Krenari dhe detyrim, për këngëtaren e madhe Parashqevi Simaku…

0
Parashqevi Simaku
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Jeta vjen me të mirat dhe të papriturat e saj. E tillë erdhi ajo edhe për këngëtaren e madhe kavajase, dhe gjithë shqiptare, Parashqevi Simaku. Parashqevia qe një këngëtare brilantë në interpretimet e këngëve të saj. Me interpretimet e saj virtuoze, ajo vinte krahas këngëtareve të tjera me emër, si: Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Vaçe Zela, Liljana Kondakçiu, Ema Qazimi, etj.

Brezi jonë e ndiqte me shumë endje dhe kërshëri këngëtaren me emër të madh, Parashqevi Simaku. Ajo pati një repertor të larmishëm në interpretimin e këngëve të Shqipërisë së Mesme dhe trevave të tjera shqiptare. Nga fillimet e saj muzikore, deri në vitin 1991, ajo pati një rritje të madhe artistike dhe shkëlqeu në interpretimet e saj.

Kariera artistike e saj qe e shkurtër por shumë e suksesshme. Ajo këndoi këngë të muzikës popullore, muzikës së lehtë dhe zhanreve të tjera. Suksesi i saj në skenë qe shumë i mirë. Mori pjesë në shumë koncerte brenda dhe jasht vendit, në festivalet e këngës në RTSH dhe shumë evenimente të tjera artistike. Simaku qe këngëtarja që i dha jetë, dhe shpirtin e saj, këngës.

Gjatë karierës së sajë ajo realizojë katër albume muzikore, si: “Doli goca në penxhere”, “Këndon gjeli pika pika”, “Potpuri këngësh popullore”, “Këngë arbëreshe”. Ndër interpretimet e saj në vite, mund të përmendim, këto këngë: “Kënga e Qamiles”, “Fustanin që ta solla mbrëmë”, “Ky merak, merak i shkretë”, “Gëzimi i shtëpisë së re”, “Me sytë e tu”, “Bashkëmoshatarëve”, “E duam lumturinë”, “Dëgjoma këngën”, “Se dashuria”, “Këngë popullore të Shqipërisë së Mesme”, “Në moshën e rinisë”, “Në mëngjes”, “Kur lulëzon bliri”, “Buzë detit jemi rritur”, “Kur ty të prisja”, “Më the të dua”, “Fustanin që ta solla mbrëmë”, “Merak tu bana”, “Ngrohtësi”, “Nuk jam vetëm”, “Këndo moj qyqe”, “Rrugën ç’e mora”, “Kur të qeshet buza çelin manushaqet”, “Oj Zogo”, “Gusht e prush”, “Këngë për Ganimete Tërbishin”, “Kënga e Mujo Ulqinakut”, “Lemza”, “Ta besova dashurinë”, “Kur del goca në pazar”, “Jetoj”, “Pak më shumë”, “Çdo gjë bashkë të dy e ndamë”, “Kallma cigaren”, “Lejla”, “M’ka shku mendja me u fejue”, “Shoqja ime”, etj. Parashqevia ka pasur disa bashkëpunime edhe me këngëtar të tjerë.

Në vitin 1985, në Festivalin e 24 të Këngës në RTSH, ajo zuri vendin e parë me këngën: “Në moshën e rinisë”. Ndërsa në vitin 1988 në Festivalin e 27 të Këngës në RTSH, ajo mori çmimin e parë me këngën: “E duam lumturinë”. Këto arritje dhe suksese pati Parashqevia, e paraviteve ’90, nëpër skenat dhe ekranet shqiptare…

Pas vitit 1990 një pjesë e madhe e shqiptarëve emigruan. Ikën dhe nuk dinin ku shkojnë… Skenat e largimeve të tyre qenë të dhimbshme. Edhe një pjesë e mirë e artistëve u larguan për një jetë më të mirë në perëndim. Ëndrra e tyre ishte që t’i çonin akoma më tej sukseset e tyre artistike që kishin arritur në Shqipëri, në vendet e perëndimit ku do të shkonin dhe të krijonin një jetë të re edhe më të mirë… Kështu u largua edhe Parashqevia. Por, kariera e saj u mbyll shpejt pasi pati disa peripeci në jetën e saj familiare…

Të afërm të këngëtares pohojnë se ajo kishte nisur një jetë të re në Amerikë larg ekranit dhe medias. Problemet familiare dhe ato mjekësore ndikuan rritjen e vështirësive ekonomike të saj. Diktuar nga këto kushte këngëtarja Simaku, u veçua dhe “humbi” pa asnjë “gjurmë”, atje në Amerikën e largët… Opinioni në Shqipëri dhe publiku i gjërë priste çdo ditë e në vijim që ajo të bëhej e “gjallë” dhe të vinte me një krijimtari të re artistike.

Në media jepeshin opinione të ndryshme për Të, por asgjë nuk dihej saktë. Para pak kohësh në një vidio të marrë nga kanali më i ndjekur amerikan, New York “Abc7”, dhe të postuar nga gazetari Blendi Fevziu, shihet një grua e cila duket se është Parashqevia… Parashqevia shkëlqeu si një yllë në Shqipëri, dhe tani, falë rrethanave të vështira, po shuhet si meteor në Amerikën e madhe. Nuk duhet lënë të shuhet parakohe këngëtarja e madhe Parashqevi Simaku. Shoqëria gjithëshqiptare, diaspora jonë dhe shteti shqiptar duhet ta mbështesin yllin e muzikës sonë që ajo të shkëlqejë si dikur…

Ibrahim Kabili
Tiranë, më 15.12.2024


Videoja në Facebook, tregon vërtetësinë e lajmit:

https://www.facebook.com/watch?v=1972760433210652

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.