sherri midis shqiptarve dhe serbëve. Në këtë kapitull Zilja qëndron më pak pasi dihet historikisht se epika historike vjen e fundit ne kontraditat ndërmjet serbëve dhe shqiptarve. Në se e nxierr në plan të parë kët fakt historik Nano nuk flet më për histori, por për folklor.
Si përfundim do të thoshim se Gëzim Zilja në kritikën e tij shumë vlerëse na e ka bërë të qartë se librat e Mustafa Nanos do të keni fatin e veprave të babës, sepse:
Ky njeri mendon se do të zgjidhë problemet e sotme rreth e rrotull nesh, me një libër denigrues që përshkohet nga sharlatanizmi provincial.
Ai pa dokumente historike del kundër prindërve të tij: Atdheut dhe Mëmëdheut. Fëmija nuk e ka në dorë të zgjedhë prindin, por ka në dorë ta nderojë atë.
Në këtë mënyrë Nano bëhet bishti i sqeparit serb, ata serbë që i kanë bërë shqiptarët me bisht!
Këto mëndje perverse si e Fitim Caushit që është e vetmja qënie e gjallë që deklaron se mirë ua bëri poetëve që i pushkatoi Enver Hoxha, hedhin poshtë traktet e botës së qytetëruar për atdheun: Atdheu quhet toka, ku më ka rënur koka.
Sokrati i Greqisë së Vjetër i lënduar, lëngon: Sa gjë e çuditshme, o qytetarë të Athinës! Ne shohim perënditë, idetë, ëndrrat, ngjarje të së kaluarës e të së ardhmes e vetëm hundën tonë s’mund ta shohim mirë. Unë tani po e kuptoj, si një e një që bëjnë dy, se me të vërtetë i ditur është ai njeri, që do të mundë të shohë hundën e tij…
Gëzim Zilja foli me kritikën e tij dhe për këtë duhet vlerësuar sepse më në fund do të mbajmë mend jo fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë.
*
Në kritikën që Zilja i bën librit “Historia osmane dhe Institucionet” të prof. dr. Mehmet Maksudoglu, botim i vitit 2013, merr jo pa sukses detyrat dhe kompetencat e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Për këtë Gëzim Zilja duhet vlerësuar e nderuar nga të gjithë ne, pasi është vigjilent ndaj atyre që shtrëmbërojnë historinë dhe poshtërojën popullin tonë, kështu ai bëhet avokat i pathyeshëm i popullit të tij.
Themi kështu pasi libri i profesorit turk ka shtrëmbëruar faktet, pra e ka kthyer historinë në folklor e në dobi të popullit të tij turk, pra ka një qëndrim armiqësor ndaj popullit shqiptar , prandaj ishte detyre e Institutit të Historisë t’i përgjigjej. Gëzim Ziles i dhemb shpirti dhe në shkrimin e tij hedh poshtë me fakte historike dhe vepra historike të cilave ai iu referohet me saktësi. Për këto arsye nga njerëzit e ditur të vendit tonë me pozita zyrtare duhet te kishte pasur të paktën një zë që të thoshte: bravo Gëzim na nderove te gjithëve.
Heshtja është miratim, pra, ai pranojnë studjuesit dhe historianët tanë tezat e Mehmet Maksudoglu? Po shqiptarët? Po përkthyesi dhe botuesi i këtij libri antishqiptar ç’qëllime kanë pasur që kanë përkthyer dhe hedhur në qarkullin një vepër të tillë antishqiptare?
Kështu Gëzim Zilja që i dhemb shpirti për atdheun dhe popullin e tij, ngre zerin e tij të fuqishëm. Nderime dhe vlerësimë për drejtorin e gazetës “Telegraf” Ëngjëll Musai që ka hapur faqet e gazetës për publicist të tillë dhe shkrime të tilla.
Në kundërshtimet dhe mendimet e tij Gëzim Zilja vë përballë Mehmet Maksudoglu, autorë me emër shqiptarë dhe të huaj si Gjon Muzakën vepra “Memorie”, që do të thotë se Zilja e njeh me themel historinë tonë dhe prandaj merr guximin që të hedhë poshtë mendimet e një historian të njohur turk.
