Krijimtaria letrare e Lazer Shantojes

0

Fatbardha Fishta Hoxha Prof. Dr. Fatbardha Fishta Hoxha

Si rralle kush i talentuar, krejt i mohuar dhe i harruar është paradoksi që përcolli Lazër Shantojën që me zërin e tij të veçantë bëri të tingëllojë ëmbël fjala shqipe. Poet i vetvetishëm lirik, prozator i hollë, humorist, ky krijues me shkrimet e tij tërhoqi mendjet dhe zemrat e receptuesve në vitet ’20-’30. Ai e shfaq prirjen letrare midis dy luftrave deri sa do të ndërpritet jeta dhe vepra e tij e pambarueme fill pas Luftës së Dytë Botërore. Heshtja e pas luftës ka bërë punën e saj, prandaj dhe hulumtimi, kërkimi dhe interpretimi i vlerave letrare të këtij krijuesi e vë kërkuesin para disa vështirësive jo të lehta që kanë të bëjnë me zbulimin autentik të veprës së tij.

Ajo sot në mungesë të çdo lloj burimi bibliografik mund të njihet përmes organeve të shumta të shtypit të kohës, ku Shantoja botoi shumë nga krijimet e tij si dhe nga i botimi i tij “Për natë kazaniash”. Por sidoqoftë puna për gjurmimin e veprës së një autori jo të zakontë si Lazër Shantoja është e mbushur me plot befasi që të rrëmbejnë dhe te fusin në botën e shkrimtarit që të mrekullon jo vetëm me dhuntinë e vet poetike, por edhe me mendjemprehtësinë, shpirtin e lirë dhe të hapur, nga bukuria e jetës, nga e reja, nga një formë e trajtë të shkruarit transparente dhe ajo që është më e rëndësishme krejt shqipe. Lazër Shantoja vinte nga një familje e njohur dhe e vjetër shkodrane e përmendur për intelektualët që kishte nxjerrë nga gjiri i saj.

I ati i Shantojës, do ta fitonte jetesën me mundin e vet si libralidhës. Ndërsa e ëma ashtu siç e përshkruan ai vetë, ndonëse nuk ishte e arsimuar kishte përvojën dhe kulturën e grave të qytetit të vet. Në fundshekullin e kaluar, kur shkrimtari nuk ishte më shumë se 4-5 vjeç, i ati do ta tërhiqte pas vetes të voglin për ta çuar së pari ne kishen e vjeter te fretenve ne Gjuhadol. Përshtypjet që i la oborri dhe kisha e vjetër Françeskanëve ai do t’i kujtojë vite më vone ne kujtimet e tij që mbushin me lëndë të pasur këdo që do të merret me jetën dhe veprën e Shantojës. Shpirtin e ndjeshëm lirik të të voglit e kanë bërë për vete heret trishtilat, gushakuqtë, trumcakët, dallëndyshet, gardalinat e kanarinat, batet e trapulat e sajuara për to. Atë e kanë rrëmbyer lulet e vendlindjes e mbi të tjera lulemullagat e marshallojat, që në përfytyrimin e tij do të mbetën përherë të freskëta.

Në shpirtin dhe mendjen e tij do të fiksohet imazhi i rrugëve të zhurmshme të Shkodrës ku enden siluetat e hijshme të grave dhe vajzave të mbrojtura nga çadrat shumngjyrëshe mëndafshi të Venedikut. Përzihen me zhurmën e rrugës zëri i njohur dhe i dashur për të vegjëlit, zëri i hallvaxhiut, shitësit të qahijëve dhe xhinxhibirrës. Në shpirtin e tij, do të ngulitet thellë dashuria për Shkodrën, njerëzit e saj, për kishën e Gjuhadolit, për Kuvendin për të cilin vite më vonë do t’i shkruante Fishtës se ato kishin mbetur në përfytyrimin e tij ashtu të gjalla “Plot erë marshalloje e diell Shqipnie”. Qytetin e vet Shkodrën, ai do ta njohë nëpërmjet të gjitha hollësive. Atë nuk do ta intersonte aq e kaluara dhe zulma e saj.

