Xhelal Zejneli
Mos ia bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të ta bëjnë ty – Konfuci
Konfucianizmi – angl. Confucianism, frëngj. Confucianisme, gjerm. Konfuzanismus – është emërtim për mësimet e “klasikëve” kinezë mbi natyrën dhe shoqërinë. Themelues i këtij mësimi është filozofi kinez Konfuci, trajta e latine Confucius e emrit Kung Fu-tzu, Mjeshtri Kong, (551-479 para erës së re). Rrjedh prej një familjeje e respektuar. Babanë e kishte guvernator. Megjithëkëtë, Konfuci e kaloi rininë në varfëri. Ai thotë: “Si fëmijë, kam qenë i varfër”. Në moshë 50-vjeçare u ftua në oborr, u bë ministër i jurisprudencës, bëri shumë reforma shoqërore.
Por, për shkak të mospajtimit me princin mendjelehtë, e lë oborrin dhe udhëton nëpër vise të ndryshme të Kinës. Kah fundi i jetës, i përkushtohet rregullimit dhe përhapjes së mësimit të vet. Thuhet se ka pasur mbi 3000 nxënës. Në bazë të shkrimeve të nxënësve të tij – që kanë kaluar nëpër redaktime të ndryshme – është vështirë të përcaktohet me saktësi se cilat kanë qenë pikëpamjet e Konfucit dhe cilat, shtesa të nxënësve dhe të komentuesve të tij. Megjithëkëtë, mund të nxirren disa elemente dhe tendenca themelore të pikëpamjeve të tij për botën dhe jetën.
Pikësëpari, Konfuci dëshiron që traditën ta pasqyrojë në mënyrë sa më të plotë dhe s më besnike dhe jo të krijojë sistem filozofik burimor. Ai thotë: “Nuk kam lindur i ditur. E dua të kaluarën dhe përpiqem ta mësoj”. Ai nuk dëshiron të merret me çështje teorike të kota dhe abstrakte, por dëshiron që mësimin e vet ta zbatojë në mënyrë praktike. Si model i shërbejnë shtatë sundimtarë të mençur. Prandaj ai është edhe reformues social edhe reformues etik dhe kërkon shembuj në të kaluarën, sipas të cilëve duhet të jetojnë brezat e tashëm dhe të ardhshëm.
Sipas Konfucit, njeriu duhet patjetër që vazhdimisht t’i zhvillojë shkathtësitë e veta natyrore, duke qenë me këtë rast edhe aktiv, për arsye se vetë shkathtësitë, po qe se ai nuk bën kurrfarë përpjekjesh, nuk e bëjnë atë të përsosur. Pra, nxënësi i vërtetë i urtisë, e merr rrugën e përsosjes, duke dalluar të vërtetën nga e rrejshmja, të drejtën nga padrejtësia. Por, njeriu vërtet i urtë, kur flet është modest. Ai më tepër punon se flet, ndërsa veprat dhe sjelljet e tij, gjithmonë janë përmbi këshillat e tij. Për këtë arsye, “ai i urren oratorët e mirë të cilët përzihen me njerëzit e ndershëm”.
Lidhur me sundimin dhe shtetin, maksimat e njohura të tij kanë pasur për qëllim racionalizimin e marrëdhënieve shoqërore. “Po qe se sundimtari është i drejtë, punët do të kryhen pa dhënë urdhër ai. Po qe se nuk është i drejtë, ai mund të japë urdhër, por punët nuk do të kryhen”. Edhe ligjin kozmik tao, Konfuci e interpreton si parim aktiv, i mishëruar sidomos në funksion të sundimtarit, i cili, si “bir i qiellit”, rendim mikrokozmik njerëzor duhet ta harmonizojë përhershëm me rendin makrokozmik qiellor. Po qe se nuk e bënë këtë, atëherë qielli do ta damkosë sundimtarin me shenjat e veta: me thatësi, me përmbytje, dhe me katastrofa të tjera të natyrës. Me këtë rast, populli ka të drejtë ta rrëzojë nga froni.