Profesori turk bëhet qesharak kur shkruan: “Ushtria osmane ishte tepër e kujdesëshne për të mos i shkakëtuar dëmtime të panevojëshme popullit dhe pronës së tyre” dhe Gëzim Zilja i vë përpara profesorit fakte e prova të pa kundërshtueshme të kronikanit turk Tursun Beut: “Çdo çadër ishte mbushur me plaçkë të rrëmbyer. Atëhere u dha urdhër të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe … Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tremijë, katërmijë, shtatmijë, nga të pafetë…”
Më tutje Gëzim Zilja ndalet të xhihadi turk ose lufta e shenjtë e cila mbyti në gjak dhe lot shumë vende e popuj që ishin nën pushtimin osman, vepra mizore që Mehmet Maksudoglu i quan të shenjta dhe të dobishme! “Gjithçka e shkruar nga profesori turk, shkruan Zilja më ngjason mjaft me tezat e ekspasionit të fesë islame nga grupimet radikale në ditët e sotme… Nëse pushtimet islame …, do të merreshin si vullnet i Zotit, kjo jo vetëm nuk është e vërtetë, por është një teori mjaft e rrezikshme. Asnjë kombi nuk mund t’i imponosh me shpatë dhe ta konsiderosh “të pafe” thjesht se nuk është i fesë myslimane”.
*
Analiza kritike që Gëzim Zilja i bën romanit të Blendi Fevziut është një model se si duhet analizuar e vlerësuar një vepër letrare, pasi duket qartësisht kompetenca e nje studjuesi që nuk lë kapitull e detej pa analizuar, vlerësuar apo kritikuar.
Fillimisht autori me pak fjalë paraqet përmbajtjen e romanit: dashuria e pa shprehur e dy të rinjëve që marrin udhët e mërgimit, dhe pastaj hidhet në analizën romanit, ku zbulon lidhjen e brendisë së romanit me folklorin, ballada e Ago Ymerit, dhe fushën e folklorit Gëzimi e njeh dhe interpreton si akush tjetër. Gëzimi bën edhe vrejtje e sugjerime autorit të romanit lidhur me përshkrimin e brezit të të rinjve të viteve ’80-të.
“Romani në tërësinë e tij …, thotë Zilja, lexohet me dëshirë për informacionin e bollshëm dhe fatin e shqiptarve të ikur në ato vite të paharruara”.
*
Në analizën që Gëzim Zilja i bën librit “Nëntëdhjetë e shtata –apokalipsi i rremë” të Fatos Lubonjës, e shqetëson me të drejtë fakti se tek ata që udhëhoqën djegien e Shqipërisë në vitin 1997 “nuk ka pendesë ose ndonjë lloj brejtje të ndërgjegjes, përkundrazi me aq sa unë kuptoj nga faqet e librit të Lubonjës kërkon ta mbulojë me lavdi dhe me merita që nuk u takojnë”
Për pranverën e përgjakur të vitit 1997 Gëzim Zilja është i pari që si askush tjetër u bëri atyre ngjarjeve një përshkrim dhe analizë realiste në tre libra: “Unë e pash kush e dogji Vlorën” , 2000, “Vrasës dhe shpëtimtarë”, 2002 dhe “Skaner 1997”, 2009.
Të tre këto vepra që shkruara prej një autori që i jetoi dhe i vuajti ato ngjarje me rëndësi të veçantë për historinë e Shqipërisë na japim pamjen e qartë se si bandat komuniste për të marrë pushtetin me grykën e pushkës si baballarët e tyre, dogjën Shqipërinë, duke gjetur si shkak humbjen e parave në firmat piramidale dhe duke përfituar nga një qeveri e pafatë.
Veçanërisht “Skaner 1997”, një vepër voluminoze mbi 600 faqe me dokumente të asaj kohe që do ti shërbejë historisë sonë sot dhe më shumë në të ardhmen, kur historianët gjakftohtë do shkruajnë historinë e atij viti dhe atyre viteve që dogjën e shkatërruan Shqipërinë.
Pra Gëzim Zilja është personaliteti kopetent që si askush tjetër mund të gjykojë ato vepra si kjo e Fatos Lubonjës që flet për vititn e mbrapshtë ’97.
