KRIJUES E STUDIUES SERIOZ E I PALODHUR

0
Anton Nikë Berisha

Në 77 -vjetorin e lindjes të studiuesit, Anton Nikë Berishës

Shkruan: Gjekë Gjonaj (Ulqin)

Mosha për të është thjesht një numër

Gjekë Gjonaj
Gjekë Gjonaj

Studiuesi serioz dhe i përkushtuar i letërsisë shqipe, prof. dr. Anton Nikë Berisha, më 7 gusht të këtij viti ka mbushur 77-vjet. Ata që e njohin këtë figurë të dalluar të letërsisë shqipe besoj se do të pajtohen me vlerësimin se mosha për të thjeshtë është vetëm një numër, kur bëhet fjalë për krijimtarinë letrare e studiuese, e cila s’ka ndaluar, por ajo fatmirësisht vazhdon për të mirën e brezave shqiptarë, të tashëm dhe të ardhshëm.

Puna e tij krijuese, hulumtuese dhe shkencore, që të mbushë me kulturë dhe dije, është tejet e madhe, për të mos thënë e jashtëzakonshme për rrethanat tona. Kontributi i tij në letërsinë shqipe, si në atë të krijimit letrar artistik, ashtu edhe në atë të studimit dhe interpretimit letrar, është një arritje e madhe në fushën e studimit të letërsisë. Kjo tashmë është e njohur gjithandej.

Kush është Anton Nikë Berisha?

Ky autor i dhjetëra e dhjetëra veprave letrare dhe studimore mbi të gjitha është njeri i mirë e i thjeshtë me një kulturë të gjerë, një mik i sinqertë e pastaj një intelektual me përmasa mbarëkombëtare, profesor, poet, prozator, përkthyes letrar e studiues i mirëfilltë, i respektuar nga autoritete shkencore e letrare shqiptare e më gjerë.

Diskursi i tij letrar e studimor është i gdhendur, i thellë, i skalitur e efektiv. Ky nivel arrihet, sigurisht, falë talentit, përkushtimit krijues dhe vetëdijes së lartë për misionin e fjalës së shkruar, por Anton Nikë Berishën si shkrimtar e studiues dhe posaçërisht si intelektual, e karakterizon edhe guximi për ta thënë troç atë që sheh dhe ndien, në të gjitha rastet dhe rrethanat.

U lind më 7 gusht 1946 në katundin Dobërdol të Klinës (Kosovë). Nga jetëshkrimi i tij mësojmë se arsimin 8-vjeçar e ka përfunduar në Ujëmirë për të vazhduar më pas në Prishtinë, ku ka përfunduar Shkollën normale ( më 1966) dhe studimet në Fakultetin filozofik, Dega gjuhë e letërsi shqipe.

Disa vite më vonë ka kryer studimet e rregullta pasuniversitare pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku mori titullin e magjistrit të filologjisë. Po në këtë Universitet më 1981 mbrojti tezën e doktoratës shkencore.

Profesor Antoni nuk kënaqet me njohuritë e fituara studimore në Prishtinë e Zagreb, prandaj vazhdon t’i zgjerojë ato në Universitetin e Gëtingenit, gjatë vitit universitar 1978/79 si bursist i DAAD-së, dhe 1984/85, ndërsa specializohet në Universitetin e Mynihut të Gjermanisë në vitin akademik 1992/93 ku fitoi një bursë nga Fondacioni “Alexander von Humboldt”.

Ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e folklorit, në Katedrën e albanologjisë të Universitetit të Mynihut, ndërsa nga nëntori i vitit 1993 ka punuar si ligjërues e më vonë profesor i letërsisë shqipe në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe – Departamentin e linguistikës, të Fakultetit të letërsisë dhe i filozofisë të Universitetit të Kalabrisë, ku për vite me radhë ka ligjëruar letërsinë shqipe, brenda saj sidomos atë arbëreshe.

Ka mbajtur mësim në disa universitete të Evropës, po dhe në universitetin e Prishtinës, Tiranës, Shkodrës, Korçës, Elbasanit, Vlorës etj.

Krijues e studiues serioz e i palodhur

Veprimtaria letrare e Anton Nikë Berishës filloi me poezinë për të rritur, botuar në revistën letrare “Jeta e re” ( Prishtinë), në vitin 1965.