Përkundër theksimit të prejardhjes “qiellore” të taos, e që ndërlidhet me fatin dhe të rëndësisë së traditës, nderimeve mortore dhe therorive, kur është fjala për çështjet fetare, mësimi i Konfucit pa diskutim është i orientuar kah agnosticizmi. “Po qe se ende nuk dimë t’u shërbejmë njerëzve, atëherë si do t’u shërbejmë shpirtrave? Po qe se ende nuk e njohim as jetën, si mund ta njohim vdekjen?” Si filozof i etikës, Konfuci në radhë të parë beson në mirësinë burimore të njeriut. Nocioni themelor i etikës së tij është jen-i, ligj i përgjithshëm që duhet t’i administrojë të gjitha marrëdhëniet në familje, në shoqëri dhe në shtet, të shprehur si “rregull i artë”. “Mos ia bëj tjetrit atë nuk dëshiron të ta bëjnë të tjerët ty”.
Por, përkundër të gjithave elementeve, të afërta me ato krishtere që i hasim, te Konfuci shumë më parë dhe shumë më lehtë do të hasim edhe një sërë pozicionesh që janë në kundërshti të ashpër me çdo mësim etik dhe religjioz, të cilat ngërthejnë në vete disa pozicione të doktrinës krishtere të mëvonshme. “Dikush pyet: Ç’do të kishte ndodhur sikur të keqes do t’i përgjigjeshim me të mirë?” Mësuesi i është përgjigjur: “Atëherë, si do t’i përgjigjeshim të mirës? Të keqes duhet t’i përgjigjemi me drejtësi, ndërsa të mirës me mirësi”.
Për zbatimin e përgjithshëm praktik-etik të doktrinës së Konfucit, është tejet karakteristik shkaku për të cilin ai e thekson parimin e rektifikimit të fjalëve. “Çdo send duhet shqiptuar me emrin e vet të vërtetë”. Kjo është një normë e cila duhet të vendos rend edhe në marrëdhëniet shoqërore. Sipas Konfucit, në shoqërinë të organizuar mirë, çdo send e ka emrin e vet të vërtetë: “Sundimtari të jetë sundimtar, ministri – ministre, babai – baba, ndërsa biri të jetë bir”. Me fjalë të tjera, kjo është një kërkesë etike, që secili detyrën e vet ta kryejë si duhet, si funksion i dhënë në shoqëri.
Më vonë, shkenca e Konfucit ka pësuar shumë ndryshime të cilat e kanë larguar konfucianizmin nga mësimi burimor i mësuesve, kështu që me transformimin e tij nga një doktrinë filozofike në religjion popullor, Konfucin, prej mendimtarit e kanë shndërruar në të shenjtë, madje edhe në hyj të cilit i kanë bërë theror dhe i kanë kushtua lutje.
Por, fushata kundër filozofisë së Konfucit – të cilës dikur në Kinë, e sidomos gjatë revolucionit kulturor, i ngjisheshin të gjitha të këqijat dhe errësira reaksionare më e zezë – nuk është analizë serioze e atij mësim të veçantë, por anatemë ideologjike me të cilën është etiketuar negativisht çdo mendim që nuk ka qenë në përputhje me nevojat politike në fuqi.
* * *
Pjesën më të madhe të jetës e kaloi si mësues moral i një grupi dishepujsh, në fillim duke punuar për qeverinë, kurse më vonë duke marrë rolin e një të urti endacak. Idetë e tij për rëndësinë e vlerave të moralit praktik formuan bazën e filozofisë së konfucianizmit. Mësimet e tij u përdorën prej nxënësve pas vdekjes në “Përmbledhjen letrare”. Përmbledhjet e mëvonshme të shkrimeve konfuciane ndoshta nuk i kanë qëndruar aq besnike veprës së tij.