Por syrit te tij nuk i shpëton asgjë nga ajo që ndodh përditë. Vite më vonë ai do t’i kujtonte gaztorët e qytetit, ditët e diela kur rrugët e Shkodrës vlonin “tue u hangër rikat e Tepes me të Ballabanës, patat e Arrës së Madhe me ato të Djepaxhinjve” që shndnrroheshin në spektakle gjurmelenese. Qyteti i Shantojës kishte ne brinje edhe relievin e famshem te njohur me emrin simbolik Malesia e Madhe. Por shpirti i tij lirik do të endej më tepër brigjeve të liqenit dhe të Bunës ku ai dallonte take, sule, lundra e motora që nisnin lundrimin drejt Durrësit e Vlorës. Atij nuk i hiqen nga mendja për shumë vite ditët kur bregut të Bunës frynte karjeli, kotecat e mbytur ne uje, grate që lajnë petkat e i rrahin me pirajka bregut të lumit, ndonjë gjuetar që nxjerr rrethin me ndonjë kubël brenda. Peisazhi i vendlindjes që ndrit e vezullon në vetëdijen e shkrimtarit të ardhshëm do të jetë ndoshta shumëçka që do ta mbajë të lidhur fort me këtë qytet të çuditshëm, që natyra edhe njerëzit e kishin bërë aq dritëshpërndarës e mrekullues nën hijen e madhërishme të Rozafatit të moçëm.

Lazër Shantoja ndjek mësimet fillestare e të mesme në seminarin e Jezuitëve në Shkodër duke u dalluar për mendjen e mprehtë dhe zellin e rrallë. Studimet e larta për teologji dhe filozofi i kryen në Austri. Kthehet në Atdhe dhe shërben si famullitar në Qelëz, Sheldí dhe Rjoll. Me emërimin e Lazër Mjedës si arqipeshkëv, Shantoja merr detyrën e sekretarit të tij. Fillimet e tij letrare i shënojnë shkrimet në “Kalendarin e veprave pijore” si dhe në revistat “Agimi” dhe “Përparimi”. Janë ato poezi, prozë publicistike e përkthime, ndër të cilët vlen të përmendet shkrimi “Poeti i Kabashit” kushtuar rapsodit Prendush Gega.

Në fillimet e tij letrare hyn edhe vëllimi “Për natë kazanash” që të kujton edicionet e xhepit me 180 faqe në format të vogël 10×14 që ai botoi në serinë e Veprave Pijore në Shkodër, më 1919. I përbërë nga katër pjesë, ky libërth i Shantojës përmbledh lojëra, anekdota, kasha e lasha shqiptare marrë prej gojës së popullit, sidomos malesorëve dhe fjale të urta të cilat shkrimtari i quan fjalë arit. Ai kërkon që me këtë libër të zbavitë sidomos të rinjtë, kur shkruan se qëllimi i këtyre pak fletëve është “m’cil e qesh” për të cilin ai thotë: “kam me kenë konend per mund tem n’kjofte se me këto fletë kam me mujtë me i ndihmue djemnisë së dashun me kalue ndonji sahat n’nji argetim të pafaj të qetë e të frytshëm”.

Duke botuar kete liber, ndonëse nder të rrallët e llojit, dhe mos i vetmi, Shantoja e dëshmon veten liberal e përparimtar. Të tillë ate e kishte berë formimi që mori në seminarin jezuit që dallohej për jetën e gjallë artistike dhe sportive. Te tille e kishte bere kontakti me kulturen evropiane. Ne shpirtbutësinë e tij prej kristiani të devotshëm nga e cila buronte nje gaz i natyrshem dhe i shendetshem,nuk ndjehej asnje gjurme fanatizmi ose ngurtesimi te mykur. Në vitet ’20 ai boton tubëzën e tingëllimeve “Zog Malit” kushtuar njeriut qe i eshte perkushtuar persosjes se shpirtit njerzor me devocionin e prijsit ne udhen e besimit tek zoti. Kontributi letrar i Shantojës në poezi dhe në prozë dallohet për gjallërinë e stilit në gazetën famëmadhe demokratike “Ora e Maleve”, ku shkrimtari luan rolin e oratorit zyrtar të grupimit politik “Ora e Maleve”.

