Kombëtarja shqiptare e futbollit e konsoliduar dhe cilësore

0
FSHF - tifozat
Arif Ejupi
Arif Ejupi

Shqipëria nisi daljen nga vetizolimi i gjatë politik dhe kulturor, me ngadhënjimin e demokracisë në fillim të viteve ’90. Ajo sikurse shumë vende të tjera të bllokut ish-komunist gradualisht iu bashkua Perëndimit në shumë fusha, përfshirë edhe sportin.

Megjithatë, futbolli si sporti më i popullarizuar në botë kishte mbetur për një kohë të gjatë i margjinalizuar dhe pa ndonjë vizion të qartë zhvillimi.

Stadiumet ishin në gjendje të mjerueshme, strukturat drejtuese joprofesionale, po ashtu mungonin politika të mirëfillta pune me pionierë dhe juniorë.

Kaluan dekada të tëra me paraqitje të dobëta dhe mungesë suksesi, derisa erdhi momenti historik: Kualifikimi në Kampionatin Evropian “Francë 2016”, që përfaqësonte ngjarjen më të madhe në historinë e futbollit shqiptar deri atëherë.

Kjo pjesëmarrje në këtë ngjarje të rëndësishme nuk ishte vetëm një arritje sportive, por edhe një shpërthim krenarie kombëtare për shqiptarët kudo që janë.

Kombëtarja jonë, e udhëhequr nga trajneri i atëhershëm italian Gianni De Biasi dhe e përbërë nga një brez futbollistësh të përkushtuar, dëshmoi se Shqipëria, kishte arritur më në fund të thyente “murin e inferioritetit”, që e kishte penguar vite të tëra.

Ky sukses historik u ndërtua me moral të lartë dhe besim në vetvete. Pa dyshim, rrugëtimi drejt Euro 2016 u shënua në ndeshjen dramatike të zhvilluar në Beogradit, më 14 tetor 2014, ku huliganët serbë sulmuan brutalisht futbollistët shqiptarë, duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes.

Në një vendim të shumëpritur dhe të drejtë UEFA, regjistroi fitoren në tavolinë për Shqipërinë me rezultat 3:0, duke sanksionuar dhunën dhe urrejtjen e shfaqur në atë përballje të turpshme. ku serbët shfaqën çmendurinë e tyre.

Ky vendim ishte më shumë se teknik: ishte një dënim i qartë ndaj racizmit dhe një njohje e qëndresës së kombëtares sonë.

Pas Euro 2016, Kombëtarja shqiptare vazhdoi rrugëtimin e saj me luhatje, por me tendencë të qëndrueshme drejt konsolidimit.

Në dekadën e fundit, janë hedhur hapa të rëndësishëm në profesionalizimin e trajnerëve, reformimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërtimin e infrastrukturës moderne (si “Air Albania Stadium” në Tiranë), si dhe përfshirjen e diasporës shqiptare në përbërjen e ekipit kombëtar.

Kombëtarja është pasuruar me futbollistë të talentuar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe diaspora në Zvicër, Gjermani, Suedi, Angli etj.

Zaten kjo e ka shndërruar kombëtaren shqiptare në një çerdhe të bashkimit të shqiptarëve në një ideal të përbashkët sportiv dhe kombëtar.

Sot, Kombëtarja shqiptare është një skuadër konkurruese, cilësore dhe e respektuar në Evropë, e aftë të përballet denjësisht me çdo kundërshtar. Shpresojmë se këtë do ta dëshmojë edhe më 7 qershor 2025, në një ndeshje të veçantë kundër Serbisë, e vlefshme për Botërorin 2026, që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.

Kjo përballje, përveçse një sfidë sportive, ka edhe simbolikë të veçantë për ne shqiptaret, ngase është edhe një rast për të treguar maturi, dinjitet dhe nivel futbollistik, ndaj një kundërshtari me të cilin kemi përvoja mjaft të hidhura.

Në prag të kësaj ndeshjeje, Kombëtarja shqiptare është më e bashkuar se kurrë, me një grup lojtarësh të talentuar dhe të motivuar për të shkruar kapituj të rinj suksesi.

Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk është më “e harruara” e Evropës, ajo tashmë është bërë pjesë e denjë e elitës së futbollit evropian dhe atij botëror.

ARIF EJUPI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.