Gëzim Zila me të drejtë vë re kotsinë e “Forumit për Demokraci” të udhëhequr nga Fatos Lubonja, Daut Gumeni dhe Kurt Kola “ që edhe pse ishin djegur e shkrumbuar institucionet shtetërore në disa qytete të Jugut, ishin vrarë policë dhe kishte një tedencë në rritje të dhunës kundër institucioneve dhe forcave të rendit, “Forumi” as që i përmëndëte këto fakte”.
Më tutje autori ndalet në datën 10 shkurt 1997, dhe te Komiteti i Shpëtimit Publik, ku hedh poshtë me faktet e ndodhura, përfundimet e arritura nga Fatos Lubonja edhe pse intelektual me emër.
*
Në kritikën që gëzim Zila i bën librit “Shqipëria nga anarkia në një identitet ballkanik “ të
Miranda Vikers dhe James Pettifer, ndalet gjatë të ngjarjet e vitit 1997 e më tej duke e përcaktuar këtë libër me të drejtë me pak të vërteta dhe me pasaktësi historike.
Gëzim Zilja me zëmrim dhe indinjatë të vërtetë si atdhetar që i dhemb shpirti për atdheun e tij thekon për këtë libër: “Të arrish në përfundimin se nuk qenë as Mafia e as kriza e piramidave shkaqet që rrëzuan shtetin sipas Miranda Vikers dhe James Pettifer, por “qejfi” apo tradita, që populli i Jugut kishte për të mbajtur armë dhe urrjtja, që ata kishin për veriorët është jo vetëm e pasaktë por edhe e turpshme dhe shumë e rrezikshme… Teprimet në këtë libër nuk mendoj se janë bërë nga padituria apo mungesa e fakteve”.
Më tutje Zilja ndalet gjatë për ngjarjet e atij viti të mbrapshtë që ai si askush tjetër i njeh ato ngjarje dhe shkakun e tyre, i ka përshkruar, analizuar e botuar. Zila ndalet tek pasaktësitë, më saktë te gënjeshtërat që sikundër thotë Zilja janë bërë me qëllim të keq, antishqiptar.
Ai e ilustron artikullin kritik me fakte, prova dhe dokumente si krimet e ndodhura gjatë vitit 1997, lista e policëve të vrarë, raporte të policisë, etj. Një artikull me vlera të shumta që duhet të lexohet nga çdo shqiptar.
*
Jashtë vëmëndjes së qytetarit dhe mësuesit Gëzim Zilja nuk ka mbetur edhe letërsia e burgut që “Në jo pak raste ato përbëjnë edhe vepra të mirëfillta letraro – artistike nga gjuha e pasur, figurave letrare, mënyra e paraqitjes së veprës etj siç është “Klithma e shpirtit” e Luan Burimit.
Poezitë e këtij vëllimi janë krijuar gjatë dhe pas periudhës së burgut. “Ende i parritur Luani është dëshmitari vrasjes së babait dhe xhaxhait të vet”
“Në poezitë e Luan Burimit, nuk ka urrejtje , nuk kërkohet shpagim. Ai denoncon, ai dëshmon, ai thërret “këlthet” e tregon që kështu ka ngjarë dhe do që njerëzit ta marrin vesh, ta kuptojnë se mungesa e lirisë e ligjit dhe gjuha e urrejtjes i kthen ata në ujq, në egërsira, në mekanizma e qënie pa shpirt”.
*
Shkrimin e Gëzim Ziles për “Pashai i Elbasanit”, libri i shokut dhe mikut tonë të paharruar Bari Myftari që u nda shpejt nga jeta unë e lexova me emocione të veçanta, pasi më kujtoi atë mik e shkrimtar të vlerësuar që kur punonte për librin “Pashai i Elbasanit” diskutonim me të, aty te kafe “Opera”, në shoqëri të pandarë nga miku tjetër Serxhio Mazreku, bashkautor i librit.
Gëzimi di të ndalet në atë që është kryesore dhe që autorët kanë ditur ta paraqesin artistikisht atë burrin e madh e personalitetine shquar të historisë sonë Aqf Pashë Elbasanin, që shkëlqu me veprimtarinë atdhetare sikundër e përcakton Ismail Qemali.
“Tregimet letrare për figurën e Aqif Pashës në të vërtetë janë një gjetje e bukur e autorëve… që të bashkuara në një të tërë na japin për herë të parë në letërsi shqipe figurën e Pashait të Madh të Elbasanit si njeri të mirë të ditur, patriot e luftëtar”, shkruan Gëzim Zilja.