Me mësimin e vet ushtroi ndikim të madh mbi qytetërim in e Azisë lindore. Për jetën e Konfucit ka pak të dhëna. Edhe ajo që dihet për të, është e mbështjellë nga tisi i legjendave. Ndonëse i varfër, i ri dhe autodidakt, Konfuci ka qenë një prej njerëzve më të ditur të kohës së vet. Krahas veprimtarisë së vet si mësues, filozof dhe mendimtar politik, Konfuci ka qenë i preokupuar edhe me ndodhitë politike reale. Në kohën e tij, Kina ka qenë vetëm nominalisht e bashkuar, ndërsa në shtetet feudale dhe ndërmjet tyre, fisnikët vazhdimisht kanë qenë në konflikt me njëri-tjetrin. Kohë pas kohe, ka pasur edhe uri masive, kështu që këto konflikte akoma më shumë e kanë rënduar jetën e qytetarëve. Duke tentuar t’i zvogëlojë vuajtjet e njerëzve, Konfuci u angazhua për reformën e pushtetit. Sipas tij, pushteti nuk duhet t’i kënaqë vetëm dëshirat e qeveritarëve, por duhet të mendojë dhe të punojë edhe për lumturinë e shtetasve të vet.
Në kulturën botërore, Konfuci njihet për ndërtimin e sistemit etik të tij, sipas të cilit, nocioni themelor është njerëzorja. Burimi më i besueshëm i shkencës së tij është “Biseda” (Lun-Ju). Mësimi i Konfucit është redaktuar në pesë libra: libri i dokumenteve historike, libri i poezisë së vjetër, libri i ritualeve dhe i ceremonive, “Libri për metamorfozat” ose për ndryshimet natyrore, si dhe “Pranvera dhe vjeshta” – çfarë titulli kanë analet e Kung Fu-tze për historinë e shtetit Lu.
Konfucianizmi është sistem mësimesh filozofike dhe etike, i themeluar prej Konfucit në shekullin VI para erës së re dhe i zhvilluar nga Menci (Meng-tzu) në shekullin IV para erës së re, një prej dy ideologjive kryesore kineze, krahas taoizmit (daoizmit)*. Konceptet themelore të konfucianizmit janë etike: dashuria për shokët, përkushtimi birëror, mirësjellja, virtyti dhe ideali i njeriut epror. Botimi në vitin 1190 i katër teksteve të mëdha të Konfucit, e rigjallëroi konfucianizmin në gjithë Kinën. Një varg i dytë tekstesh, “pesë klasikët” përfshin I Ching. Sipas përllogaritjeve, në botë ka 5.800.000 pasues të konfucianizmit.
Në letërsinë klasike konfucianiste bën pjesë përmbledhja e Kung Fu-tzu-it “Proverba dhe biseda” (të njohura si Analekte) si dhe veprat themelore me komente që i ka shkruar pasuesi më i njohur i Kung Fu-tze, Meng-tze.
Në shekujt XI – XII, epokë e dinastisë Sung, paraqitet reforma neokonfucianiste që bazohet në interpretimin e klasikëve që e përpunojnë “pesë filozofë”, ndër të cilët, më i rëndësishëm është i fundit, Çu-hi (1131-1200). Ata përfshijnë në konfucianizëm elementet themelore të taoizmit dhe të budizmit, duke i siguruar epërsi ideologjike dhe njohje zyrtare, deri në rënien e perandorisë kineze, në vitin 1912.
Konfuci nuk e konsideron veten as filozof, as themelues të religjionit. Ndaj religjionit, ai është skeptik i hapur. Veten e konsideron përcjellës dhe jo krijues të ideve që i përfaqëson. Qëllimi i kësaj përcjellje, në radhë të parë është politik: me reformën konservatore, duke iu kthyer shembujve të sundimtarëve legjendarë të vjetër, të shpëtohet nga rënia, perandorinë Çou. Kështu, konfucianizmi bëhet bazë ideologjike e klasës së “literateve”, pikërisht e burokratëve (ju-çia), pushteti mijëvjeçar i të cilëve në Kinë, ishte bërë tradicionale.
Shkenca konfucianiste mbi natyrën niset nga premisa se dy parime të kundërta, negative dhe pozitive, pasive dhe aktive, “femërore” dhe “mashkullore”, toka dhe qielli – e shkaktojnë dhe e mbajnë rrjedhën e përhershme të ndodhive në botë. Këto parime polare janë shprehje e një ligji kozmik të përgjithshëm – tao. Këtu nocioni tao dallohet qenësisht nga taoizmi i Lao-tze, nga fakti se në konfucianizëm, tao është parim aktiv “mashkullor”, ndërsa në taoizëm është pasiv “femëror”. Sundimtari si “bir i qiellit” ka për detyrë të ruajë “rrugën e mesme” (cung-jung) të harmonisë midis tokës dhe qiellit, jinit dhe jangut. Po qe se nuk ia del ta bëjë këtë, qielli e denoncon me shenja të këqija – thatësi, përmbytje, luftëra të pasuksesshme – ndërsa shtetasit kanë të drejtë ta flakin.