Në 51 numrat e gazetës ai shfaqet pothuajse rregullisht me shkrime. Pas numrave të parë të gazetës, që hapin rubrikën humoristike “Ora në valle”, që me sa kuptohet janë prodhim i dorës prej mjeshtri të Fishtës, është Shantoja që do ta mbajë gjallë këtë rubrikë me shkrimet e tij ku spikat mendja e hollë vrojtuese që di të qendisë stilin me xixa humori, siç do të shkruante shumë vite më pas me plot dhimbje dhe adhurim për të Ernest Koliqi. Përveç këtyre shkrimeve, kryearikujt “Burmat e Shtetit”, “Kacaleci i Shqipnis”, “Të dy shtretën të përmendun”, fjalimi i mbajtur në Vlorë mbi varrin e Avni Rustemit, mbi varrin e Ramiz Dacit në Dibër, fjalimi i mbajtur ditën e flamurit në ballkonin e Bashkisë në Shkodër 1924, mund të futen pa mëdyshje ndër gjërat më të bukura të publicistikës dhe oratorisë shqiptare.

Përveç shkrimeve të shumta botuar në këtë organ na shfaqet Shkodra demokratike e viteve ‘20 me përplasjet e konfliktet e rrymave dhe grupimeve politike dhe pas saj gjithë Shqipëria. Jashtë fokusit të humorit dhe ironisë së Shantojës nuk mbetet asnjë hollësi e jetës sonë kombëtare në ato vite. Ka në këto shkrime të Lazër Shantojës aq informacion të dendur që e jep të plotë atmosferën e përballjes së grupimit politik të Popullores me Opozitën në krye të së cilës qëndronte Luigj Gurakuqi. Dhe është për t’u shënuar se gjithë kjo eshte bere në një kulturë dhe tolerancë të habitshme. Me një humor të këndshëm ai tallet ëmbël me kundërshtarët si në poezi dhe në fjalorin e tij humoristik që shënon një nga gjetjet e tij krijuese që sjellin efekte tek receptuesit. Ai nuk le pa qesëndisur kur ia do puna dhe simotrat organe të shtypit që dilnin asokohe në Shqipëri. Ka në shkrimet e tij tharm të vërtetë komik jo të stisur që krijon situata komike si kjo që ai zbulon në një poezi që i drejtohet Fishtës: “Por kam ndie se të janë çue peshë/Vllaznia, Shpresa, Republika/Mos çaj kryet. Vijo me qeshë!”/Çoua shpinën shika-shika/Janë fletore pa randësie/Qesh e njesh e tjeter s’duen/Kush i kndon nëpër Shqipënie?/Pyet ma mirë: Po kush i shkruen?”

Shantoja dëshmonte se e urren tiraninë dhe aspiron me të gjithë forcën e shpirtit lirinë dhe barazinë. Në shkrimet e tij me problematikë të gjerë ai thekson se “ligja fal liri”. Në fjalorin humoristik të tij nuk mbetet asgjë pa u shqytuar hollë. Sa per ilustrim: Në shpjegimin e fjalës deputet ai shkruan se janë “ata njerëz të zgjedhun prej popullit dhe qeverisë me shkue e me ndenjtë në Tiranë”. Këto shkrime me tehun e mprehtë e me kthjelltësi e kanë pasur shumë të frytshëm receptimin në kohë, por edhe më tej. Ngjarjet e dhjetorit 1924 e tronditën thellë Shantojën që për pak kohë gjendet në burg dhe më pas së bashku me shumë demokratë të tjerë merr udhën e mërgimit politik duke qëndruar fillimisht në Jugosllavi e më pas në Austri e Zvicër.

Në Vjenë nxjerr gazetën e përmuajshme “Ora e Shqypnisë” që fillon të dalë në janar 1928 në 8 numra gjithsej me 12 kolona çdo numër. Kjo gazetë mbahet kryesisht vetëm prej tij. Në kryeartikullin e numrit të parë ai shkruan: “Për ditën e 24 Dhjetorit kthehet Ahmet Zogu në Tiranë… Atë ditë, numri i mbramë i Orës mbet në shtypshkronjë. ‘Ora e Maleve’ heshti.” Ai nuk mungon të japë vlerësimin e tij për këtë organ me të cilin është i lidhur një nga momentet më vepruese në jetën e tij politike e letrare cfarë dëshmon vetëdijen e devocionin e tij të vecante në dobi të përparimit të vendit të vet në udhën e zhvillimit demokratik. Si në të gjithë shkrimet e Shantojës edhe këtu bie në sy një frazë e përpiktë por teper e zhdervjellet e ndertuar mbi bazën e opozicionëve semantike që spikatin fort theksin logjik të mendimit.