*
Në librin “Shkrime të zgjedhura”, nga 21 shkrime gjithësej, 11 prej tyre janë analiza kritike për veprat e autorve vlonjatë: Bujar Leskaj për librin “Muzat”, Kujtim Murati, libri “Pa emër”, Astrit Xhaferi “Rrëfime për njerëzit dhe lulet”, Reshat Agaj “Vëllai i pengut”, Enver Memishaj “Ahmet Lepenica”, “Hysni Lepenica dhe “Uan Filipi”, Theodhori Proko, Proletar Zilja, Pëllumb Velaj dhe Zhaneta Barxhaj. Përse autorët vlonjatë zënë gjysmën e krijimtarisë së Gëzim Ziles në këtë libër? Kjo vjen se autorit i dhemb për vendlindjen e tij, se i vlerëson krijuesit vlonjat, se kërkon të krenohet me Vlorën e tij dhe se do të lartësojë ata që me krijimtarinë e tyre kanë lartësuar Vlorën dhe atdheun e tyre, kështu që Zilja do t’i publikojë veprat e tyre, krijimtarinë e tyre dhe publikimi i veprës, njohja nga publiku i gjerë, është po kaq i rëndësishëm sa edhe krijimi.
Libri “Muzat e qëndresës” i doktor Bujar Leskaj është një libër i veçantë dhe me vlera. Them i veçantë se në një libër voluminoz autori ka përmbledhur e analizuar veprat e 26 autorëve, veprim i paparë ky në letërsinë shqipe, përsa i përket strukturës dhe sasisë së librave të analizuar brenda një libri”, shkruan Gëzim Zilja në librin e tij “Shkrime të zgjedhura”.
“Autori i librit, shkruan ai për Bujar Leskajn, me durimin e një gurëgdhendësi interesin e një intelektuali të vëmëndshëm, me këmbënguljen e një patrioti dhe sidomos me dashurinë e madhe për njerëzit dhe tokën ku jeton e krijon na shpalos…jetën dhe vuajtjet e njerëzve në diktaturë duke i ilustruar me shumbuj të shumtë…”.
Me aftësinë dhe korektesën e nje studjuesi Gëzim Zilja ka paraqitur të plotë vlerat e veprës së Bujar Leskajt “Muzat e Qëndresës”.
Mendimet për poezinë e Kujtim Muratit, Zilja i përfundon me kushtimin që bija e Kujtimit i bën babait: “Të falnderoj baba që forca jote e hekurt i rezistoi kohës! Sepse ti kurrë nuk ke dashur të përcjellësh tek ne rininë tëndë të pa frymë, pa liri dhe pa dritë! Të falnderoj baba për modelin dhe aspiratat që më ke dhënë në jetë… Unë e kam pasur një hero në jetën time…”
Ndërsa librin me tregime të Astrit Xhaferit autori e përfundon me fjalët: “Lexojeni këtë libër. Të jeni të sigurt që paskëtaj do të bëheni pakëz më të mirë”
Pas veprave të autorve vlonjatë autori ka shkruar e botuar edhe për veprat e autorve të njohur në botën shqiptare, Bedri Çokut e Sherif Balit.
* * *
Libri i dytë i Gëzim Zilës “Këpucari i Lumtur” përmledh 35 skica e tregime artistike. Libri hapet me analizën “Musine Kokalari dhe dasma gjirokastrite”. Në ditët e sotme Gëzim Zilja është ndofta i vetmi që i është drejtuar folklorit, veçanërisht duhet përmëndur vepra e tij “Stërgjushërit tanë në epikën historike”, 2018, që është vlerësuar dhe ka tërhequr vëmëndjen e studjuesve dhe lexuesve. Kështu që e përshkruan dasmën gjiroastrite me kompetencë dhe pasion atdhetar, duke ngritur lartë figurën e Musine Kokalarit.
Në libër përshkruhen personazhe historikë si Mirash Ivanaj, Petro Marko, Ali Asllani, Fatos Mero Rrapaj dhe personazhe të ditëve tona me emër real si Teki Gjonzeneli, Avni Delvina, Koço Devole, Skënder Kamberi, Bradhyl Londo, Ylli Xhelili etj.
