KOSOVËS I NEVOJITET NJË INSTITUT I SPECIALIZUAR PËR TRAJTIMIN E TË RINJVE ME PROBLEME SOCIALE DHE ÇRREGULLIME TË PERSONALITETIT

0

Shkas për t’iu qasur kësaj teme të sikletshme u bë përdhunimi i vajzës 11 vjeçare në Arbëri të Prishtinës, nga pesë të rinj problematik dhe të dalë tërësisht nga përkujdesja e familjeve të tyre.

Transicioni nga komunizmi në pluralizëm dhe demokraci përveç të mirave ka sjellë aty-këtu edhe shfaqjen e disa dukurive negative.
Në të kaluarën shkollat e Kosovës përveç aftësimit profesional kanë pasur rol kyç edhe në edukimin e të rinjve.

Që nga cikli fillor e deri në përfundimin e atij të Mesëm, mësues dhe arsimtarë ishin ata që çdo sjellje devijuese të nxënësve të tyre me kohë e denonconin në Drejtorinë e shkollës.

Pastaj, kjo e fundit në bashkëpunim me organet gjegjëse të komunave ndërmerrnin masa adekuate dhe kështu parandalohej e keqja.
S’kishte të ngjarë që në sytë e arsimtarëve të pihej duhani apo alkooli, e të mos flasim për llojet e drogave, që askush nuk e kishte idenë se çka janë dhe si duken ato. Edhe veshja duhej të ishte komforë rregullave të shkollës.

Në mënyrë që nxënësit të dalloheshin nga të tjerët ishin të detyruar të bartnin bluza bojë qielli.
Po ashtu kontrollohej edhe higjiena e secilit nxënës. Atyre me flokë zhul e të gjata deri mbi supe e mjekra deri në kërthizë as që u lejohej hyrja në klasa Në këtë aksion ndihmonte mjaft edhe rrethi.

Ishte e pamundur të bëje një gjest të pahijshëm e të mos jesh në llupën e familjarëve dhe të farefisit.
Sot, fatkeqësisht disa halabakë të mbrapsht dhe të painteresuar për mësim gjithë klasën e bëjnë rrëmujë.
Mësuesit dhe Arsimtarët në pamundësi për t’i penguar sjelljet e tyre djallëzore duhet të heshtin.

Kur të gjitha vendet e botës bëjnë gara për nxënie të njohurive shumë fëmijë në Kosovë, nuk e përfundojnë as shkollimin e detyrueshëm.
Ata të mbetur jashtë institucioneve edukativo-arsimore kthehen në bredhacak të rrugëve, dhe frekuentues të vendeve që sjellin vetëm bela dhe fatkeqësi.

Shtypi në Kosovë asnjëherë nuk po mund ta luajë rolin e tij të vërtetë. Në vend që të trajtojë tema mbi këtë fenomen jashtëzakonisht shqetësues merret me punën e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve.

Fjalori i rrugës dhe bordeleve është vazhdimisht i pranishëm në Televizionet dhe Gazetat tona.
Madje i ekzagjeruar dhe me tema të trilluara si për shembull “Bëja seks me vjehrrin, kunatin, dajën, nipin etj.”
Këto tema për një të rinj me personalitet të ç’thurur janë infektuese dhe joshëse drejt zhytjes në krim e amoralitet.

Mediat nëse duan që ta kryejnë misionin e tyre për çfarë edhe janë të thirrura duhet të bëjnë anketa e sondazhe për të parë sa e sa të rinj e të reja në kryeqytetin e Kosovës, janë shndërruar në bredhacak rrugësh, duke e braktisur edhe shkollimin e obligueshëm 9-vjeçar.
Vërtetë ishin qesharake konstatimet e disa analistëve kur në mesin e veprave penale kryesit të përdhunimit ia ngarkonin edhe vjedhjen e një krahu drunjësh në pyll.

E,në anën tjetër e heshtin zhvatjen dhe plaçkitjen e milionave nga persona të papërgjegjshëm të institucioneve tona.
Pastaj, akuzohej familja për edukimin jo të mirë të djalit të tyre pamenduar që shumica e prindërve në Kosovë, pafajin e tyre janë gjysmëanalfabetë. Gjithashtu ende s’ka diagnozë të saktë mbi gjendjen mendore të përdhunuesit.

Derisa ai sipas raportimeve të mediave të Kosovës nuk shpreh as pendimin më të vogël për krimin e kryer shihet që ka probleme të rënda skizoide, e me prirje të theksuara të sadizmit.

Në Kosovë shumë raste njerëzish të prekur nga sëmundje mendore në vend që të shtrohen në spitale për kurim u lihen në barrë familjeve.
Këto familje vazhdimisht janë në ankth me këtë kategori njerëzish që çdo moment mund të jenë kërcënim serioz edhe për vetë ata.
Shihet që kryerësi i kësaj vepre makabër ka ushtruar dhunë edhe ndaj prindërve të tij.

Mbase dhuna ndaj tyre ka mundur të jetë e përsëritur, por e paraqitur vetëm njëherë nga ata në policinë e Kosovës, me shpresën që me kalimin e kohës djali i tyre do të përmirësohet.

Andaj, vetëm ndonjë i krisur dhe me gjene të trashëguara për krim dëshiron që fëmijët e tij t’i shoh në pozitën e vrasësit dhe kriminelit.

Pa ekspertizë të mirëfilltë të rastit nga specialistë të kriminalistikës dhe të mjekësisë, vlerësimet nga kolltuku me thashetheme të kafeneve vetëm e acarojnë situatën.

Natyrisht çdo krim duhet të dënohet por jo në shkallën me ua bërë të pamundur hetimin dhe kompletimin e dosjeve Prokurorëve dhe Gjykatave.

Protestat me 10 apo 20 veta dhe zhurma e mediave po shihet qartë që nuk e ndryshojnë dot gjendjen.
Nëse ia duam të mirën Kosovës dhe njerëzve të saj të gjitha përpjekjet tona duhet t’i orientojmë në krijimin e një gjyqësori të paanshëm dhe të pandikuar nga politika.

Raste të kësaj natyre mjerisht gjatë këtyre viteve ka pasur bukur shumë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Prandaj, themelimi i një Instituti të specializuar në Kosovë e Shqipëri për mbrojtjen, përkujdesjen dhe risocializimin e të rinjve me probleme nga më të ndryshmet është nevojë urgjente.

Vetëm kështu ndalen debatet absurde dhe me paragjykime nga njerëz jo profesionistë e të pa kurrfarë njohurish mbi këtë problematik tepër delikate.

ARIF EJUPI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.