Mësimi i Konfucit për rregullimin shoqëror, formalisht e zbaton të njëjtin parim të ligjshmërisë dhe të polaritetit dhe bazohet në pesë marrëdhënie themelore midis njerëzve: sundimtari – shtetasi, babai – biri, burri – gruaja, vëllai më i madh – dhe vëllai më i vogël, mik – armik. Marrëdhëniet familjare të autoritetit janë bazë e rregullimit shoqëror dhe shtetëror hierarkik. Në marrëdhënie analoge është sundimtari si “bir i qiellit”, ndaj qiellit që është hyjni më e lartë. Dashuria e birit është shembulli themelor i marrëdhënieve shoqërore. Për moralin personal dhe shoqëror, rregull kryesor “për mesin e artë” është: “Mos ia bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të ta bëjnë ty”.
Për konceptin konfucianist të virtytit që është formalist dhe aristokratik, qenësor është kultivimi i formave të bukura të sjelljes, e sidomos kultivimi i muzikës; populli duhet t’i nënshtrohet sundimtarit dhe jo ligjit. Këtë koncept e ka plotësuar Menge-tze, me teorinë e gjerë etike se njeriu, për nga natyra është i mirë, ndërsa atë mund ta prishë vetëm rendi i panatyrshëm, sidomos krijimi i pabarazisë ekonomike.
Qysh Kung Fu-tze angazhohej për një politikë tatimore dhe agrare më të drejtë, por nuk kishte sukses, njësoj si në përpjekjet e tjera për t’i këshilluar sundimtarët. Meng-tze theksonte nevojën të dëgjohet edhe zëri i popullit, por edhe përpjekjet e tij për një reformë konservatore, mbetën të pafrytshme.
* * *
Shënim: Meng-tze (emri i vërtetë K’o, trajta latine Mencius ose Mencie, 372-289 para erës së re) është vazhdues dhe interpretues i filozofisë së Konfucit. Ka qenë këshilltar në shumë oborre mbretërore. Më vonë ka jetuar si mësues që ka udhëtuar kudo. Veprat e tij janë shkruar si dialogë, në shtatë libra. Në to polemizon me elementet utopiste në mësimin e Meh-tit, si dhe me pikëpamjet skeptike-hedoniste. Teorinë konfucianiste, që në thelb ka qenë aristokrate dhe konservatore, sipas së cilës virtyti fitohet vetëm me edukim të mirë dhe duke ruajtur format harmonike gjatë sjelljes dhe duke zhvilluar artet e bukura, e zëvendësoi me një tezë shumë më të gjerë sociale dhe etike, sipas së cilës, të gjithë njerëzit, për nga natyra janë të mirë, posedojnë ndjenja të mira natyrore, janë të dhimbshëm, të drejtë etj. Vetëm tendenca për t’u pasuruar i largon ata nga rruga e drejtë. Kur është fjala për çështje e religjionit, Mencie është agnostik*.
Agnosticizëm nga greq. agnostos – i panjohur; term i krijuar në vitin 1869 nga biologu britanik Tomas Henri Haksli (Thomas Henry Huxley, 1825-1895), përkrahës i teorisë së natyralistit anglez Çarls Darvin (Charles Darwin, 1809-1882) për evolucionin, që tregonte qëndrimin e vet ndaj besimit fetar dogmatik. I ndikuar nga mendimi shkencor modern, agnostiku mendon se për dukuritë që nuk mund të provohen ose të mohohen me mjete materiale, siç është ekzistenca e Zotit, nuk mund të ketë besim ose mosbesim. Ky term nuk duhet të ngatërrohet me ateizmin që është mohim i Perëndisë ose i çfarëdo qenieje mbinatyrore.