Tregimet e skicat na paraqesin talentin e Gëzim Ziles, syrin e tij vrojtues e vigjilent që kapin e trajtojnë temat e ditëve tona, hallet e brengat e shqiptarve, emigracionin , varfërinë, ëndërrat e pa realizuara etj.
Kur lexojmë tregimin “Këpucari Sadik Mehmeti”, që është ndofta tregimi më i mirë i librit, të duket sikur po lexon një tregim të Balzakut apo Hygoit, ky është modeli i krijimit. Ai përshkruan këpucarin e lagjes së tij me nota që të lënë mbresa të thella, për rolin që lozin këta personazhe të thjeshtë, për shembullin qytetar që rrezatojnë, në shoqërinë tonë.
“Maria” është një tregim tjetër që të mbush me emocione por edhe me urrejtje për kohën e shkuar kur dashuri e dy të rinjëve goditet ashpërsisht.
Gëzim Zilja i përshkruan ambjentet, fshatin dhe qytetin dhe personazhet e tregimeve, apo personazhet historikë aq bukur sa të duket sikur i njeh dhe sikur bisedon me ata, e kjo vjen se shkrimtari Gëzim Zilja e ndien thellë vuajtjen dhe jeton me hallet e njerëzve që përshkruan. Kjo flet për shpirtin e ndieshëm dhe ndjenjat e holla njerëzore që karakterizojnë Gëzim Zilen.
Përse vepra e Gëzim Ziles do t’i rezistoi kohës.
Vepra e Gëzim Ziles, historike, letrare dhe publicistike do t’i rezistoi kohës, pasi prej fillimit deri në fund duket një zemër që rreh për atdheun një shpirt që vuan për hallet e popullit të tij.
Analizat kritike për libra autorve të ndryshëm, po ashtu edhe në analizën e ngjarjeve të ditëve që jetojmë, në artikujt publicistikë, ai nuk synon të bëjë përshkrime por kërkon t’i lerë trashëgimi shoqërisë sonë në fushën e dijes, kjo është vlera themelore e veprave të tij.
Vepra e tij është vlerësuar prej personaliteteve të shquara të dijes që në kohën e botimit, kështu p.sh. mund të përmendim shkrimtarin Lazër Stani, prof. Agron Tufën i cili e quan “enciklopedi makabre” librin “Unë e pash kush e dogji Vlorës”, dhe më tutje prof. Tufa shkruan: “Libri “Skaner 1997”, … është pikërisht akti i qytetarit me ndërgjegje prore e pangushëllueshme, pasi askush nuk i dha përgjigje, askush nuk guxoi t’i rikthehej më 97-tës askush nuk deshi ta kundrojë… nuk deshi t’ia dijë për këtë episod të turpshëm të historisë sonë… Ky është një libër fondamental për çdokënd …, me interesa historike, sociologjike, politike e shumë më gjerë – për çdo interes antropologjik”.
I shangem çdo komenti të gjykimeve të profesor Tufës, por theksoj e se e gjithë vepra e Gëzim Ziles përshkohet nga këto ide e prandaj ajo do t’i rezistoi kohës. Le të përmendim p.sh. “Stërgjyshërit tanë në epikën historike”, një model i tregimit të historisë nëpërmjet folklorit.
Vepra “Shkrime të zgjedhura” nuk do të harrohen sepse tema e dhimbjes dhe mbrojtjes së atdheut mbetet e përjetëshme.
Shkrimet e Gëzim Ziles dallohen nga korektesa shkencore. Ai i parashtron mendimet e tij mbi faktet historike dhe therret në ndihmë të ideve të tij autoritete të historisë dhe kulturës duke shënuar saktësisht burimin që i referohet, si dhe sjell citate prej veprës që i drejtohet, kështu ai bëhet i pakritikueshëm.
Ajo që bie në sy në veprën e Gëzim Ziles, prej fillimit deri në fund edhe atje ku ai duhet të ngrinte zërin e tu drejtohej autorve që kritikonte me cilësorve pexhorativ, autori flte me gjuhën e nje intelektuali me vizion europian.
Ne të gjithë duhet të bëjmë pjesën e detyrës tonë ndaj atdheut, sepse vetëm atëhere kemi bërë detyrën tonë, na thotë Gëzim Zilja.
Sikur të kishte më shumë njerës si Gëzim Zilja, fytyra e shoqërisë sonë do të ishte krejt ndryshe.
- Fund –