Krijimtarinë e mirëfilltë e fillon në vitin 1968 me një punim kushtuar porosive të fantazmave në tragjedinë e Shekspirit “Hamleti” dhe në “Histori të Skënderbeut”, të Naim Frashërit dhe më një vështrim që i bën poezisë së Migjenit “Të lindet njeriu”, për të vazhduar më pastaj në fushën e studimeve të letërsisë shqiptare, që vazhdon deri në ditët e sotme.

Nga veprat e tij të shumta të cilat kritika e kohës dhe studiuesit shqiptarë dhe të huaj i vlerësuan lartë veçojmë: “Mundësi interpretimi“, “Teksti poetik”, “Veçanti ligjërimesh poetike”, “Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë” , “Çështje teorike të letërsisë”, “Njëmendësia e fjalëve” (Mundësi interpretimesh letrare), “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, “Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës”, ”Larmi vëzhgimesh letrare”, “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjeve të lashta të jetesës së njeriut tone”, “ Ligjërime rreth tekstit letrar poetik”, “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe”, “Vëzhgime mbi Poetikën” e Aristotelit”, dy studime monografike për “Mesharin” e Buzukut, “Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore”, “Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë” etj.

Disa vepra të tij e vështrojnë veprën dhe flijimin e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze për tjetrin, ku dallohet kompleti prej shtatë vëllime “Nëna Tereze në shtatë shpalime 1 – 7″ (Faik Konica, Kuvendi Françeskan i Gjakovës, Prishtinë 2019) dhe “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” (Shkup 2022).

Një punë të rëndësishme ka bërë dhe në fushën e përkthimeve nga disa gjuhë. Po përmend vetëm disa më kryesoret: Epi i Gilgameshit, Kënga e këngëve, Këngën e Nibelungëve (Kënga e parë dhe e pestë), Psalmet, Qasje artit poetik të Aristotelit, Këngët e Ali Binakut. Ardhësit të Radovan Zogoviqit etj.

Për veprën e tij letrare dhe shkencore janë botuar deri më tani 13 studime e libra nga autorë shqiptarë dhe italianë.

Po përmend edhe faktin se për romanin e tij “Gjin Bardhela & Etja e gurëzuar”, botuar në vitin 2002 nga shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës (romani është përkthyer edhe në italisht) janë shkruar e botuar 54 punime, 29 prej tyre nga autorë italianë.

Fitues i disa shpërblimeve e çmimeve

Për kontributin e tij të madh, Anton Nikë Berisha, është vlerësuar me disa shpërblime e çmime. Ai mori Shpërblimin e dhjetorit të KSA të Kosovës, shpërblimin “Hivzi Sulejmani”, shpërblimin “Asdreni”, shpërblimin “Giorge Mangone” të Sindikatës së pavarur të shkrimtarëve Italianë, shpërblimin “Azem Shkreli” të Komunës së Pejës, shpërblimin “Beqir Musliu” të Komunës së Gjilanit, shpërblimin “Din Mehmeti” të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” dhe Medaljen presidenciale të meritave të Republikës së Kosovës. Po ashtu është fitues i “Muzës së Agimit” dhe çmimit tradicional “Ora e Tahir Deskut” të Komunës së Klinës, shpërblimin “Ymer Elashani” etj.

Si përfundim

Me veprat e tij, të cilat janë botuar e ribotuar disa herë, gjatë gati gjashtë dekadash të kaluara, Anton Nikë Berisha, jo vetëm se e pasuroi opusin krijues të tij, por gjithsesi edhe letërsinë tonë shqiptare. Ai theu kufijtë gjeografikë, krahinorë e ideologjikë, duke u prezantuar si një studiues me integritet të plotë, i cili nderoi integritetet e tjera, aty ku duhet të nderohen.

Po e mbyll këtë shkrim me një thënie të cilën për momentin nuk po më kujtohet se ku e kam lexuar: “Rinia është një vepër e natyrës, ndërsa mosha është një vepër arti”.

Urime për fëmijërinë e dytë!

Gëzuar 77-vjetorin e lindjes profesori ynë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.