“Ora e Maleve”, shkruan ai, nuk kje vetem një fletore, as nuk kje fletorja e Shkodrës, “Ora e Maleve” kje fletoreja e Shqipnisë. Nën flamurin e saj luftuan patriotët ma të kulluet, në shtyllat e saj shkruen pendat ma të bukura, nën aspiraten e saj nderuen parlamentin kombetar oratoret ma ne za. Ishta fletorja e Luigj Gurakuqit. Fletorja qe i u gjindte ne canten e diplomatit te huj e ne shtrajcen e malesorit tone”. Dhe duke shpalosur qëndrimin fisnik të botimit të “Orës së Shqypnisë” që në shume ane eshte vazhdim i “Orës së Maleve”, Lazër Shantoja me përkushtim dhe me pasion atdhetari e demokrati i drejtohet asaj: “Dil në dritë o Ora e Shqypnisë, o pajtorja e dëshmoreve, o ndihjtarja e heronjve, o mbrojtja e luftëtarëve, o hylli i mergimtarve, o mnera e tiranve. Del dhe ngadhnjo!”

Në faqet e këtij organi ka shumë shkrime të tij, por shquhen kryeartikujt kushtuar Kosovës, Hasan Prishtinës, shkrimet e rubrikës “Ora në valle” që ai kërkon të mbajë gjallë serish dhe në mërgim dhe rubrika e fejtonit “As në tokë as në qiell” ku ai përfshin proza të shkruara plot frymëzim e mall që ia jep mërgimi si “Femi shqiptari në lulishte të hueja”, “Unë në Arkandje” etj. Në kryeartikullin për Kosovën, ai shfaq hapur mendimin e tij për një zgjidhje të drejtë të problemit kombëtar shqiptar. Përfshirja e katër vilajeteve perëndimore të Turqisë evropiane të banuara kryesisht nga shqiptarët, përbënte ëndrrën e parealizuar të atdhetarëve shqiptarë të Rilindjes. Ishte ky problem i hapur që u sillte brengosje të madhe edhe shqiptarëve të shekullit XX. Ndërsa në kryeartikullin kushtuar Hasan Prishtinës,ai boterisht merr ne mbrojtje figurën e patriotit dhe demokratit kosovar me të cilin e lidh një miqësi e ngushtë.

Vitet ’30 janë vitet të ngjeshura në krijimtarinë e Shantojës. Përveç bashkëpunimit me organet si “Hylli i Dritës” dhe “Leka” ai merret me përkthimin e veprave të Gëtes. Pas botimit të këngës së 4-të të poemës së Gëtes “Hermandi dhe Dorotea” më 1932 tek “Hylli i Dritës” ai e boton të plotë si vepër më 1936, përkthim i cili pritet me vlerësimet më të mira nga kritika e kohës. Vlerësime absolute ai ka marrë nga Noli dhe do të shprehte për të më vonë Norbert Jokli. Por në këto vite le gjurmë të pashlyeshme bashkëpunimi me “Ilyrinë” që del në Tiranë më 1934, ku shquan tubëza e tingëllimave “Për një puthje të vetme” që me tekstin, nënteksinn dhe kontekstin e saj, të cilën autori e boton me pseudonimin Lilian dhe do të zinte një vend të veçantë në poezinë shqipe të viteve ’30. Ka në këtë krijim të përbërë nga pesë tingëllima aq ndjenje dhe impresione jete, sa,sic e dëshmon Koliqi më vonë, ngjallën reagim në mjedisin fanatik të Shkodrës. Por poeti e dëshmon veten në lartësi të një mendimi të ri, të një arti të ri që e shquan transparenca në të gjitha kuptimet.

Ndonëse ai i është përkushtuar me devocion te admirueshem misionit te shenjte fetar, ai eshte njeri si gjithe te tjeret dhe eshte prekur nga nje ndjenjë e vetvetishme fisnike, njerëzore e dashurisë. Por ndjenja e moshës rinore përtërihet kur poeti vite më vonë ndesh në mërgim vashën e ëndrrave që ka lënë vetëm një kujtim të bukur në shpirtin e tij. Tingëllima e 5-të e tubëzës është një poezi brilante thurur me ndjenja të thella të dala nga fundi i shpirtit të poetit, tek i cili zotëron vetëdija dhe arsyeja. Dhe kujtimi i vetëm dhe i pakthyeshëm mbetet një puthje lamtumire përgjithmonë. Ashtu si në tubëzën “Zog Malit” autori tregohet mjeshtër në instrumentimin e mendimit poetik në vargjet 11-rrokëshe dhe në trajtën klasike të tingëllimës.