Taoizmi ose daoizmi është një nga tri fetë dhe filozofitë tradicionale kryesore kineze, kurse dy të tjerat janë konfucianizmi dhe budizmi*. Sikundër konfucianizmi, daoizmi ka dy aspekte, aspektin filozofik dhe atë fetar ose ritual. Megjithëkëtë, ai dallohet shumë nga mësimet praktike të konfucianizmit, sepse e vë theksin në meditimin e brendshëm, në format mistike të dijes dhe në bashkimin joaktiv me natyrën e qenies. Filozofia e daoizmit u përpunua nga shekulli V deri në shekullin III para erës së re.
Parimet e tij gjenden në daodexhing, që tradicionalisht mendohet se është i Laozi-së, si dhe në tekstin që njihet me emrin Zhuangzi, emri i autorit të tij. Realiteti përfundimtar është Dao, në të cilin qenia dhe mosqenia, jeta dhe vdekja, nuk janë tjetër veçse aspekte të të njëjtit realitet. Me anë të heshtjes, qetësisë dhe veprimit pa veprim (wu wei), daoisti synon të arrijë unitetin me Dao-n. U krijua gjithashtu edhe një fe daoiste, e cila u njoh zyrtarisht në shekullin III të erës së re. Ajo përmbante disa tipare budiste dhe krijoi sistemin e vet të manastireve dhe praktikat e veta të kultit.
Daoizmi popullor mori nga budistët konceptin e rimishërimit (reinkarnimit), veçse qëllim përfundimtar nuk pati nirvanën, por synimin për t’u bërë i pavdekshëm. feja daoiste ka pasur gjithashtu prirje për t’iu afruar disa praktikave fetare popullore dhe ka marrë prej tyre elemente të tilla si adhurimi për perëndi vendore të ndryshmi Daoizmi ka pasur peshë në Vietnam, Japoni dhe Kore, kurse praktikat fetare daoiste vazhdojnë të ushtrohen në Tajvan. Në Kinën komuniste, praktikat fetare dhe manastiret daoiste janë ndaluar, por mendimi daoist mbetet me ndikim të madh në kulturën kineze.
Budizmi – është fe aziatike, e përhapur gjerësisht ose filozofi, e themeluar në shekullin V para erës së re, prej Siddhartha Gautama-s, të mbiquajtur Buda, në Indinë verilindore, si kundërveprim ndaj fesë me flijime të brahmanizmit ortodoks. Është fe pa një Zot, në të cilën gabimet njerëzore dhe fati i njeriut janë të lidhura në një varg të pandërprerë shkaqesh dhe pasojash.
Ka dy tradita kryesore: Theravada (që shpesh quhet Hinayana) dhe Mahayana. Nga kjo e dyta ka dalë Vajrayana. Mësimet themelore të budizmit përmbahen në “katër të vërtetat fisnike”: gjithë ekzistenca është vuajtje; shkaku i vuajtjes është dëshira; çlirimi prej vuajtjes është nirvana; dhe mjetet për të arritur nirvanën janë të parashtruara në “shtegun e tetëfishtë”, që ndërthur sjelljen etike, disiplinën mendore dhe urtësinë.
Gjërat qendrore në këtë shteg fetar janë doktrina “jo vetja” (anatta) dhe ushtrimi i përsiatjes. Tre “diamantet” e budizmit janë Buda, doktrina (dharma) dhe sangha. Në botë ka mbi 300 milionë besimtarë budistë. Në shekullin III para erës ë re, budizmi u bë fe kombëtare në Indi nga perandori Asoka (vdiq rreth viti 232 para erës së re) dhe prej Indie u përhap në pjesën më të madhe tëAzisë. Ende është forcë kryesore në mjaft vise të kontinentit, por ironia është se sot ka më pak budistë në Indi, ku kjo fe me vështirësi u shpëtoi dyndjeve myslimane të shekullit XIII.
* * *
Veprat kryesore të Konfucit: Shkencën e vet, Konfuci nuk e ka shkruar vetë. Gjatë disa brezave pas tija, mësimi i tij është renditur dhe është shkruar në tre libra. Më të rëndësishëm janë “Biseda” (Lung-yü), “Mësimi i madh” (Ta-hsio) dhe “Mjedisi i patundur” (Çung-yung).