Shkruan: Florim Zeqa, 26.06.2025
Nderi dhe dinjiteti, besa dhe bujaria, fjala e dhënë dhe besnikëria, humanizmi dhe solidariteti, ndershmëria dhe mirësjellja njerëzore, dashuria vëllazërore dhe fqinjësia e mirë, vyrtyte këto të trashëguara brez pas brezi dhe gjeneratë pas gjenerate janë tretur në errësirën e lirisë së fituar me gjak dhe sakrifica të panumërta.
Tretja e vlerave njerëzore
Të gjitha këto vyrtyte të mira të shqiptarëve janë zavendësuar me egon për pushtet dhe përfitime personale, me urrejtje dhe xhelozi ndaj vëllaut dhe fqinjit të parë, me sadizëm dhe skizofreni ndaj atij që është më i ditur dhe më i ngritur sesa të tjerët.
Dëshira për të përfituar nga meritat dhe vlerat e tjetrit, i kanë kthyer njerëzit në grabitës të çdo gjëjë me vlerë në këtë vend!
Askush nuk e ka pritur se liria do t’na sjellë kaq shumë zhgënjime dhe dëshprime, kaq shumë hidhërime dhe vuajtje shpirtërore prej njëri-tjterit!
Urrejtja, kërcënimet dhe shantazhet janë kthyer në standard të jetës në Kosovë.
Në mungesë të dijes dhe vlerave, shqiptarët i tregojnë “muskujt” njëri-tjetrit duke i treguar lidhjet që kanë me të fortët e politikës, si paralajmërim, se nëse nuk bën si të themë unë, do të pësosh dhe nuk do të shpëtosh nga më e keqja!
Kjo është gjuha që shqiptarët e përdorin me njëri-tjetrin dhe kundër atyre që janë më të ditur dhe më të ngritur sesa ta!
Humbja e besimit në Zot dhe në shtet
Humbja e besimit në Zot dhe tretja e besimit në shtet, i ka kthyer njerëzit në egërsira të shekullit 21, të shekullit të revolucionit teknologjik!
Kur bota e civilizuar dhe demokratike garojnë mes tyre me inovacione dhe zhvillim ekonomik, ne shqiptarët i tregojmë muskujt njëri-tjterit sikur në kohën e mesjetës!
Mbase kjo çasje irracionale dhe denigruese na ka kthyer në popullin më të prapambetur në kontinentin evropian!
Në këtë kohë të ndryshimeve globale gjeopolitike, ne shqiptarët po vazhdojmë të jetojmë me mentalitetin e vjetër patriarkal, të kohës së fiseve dhe bajraqeve, duke harruar se jemi duke jetuar në kohën e globalizimit, kur bota po përballet me ndryshimet klimatike, zhvillimin e hovshëm teknologjik dhe rrezikun e një lufte shkatërrimtare bërthamore, ne shqiptarët kemi mbetur në embrionin e muskujve me një pistolet në bel duke i shitur trimëri njëri-tjetrit, por jo edhe armikut, i cili është duke e pritur momentin për t’na gllabëruar me një “kafshatë mëngjesi”!
Për ndërgjegjësim dhe vetëdijësim të popullatës, këtë shkrim po e përfundoj me një thënje të Prof. Mark Krasniqit, po citoj: “Mrekullia vetëm një herë ka zbritur nga qielli për shqiptarët”.