Ai ka krijuar edhe vargje dhe vjersha të tjera që në fillimet e tij letrare, por në këtë varg dhe në këtë vjershë shkëlqen si mjeshtri i adhuruar prej tij, Mjeda. Duke shfrytëzuar potencialet e mundshme ritmike që i japin variacion dhe muzikalitet vargut 11-rrokësh, ai e përdor atë edhe në përkthimin me aq sukses të poemës së Gëtes “Hermandi dhe Dorotea” përkthim që do të mrekullonte Norbert Joklin për lakueshmërinë dhe forcën imitative të vargjeve te vepres se poetit te madh gjerman. Por nëse vargjet e“Hermandi dhe Dorotea” kane nje gurgullimë disi të përshpejtuar ne saje te tekstit në rrokjet 3, 6 e 9; njëmbëdhjetë rrokshi i tubëzës, “Për një puthje të vetme” me theksa ritmik në rrokjet cifte rjedh me një melodi të ëmbël ashtu siç mund të shkruante një njohës i mirë i melosit klasik e popullor siç ishte Shantonja.

Vitet ’30 shënojnë një bashkëpunim të dëndur të shkrimtarit, që tashmë jetonte në Zvicër, me revistën “Cirka” (1936-1938) në Shkodër. Boton në këtë revistë rregullisht. Terheq ne to vëmëndjen rubrika “Kodra mbasi bregut” dhe ndrit, si do te vleresonte me vone Koliqi, stili plot hir e xixa humori iShantojës. Në këtë organ është botuar edhe një shkrim interesant që meriton një shqyrtim të veçantë, “Shkrimtarët e rinj”. Në këtë shkrim ai shqiptohet për aq të përfolurën “Shterpësi letrare” në atë kohë, për rolin e poetit dhe të artit të fjalës, për kërkesën për një art dhe stil të ri në letërsi. Në të gjitha këto anë ai shfaq prirjen e tij drejt një arti dhe letërsie transparente e moderne.

Ai kërkon me ngulm qe letersia të funksionoje me një stil të ri të thuket e konçiz, që në letërsinë shqiptare njihet si stil freng. Ai jep rendesi të veçante gjuhes, ketij mjeti te mrekullueshem te njerzimit.Eshte koha kur ai vepron gjallërisht, si çdo të bënte Koliqi më vonë, që të njihej Shqipëria dhe shqiptarët, sepse flet e shkruan lirisht të tri gjuhët e Zvicrës. Të kësaj kohe janë edhe shkrimi kushtuar Nanës, botuar tek “Cirka”, shkrim me vlera të veçanta si dhe letra e pabotuar drejtuar Fishtës me rastin e 60-vjetorit të lindjes, që u botua më vonë, kur as Fishta, as autori nuk jetonin më, në revistën “Shêjzat” nga Koliqi.

Janë këto proza me vlera të rralla në letërsinë shqipe që e vënë shkrimtarin jo vetëm në majën e poezisë e llojit publicistik dhe epistolar sa që e bejne që Koliqi ta krahasoje me Konicen për forcën e fjalës së tij artistike. Por vitet për të cilat ai shprehet “jemi të dënuem t’i kalojmë në dhe, e midis gjindjve të huej” ai vuan shumë sepse sic thotë vetë në një nga shkrimet e tij “unë e kishëm Shqipninë në zemër”. Nëna e tij plakë që e shoqëroi birin e saj në mërgim, që nuk njihte asnjë gjuhë të huaj me bisedat e kujtimet e saj i sillte atij atë më të afërtën e më të shtrenjtën e asaj Shqipërie, Shkodrën e tij të dashur.

Është ky mall, kjo ndjenjë e fortë lidhjeje me vendin e tij që e bën atë të kthehet në Atdhe, më 1940. Zgjidhët anëtar efektiv i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe vendoset në Tiranë. Ka ne këtë fazë të fundit të jetës së tij edhe ndonjë veprim të pafalshëm por jo të pashpjegueshëm për veprën e tij si patriot që gjithësesi nuk e përligj fundin e tij tejet tragjik, për të cilin do të mund të flitej ne nje shqyrtim te hollesishem per vepren e tij qe meriton plotesisht te dale ne driten e njohjes e te vleresimit kritik per vlerat dhe vendin e vecante qe ze ne letersine shqiptare midis dy luftrave.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.